Meta: Opozita ka bërë një veprim të nxituar, të gjendet një marrëveshje

Presidenti Meta i ftuar në emisionin ‘Debat’ në TV Dukagjini, ka deklaruar se Shqipëria është në një krizë politike dhe për këtë opozita ka bërë disa hapa të nxituar. Sipas Metës opozita nuk ka vepruar drejtë në vendimin për djegien e mandateve. Po ashtu presidenti deklaron se edhe mazhoranca nuk duhet t’i kishte zëvendësuar aq shpejt mandatet që lanë bosh partitë opozitare.

Ndërkohë që fton të dy palët që të gjejnë  gjuhën për të zgjedhur këtë ngërç.

“Procesi është tepër i rrezikuar. Opozita ka bërë një veprim tepër të nxituar i djegjes së mandateve. Por për fat të keq edhe mazhoranca ka bërë një veprim të nxituar për zëvndosimin e mandateve. Kështu që jemi në një situatë kur duhet të dyja palët të bëjnë hapa pas dhe të gjejmë rrugën e duhur për të shkuar drejt zgjedhjeve të drejta. zgjedhjet janë problematike nëse bëhen pa opozitën. Unë shpresoj në një reflektim të dy palëve. Për sa i përket opozitës, për fat të mirë protesta e fundit ishte një protestë paqësore. Krizë shumë të thellë kushtetuese dhe përfaqësuese. Do të kisha qenë më kritik se ju për djegien e mandateve nëse Shqipëria do të kishte një Gjykatë Kushtetuese. Çdo mos pajtim që do kishte opozita ka se ku të ankohet. Çdo marrëveshje qe vendos normalitet të funksionimit të kushtetutës dhe përfaqësimi” ka deklaruar Meta.

Basha refuzon nga Elbasani Ramën: Kurrë qeveri të përbashkët, Rama duhet të ikë!

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka refuzuar nga Elbasani sërish ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog. Lideri demokrat vijon që të mos tërhiqet nga pozicioni dhe kushti i panegociueshëm për largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Basha shprehet se u ka komunikuar ndërkombëtarëve gatishmërinë për të qenë pjesë e zgjidhjes politike për vendin, por me kusht largimin e Ramës.

“Mirënjohje për këtë mesazh të vendosur që ushton nga zemra gjeografike e Shqipërisë, nga Elbasani, që ushton nga qytetarët, nga të rinjtë dhe të rejat. Nuk kam mesazh më të qartë se ky, betejës së shqiptarëve për liri, sa vijnë edhe u shtohen radhët, çdo ditë e bën më të madh bashkimin tonë, se nuk ka zgjidhje politike pa largimin e Edi Ramës dhe bandës që ka marrë peng vendin. Dhe se në funksion të kësaj shqiptarët e bashkuar kanë vendosur gjithçka, shpirtin dhe vullnetin, nuk mund të ketë as liri, as zgjedhje të lira, as shporrje të bandës kriminale, pa larguar shkaktarin numër një të kësaj krize, njeriun që bëri projektin e Shqipërisë hambar droge. Tani bëhet gati që ta kthejë Shqipërinë në monizëm për të çimentuar pushtetin, por ne nuk do ta pranojmë këtë”, deklaroi Basha nga Elbasani.

Sipas tij, korrupsioni i takon vetëm një partie, por aferat nuk kanë marrë kurrë më parë këto përmasa shtazarake. “216 kontrata sekrete, qindra milionë euro që ua marrin ju, ua heqin nga goja. Kjo bandë ka vjedhur 4.6 mld euro, sa gjithë buxheti dhe shpenzimet”, u shpreh kreu i PD.

Kryedemokarti u shpreh gjithashtu se nuk do të ketë kurrë qeveri të përbashkët me Edi Ramën. Ai u bëri thirrje demokratëve që të mos dëgjojnë ato që ai i cilësoi si thashetheme për qeveri të përbashkët Rama-Basha. “Njëlloj si minjtë e zënë në çark, Rama kanë nisur.. Keni dëgjuar thashethemet që po përhap tani…nuk ka më asnjë barrierë, minjtë e ndiejnë ankthin dhe frikën dhe kanë filluar të përhapin versionet e daljes nga kriza, qeveri e përbashkët Basha-Rama dhe të tjera broçkulla si këto. Këtë betejë nuk e nisëm për betejë nuk e nisëm për pushtetin dhe karriget tona, pasi i dorëzuam. Qartë dhe prerë, kurrë, kurrë, kurrë dhe asnjëherë pazar në kurriz të shqiptarëve. Por që kjo krizë të zgjidhet vetëm në interes të shqiptarëve dhe do të thotë jo vetëm dhënia fund një parlamenti ilegjitim, largimit të Ramës dhe zgjedhjeve të lira”, deklaroi Basha.

Gjithashtu, kryedemokrati tha se nuk do të njohë asnjë akt të parlamentit aktual dhe se kur PD-ja të vijë në pushtet do i zhbëjë vendimet që ka marrë.  “Rama erdhi në pushtet me krimin. Këtu në Elbasan krimi diktoi mandatet e krimit, nuk janë deputetë të Elbasanit por të bandave të drogës. Nuk e njohim cdo akt të atij parlamenti dhe do ta zhbëjmë. Nuk i njohim aktet e një parlamenti kukull të krimit. Edhe kjo që po bëjnë për ligjin për Akademinë e Shkencave është diktaturë, duan t’u mbyllin gojën intelektualëve. Zotimi im është që nuk do të ketë pazar me të keqen se beteja do të shkojë deri në fund, deri në fitore”, u shpreh kreu i opozitës.

Në fund të fjalës së tij, Basha ftoi demokratët që të marrin pjesë ne protestën e 2 qershorit, e shtata kombëtare e opozitës së bashkuar kundër qeverisë para Kryeministrisë. “Ju ftoj në protestën madhështore të 2 qershorit. Kurrë më parë nuk ka qenë kaq i qartë kontrasti mes shumicës së shqiptarëve dhe një pakice horrash dhe kriminelësh të frikësuar. Ju ftoj të gjithë bashkë të frymëzuar nga ky bashkim” përfundoi ai. 

Kur “flet Amerika”, Tirana hesht. Përndryshe…

Nga Eduard Zaloshnja

Ndërhyrja e parë amerikane në krizat shqiptare ka qenë edhe më ekzistencialia për shtetit tonë. Pas Luftës së Parë Botërore, politikanët shqiptarë ishin të përçarë, nën  ndikimin e fqinjëve që donin ta ndanin mes tyre shtetin e ri shqiptar (të njohur nga Konferenca e Londrës së 1913-ës). U desh ndëryrja vendimtare e Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes, që i vuri fre synimeve të fqinjëve, dhe që u dha krah politikanëve që donin vazhdimësinë e shtetit shqiptar. Pas asaj ndërhyrje fatlume, u mblodh Kongresi i Lushnjës, dhe historia dihet si ka vazhduar.

Do të duhej të kalonin 70 vjet, që SHBA të ndërhynte përsëri në një krizë shqiptare.  Në vitin 1991, pasi PPSH-ja kishte fituar zgjedhjet e para pluraliste (rezultati i tyre u njoh ndërkombtarisht), filloi greva e përgjithshme në vend. Ndërkohë, në Tiranë pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, që u shoqëruan edhe me vënie zjarri të një pjese të Pallatit të Kulturës. Nga ana tjetër, “Vullnetarët e Enverit” po kërcënonin se do të marshonin drejt Tiranës, për t’u përplasur me protestuesit.

Në kushtet kur vendi mund të futej në spiralen e luftës civile, Zëri i Amerikës mbështeste hapur opozitën, ndërsa i ngarkuari me punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë (amabasadori ende nuk ishte konfirmuar nga Senati), u takua me kryeministrin Nano. Dhe pas atij takimi, u arrit marrëveshja mes mazhorancës e opozitës për krijimin e qeverisë së stabilitetit, e cila do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohëshme një vit më vonë.

Ishte përsëri ndikimi i Zërit të Amerikës dhe ndërhyrja e ambasadës amerikane ajo që rrëzoi qeverinë e stabilitetit (të kryesuar nga socialisti Bufi), pasi nuk arriti ta stabilizonte vendin. Qeveria teknike që erdhi pas saj e çoi vendin në zgjedhjet e marsit 1992, që sollën PD-në në pushtet.

Katër vjet më vonë, pas zgjedhjeve të kontestura të 1996-ës, Departamenti i Shtetit i kërkoi Berishës përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona elektorale, gjë që nuk ia rrezikonte mazhorancën PD-së në Kuvend. Por Berisha pranoi përsëritjen vetëm në 16 zona. Nëse një më tepër do të kishte pranuar, do t’i ishte vënë në rrezik mazhoranca e cilësuar me 2/3 në Kuvend, e cila i duhej për t’u rizgjedhur si President i Republikës dhe për të miratuar projekt-kushtetutën (që i ishte rrëzuar në referendumin e 1994-ës).

Pas snobimit publik që i bëri Uashingtonit, ambasada amerikane u bë si një faltore ku faleshin opozitarët dhe eksponentët e mediave kritike ndaj Berishës. Ndërkohë, FMN-ja dhe Banka Botërore (që dominoheshin e dominohen nga Uashingtoni financiarisht) filluan sulmin ndaj firmave piramidale, të cilat kishin lulëzuar nën vëzhgimin dashamirës të Berishës (një ndër gabimet që ka pranuar publikisht ai – në një emision të Fevziut para zgjedhjeve të 2005-ës – ka qenë pikërisht mosmbyllja e firmave piramidale me kohë).

Dihet si rrodhën ngjarjet më tej. Kur shpërtheu revolta për paratë e humbura në skemat piramidale, amerikanët i propozuan Berishës që të emëronte Eduard Selamin si kryeministër dhe të shpallte zgjedhje të parakohëshme. Por ai nuk pranoi. Kur situata mbërriti pikën e vlimit, amerikanët arritën t’i ulin palët në negociata, që filluan para 1 marsit 1997. Por Berisha nuk u tërhoq dhe pas 1 marsit, depot e armatimeve të ushtrisë u hapën (rreth 1 milionë armë ranë në duart e popullsisë civile). Në zgjedhjet e parakohëshme të atij viti, nën mbikqyrjen e 6 mijë trupave ndërkombëtare, koalicioni i majtë mori 2/3 e vendeve në Kuvend.

Pas katër vjetëve të mbushura me protesta të PD-së (madje edhe me zaptime të armatosura  të kryeministrisë dhe insitucioneve të tjera), u zhvilluan përsëri zgjedhje parlamentare. Mazhoranca e majtë arriti të merrte 3/5 e mandateve – mjaftueshëm për të zgjedhur Nanon President të Republikës dhe Metën kryeministër. Por 3/5 i arriti përmes skemës së Dushkut dhe përdorimit të policisë e Gjykatës Kushtetuese. Dhe ambasada amerikane ndërhyri përsëri. Ajo përdori e para frazën “mjaftueshëm vota për kryeministrin, por jo për presidentin”. Që do të thoshte se ose Meta, ose Nano duhej të mbeteshin me gisht në gojë (edhe pse kishin bërë përpjekje titanike për ta patur të dy gishtin në mjaltë…)

Me ndihmën e Brukselit dhe Berlinit, Uashingtoni arriti të gjente një zgjidhje, sipas së cilës Nano e Berisha ranë dakord të zgjidhnin si president Moisiun (një ushtarak në pension) dhe Nano të bëhej eventualisht kryeministër.

Por muaji i mjaltit nuk zgjati shumë. Berisha e akuzonte çdo ditë Nanon dhe ministrat e tij për korrupsion, ndërkohë që ndërkombëtarët po shqetësoheshin për skafët e gomonet e shumta që transportonin përtej Adriatikut drogë, armë, emigrantë ilegalë, e prostituta. Dhe Uashingtoni filloi qitjet nga larg, sa me kritikat në Zërin e Amerikës dhe sa me seanca dëgjimore në Kongres.

Para zgjedhjeve të 2005-ës, në Tiranë erdhi Drejtori i CIA-s, i cili u takua me Nanon. Dhe disa ditë më vonë, Nano i humbi zgjedhjet, pa bërë ndonjë rezistencë të madhe për të apeluar vendimet e KQZ-së.

Pas vrasjes së 4 protestuesve në 21 janar 2011 (jashë kangjellave të Kryeministrisë), FBI-ja bëri një ekspertizë, e cila fajësonte drejtpërdrejt zinxhirin komandues të Gardës së Republikës. Por gjykata shqiptare nuk e pranoi atë ekspertizë (pranoi ekspertizën shqiptare, që konkludoi se plumbat kishin bërë rikoshet tek halat e pishës..). Dhe më pas filluan qitjet nga Uashingtoni, sa nga Zëri i Amerikës e sa nga Kongresi. Ato qitje paralajmëruan rrotacionin e dytë paqësor rradhazi. Gjë që s’kishte ndodhur më parë në historinë shqiptare.

Parvjet, pasi i dërguari i Merkelit nuk arriti ta nxirrte opozitën nga çadra para kryeministrisë, erdhi ndihmës-zëvendës-sekretari i shtetit amerikan dhe u dorëzoi të dy palëve një projekt-marrveshje, duke i paralajmëruar që të mos ndryshonin asnjë fjalë të saj. Rama dhe Basha u takuan më pas, dhe bënë një marrëveshje edhe më të avancuar se ajo amerikane, duke krijuar përshtypjen se do të kishim një koalicion të madh (PS-PD) pas zgjedhjeve.

Por Rama siguroi 74 mandate, duke mos patur nevojën për ta futur Bashën në qeveri. Dhe Basha i druhet tani një marrëveshje të re me Ramën kryeministër, sepse mund t’i rrjedhin votat si parvjet.

Në fakt, Zëri i Amerikës i kishte dhënë sinjalet për një parapërgatitje për rrotacionin e rradhës (në vitin 2021). Ai raportoi për fallsifikimin e regjistrimit në SHBA të kompanisë që qeveria Rama i kishte dhënë tenderin e Unazës së Tiranës, si dhe raportoi për përgjime të Vangjush Dakos, nga të cilat lihej të kuptohej se ai mund të ishte përfshirë në blerje votash. Ndërkohë, raportet vjetore të Departamentit të Shtetit kritikonin qeverinë për nivel të lartë korrupsioni dhe luftë të pamjaftueshme ndaj trafikut të drogave të forta.

Duke përdorur pikërisht këto argumente, opozita kaloi në veprimin ekstrem të djegjes së mandateve parlamentare, si dhe në kërcënimin për përplasje civile në ditën e zgjedhjeve lokale (në rast se Rama nuk jep dorëheqjen deri atëherë).

Por ky kurs ekstrem nuk mund të duartrokitej nga Uashingtoni, i cili e bëri të qartë përmes ndihmës-zëvendës-sekretarit të shtetit, se parlamenti dhe qeveria janë legjitime, dhe opozita duhet të garojë në zgjedhje për të ardhur në pushtet. Përkthimi: Uashingtoni i dha municione opozitës, por për 2021-shin. Me djegjen e mandateve, ato municione i plasën në dorë Bashës. Amerika nuk pranon më rrotacione të dhunshme në Shqipëri dhe as krijimin e precedentëve të rrezikshëm për të ardhmen.

A është kjo arsyeja e qendrimit të prerë amerikan?

Këto ditë do ta marrim përgjigjen e kësaj pyetje, nëse në Tiranë mbërrijnë emisarë posaçërisht për krizën (e jo zyrtarë dytësorë si këta që mbërritën sot). Me pak fjalë, Basha duhet të presë ardhjen  e ndonjë emisari të posaçëm amerikan, që të ketë ndonjë shpresë për 2021-shin. Përndryshe… shihemi pas 30 qershorit!

Letra e gjashtë e Ramës, Basha nuk ndal thirrjen për protestë

Kryeopozitari Lulzim Basha ka reaguar pas letrës së gjashtë të kryeministrit Rama me dy postime, duke iu përgjigjur tërthorazi thirrjes për dialog. Menjëherë pas letrës së Ramës, Basha ka postuar një video për protestën e 2 qershorit, duke mos ndalur thirrjet për protestë dhe pas saj, ai ka realizuar një tjetër postim, ku bën një paralelizëm mes zgjedhjeve për parlamentin europian dhe demokracisë në Shqipëri, pasi shqiptarët të kenë fituar betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Asnjë hap pas shkruan Basha, teksa përshëndet edhe rezultatet proeuropiane të zgjedhjeve për PE.

Postimi i Bashës

“Qytetarët europianë, me pjesëmarrjen më masive të 20 viteve të fundit në zgjedhjet për Parlamentin Europian, konfirmuan vendosmërinë për të mbrojtur dhe çuar përpara vlerat europiane.

Jam i lumtur që familja jonë politike EPP – European People’s Party është konfirmuar forca e parë në parlamentin dhe qeverisjen europiane. Urimet më të përzemërta për presidentin Joseph Daul dhe PPE dhe në veçanti për fushatën e jashtëzakonshme të kandidatit tonë për President të Komisionit Europian Manfred Weber.

Forca e qytetarëve në demokraci është vota, prandaj beteja e shqiptarëve për votën e lirë është betejë jetike për vlerat europiane, për demokracinë perëndimore dhe për Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas!”, shkruan Basha.

Qytetarët europianë, me pjesmarrjen më masive të 20 viteve të fundit në zgjedhjet për Parlamentin Europian, konfirmuan…

Gepostet von Lulzim Basha am Montag, 27. Mai 2019

Letra e Ramës, PD: Hipokrite, shpresojmë të jetë e fundit

PD ka reaguar pas letrës së gjashtë të Ramës, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm, Gazmend Bardhi, i cili në një postim në Facebook, i ka cilësuar letrat e kryeministrit si hipokrite dhe hilecake. Madje, duke shprehur dëshirën që shpreson që letra e gjashtë të jetë e fundit, Bardhi nënkupton se kursi i opozitës nuk do të ndryshojë.

“Këto ditë kam lexuar me qindra komente për letrat hipokrite dhe hilacake të Edi Ramës, por efektin e vërtetë të tyre e kuptova gjatë protestës se fundit. Në momentin kur përpiqesha të ndaloja qytetarë të zemëruar tek Parlamenti, njëri prej tyre, rreth 50 vjeç, i revoltuar nga ndërhyrja ime, më tha: “Pse ma heq të drejtën të marr hak? Edi Rama me ka lënë fëmijët pa bukë. Tani tallet me mua me ato letrat në facebook”. Episodi i babait që lufton për mbijetesë në regjimin e panjerëzishëm të Edi Ramës, mu kujtua tani, kur lexova letrën e gjashtë (shpresoj të fundit), në të cilën ai vazhdonte të tallej, të fyente dhe të provokonte me mijëra e mijëra protestues”, deklaron Bardhi.

Më tej, sekretari organizativ i PD akuzon se Rama, me letrat e tij i ka injoruar shkaqet reale te krizës dhe problemet reale të qytetarëve, duke i fyer ata sa herë që ka mundësi, duke mos pasur ndjeshmërinë më të vogël për mijëra prindër që nuk kanë me çfarë ushqejnë fëmijët, duke u hakmarrë politikisht dhe duke dërguar tatimet në bizneset e qytetarëve që dalin në protestë, duke mos hequr dorë nga kërcënimi për prishjen e shtëpive që pengojnë planet e tij korruptive. “Edi Rama nuk bën asgjë tjetër me letrat e tij, veçse nxit dhunë dhe provokon qytetarët që u ka shkuar thika e pushtetit të tij në palcë. Në vend që të shkruajë letra luftënxitëse, që me hipokrizi i quan ‘ftesa për dialog’, Edi Rama bën mirë të kuptojë se ai është i pafuqishëm të ndalë triumfin e shqiptarëve të bashkuar. Kauza jonë për zgjedhje të lira e të ndershme, për të ndërtuar Shqipërinë si gjithë Europa, është kauza më e drejtë për të cilën shqiptarët kanë luftuar këto 29 vite, që pas rrëzimit të diktaturës.

Vetëm një qeveri e dalë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, është garanci për mirëqenie, punësim dhe zhvillim për qytetarët shqiptarë”, përfundon Bardhi.

Këto ditë kam lexuar me qindra komente për letrat hipokrite dhe hilacake të Edi Ramës, por efektin e vërtetë të tyre e…

Gepostet von Gazment Bardhi am Montag, 27. Mai 2019

Vasili: Pushteti i lig ka vdekur, ne do ndërtojmë pushtetin e mirë

Ish-kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka zgjedhur një gjuhë letrare për të komentuar protestën e djeshme dhe për të vijuar me akuzat ndaj mazhorancës aktuale.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai e ka cilësuar protestën e djeshme si fundi i një pushteti të lig dhe analfabetik, ku shprehet se shqiptarët janë ngritur në shesh për të “ç’helmuar këtë vend nga kjo ligësi qeveritare pa fund”. Sipas tij, Shqipëria ka një pushtet, që rrënimin e vet e mban në këmbë me qeveritarë të rrënuar, që korrupsionin e lufton me një korrupsion edhe më të madh që të harrohet i pari, që problemin do ta zgjidhe me demagogji dhe jo me veprim të vërtetë e rrënjësor, që krimin nuk e lufton, por e ul në sofrën e pushtetit e që votën nuk e fiton, por e vjedh me kriminelë.

Madje, ai pretendon se pushteti nuk po bën asnjë hap pas për zgjidhjen e krizës. “Nuk ka një hap e veprim të këtij pushteti të ligë të rilindjes, që të tregojë sinqeritet. Çdo veprim i këtij pushteti të ligë është vetëm mashtrimi i radhës për të fituar minutat e ditët e radhës e për të shtyrë ditët e tij të pushtetit”, shprehet Vasili.

Megjithatë, ai shton se “shqiptarët janë në rrugë e sheshe për të ç’helmuar këtë vend nga kjo ligësi qeveritare pa fund”. “Ndarja nga ky pushtet i ligë është njëherazi vendosja e standardeve të reja të mëdha, parimore dhe të paprekshme nga askush. Është koha të rindërtojmë pushtetin e mirë që e ngrenë qytetarët dhe e kontrollojnë e vlerësojnë vetëm ata. Koha e pushtetit që i vë vetë notën vetes ka vdekur. Ka vdekur së bashku me analfabetin politik në krye të tij”, deklaron Vasili në postimin e tij.

Dhomat e Tregtisë: Kriza po pengon investimet ndërkombëtare në Shqipëri

Në një deklaratë të paprecedente, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri dhe Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, kanë ngritur alarmin se situata politike po dëmton jo vetëm sistemin ekonomik të vendit por dhe po rrezikon dhe pengimin e investimeve të mundshme ndërkombëtare.

Komuniteti i bizensit pjesë e këtyre dhomave të tregtisë, përmes deklaratës kërkon fuqishëm që të gjitha palët e përfshira të veprojnë me përgjegjësi dhe të bëjnë çdo përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik në dobi të stabilitetit në vend.

CDU/CSU: Të shtyhen zgjedhjet nëse është e nevojshme, palët të dialogojnë

Dy deputetët e parlamentit gjerman Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm kanë dhënë një deklaratë të përbashkët në lidhje me krizën politike në Shqipëri. Deputetët theksojnë se diagolu pa kushte është tepër i rëndësishëm për të zgjidhur krizën poltike në vend. Gjithashtu CDU/CSU kanë dënuar dhunën e ushtruar gjatë protestave, ndërsa bën thirrje për qetësimin e situatës, pasi mund të mbyllet rruga e integrimit drejt BE.

“Po e vëzhgojmë me shqetësim të madh krizën e brendshme në Shqipëri. Për të ardhmen europiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise.

Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve. Ne bëjmë thirrje që protesta të jetë paqësore. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës.” – shkruajnë deputetët

Johann David Wadephul dhe Christian Schmidt shprehen të gatshëm të ndërmjetësojnë hapjen e dialogut pa kushte ku të diskutohen të gjitha temat, madje edhe të merren masa të jashtëzakonshme si shtyrja e zgjedhjeve në të mirë të zgjidhjes së krizës dhe garantimin e mundësive për të zgjedhur nga qytetarët.

“Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë.

Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje. Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik.” – përfundon deklarata

Pak pas publikimit të kësaj deklarate, ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili shprehet falenderues ndaj partnerëve politikë të Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike, për vëmendjne e tyre ndaj situatës politike.

“U jam shumë falenderues miqve të Shqipërisë dhe partnerëve politikë të LB&PD në CDU/CSU, për vëmendjen e tyre ndaj situatës politike! Krejt dakord me gjithçka kanë shprehur publikisht dhe për nevojën e dialogut pa kushte. Koha nuk pret sepse 30 qershori s’është në dorën tonë!”, ka shkruar Rama në twitter.

Pas kryeministrit Rama, edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me daklaratën e CDU/CSU. Basha tha se mirëpret bashkëpunimin e Gjermanisë për zgjidhjen e krizës në vend, ndërsa nuk ka dhënë asnjë përgjigje për një dialog të mundshëm.

“Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar integrimin europian, si mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lidhjet e politikës me krimin, mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit.

Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës europiane të Shqipërisë.”

Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar…

Gepostet von Lulzim Basha am Donnerstag, 23. Mai 2019

“Dosjet e përgjimeve nuk mjaftojnë, opozita të lërë deklaratat shkatërruese”

Ndërmjetësuesi i njohur Schwarz-Schilling shpjegon për Deutsche Wellen se përse kompromisi është i pamundur mes Ramës dhe opozitës. Schwarz-Schilling thote se opozita e sotme duhet të marrë shembull nga Edi Rama si ish-kreu i opozitës dhe të largohet nga parullat revolucionare duke shkatërruar institucionin e parlamentit. Schwarz-Schilling ka folur gjithashtu edhe për dosjet e përgjimeve duke treguar se vetëm ato nuk mjaftojnë si provë, por opozita duhet të gjejë dëshmitarë për t’i verifikuar.

Deutsche Welle: Në Shqipëri kemi aktualisht një ngërç politik. BE-ja, pra, komisioneri Johannes Hahn, kërkojnë kompromis ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Ju jeni një ndërmjetësues i njohur në Ballkan e në botë. A shihni një mundësi për arritjen e këtij kompromisi?

Christian-Schwarz-Schilling: Ndërmjetësimi në këtë nivel mund të arrihet vetëm kur të dyja palët e duan. Kur njëra palë cakton si parakusht të bisedimeve kapitullimin ose dorëheqjen e palës tjetër, atëherë metoda nuk do të funksionojë dhe nuk duhet synuar. Unë jam shumë i çuditur me deklaratat që dëgjoj nga partia e opozitës, si për shembull, deklaratat e ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili, në vend që të thërrasë për ballafaqimin e opinioneve të ndryshme në parlament, lëshon parulla revolucionare duke shkatërruar kështu institucionin e parlamentit.

Por politikanët e opozitës e kanë braktisur tashmë parlamentin…

Po, dhe kanë bërë gabim. Mua më kujtohet viti 2010, kur kam ndërmjetësuar mes Sali Berishës si kryeministër dhe Edi Ramës, asokohe kryetar i opozitës. Situata ishte e kundërta e kësaj që kemi sot: Edi Rama atëherë kishte paralajmëruar se do t’i dorëzonte mandatet, por ai u tregua shumë më i arsyeshëm dhe pranoi të kthehej në Kuvend. Opozita e sotme duhet të marrë shembull nga Edi Rama si ish-kreu i opozitës.

E megjithatë, komisioneri Hahn ka thënë se qeveria duhet të kërkojë dialogun me opozitën. Meqenëse ju e njihni dhe e çmoni personalisht Edi Ramën, çfarë këshille do t’i jepnit në këtë situatë?

Ai duhet të nxjerrë në plan të parë institucionin parlamentar dhe të thotë se Kuvendi duhet të formulojë një opinion për vendin. Nuk mund ta ndryshosh me dhunë maxhorancën parlamentare. Mund të shqyrtohen argumentet që sjell pakica kundër qeverisë, të cilat maxhoranca duhet t’i trajtojë me seriozitet dhe t’i përfshijë në punën e qeverisë. Por nuk është e mundur, që pakica ta shpallë veten si maxhorancë dhe të prishë kësisoj institucionin e parlamentit. Kjo nuk ecën. Maxhoranca mund të ndryshohet vetëm në zgjedhje. Dhe opozita duhet të pajtohet me këtë rezultat.

Duhet të pajtohet edhe pse ka pasur blerje votash në disa qarqe, siç pretendon opozita?

Unë nuk besoj se kjo ka ndodhur. Dihet që në përgjithësi përdoren gjithmonë ca metoda ballkanike, por nuk kam dëgjuar që Edi Rama ta ketë bërë këtë në mënyrë aq masive sa të ketë pasur efekt në rezultatin e zgjedhjeve.

Po dosjet e përgjimeve të prokurorisë, ku dëgjohen persona të lidhur me krimin e organizuar duke blerë vota në emër të kandidatëve të Partisë Socialiste?

Këto janë akuza që duhen dëshmuar. Nëse ka qenë kështu, atëherë opozita duhet të paraqesë dëshmitë dhe të bëjë një kërkesë për verifikim.

Pra, ju mendoni se vetëm përgjimet nga dosjet nuk mjaftojnë?

Jo. Ato nuk mjaftojnë.

Por në Shqipëri ka kohë që ekziston një pakënaqësi e përgjithshme, e cila vihet re jo vetëm te opozita. A pajtoheni?

Unë kam përvojë me disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Jam shumë i lidhur me Bosnjë-Hercegovinën. Më duhet të them, se ato gjëra që ndodhin aty, as që mund të krahasohen fare me Shqipërinë. Kam parasysh partitë djathtiste kroate, HDZ, si në Kroaci, ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë që bëhen bashkë, jo për ta ndërtuar, por për ta shkatëruar shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Përkundrazi, me projektet e ndryshme që kam në Shqipëri, kam krijuar përshtypjen se atje po bëhen përpjekje shumë serioze për reformat. Kjo duket më së miri në procesin e Vetting-ut në gjyqësor. Është një proces shumë i vështirë, por qeveria dhe Ministrja e Drejtësisë po e menaxhojnë shumë mirë.

Keni biseduar ju edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha?

Po, e kam takuar dy herë. Përshtypja ime është se ai është një njeri mendjemprehtë, por që synon vetëm të çojë përpara karrierën e tij dhe mendon se tani është momenti i përshtatshëm. Nuk kam përshtypjen se po digjet për vendin dhe për reformat. Kam përshtypjen se opozita po kërkon të nxisë zhvillime revolucionare për të arritur rrëzimin e qeverisë. Ne këtë nuk mund ta mbështesim, Ne duhet të mbrojmë me forcë institucionet. Aty ku prezantohen fakte, duhet hetuar më tej, por jo të bëhen polemika dhe demagogji për të shkatërruar institucionet. Kjo është shumë e rrezikshme. Për këtë shkak unë jam i mendimit se arritjet pozitive të qeverisë në Shqipëri duhen vlerësuar dhe nuk duhen përçmuar në këtë mënyrë.

Sipas të gjitha gjasave, parlamenti gjerman, Bundestag-u, do të votojë në shtator mbi çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Çfarë duhet të ndodhë gjer atëherë, në mënyrë që kolegët tuaj të CDU/CSU-së t’i japin Shqipërisë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave?

Deri atëherë do të duhet të dalë në pah e vërteta, konkretisht, se kush kërkon reforma, e kush përmbysje.

Intervistoi: Anila Shuka, Berlin

Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë ministër gjerman për Postën dhe Telekomunikacionin. Në shenjë proteste kundër qëndrimit të qeverisë gjermane në luftën e Bosnjes ai dha dorëheqjen. Nga vitit 2006-2007 ai shërbeu si Përfaqësues i Lartë në Bosnje-Hercegovinë dhe i ngarkuar i BE për Bosnje-Hercegovinën. Në vitet e mëpasshme ai ka punuar si ndërmjetësues në Ballkan. Ekspertizën e tij si ndërmjetësues aktualisht po e përdor edhe Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë me një projekt për implementimin e Ligji të ri për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve (2018) në Shqipëri. Projekti financohet nga qeveria norvegjeze.

Bamir Topi: Jo djegie të mandateve, beteja nuk fitohet rrugëve

Bamir Topi e cilësoi të gabuar djegien e mandateve nga opozita. I pyetur nga gazetari Sokol Balla në Real Story se çfarë note do t’i vinte vendimit për djegien e mandateve, Topi tha se opozita duhet të luftonte në të gjitha fushat.

“Unë jam institucional. Asnjëherë nuk e kam menduar që një parti politike të djegë mandatet. Beteja duhet të ishte në të gjitha frontet në parlament, në terren, në arenën ndërkombëtare. Betejat nuk fitohen thjeshtë duke dalë rrugëve.” – tha Topi

Ndërsa pyetjes në duhet të jepte Rama dorëheqjen për t’i hapur rrugë zgjidhjes, Topi tha se këtë “e lente në koshiencën e gjithsecilit”.

Skip to toolbar