Kushtetuesja, nesër në Kuvend kërkesa e 56 deputetëve për hetimin e Metës

Pas situatës dramatike të krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit, mesi i kësaj jave pritet të rihapë “luftën” politike në vend. Të enjten në Kuvend do të diskutohen për miratim disa projekt-vendime, rezoluta e ligje të rëndëishme. Një ndër pikat që do të diskutohet në Kuvend, është kërkesa për shtesë në objektin e Komisionit Hetimor për Presidentin.

Kokretisht, me firmën e 56 deputetëve të Kuvendit, do të kërkohet që Komisioni Hetomir: “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, të futet edhe kontrolli i ligjshmërisë për emërimin e Marsida Xhaferllarit dhe refuzimin e kryerjes së betimit të Arta Vorpsit, si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.  

Ndërkohë, Presidenti i Republikës, në një kurs përplasje të plotë të tij me Kuvendin dhe institucione të tjera kushtetuese, ka vijuar cenimin e Kushtetutës me pasoja të rënda, përmes veprimeve konkrete apo mosveprimeve të qëllimshme, të cilat po i rendisim dhe faktojmë në vijim. Rrjedhimisht, vlerësojmë të domosdoshme që edhe këto veprime të bëhen pjesë e vlerësimit nga Kuvendi i Republikës, në kuadër të procedurës së nisur tashmë për shkarkimin e Presidentit të Republikës”, thonë deputetët që kanë votuar dokumentin që i drejtohet parlamentit.

Duke njohur Arta Vorpsin si anëtare të ligjshme të Gjykatës Kushtetuese, që mori detyrën sipas mekanizmit zhbllokues të Kushtetutës, deputetët tregojnë shkeljet që Ilir Meta bëri në rastin e refuzimit të kryerjes së betimit nga Arta Vorpsi.

“Është cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën. Është shkelur detyrimi kushtetues për të realizuar betimin e gjyqtarit kushtetues. Është cenuar funksionaliteti i vendimarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Është cenuar e drejta e subjekteve për një process të rregullt kushtetues brenda afateve të arsyeshme”, thuhet ndër të tjera në dokument. /Realstory.al/

Kujt Tushe t’i besojmë? Anëtares së Kushtetueses apo nënkryetares së KED?

Ish Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, ka reaguar në lidhje me debatin për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese. Xhafaj ka sulmuar Vitore Tushën, gjyqtaren me mandat të mbaruar në Gjykatën Kushtetuese, pas njoftimit që është hedhur në web e kësaj gjykate ku thuhet se njeh Xhaferllarin dhe nuk ka kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar rastin e Arta Vorpsit, e zgjedhur në mënyrë automatike nga ligji me mbarimin e afatit kohor, emri i të cilës është publikuar në Fletoren Zyrare. Xhafaj ngre pyetjen se cilës Tushe duhet besuar asaj që njeh Arta Vorpsin apo asaj gjyqtare që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. RealStory.al tha të shtunën se në fakt Vitore Tusha ka vepruar e vetme në përgjedhjen e Xhaferllarit, pa mendimin e anëtarëve të tjerë.

Xhafaj sulmon edhe Metën duke thënë se ai nuk ka të drejtë të vendos jashtë afateve kushtetuese dhe se mungesa e arsyes së tij bën që germat e Kushtetutës të lexohen keq. Xhafaj tha se emërimi i Marsida Xhaferllarit është i paligjshëm pasi nuk është dekreti i presidentit që të bën anëtar të gjykatës kushtetuese, por kushtetutshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur.

“‏Në web e Gjykatës Kushtetuese znj.Tusha ka botuar listën e anëtarëve të rinj! Pyetja është kë të besojmë, znj.Tusha n/kryetare të KED që ka shpallur znj.Vorpsi fituese apo znj.Tusha gjyqtare që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. Në cilin kuorum të Gjykatës Kushtetuese u bazua kjo vendimmarrje? Në bindjen time znj.Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Nuk plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë e tillë. Votimi klientelist dhe lidhjet shoqërore brenda KED e përfshinë në listë ish Kryeinspektoren e KLD së vjetër që degradoi sistemin.

Presidenti, sipas meje, në këtë rast nuk ka të drejtë. Ka nxjerrë një dekret të paligjshëm në tejkalim të afatit ligjor. Nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetutshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur. ‏Kushtetuta që Presidenti e ka votuar, por nuk e ka shkruar, është produkt i Ekspertizës më të mirë vendase dhe SHBA, BE dhe Gjermanisë. Opinioni i Komisionit të Venecias ka theksuar qartë domosdoshmërinë e afateve & mekanizmave zhbllokues. Partnerët bashkë-hartues të kushtetutës e ligjit të Gjykatës Kushtetuese duhet të reagojnë qartë.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi kërkon axhendë të qartë veprimi, angazhim e përgjegjshmëri dhe kryesorja objektivitet e paanshmëri. Situata e koklavitur, jo për faj të kushtetutës e ligjit, por gabimeve në zbatim. Pasojë e mendjeve të nxehta e qëllimkëqija. Kur arsyeja mungon, fryma dhe germa e kushtetutës lexohen keq, duhet reagim. Kryesorja me mekanizma politikë, por edhe me veprime të mirëmenduara ligjore, institucionale dhe gjyqësore. Nëse duhet ka edhe precedentë e ekspertizë ndërkombëtare” shkruan Xhafa në twitter.

RealStory.al njoftoi të shtunën se në fakt Vitore Tusha ka vepruar e vetme për të njohur Marsida Xhaferllarin dhe jo Arta Vorpsin, një akt i rëndë nga ana e saj, pasi në asnjë rast nuk mundet që një drejtuese në detyrë e Gjykatës Kushtetuese të vendosë për çfarë po ndodh me anëtarët e saj. Dhe për më tepër bën çudi heshtja e gjyqtareve të reja, pasi një vendim i tillë duhet të merret në unison me 4 anëtarët legjitim të Gjykatës Kushtetuese ose në rastin më të mirë do të duhet që Gjykata të plotësohet me 6 anëtarë dhe më pas të merret një vendim i tillë.

“Drejtësia po goditet nga të gjitha anët”. Cilën anë godet Xhafaj?

Ish-Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësisë, Fatmir Xhafaj ka vlerësuar hapin e hedhur për emërimin e anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese për funksionimin e drejtësisë së re, por nga ana tjetër, ai ka deklaruar se drejtësia e re po goditet nga të gjitha anët, duke dhënë një mesazh të tërthortë, jo vetëm për kreun e shtetit dhe opozitën, që e kanë sulmuar këtë proces, por edhe për të tjerët.

“Urime Artës, Elsës dhe Fionës anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese! Janë aty në saj të një procesi tërësisht kushtetues e të pandikuar politikisht. Integriteti dhe profesionalizmi i spikatur që mbartin iu dha atyre nderin dhe përgjegjësinë për të ushtruar këtë funksion të lartë publik. Shpresëplotë se ato do të dinë të dëshmojnë objektivitet, paanshmëri dhe profesionalizëm në vendimmarrje, në shërbim të ligjit dhe interesit qytetar! Një hap tjetër pozitiv në çuarjen përpara të Reformës në drejtësi! Drejtësia e Re po krijohet. Me vështirësi, me pengesa dhe goditje nga të gjitha anët. Gjithsesi po ecën përpara. Është koha e saj për tu ngritur, vepruar dhe gjykuar!”, shkruan Xhafaj në Tëitter menjëherë pas votimit në Kuvend të dy anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese.

Por pse vjen ky mesazh i Xhafajt, i cili ka qenë në krye të komisionit për reformën në drejtësi, ku vihet re se ai ka mënjanuar urimin për anëtarin e dekretuar nga Meta, Besnik Muçin, ndërkohë që në krye të fjalës ka vendosur Arta Vorpsin? Ndoshta është një koincidencë, por e vërteta është se Arta Vorpsi cilësohet si një ndër njerëzit e besuar të ish-ministrit të drejtësisë, Fatmir Xhafaj. Madje, ajo ka punuar edhe për Komisionin e kryesuar nga Xhafaj për Reformën në Drejtësi, pasi ka qenë anëtare e nëngrupit për Reformën Kushtetuese dhe Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa në kohën e qeverisjes së mazhorancës 2001-2005, kur Xhafaj ishte ministër drejtësie, Vorpsi ka mbajtur funksionin e drejtoreshës së Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, ajo ka punuar në atë kohë lektore në Fakultetin e Drejtësisë dhe trajnere në shkollën e administratës publike. Meta e shmangu dy herë Vorpsin (herën e parë kur dekretoi Muçin dhe herën e dytë kur pezulloi procesin të premten e kaluar) dhe KED (e drejtuar nga Dvorani, një tjetër person i drejtësisë i përfolur si i afërt me Xhafën), e publikoi emrin e saj në krye të listët për zgjedhjen automatikisht në Gjykatën Kushtetuese. Dy fakte që të shtyjnë të mendosh se mesazhi e Xhafës i drejtohet kryesisht kreut të Shtetit. Por cilat janë anët e tjera për të cilat shqetësohet ish Kreu i Reformës në Drejtësi?

Të hënën në Kuvend deputetë të opozitës folën për një marrëveshje të fshehtë mes Ramës dhe Metës, për Gjykatën Kushtetuese. Në këtë rast, ajo që do ta vërtetonte, do të ishte mosbetimi i Arta Vorpsit nga Ilir Meta dhe pranimi në heshtje i kësaj, edhe nga mazhoranca, e cila më pas do të sillte automatikisht dekretimi nga Meta të personit të katërt në listë, që do të ishte Marsida Xhaferrllari. Në këtë mënyrë Meta do të bëhej person kyç në një skemë që do sillte në Gjykatën Kushtetuese edhe një person të tij, edhe një emër të dashur për opozitën. Çka do “plotësonte” skemën që paralajmëron Xhafaj: Se në reformën në drejtësi, tashmë do t’i fusnin duart “të gjitha anët”… Realstory.al

Kushtetuesja, sot votohen në Kuvend dy anëtarët e rinj

Kuvendi do të votojë të hënën (11.11.2019) dy emrat e rinj të Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar vakancat e shpallura më parë. Për vakancën e datës 12 shkurt 2018, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dërgoi në Kuvend një listë me 3 kandidatë. Arta Vorpsi me 89.6 pikë, Elsa Toska me 85.4 pikë dhe Besnik Muçi me 81.9 pikë.

Megjithatë, të tre këto kandidatura kishin aplikuar dhe për vakancat e Presidentit të Republikës, ku tashmë Arta Vorpsi dhe Besnik Muçi janë përzgjedhur si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, në listën që sot Kuvendi ka për miratim, mbetet vetëm një kandidate, Elsa Toska, e cila ishte renditur e dyta nga KED me 85.4 pikë. Për t`u emëruar në Gjykatën Kushtetuese do të duhen 84 vota.

Ndërkohë, në pikën 6 të rendit të ditës në seancën plenare, do të shqyrtohet  vakanca tjetër e Gjykatës Kushtetuese e shpallur në datën 4 mars të vitit 2019. Edhe për këtë vakancë kishin kandiduar tre magjistratë, Arta Vorpsi me 89.6 pikë, Fiona Papajorgji me 88.7 pikë dhe Elsa Toska me 85.4 pikë.

Praktikisht, duke qenë se Arta Vorpsi është emëruar tashmë anëtare e Kushtetueses, dhe Elsa Toska shqyrtohet në pikën 5 të rendit të ditës për zgjedhjen si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, në listë mbetet vetëm Fiona Papajorgji për t`u hedhur në votim.

Në të dyja rastet do të duhet që të votohet me 84 vota për të bërë emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Nëse këtë të hënë do të zgjidhen dy anëtar të Gjykatës Kushtetuese në Kuvend, numri i anëtarëve të kësaj gjykate shkon në pesë; Vitore Tusha, Besnik Muçi, Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. /Realstory.al/

‘Kërkon të bllokojë Kushtetuesen’, deputetja e PS akuza Metës: Bëri një veprim që si takon

Deputetja e Partisë Socialiste Klodilda Ferhati e cilësoi manovrën e presidentit Meta për të pezulluar procesin e emërimit të anëtarit të dytë për Gjykatën Kushtetuese, si një veprim antikushtetues, që nuk i takon askujt ta bëj. Ferhati tha se as Presidenti dhe as Kuvendi nuk mund të pezullojnë procedurën e emërimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese sepse ndodhen para një procedure Kushtetuese që vetzbatohet me përfundimin e afatit 30 ditor të vendosur. Madje deputetja socialiste tha për Abc News se as vetë Gjykata Kushtetuese që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, nuk pezullon Kushtetutën.

Presidenti ka tentuar të bëjë një veprim, që nuk ka të drejtë ta bëj askush, të pezullojë Kushtetutën?! As Presidenti dhe as Kuvendi nuk mund të pezullojnë procedurën e emërimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese sepse jemi përpara një procedure kushtetuese të lidhur me një afat prekluziv 30 ditor të parashikuar në ligj. Kushtetuta është e vetzbatueshme. As Gjykata Kushtetuese si autoriteti që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, nuk pezullon Kushtetutën. Nëse me mbarimin e këtij afati dy organet nuk shprehen kandidati i listuar i pari, emërohet anëtar i Kushtetueses. Afati 30 ditor është prekluziv që do të thotë se ai nuk mund të shtyhet e as të ndërpritet.” tha Ferhati

Në lidhje me arsyetimin e Presidentit se pas tij duhet të zgjedhë Kuvendi e më pas Gjykata e Lartë, Klodilda Ferhati e cilësoi si interpretim të gabuar të Kushtetutës. Deputetja sqaroi se radha nuk ka të bëjë me zgjedhjen e sa anëtarëve, por të përcaktojë se kush organ ka radhën për të zgjedhur në mënyrë që të mos ketë përplasje për vakancën e krijuar. Ferhati tha se rëndësi ka që secili organ të plotësojë vendin që i takon duke zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht sa anëtarë ka për të zgjedhur. Ajo sqaroi se kjo tentativë e Metës më shumë tingëllon si një mënyrë për të bllokuar procesin, por që Kushtetuta ka përcaktuar qartë radhën e organeve që të mos konfliktohen me njëri tjetrin se kush plotëson vendin vakant dhe ka vendosur një afat kohor në dispozicion pikërisht për të shmangur këtë bllokim.

Ky është një interpretim i gabuar i Kushtetutës dhe ligjeve të zbatueshme në rastin konkret për arsye se: Së pari: Radha e përcaktuar në Kushtetutë, synon të qartësojë organin përkatës që ka kompetencën të caktojë anëtarin e Gjykatës Kushtetuese për vakancën që krijohet herë pas here. Pra qëllimi i dispozitës është të përcaktojë organin që vendos anëtarin e Gjykatës Kushtetuese kur anëtarit të mëparshëm i ka mbaruar afati, në mënyrë që mos ketë konflikt mes institucioneve që kanë të drejtë të zgjedhin anëtarin e Kushtetueses sa herë ka një vakancë. Pra me pak fjale kushtetuta disiplinon kush është organi që zgjedh kë anëtar. Ne jemi para rastit kur janë krijuar njëkohësisht më shumë se 6 vakanca në Gjykatën Kushtetuese që duhen plotësuar nga Kuvendi 3 dhe nga Presidenti 3. Kushtetuta dhe Ligji nuk ka parashikim specifik kur krijohen më shumë se një vakancë në Gjykatën Kushtetuese. Për të qenë korrekt me Kushtetutën dhe ligjin sa i takon radhës është që vakancat, pra vendet e mbetura bosh që duhen emëruar/plotësuar sipas procedurave nga Presidenti mos te plotësohen nga Kuvendi e anasjelltas. Duke qene se janë 4 vakanca në proces për tu plotësuar me akt nga presidenti (2) e nga kuvendi (2) si presidenti ashtu dhe kuvendi duhet që brenda afatit 30 ditor kur janë njoftuar nga KED dhe kjo s’ka asnjë detyrim të lidhur me radhën. Rëndësi ka qe secili organ të plotësojë vendin që i takon duke zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Së dyti: Koncepti “radhë” sipas Kushtetutës është vetëm “kompetencë” për të ditur se cili vend vakant zëvendësohet dhe nga cili organ dhe nuk është kohë se kur do e ushtrojë kompetencën. Radha nuk është kohë. Pra, Kushtetuta ka përcaktuar qartësisht radhën ndërmjet tre organeve, me qellim që të mos konfrontohen me njëri tjetrin, për të njëjtin vend vakant. Ndaj pretendimi i radhës me shumë ngjan me një tentativë për bllokimin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese .” tha Ferhati

Deputetja tha se tashmë dy emërimet nga Presidenti janë bërë, një Besnik Muçi që e zgjodhi dhe një Arta Vorpsi, që u zgjodh automatikisht me mbarimin e afatit kohor prej 30 ditësh. Ferhati tha se ky mekanizëm bëhet në mënyrë që të mos ketë bllokim të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.

Thënë këto, dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që ishin në kompetencë zgjedhje të Presidentit janë emëruar tashme. I pari z. Besnik Muci sipas dekretit të presidentit të para disa ditëve dhe znj. Arta Vorpsi listuar e para në vendimin e KED e cila konsiderohet e emëruar si anëtare e Kushtetuese në dt 7.11.2019, në kushtet kur presidenti nuk e ushtroi kompetencën e tij të zgjedhjes së anëtarit deri në skadim të afatit 30 ditor. E gjithë kjo është në kuadër të mekanizimit zhbllokues që ka pasur si synim kryesor Kushtetuta dhe ligjet e reformës në drejtësi. Në fakt të gjitha, ligjet e Reformës në Drejtësi janë hartuar pikërisht për të evituar situatat që krijojnë ngërçe, si kjo aktualja.” tha Ferhati.

“Pezulloi procesin për Kushtetuesen”, KED i përgjigjet menjëherë Ilir Metës

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i është përgjigjur menjëherë kërkesës së Presidentit Meta, i cili kërkoi pezullim të procesit për zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese. KED gjatë mbledhjes së të enjtes vendosi t’i përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës kopje të dokumentacionit për secilin nga 4 kandidatët të listuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese. Në njoftimin saj KED le të kuptosh se Meta nuk ka pse pezullon procesin dhe të presë edhe ai 7 ditë për të dhënë përgjigjen dhe e dyta KED tregon se me listat e dërguar nuk ka shkelur asnjë ligj dhe afat kohor, por ka bërë detyrën e tij duke shqyrtuar dhe dërguar institucioneve të gjithë kandidaturat. Pra në këtë mënyrë KED pranon se ligjërisht është në rregull dhe nuk mund të jap asnjë mendim në lidhje me kërkesën e Metës për “pezullim të procesit.”

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ditën e sotme, datë 07.11.2019, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, ku në rendin e ditës ishte përcaktuar “Diskutim mbi qëndrimet e Presidentit të Republikës lidhur me procesin e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetutese”.

Në kushtet kur i ka përfunduar procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve për katër vende vakante, dy për secilin organ emërtese, përkatësisht për Presidentin e Republikës dhe Kuvendin, duke dërguar pranë tyre edhe Listat Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve, Këshilli vlerësoi ti përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës kopje të dokumentacionit të administruar dhe të shqyrtuar që përmban dosja e kandidimit të secilës prej 4 kandidateve të listuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11133 datë 04.03.2019, për disponibilitetin e dërgimit të të cilave KED ka vënë në dijeni këtë organ emërtese me Raportin e Arsyetuar për Renditjen e Kandidatëve të Lejuar për plotësimin e këtij vendi vakant, përcjellë pranë institucionit të Presidentit me shkresën nr. 553 prot datë 08.10.2019.” shkruhet në reagimin e KED.

Gjatë të enjtes presidenti Meta kërkoi pezullim të procesit të përzgjedhjes së kandidatit të dytë me arsyetimin se po shkelet Kushtetuta. Meta tha nuk mund të zgjedh kandidatin e dytë pa folur ende Kuvendi, pasi atij i janë çuar dy lista me afat 30 ditor, që mbaroni pikërisht më 7 nëntor, ndërkohë që Kuvendi ende nuk ka zgjedhur nga lista e tij. Madje gjatë arsyetimit të tij, Meta tha se dosja për kandidatët nuk është e plotë dhe i dha KED një afat 5 ditorë për plotësimin e dokumentacionit për të 4 kandidaturat. Në këtë mënyrë Meta shtyu afatin e tij Kushtetues  për të vendosur më 13 nëntor, në të njëjtën kohë kur i mbaron dhe afati i Kuvendit për të zgjedhur kandidatin e tij nga lista e dërguar nga KED.

Muçi betohet te Meta, Vettingu rrezikon anëtarin e “Kushtetueses”

Besnik Muçi betohet si anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese, që vjen nga listat e presidentit Meta për vakancat. Betimi i tij ndodhi para presidentin Meta në prani të përfaqësuese të vendeve të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Besnik Muçi do të jetë kështu anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese duke iu bashkuar Vitore Tushës, e vetmja që kishte mbetur pas procesit të vettingut, duke i hapur rrugën krijimit dhe funksionimit të kësaj gjykate.

Muçi u zgjodh dy ditë më herët nga Meta me arsyetimin që “emërimi të bëhej pa vonesë me qëllim që t’i hapë rrugë Kuvendit për të mos pasur përplasje mes kandidatëve të zgjedhur nga dy institucionet”, duke qenë se të njëjtit persona kanë kandiduar edhe në listën e Kuvendit, edhe në listën e Presidentit , ndërsa ishte i fundit i renditur në listë në bazë të pikëve.

Megjithatë vetë Muçi nuk e ka kaluar ende fazën e dytë të vettingut dhe ndodhet në proces rivlerësimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas ankimimit të bërë nga Komisioneri Publik. Muçi kaloi fazën e parë të vettingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në gusht të 2018. Por ky vendim është apeluar nga Komisioneri Publik pasi sipas tij KPK nuk bëri një vlerësim të plotë të ligjshmërisë së të ardhurave dhe se subjekti rivlerësues nuk arrin të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive.


Edhe pas emërimit si anëtarë i Kushtetueses, Muçi me shumë mundësi mund të digjet nga Vettingu, duke e rikthyer edhe një herë nga e para procedurën e hapjes së garës për plotësimin e vakancave.

Të hënën konstituohet Këshilli Bashkiak. Fati i Shkodrës në Kushtetuese

Shkodra u bë qartazi “nyja gordiane” e kësaj krize të gjatë politike në vend. Pas dorëheqjes së kryebashkiakut socialist Valdrin Pjetri, në kushtet e mungesës së një kandidati rival, në kushtet e përfundimin të mandatit të kryetares aktuale të bashkisë, në kushtet ku presidenti refuzon të dekretojë një datë zgjedhjesh të pjesshme, situata komplikohet edhe më tej. Po çfarë do të ndodhë me Shkodrën, kush do ta drejtojë bashkinë më të madhe të Veriut, e cila është marrë nën patronazhin e Ramës si kryekoordinator i PS-së, fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit?

Konstituimi i Këshillit Bashkiak

Ditën e hënë Prefekti i Shkodrës ka njoftuar se do mbledhjen e këshillit të ri bashkiak të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.  Pavarësisht se kryebashkiaku ka dhënë dorëheqjen Këshilli Bashkiak duhet të konstituohet në bazë të ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe në mbledhjen e parë të tij që do të jetë të hënën në orën 10 do të shpallë vlefshmërinë e mandatit të kryetarit të ri të bashkisë.

Këshilli i ri Bashkiak menjëherë pas konstituimit do ta thërrasë Valdrin Pjetrin te beje betimin, por në kushtet kur ai ka refuzuar ta marrë mandatin, duhet qe te njoftoje këshillin përmes një shkrese, duke i vënë në dijeni edhe arsyet e dorëheqjes. Në këtë rast Këshilli vë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në mbledhjen më të afërt KQZ merr në shqyrtim kërkesën e më pas i drejtohet presidentit të republikës, i cili ka në tagër të tij shpalljen e dekretit për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në këtë bashki.

Presidenti refuzon një dekret të ri

Siç realstory e ka njoftuar më parë, topi kalon në fushën e Metës. Pasi sipas kodit zgjedhor neni 10 Presidenti duhet të dekretojë datën e  zgjedhjeve të parakohshme vendore në Shkodër, jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit të të zgjedhurit lokal. Dhe se në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit.

Por Meta nuk i njeh zgjedhjet e 30 Qershorit dhe ka shpallur dekretin për mbajtjen e tyre më 13 Tetor, ndërsa të premten e tha qartë se nuk do të dekretojë datë tjetër për zgjedhjet të pjesshme në Shkodër. Sipas tij zgjedhjet e ligjshme dhe kushtetuese jo vetëm në Shkodër por në mbarë Shqipërinë janë ato të 13 tetorit. Madje Meta tha se në detyre duhet të qëndrojë kryebashkiakja aktuale e Shkodrës Voltana Ademi derisa të zhvillohen zgjedhjet më 13 tetor sipas tij.

Voltana, kryetare pa “fuqi”

Të gjitha gjasat janë që Voltana Ademi të qëndrojë në detyrë, megjithëse mandati i saj përfundon më 20 gusht. Kjo për faktin se Këshilli Bashkiak nuk ka asnjë të drejtë që të shkarkojë nga detyra një kryetare bashkie. Ndërsa në bazë të ligji për vetëqeverisjen vendore në nenin 60, ku i referohet mandatit të kryetarit të bashkisë në pikën 4 të tij përcaktohet se “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.”

Pra mandati i Voltanës përfundon kur bën betimin kryebashkiaku i ri, i cili dha dorëheqjen pa bërë betimin.

Por megjithëse do të vazhdojë të mbajë postin e kryetares së bashkisë, Voltana Ademi s’do të ketë asnjë fuqi ligjore, pasi ajo do të ketë përballë një këshill bashkiak tërësisht socialist. Asnjë vendim i saj nuk mund të miratohet pa votat e këshilltarëve të majtë. Ndaj dhe vendimmarrja në Shkodër do të jetë e vështirë, të paktën deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vendosë për Metën dhe zgjedhjet dhe do të zgjidhë krizën në Shkodër dhe në mbarë vendin. Me ngritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese çështja e parë që do të shqytohet është dekreti i Metës për anulimin e 30 qershorit, dekret ky që shkaktoi kaos dhe thelloi krizën në vend. Nëse Kushtetuesja rrëzon dekretin dhe njeh zgjedhjet e 30 qershorit, automatikisht duhet të vendoset për zgjedhje të pjesshme në Shkodër, që do të sjellin një kryetar të ri bashkie për këtë qytet./realstory.al

Skip to toolbar