Nga salla e Kuvendit, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i kujtoi opozitës se tashmë dënimi për prishjen e zgjedhjeve shkon deri në 8 vite burg.
Balla gjithashtu kërkoi ashpërsimin e dënimeve
për shitblerjen e votave, ndërsa tha se damkën e turpit në këtë pikë e mban
LSI.
Balla foli për domosdoshmërinë e miratimit të reformës
zgjedhore dhe në plotësimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.
“Për të
përfunduar një reformë tërësore të kodit zgjedhor, duke adresuar plotësisht të
gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe duke hulumtuar të gjitha mundësitë për të
identifikuar një sistem zgjedhor që sigurisht duhet të kalojë përmes
konsensusit dhe të ketë një diskutim të hapur mes gjithë aktorëve në Kuvend.
Nuk kishim asnjë kusht për reformën as me paraardhësit tuaj. Iu kisha thënë
merrni një letër të bardhë, shkruajeni si të doni, ne do ta miratojmë sepse
është e rëndësishme të kemi zgjedhje me standarde. Jam i sigurt se zgjedhjet e
30 qershorit do të jenë të mira e me standarde. Përshëndes 42 partitë që janë
regjistruar. Ne duhet të fillojmë punën për të ashpërsuar dënimet për
shitblerjen e votave.
LSI ka damkën më të turpshme të blerjes së
votës në Shqipëri. Më vjen shumë mirë që nga lista e kandidatëve të LSI
kërkohet bashkëpunim për të këtë gjë”, deklaroi Balla.
Sipas tij, kush hakërrehet se në Shqipëri nuk
do të zhvillohen zgjedhje, duhet ta dijë se nuk ka më budallenj që futen në
burg për Sali Berishën apo Bashën. “Kush guxon të dëmtojë material zgjedhor
thotë kodi penal, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 8 vjet. Kur ka sjellë
pasoja të rënda në mbarëvajtjen e zgjedhjeve dënohet nga 3 deri në 8 vjet. Nuk
ka më budallenj që të dëgjojnë Lulin ose Monikën”, tha ai.