Lutjet e Hajdarit në Kuvend

Deputetja Rudina Hajdari ka replikuar disa herë me Kryeministrin Rama gjatë seancës së sotme parlamentare, ndërsa është lutur që opozita dhe qeveria t’i japin fund krizës dhe të shmangin një përplasje civile.

‘Do të kërkoja me përulje të pranoni ftesën time që t’i jepni fund kësaj krize. Asnjë nuk do që ne të kemi përplasje civile. Kemi kaluar shumë në këtë vend, kemi pasur situata të vështira, dhe ne me vullnet të plotë mundemi dhe duhet ta evitojmë këtë situatë. Nuk mund të themi thjeshtë ka kaq ndëshkim për këtë që bën atë dhe kaq për këtë. Duhet vullnet real. ” – tha Hajdari

Rama problemin e ka me LSI, jo PD

Gjatë fjalës së tij në foltoren e parlamentit, Rama foli edhe për akuzat e opozitës për blerjen e votave duke i vënë gishtin LSI-së si fajtore të këtij procesi.

Nëse LSI do të shkoj në shtëpi dhe do të rrijë një “turn” pushim nuk do të ketë blerje votash në zgjedhje dhe Shqipëria do të shpëtojë tha Rama.

“Kanë dalë në rrugë dhe thonë ju blini vota. Ndërkohë ne në 2017, një problem kishim, si të ruanim votat se do na i blejë fallxhorja. Kur është fol për blerje votash, nuk kemi pasur problem PD, por kemi pasur problem simotrën tonë, LSI. Tani del daja Titi dhe këndon këngën të shpëtojmë Shqipërinë nga ata që na blejnë votat, po shpëtojeni pra, gjysmën e punës e keni bërë, keni dalë në rrugë tani nga rruga shkoni në shtëpi dhe Shqipëria ka shpëtuar. Mjafton kaq! Bëheni provë, të rrijë LSI një turn pushim dhe mos hyjë në zgjedhje nuk ka blerje votash, nuk ka shitje votash, se nuk ka kujt t’ia shesësh, nuk ka kujt t’ia blesh. Behni pra! DO shpëtojmë Shqipërinë nga blerja e votave.” – tha Rama

Rama: Zgjedhjet janë më 30 qershor dhe kjo nuk ndryshon

Gjatë seancës plenare, ka folur edhe Kryeministri Rama, i cili ka vënë edhe një herë theksin se zgjedhjet do të mbahen në ditën që ato janë përcaktuar me ligj, më 30 qershor.

Rama e cilësoi vendimin e opozitës për të dalë nga zgjedhjet si vetëshkatërruese dhe formë ekstreme në kundërshtim me çdo logjikë demokratike.

“Me përfundimin e afatit të regjistrimit të partive politike në zgjedhjet e 30 qershorit, opozita e rrugës ka vendosur të dalë edhe nga rruga e zgjedhjeve, pasi doli nga rruga e jetës parlamentare duke zgjedhur dy forma ekstreme në kundërshtim të plotë me vijën e logjikës demokratike. E para e panjohur dhe e padëgjuar, e dyta jo e panjohur, por e provuar si një rrugë e vetëshkatërrimit. Aty ku opozitat kanë zgjedhur të braktisin zgjedhjet, praktikisht kanë marrë prapësht një periudhë të gjatë rrënimi dhe vështirësish për rindërtim. Në vend që të luftojnë me program dhe ide ka zgjedhur të luftojë me kërcënime dhe kapsolla. Në vende t’i përfaqësojë zgjedhësit e vetë në këtë sallë dhe në zgjedhje ka vendosur ti nxjerrë edhe ata nga rruga e betejës demokratike. Në vend t’i udhëheqë në rrugën e betejës demokratike ka vendosur t’i përdorë si mish për top duke i përdorur. Kjo është e papranueshme nga askush.” – ka thënë Rama

Gjatë fjalës së tij, Rama tha nuk ishte faji i qeverisë për djegien e mandateve dhe përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet lokale dhe u shpreh i vendosur se pavarësisht kërcënimeve të opozitës zgjedhjet do të mbahen.

“Ne nuk kemi ndonjë zgjedhje tjetër përveç të vijojmë rrugën tonë pa u ndaluar të merremi me ata. Dmth pa u devijuar nga rruga e zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht kërcënimit apo shantazheve. Unë i mirëkuptoj ata që ndryshe nga unë mendojnë se zgjedhjet pa opozitë janë anormale, por dua t’u them se kjo nuk është as zgjedhja jona, as faji ynë. Ne kemi bërë gjithçka që kjo mos ndodhë.”- tha Rama

Çfarë po kërkon rinia para Kuvendit?

Opozita e Bashkuar ka lajmëruar se do të protestojë sot në orën 18:00 duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në disa akse kryesore të vendit. Mirëpo gjatë paradites, një tjetër protestë është zhvilluar para Kuvendit, ku po zhvillohej edhe seanca parlamentare.

Kjo protestë, aspak e zakonshme në llojin e protestave të opozitës deri më sot, është zhvilluar në mënyrë simbolike nga të rinjtë e forumit demokratik dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim , përkatësisht FRPD dhe LRI.

Të rinjtë kanë mbajtur një banderolë të madhe ku shkruhej ‘Ti Shqipëri s’më jep nder, më jep emrin Mërgimtar” dhe kanë lënë në rrugë me dhjetëra këpucë dhe flamuj të BE-së. Kjo protestë simbolike është bërë në kuadrin e largimeve në masë të të rinjve drejt vendeve të BE-së për një jetë më të mirë.

Të rinjtë u shprehën për mediat se “çdo këpucë përfaqëson një të ri, një të re, një familjar, të cilët janë larguar nga Shqipëria.”

Ruçi kritika RTSH-së: Njerëzit paguajnë 12 mijë lekë dhe nuk shohin asnjë kanal

Në seancën e sotme të Kuvendit teksa është diskutuar raporti i veprimtarisë vjetore të Radio Televizionit Shqiptar, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shpërthyer në kritika të forta drejtuar këtij institucioni.

Ai tha se ka shumë njerëz të shqetësuar se paguajnë 12 mijë lekë dhe nuk i kap asnjë kanal të TVSH-së.  Po kështu ai tha, se pavarësisht numrit të shtuar të kanaleve të RTSH-së, asnjë prej tyre nuk ka një program për personat me aftësi të kufizuar, pra që të jepen përmes gjuhës së shenjave.

“Duke ndjekur raportin. Do të ngre çështje. Ne jemi këtu përfaqësues të atyre që na kanë zgjedhur dhe po na kanë ndjekur pyesin çfarë po raportoni kur Televizioni publik shqiptar ka tetë kanale dhe unë nuk i ndjek dot ato dhe ju flisni për paradat dhe sukseset tuaja. Ke televizor të teknologjisë së fundit, unë flas për ata që nuk kanë televizorin tënd dhe timin, me 10 mijë lekë është i vetmi kanal që taksapaguesit shqiptar janë aksionerë në financat e TVSH-së dhe e paguajnë ata, 12 mijë lekëshin.

Prandaj duhet të përfshiheshin në të gjithë debatin. E dyta vërtitet një kanal tjetër, RTSH Kuvend, diskutojnë deputetët dhe nuk merakosen për veten kur do të transmetohet në mënyrë permanente. Një pjesë e zgjedhësve tanë janë me aftësi të kufizuara dhe kërkojnë kur TVSH do na mundësojë të ndjekim Kuvendin përmes gjuhës së shenjave. Prandaj raportimet dhe rezolutat nuk duhet të jenë formale por efektive, brenda shqetësimeve që kanë njerëzit që na kanë zgjedhur”,- deklaroi Ruçi.

Balla: 8 vite burg për ata që prishin zgjedhjet

Nga salla e Kuvendit, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i kujtoi opozitës se tashmë dënimi për prishjen e zgjedhjeve shkon deri në 8 vite burg.

Balla gjithashtu kërkoi ashpërsimin e dënimeve për shitblerjen e votave, ndërsa tha se damkën e turpit në këtë pikë e mban LSI.

Balla foli për domosdoshmërinë e miratimit të reformës zgjedhore dhe në plotësimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.

 “Për të përfunduar një reformë tërësore të kodit zgjedhor, duke adresuar plotësisht të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe duke hulumtuar të gjitha mundësitë për të identifikuar një sistem zgjedhor që sigurisht duhet të kalojë përmes konsensusit dhe të ketë një diskutim të hapur mes gjithë aktorëve në Kuvend. Nuk kishim asnjë kusht për reformën as me paraardhësit tuaj. Iu kisha thënë merrni një letër të bardhë, shkruajeni si të doni, ne do ta miratojmë sepse është e rëndësishme të kemi zgjedhje me standarde. Jam i sigurt se zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë të mira e me standarde. Përshëndes 42 partitë që janë regjistruar. Ne duhet të fillojmë punën për të ashpërsuar dënimet për shitblerjen e votave.

LSI ka damkën më të turpshme të blerjes së votës në Shqipëri. Më vjen shumë mirë që nga lista e kandidatëve të LSI kërkohet bashkëpunim për të këtë gjë”, deklaroi Balla.

Sipas tij, kush hakërrehet se në Shqipëri nuk do të zhvillohen zgjedhje, duhet ta dijë se nuk ka më budallenj që futen në burg për Sali Berishën apo Bashën. “Kush guxon të dëmtojë material zgjedhor thotë kodi penal, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 8 vjet. Kur ka sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e zgjedhjeve dënohet nga 3 deri në 8 vjet. Nuk ka më budallenj që të dëgjojnë Lulin ose Monikën”, tha ai.

Grupit parlamentar demokrat i shtohen dhe 3 deputetë të rinj

Opozita në Kuvend vazhdon të shtohet në numër. Ditën e sotme Komisioni Qendror Zgjedhor i ka dhënë mandatin 3 kandidatëve, të cilët vijnë nga lista shumë-emërore e Partisë Demokratike.

Zef Shtjefni nga qarku Shkodër, Nikolin Straka nga qarku Shkodër dhe Artur Roshi nga qarku Tiranë, janë 3 emrat e rinj që priten të marrin mandatin e deputetit dhe të bëjnë betimin e tyre në Kuvend.

Së bashku me 3 kandidaturat e reja, numri i deputetëve në Kuvend shkon në 105.

Nis seanca, 3 deputetë të rinj betohen në Kuvend

Pavarësisht se me vendim grupi, deputetët e opozitës kanë lëshuar mandatin e tyre të deputetit, çdo të enjte në Kuvend betohen deputetë të rinj nga radhët e LSI-së dhe PD-së.

Edhe seanca e sotme parlamentare ka nisur me betimin e 3 deputetëve të rinj që vijnë nga lista e PD-së.

Tre deputetët e rinj janë Korab Lita, nga lista e Tiranës, Arlind Çarçani në Korçë dhe Halil Jakimi në Dibër.

Me tre deputetët e rinj, numri i ligjvënësve në Kuvend shkon në 102.

Skip to toolbar