Drejtësisë i largohen edhe dy ish anëtarë të Gjykatës së Lartë

Dy ish-anëtarët e Gjykatës së Lartës, gjyqtarët Evelina Qirjako dhe Guxim Zenelaj, kanë dhënë dorëheqjen e tyre duke u larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Dy gjyqtarët ishin anëtar të Gjykatës së Lartë që në korrik të 2017 dhe njoftuan dorëzimin e mandatin me arsyetimin e mbarimit të tij, edhe pse sipas ligjit ato mund të qëndrojnë në detyrë deri sa të zëvendësohen.

Largimi i tyre nga drejtësia, shmang zhvillimin procesit të vettingut që vlerëson ligjshmërinë  e pasurisë së tyre, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Po sipas ligjit, gjyqtarët Evelina Qirjako dhe Guxim Zenelaj mund të kërkonin të emëroheshin gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, por ata nuk kanë preferuar të shërbejnë më në sistemin e drejtësi.

Që nga nisja e vettingut, këto nuk janë gjyqtarët e parë që kanë zgjedhur të largohen nga sistemi i drejtësisë duke shmangur hetimin e pasurisë së tyre dhe pastërtisë së figurës. Disa ditë më parë edhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë Andi Çeliku, njoftoi largimin e tij nga drejtësia duke hequr dorë nga statusi i magjistratit.

Opozita proteston më 8 korrik (ditën kur Parlamenti shkarkon Metën)

Opozita vendos të protestojë më 8 korrik në orën 20:00, në të njëjtën ditë kur parlamenti do të diskutojë ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Meta.

Lajmin e ka dhënë Lulzim Basha, i cili pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së, ka folur për mediat ku u bëri ftesë qytetarëve që të bashkohen në protestën e 8 korrikut përpara Kryeministrisë.

“Dua ti ftoj të gjithë këta qytetarë dinjitozë të Shqipërisë europiane, nëna e baballarë, të rinj e të reja, prindër e bijë nënash shqiptarë, të na bashkohen ditën e hënë në orën 20.00 në një protestë të madhe kombëtare për të qëndruar të bashkuar me mirënjohje të thellë, me besim tek vetvetja dhe tek njëri-tjetri dhe për të vazhduar të vendosur, pa asnjë hap pas betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për Kushtetutën, për lirinë, fëmijët, familjet tuaja dhe të ardhmen e Shqipërisë Europiane.
Të gjithë bashkë ditën e hënë në orën 20.00 në Tiranë”, tha Basha.

Më herët Basha u takua me kryebashkiakët në ikje të PD, të cilët deklaruan për mediat se nuk do i lirojnë zyrat e tyre. Pas takimit, kreu në ikje i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj tha se gjatë takimit është diskutuar për një datë të re të protestave dhe shumë shpejt do të merret vesh. Ai shtoi se nuk i njeh votimet  e 30 qershorit dhe se nuk do ta lirojë karrigen e tij për dikë që përfaqëson vetëm militantë të PS dhe jo popullin.  

“Do ta lirojmë zyrën kur të vijë pasardhësi jonë i zgjedhur sipas ligjit. Kur të ketë zgjedhje jo votime, këto votime nuk i njohim. Ky është vendim i marrë, i bërë i ditur edhe nga opozita nga kryetari, ky është një vendim që e kemi shprehur disa herë këto janë zgjedhje farsë, nul nuk do të njihen. Do vazhdojmë të qëndrojmë në detyrën tonë. Nëse do të vijë të fitojë në zgjedhjet e tjera, ne do ta mirëpresim do t’i dorëzojmë shiritin sipas rregullave. Nuk mbaj me dhunë asnjë zyrë, por do t’i shërbejmë qytetarëve. Nuk është problemi nëse e kërkon Basha apo dikush tjetër, zgjedhjet janë nul, janë votime për partinë socialiste. Kandidati ka marrë 13 % të votave, aq janë vetë anëtarë të PS-së. ai është kryetari i militantëve të PS-së në atë zonë, nuk është i qytetarëve”, tha Kapllanaj

Kapllanaj tha gjithashtu se në takim u fol edhe për një aksion opozitar duke thënë se “është diskutuar data dhe shumë shpejt do të merret vesh.”

Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i Bashkisë Kamzës, Xhakal Miu në lidhje me lirimin e zyrës për të zgjedhurit e ri. Ai tha se për këtë nuk ka lidhje të vendos Lulzim Basha, pasi ai do të respektojë ligjin.

“Nuk ka lidhje Basha me lirimin e zyrës, ne do të respektojmë ligjin dhe kemi lexuar votat popullore. Nuk ka shanse të lirojmë zyrat, këto nuk janë zgjedhje. Zyrat i lirojmë nëse vjen një kryetar legjitim.” – tha Mziu.

Ndërsa kreu i Bashkisë Lezhës, Fran Frrokaj tha se do pritet një vendim unifikuar i opozitës për faktin se nëse do të lënë apo jo të hyjnë në bashki të zgjedhurit e 30 qershorit.

Basha: Rama ik, 20 herë!

Vetëm pak minuta pasi përfundoi fjalën e tij Kryeministri Edi Rama në mitingun e hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Lulzim Basha ka reaguar duke publikuar një video, ku fton shqiptarët të marrin pjesë në protestën e datës 2 qershor.

Në këtë video, të publikuar në profilin zyrtar të Lulzim Bashës në Facebook, ai tregohen 20 rastet, sipas tij, që Edi Rama duhet të ikte.

“Të gjithë të bashkuar do ta ndryshojmë fatin e vendit tonë! Nuk do ta lëmë Shqipërinë në duart e një bande që ka marrë peng të ardhmen e një populli të tërë”.

“Koha e banditëve në pushtet ka mbaruar, ka ardhur koha e shqiptarëve! Asnjë hap pas! Nesër të gjithë në shesh në orën 19:00. #2qershor #ShqipëriaSiEuropa”, shkruan Basha.

Arsyet, që sipas Bashës, Rama duhet të largohej!

“Pushteti i Edi Ramës ka rënë. Ai duhet të ishte larguar:

Kur i dha pushtet kriminelëve!

Kur Elvis Roshi doli trafikant e përdhunues!

Kur Saimir Tahiri doli trafikant dhe blerës votash!

Kur Shqipëria u kthye në hambar droge!

Kur u zbuluan koncesionet e hajdutërisë!

Kur Fatmir Xhafaj mbrojti drogën me shtet!

Kur fshehu 30 milionë euro në Amerikë!

Kur ekonomia u kap nga paratë e krimit!

Kur vodhi votat me dakon dhe Gjiknurin!

Kur shkatërroi pa ligj shtëpitë e njerëzve!

Kur helmoi fëmijët me gaz lotsjellës!

Kur bllokoi rrugën drejt Europës!

Kur grabiti me oligarkët çdo pasuri publike!

Kur tradhtoi integritetin e Kosovës!

Kur zhyti 300 mijë shqiptarë në skamje!

Kur mbylli gjykatat!

Kur ja dorëzoi shtetin banditëve! 

Për çlirimin e Shqipërisë nga e keqja!

Asnjë hap pas!”

Të gjithë të bashkuar do ta ndryshojmë fatin e vendit tonë! Nuk do ta lëmë Shqipërinë në duart e një bande që ka marrë peng të ardhmen e një populli të tërë. Koha e banditëve në pushtet ka mbaruar, ka ardhur koha e shqiptarëve!Asnjë hap pas! Nesër të gjithë në shesh në orën 19:00. #2qershor #ShqipëriaSiEuropa

Gepostet von Lulzim Basha am Samstag, 1. Juni 2019
Skip to toolbar