Monika futet prapë në rresht: Jo dialog me Ramën, vetëm me PS

Ndryshe nga Lulzim Basha, që artikulon “zgjedhje të parakohshme”, Monika Kryemadhi jep shenja të tërheqje. Në një intervistë për ABC Neës, Kryemadhi shprehet se “mbajtja e zgjedhjeve nuk është çështje datash”. Sipas saj, qëllimi kryesor i opozitës është hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. “Nuk mendoj që është çështje date, mendoj që është çështje reflektimi. Nuk mendoj se është çështja e opozitës 2021, 2020 apo 2019. Opozita ka si qëllim kryesor hapjen e negociatave. Pse? Sepse hapja e negociatave do të vendosi disa korniza të funksionimit, hapja e negociatave do të ndalojë konçesionet, hapja e negociatave do të ndalojë po themi çdo lloj abuzimi dhe arbitrariteti që ka bërë Rama me sistemin e drejtësisë. Hapja e negociatave do të ngrejë në urgjencë dhe e ka të detyrueshme ngritjen e Gjykatës Kushtetuese”, shprhet Kryemadhi.

Më tej, Monika Kryemadhi, që pati deklaruar se “do të futej në zgjedhje me Edi Ramën”, bën një tjetër hap pas, duke i dhënë të drejtë aleatit të saj, Lulzim Basha. Sipas Kryemadhit, institucionalizimi i dialogut politik nuk duhet të bëhet kur “ka problem Rama”, ndaj sipas saj, Basha ka të drejtë “sepse nuk mendon për të bërë llogari politike në favor të partisë së tij”.

“Kur Basha thotë pa Ramën, për hir të së vërtetës ka të drejtë sepse nuk mendon për të bërë një llogari politike në favor të partisë së tij politike, por mendon të bëjë një llogari politike kombëtare në benefit të shqiptarëve, pra për t’iu ofruar shqiptarëve një sistem të drejtë dhe jo për të përfituar nga urrejtja që mund të kenë socialistët brenda PS-së kundër z.Rama dhe këtu z. Basha bën dhe diferencimin thotë që nuk bëhet fjalë më për të përdorur urrejtjen e socialistëve dhe të shqiptarëve kundër Edi Ramës dhe për të shkuar në një proces zgjedhor, por për të përdorur dëshirën e shqiptarëve për të ndërtuar një shtet të pakapur nga krimi dhe nga politika e kriminalizuar”, shprehet Kryemadhi.

Më tej, Kryemadhi, duke folur për raportin paraprak të “Venecias” për Ilir Metën, kryetarja e LSI këroi nga Komisioni, që të tregojë nenin e Kushtetutës, që “shkeli Presidenti”. “Nuk jam këtu për të komentuar Komisionin e Venecias, as për të komentuar Presidentin e Republikës, unë do të dëshiroja që Komisioni i Venecias të më tregonte nenin që ka tejkaluar kompetencën Presidenti i Republikës dhe të më tregonte dhe nenin, qoftë në Kushtetutë, ose në Kod Zgjedhor, se kush është institucioni që vendos datën e zgjedhjeve. Me kaq do të isha më se e kënaqur, mjaftojnë këto dy pika”, shprehet Kryemadhi.

Sipas saj, opozita duhet të dialogojë vetëm me PS, ndërsa me Ramën nuk duhet të humb asnjë sekondë kohë.  “Meta ka bërë jashtëzakonisht shumë për të futur  Ramën në tryezën e bashkëpunimit dhe në dialogim me opozitën, por gjithmonë i kam thënë që çdo minutë e harxhuar kot me Ramën është abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë. Asnjë nga ne nuk duhet të harxhojë asnjë sekondë me Ramën. Me PS-në po, të gjithë duhet të ulemi me vrap për të negociuar dhe për të vendosur rregullat e lojës, për të cilat Shqipëria ka nevojë nganjëherë edhe për të mësuar edhe nga disa vende apo shtete më të reja dhe më të vogla siç është Kosova”, u shpreh Kryemadhi.

Po si lexohet kjo deklaratë e Monika Kryemadhit?

Në fakt, të gjitha këto pohime duke rikthim në pikën zero. Kryetarja e LSI, ishte e para që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, deklaroi se ishte gati të “shkonte në zgjedhje me Edi Ramën”. Qëndrimet e saj për një marrëveshje me mazhorancën dhe ulja në tryezë me Edi Ramën, u përforcuan gjatë verës dhe fillimit të shtatorit. Por, tendenca për t`u faktorizuar si forcë politike “pro” dialogut, duket se dështoi. Nga mazhoranca nuk e dëgjuan, ndërsa Basha mbeti stoik i premtimeve të tij, “jo dialog me Ramën”.

Madje, kreu i PD-së, pasi la të kuptohet se ishte afër këtij procesi, u kthye gjithashtu në pikën zero. Vetëm disa ditë më parë, në një intervistë për News 24, Basha shprehu se do të rikthehet te protestat, duke lënë të kuptohet se dialogu është larg. Por, futja në rresht e Kryemadhit vjen, ndoshta, edhe për një arsye tjetër. Mazhoranca, pas 30 qershorit, ngriti Komisionin Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës. Zbutja e toneve të Monikës ndaj qeverisë ishte dhe një “flirt” për të “shpëtuar” Ilir Metën, por, pasi mazhoranca konfirmoi vendosmërinë për t`i shkuar deri në fund këtij procesi, Kryemadhi kthehet në “llogore” në pozicion fillestar. Tashmë, nga “do të shkojë në zgjedhje me Edi Ramën”, Kryemadhi thotë: “Jo, është humbje kohe, Basha ka të drejtë”.

Marrëveshje Rama-Basha? Meta, mesazh si kryetar i LSI: Asnjë kompromis!

Presidenti Ilir Meta i është kthyer mesazheve drejtuar Ramës e Bashës, ndërsa ka risjellë një video të vetën në kohën kur ishte kryetar i LSI-së.

Në videon e publikuar në profilin zyrtar të presidentit, Meta shfaqet me pamjen e tij të dikurshme, me më shumë kilogramë, ndërsa flet në një miting elektoral të LSI-së dhe thotë se nuk do të bëjë asnjë kompromis me atentatin kushtetues të 21 prillit, ditë kur u miratuan ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të dakordësuara midis dy partive të mëdha, PS-së në opozitë në atë kohë dhe PD-së në maxhorancë.

Sipas Metës, parimi i ndarjes së pushteteve është i shenjtë.

“Ne kurrë nuk do të pranojmë dhe nuk do të bëjmë asnjë kompromis me atentatin kushtetues të 21 prillit. Sepse për ne parimi i ndarjes së pushteteve është i shenjtë, është jetik, është vetë vija ndarëse midis demokracisë dhe diktaturës”, ka deklaruar Meta në mitingun e LSI-së. Ndërsa të shtunën (sot) shkruan se kjo deklaratë e tij e bërë 11 vite më parë, është më e vërtetë dhe më aktuale se kurrë më parë.

Përmes kësaj deklarate duket se presidenti po mundohet të japë disa mesazhe drejtuar Ramës e Bashës. Së pari edhe më herët ai është shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese të bëra në vitin 2008. Këto ndryshime të Kushtetutës bënë që Presidenti i Republikës nga 84 vota, të zgjidhet në dy raundet e fundit vetëm me 71 vota.  Që nga hyrja në fuqi në vitin 1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është rishikuar tre herë. Në rastin e parë, në vitin 2007, u bë zgjatja e afatit të qëndrimit në detyrë për organet e zgjedhura të pushtetit vendor nga 3 në 4 vjet. Në rastin e dytë, në 2008-ën, u konsumuan ndryshimet më të rëndësishme teksa u modifikuan procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, procedura e votëbesimit të qeverisë, dhe afati i qëndrimit në detyrë për Prokurorin e Përgjithshëm. Në rastin e tretë, në vitin 2012, u bë një ndërhyrje për të mundësuar zbutjen e regjimit të imuniteteve të funksionarëve të lartë publikë.

Gjithësesi ajo që duhet të kujtojmë është se Kushtetuta u ndryshua përmes një marrëveshje Rama-Berisha dhe siç duket Meta kërkon të thotë se nuk do të pranojë një marrëveshje të ngjashme Rama-Basha, nisur nga zhvillimet e fundit dhe sinjalet për bashkëpunim mes palëve për realizimin e reformës zgjedhore.

Po kështu duke risjellë pamjet e tij në kohën kur ishte kryetar i LSI-së, Meta kërkon të tregojë se është gati të kthehet si kryetar partie. Të paktën këtë mesazh e ka dhënë edhe më herët kur deklaroi pjesëmarrjen e tij në Komisionin Hetimor parlamentar për shkarkimin e tij. Presidenti shkroi se “mezi pret të kthehet në parlament”, duke njoftuar në këtë mënyrë se fill pas shkarkimit ai do të jetë aktiv në politikë si kryetar partie dhe se do ta kenë përballë si Rama dhe Basha, të cilët nuk do të lejohen të bëjnë marrëveshje të ngjashme si ajo e 2008./Realstory.al

Edhe sot më e vërtetë dhe aktuale se 11 vite më parë!

Gepostet von Ilir Meta am Freitag, 6. September 2019

Dialogu, shfaqet Kryemadhi, thumbon Bashën: Lider është ai që sakrifikon për grupin

Monika Kryemadhi është shfaqur publikisht për herë të parë që prej mesit të muajti korrik, ku ndali aktivitetin e saj politik, duke mos komentuar asnjë zhvillim të aktualitetit. Kryetarja e LSI ka marrë pjesë në kampin e të rinjve të LSI, që zhvillohet në Jalë. Ajo ka folur para të rinjve, duke mbajtur një fjalim me doza të ulëta politike, por pa shmangur mesazhet për PD dhe PS. Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi u shpreh se ‘këto kanë qenë ditë të vështira’, duke u kërkuar të rinjve ndryshimin e gjendjes.

“Këto ditë kanë qenë ditë të vështira për LSI, për PD, për opozitën, për qeverinë, institucionet. Por ta dini se më shumë po vuajnë shqiptarët. Ne dhe ju si të rinj keni përgjegjësi për të ndryshuar gjendjen. Kjo që po bëjmë është përballë krimit të organizuar ndërkombëtar. Sigurisht që sfida është shumë e vështirë, por forca, idealizmi juaj është shumë më i fortë sesa makutëria e qeverisjes sonë”, tha ndër të tjera Kryemadhi”, u shpreh Kryemadhi.

Ndërkohë, ndër rreshta gjatë fjalimit të saj, Kryemadhi ka përcjell edhe mesazhe për kreun e PD, që deri më tani nuk ka pranuar të dialogojë me qeverinë dhe kryeministrin Rama, për t`i dhënë fund krizës. Kryemadhi, partia e së cilës, por dhe ajo vetë, kanë shprehur qëndrime të kundërta nga Basha pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duke kërkuar zgjidhje të krizës nëpërmjet dialogut. Ndaj, në fjalimin përballë të rinjve, Kryemadhi u shpreh se ‘lider është ai që sakrifikon nga vetja për grupin’.

“LSI theu monopolin e dy partive të mëdha. Ne u rritëm me hapa të përditshëm. Kemi kaluar momente dhe sfida të vështira. Lider është ai që sakrifikon nga vetja për shoqërinë dhe grupin. Ky ka qenë misioni i kampit të LSI. Ne kampin e LSI e përmirësuam edhe më tej. Është puna në grup ajo që i jep shansin dhe mundësive njerëzve.”, tha Kryemadhi. Në këtë mesazh, më shumë se sa drejtuar të rinjve, Kryemadhi duket se i tregon Bashës se duhet të ‘sakrifikojë për grupin’. Në fakt, grupi janë të gjitha partitë aleate, që ndryshe nga kreu i PD, kanë kërkuar dialog dhe ulje në tavolinë me Ramën, për t`i dhënë fund krizës politike.

LSI kundër Bashës: Kriza zgjidhet me kompromis (shpreson ende te 13 tetori Metës)

Pretendimet e PD për dënimin e Agim Kajmakut në Greqi në vitin 2003, kanë rikthyer dhe njëherë debatin për zgjedhjet lokale. Të paktën, në rradhët e opozitës, është LSI që artikulon mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare, në një ditë të vetme. Me anë të një reagimi, ish-deputeti i LSI, Edmond Panariti shkruan se ‘vetëm zgjedhjet e menjëhershme lokale dhe parlamentare”, krijojnë mundësinë për të dalë nga gremina. Sipas Panaritit, zgjedhjet duhet të mbahen ‘brenda afatit kushtetues’, duke u shprehur se ’13 tetori është kushtetues’.

“Sigurisht në afatin më të afërt kushtetues të mundshëm. Trembëdhjetë tetori është afat kushtetues, i dekretuar tashmë. Është datë në fuqi dhe e pa rrëzuar nga gjykatat supreme të vendit. Interpretimte mbi validitetin nuk mundet ti bëjnë partitë dhe politikanët, as komisionet dhe kolegjet zgjedhore, por vetëm ligji dhe kushtetuta. Por koha ecën dhe datat treten. Bashkë me to dhe shpresa për legjitimitet dhe kushtetueshmëri në këtë vend”, shkruan ndër të tjera Panariti.

Pra, sipas ish-deputetit të LSI, 13 tetori është datë kushtetuese pasi nuk është rrëzuar nga asnjë gjykatë supreme në vend. Për kujtesë, 13 tetori është rrëzuar nga gjykata supreme e zgjedhjeve në vend, Kolegji Zgjedhor. Ishte kjo gjykatë që njohu zyrtarisht 30 qershorin pas dekretit të Ilir Metës për të anuluar këtë datë zgjedhjesh, duke i hapur rrugë procesit legjitim sipas kushtetuës. Gjithashtu, 13 tetori vërtetë nuk është rrëzuar si datë kushtetuese e zgjedhjeve, zyrtarisht nga një gjykatë, por e vetmja gjykatë që ka këtë tagër, është Gjykata Kushtetuese.

Ky është vullnet i ndërkombëtarëve, të cilët në mbështetje të rendit kushtetues, duke dalë garant për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, deklaruan pas këtij procesi, se “ligjshmëria ose jo e zgjedhjeve mund të gjykohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese në vend”, u shpreh Matheë Palmer, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, pak ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të 30 qershorit. Pra, 13 tetori, që opozita e njeh si datë kushtetuese, në fakt është një datë normale, ku nuk mund të mbahen zgjedhjet pa pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese për të së pari.

Gjithashtu, rrëzimi i 13 tetorit ka rënë edhe për një arsye tjetër. Po ndërkombëtarët dhe misioni vëzhgues i zgjedhjeve, ODIHR, raportoi sygjeroi pas 30 qershorit, se ‘verdiktin përfundimtar për zgjedhjet do ta jepnin gjykatat në vend”. Në fakt, gjykatat e shkallëve të para në vend njohën dhe vërtetuan mandatet e të zgjedhurve të 30 qershorit, një vendim që u mor si pasojë e vendimit të një gjykate supreme, Kolegjit Zgjedhor, që njohu pikërisht procesin zgjedhor.

Megjithatë, Panariti, ndonëse përpiqet që të promovojë 13 tetorin si datë kushtetuese, ai shkruan se “unë kam bindjen se përsëri mundemi që edhe në “Zeitnot” apo “Last minute” me vullnet dhe kompromis politik, procesi mund të rikthehet dhe të rimerret nga fillimi, duke e futur atë në shtrat kushtetues dhe në afate ligjore, duke garantuar garë, alternativa dhe sidomos besueshmëri dhe gjithë pranim. Tashmë nuk jemi thjesht vetëm ne kushtet e ilegjitimitetit zgjedhor , por ndodhemi të ndotur me kriminalizim madje edhe pa patur konkurrence dhe konkurente”, shkruan Panariti. Nga kjo deklaratë e ish-deputeti të LSI, kuptohet qartë se tashmë kjo forcë politike, ndryshe nga PD, kërkon kompromis për t`u futur në zgjedhje, madje duke mos cituar në asnjë moment dorëheqjen apo ‘zgjedhje pa Edi Ramën’ Kryeministër.

Afati i fundit! LSI dhe aleatët tërhiqen nga 13 tetori, nuk regjistrohen në KQZ

Aleatët e Bashës dhe LSI nuk i janë drejtuar KQZ-së të hënën për të regjistruar partitë e tyre në zgjedhjet e datës 13 tetor, pavarësisht se kishin deklaruar se do ta bënin një gjë të tillë. Ata kishin njoftuar se do të regjistroheshin ditën e hënë në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 Tetorit të dekretuara nga presidenti Ilir Meta, por as  LSI dhe as PR dhe PAA nuk do të paraqesin kërkesë në KQZ për t’u regjistruar, ndonëse dita e hënë (5 gusht) është edhe afati i fundit.

Shkak i këtij vendimi të aleatëve të Bashës është se KQZ nuk ka marrë ende një vendim rreth kërkesës së drejtuar prej tyre për nisjen e procedurave nga Komisioni për procesin e zgjedhjeve.

Aleatët e PD-së i kërkuan KQZ-së që të nisë procedurat për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor, por mbledhja e së shtunës dështoi për shkak se anëtarët e PS-së në KQZ nuk morën pjesë në mbledhje me argumentin se janë me leje vjetore. I vetëm u paraqit vetëm kryetari i KQZ-së, Klement Zguri i cili për mungesë kuorimi e cilësoi mbledhjen të mbyllur, pa marrë në shqyrtim kërkesën e partive aleate të PD-së. Bazuar në Kodin Zgjedhor partitë duhet të regjistrohen në zgjedhje 70 para datës së zhvillimit të tyre, afat ky që përfundon sot. Megjithëse data 13 tetor është një datë e rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor në argumentet e dhëna për dekretin e Metës për 30 qershorin. Të njëjtat argumente vlejnë edhe për dekretin për 13 tetorin, pasi që të dy dekretet janë marrë përtej afateve kushtetuese dhe në kundërshtim me kompetencat që kushtetuta i njeh presidentit. Ligjërisht nuk ka zgjedhje në 13 tetor.

13 tetori, LSI sulmon KQZ, por harron se Metën e rrëzoi Kolegji Zgjedhor

Të shtunën dështoi mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që do duhet të diskutonte kërkesën e partive opozitare për zhvillimin e zgjedhjeve të 13 tetorit. Dështimi i kësaj mbledhje nuk është pritur mirë nga opozita, e cila e ka quajtur “veprim banditësh”. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, ka sulmuar KQZ dhe anëtarët e saj, duke i quajtur “kamikazë”.

“30 qershori i paligjshëm dhe faqe e zezë në historinë e Shqipërisë. Zgjedhjet në 13 tetor, kjo është rruga dhe shpëtimi i vetëm për shqiptarët dhe integrimin. KQZ kreu një veprim banditësh sepse zgjedhjet nuk i ndalin dot 4 kamikazë të rilindjes në KQZ. Edi Rama dhe rilindja gjallojnë vetëm përmes bojkotimit të zgjedhjeve të lira e dt ndeshme dhe bojkotit të çdo forme të funksionimit të shtetit të së drejtës”, shkruan ndër të tjera Vasili.

Ndërkohë, dekreti i Ilir Metës për zgjedhjet e 13 tetorit është ‘nul’, pasi është rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor, gjykata supreme e zgjedhjeve, vendimet e të cilës nuk kanë rekurs. Në këto kushte, do të jetë Gjykata Kushtetuese, kërkesë edhe amerikanëve (lexo intervistën e Matheë Palmer), që do të bëj vlerësimin e dy dekreteve të Metës, atij të 10 qershorit për anulimin e 30 qershorit dhe atij për 13 tetorin, që e shpallte ditë zgjedhjesh.

Ndërkohë, pas ditës së diel të 4 gushtit, dekreti i Ilir Metës për 13 tetorin, veç rrëzimit nga Kolegji Zgjedhor dhe gjykatat e shkallëve të para në vend, është zyrtarisht ‘nul’ edhe për shkak të afateve ligjore të regjistrimit të subjekteve politike, 70 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve në KQZ.

Gjithë arsyet përse dështoi aksioni i opozitës

Opozita zhvilloi 10 protesta nga 16 shkurti deri në 8 korrik, me kauzën “largim i Qeverisë ilegjitime, dalë nga vota të blera”. Kështu mund të përmblidhet në një fjali aksioni opozitar i këtyre pesë muajve. Tashmë që Lulzim Basha, zhvilloi dhe protestën falënderuese për qytetarët dhe Presidentin më 8 korrik, është momenti për të bërë një bilanc të aksionit opozitar, asaj që mund të quhet fitore për PD-në dhe padyshim aspekti tjetër janë humbjet. Në këtë rast, që në nisje vlen të theksohet, se aksioni opozitar lexohet në mënyra të ndryshme, ku disa thonë ishte pozitiv djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve, ndërsa një pjesë tjetër janë të mendimit se aksioni opozitar e ka dëmtuar kauzën e opozitës.

Le ti marrim me radhë:

Si fillim, lënia e mandateve ishte një akt ekstrem (i pranuar nga vetë PD dhe aleatët), por i justifikuar si e vetmja mënyrë për t`i bërë presion Qeverisë të largohet. Fakti është se lënia e mandateve nuk e largoi Qeverinë, ajo vijon punën edhe sot e kësaj dite. PD dhe aleatët u shprehën ditën e parë që morën vendimin, se mandatet do ti djegin të gjithë deputetët, në fakt, ndodhi e kundërta, PD-ja u tradhtua nga të tijët, jo vetëm që s`i dogjën të gjithë, por shumë nga listat e demokratëve pranuan mandatin, ata janë sot opozita parlamentare të drejtuar nga Rudina Hajdari. Pikërisht, gabimi i parë i PD-së, ishte lënia e mandateve dhe mosllogaritja e pasojave, goditjen ja dhanë dhjetra demokratë që zunë vendin e ish-deputetëve në Parlament, duke vënë në pikëpyetje të madhe vendim e PD-së.

Dështimi i dytë i opozitës, ishte mosllogaritja e qëndrimeve që do të mbante një tjetër faktor, ndërkombëtarët. Në fakt, ky është një nga gabimet e pakuptueshme të opozitës. E cila kishte një shembull real, se në aksionin ekstrem të bojkotit parlamentar dhe lënien e mandateve, ndërkombëtarët nuk do të ishin krah tyre. Do të mjaftonte vetëm pak kujtesë për aksionin opozitar të nisur në shkurt të 2017 dhe përfunduar me marrëveshjen e 17 majit, po atë vit, për të kuptuar se qëndrimi i ndërkombëtarëve nuk do të ishte as këtë herë në krahun e ekstremit të një aksioni politik. Këtë opozita nuk e llogariti, pasojat e saj i mësoi tre ditë para zgjedhjeve (kujtoni intervistën e Mathew Palmer).

Gabimi i tretë, që dështoi aksionin opozitar, ishte mungesa e një plani. Javë pas jave e protestë pas proteste, u kuptua qartë se opozita nuk kishte një plan konkret, për të detyruar qeverinë të tërhiqej. Radikalizmi (me sulme molotov gjatë protestave) mbeti gjithsesi në kufijtë e një tensioni të kontrolluar, ndërsa opozita nuk dha asnjë plan konkret, se si do të detyronte Edi Ramën të largohej nga Kryeministria. Madje, opozita nuk pati asnjë plan as për zgjedhjet e 30 qershorit, dhe tashmë duket se nuk ka asnjë plan, as se si do të mbrohet nga të vetët  (kryetarët rebel të bashkive që mbetën të zhgënjyer nga aksioni i PD). Pasojat mund të jenë të pallogaritshme për Lulzim Bashën dhe PD.

Gabimi tjetër i opozitës ishin sulmet ndaj ndërkombëtarëve. I gjendur i rrethuar dhe pa asnjë komunikim dhe mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lulzim Basha bëri një deklaratë befasuese pak ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, duke i cilësuar ambasdorët “Don Kishotë që mbrojnë Edi Ramën dhe e mbajnë atë në pushtet”. Ky ishte një tjetër gabim, që përkeqësoi situatën brenda vetë opozitës, që dështimin e aksionit të vetë, po kërkonte t`ia faturonte të huajve.

Veprimi tjetër, që rrënoi aksionin opozitar, ishte vendimi për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Lulzim Basha dhe aleatët dogjën afatet për t`u regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit, pasi kërkesa e tyre për largimin e Qeverisë nuk ishte përmbushur. Megjithatë, para kësaj meriton një vëmendje të hollë aksioni opozitar. Basha bëri një gabim strategjik. Pesjëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit, mund të forconte kauzën e tij (të manipulimit dhe vjedhjeve të votave nga Qeveria) duke u futur në garë dhe monitoruar atë direkt. Kështu, nëse do të kishte probleme gjatë zgjedhjeve të 30 qershorit, opozita do të kishte më shumë argumenta për të bindur të huajt dhe shqiptarët, se qeveria vjedh zgjedhjet. Por, opozita zgjodhi një strategji tjetër, vendosi të mbështeste publikimin e përgjimeve të Bild, që jepnin indicie për blerje votash, por për zgjedhjet e tre viteve të shkuara. Ky akt, në fakt nuk u pasua me pritshmëritë e PD-së, që besonte se do të vinte nën presion ndërkombëtarët dhe vetë Qeverinë.

Madje reaksioni ishte i kundërt, ndërkombëtarët i zhvlerësuan përgjimet e Bild, dhe mbështetën zgjedhjet e 30 qershorit, dhe thanë: “Krimet elektorale të merret drejtësia, standardet elektorale i vendosni me dialog duke bërë Reformën Zgjedhore”. Ky mund të ketë qenë zhgënjimi më i madh i opozitës, një goditje e kauzës dhe aksionit të saj. Gjithashtu, refuzimi i pjesëmarrjes në zgjedhjet e 30 qershorit, ka një pasojë dhe më të rëndë. PD dhe opozita, nëse do të ishin futur në garë, me siguri do të kishin mbrojtur disa bastione të tyre në bashkitë e vendit, e do të tentonin të merrnin disa të tjera. Kështu, PD mund të konfirmonte atë që thoshte gjatë protestave: “opozita është shumica”. Zgjedhjet do të ishin sondazhi real për të provuar rritjen e opozitës. Basha nuk e bëri këtë, tani pasojat janë të rënda, opozita nuk ka asnjë pushtet real në Shqipëri.

Refuzimi i dialogut ishte një tjetër hap i gabuar. Ndonëse Kryeministri Edi Rama u akuzua nga opozita si autor i “krimeve elektorale të 2017”, ai ishte i vetmi njeri me të cilin opozita do të duhej, dhe duhet të ulet në dialog. Nëse zgjedhjet e 2017 u fituan me blerje vote, siç Katari fitoi të drejtën e organizimit të Botërorit të 2022 me blerje të kupolës drejtuese të FIFA-s, vërtetimi i korrupsionit, çoi në largimin e Blaterit nga drejtimi i FIFA-s, por Katarit nuk i është hequr e drejta për të organizuar Kupën e Botës. Në një situatë të ngjashme, PD-ja nëpërmjet dialogut, mund të kërkonte hetim të plotë (siç e ka kërkuar në deklarata) të personave përgjegjës (nëse ka) të krimeve elektorale, dhe kryerjen e Reformës Zgjedhore. Praktikisht, nëse janë vjedhur votat në Dibër e Durrës, si votat për Katarin, kjo nuk e zhvleftësonte legjitimitetin e Qeverisë, e cila në rastin konkret, do të kishte dy  fish përgjegjësi, (angazhim që e ka treguar), për të dialoguar dhe ofruar garanci që ato që kanë ndodhur të mos ndodhnin më.

Një tjetër gabim i opozitës, ishte thirrja për konflikt në 30 qershor. Kjo rëndoi dhe më tepër situatën dhe mbështetjen ndërkombëtare të PD-së. Amerika, e cila heshti deri sa foli Kolegji Zgjedhor për dekretin e Ilir Metës, u shpreh qartë: “Kush bën dhunë më 30 qershor, ndërpret marrëdhëniet me SHBA”. Në këto kushte, thirrjet për konflikt, shkaktuan një tronditje të madhe brenda opozitës. Skenari i përgatitur prej kohësh përpamundësim të zgjedhjeve nëpërmjet dhunës, dështoi, por shtoi zhgënjimin te kryebashkiakët e djathtë, të cilët kishin marrë premtim nga Basha se nuk do të kishte zgjedhje më 30 qershor. Në këto kushte, Basha është i detyruar të bëj paqe me kryebashkiakët e tij, aq sa tashmë ka harruar Edi Ramën, dhe po i shkon në takim çdo kryetari në ikje nga bashkitë e drejtuara nga PD.

Mirëpo, nëse të gjitha këto janë disa nga arsyet e shkatërrimit të aksionit opozitar, ajo më e rënda duket se është mungesa e qartësisë për të ardhmen dhe konfuzioni brenda vetë aleatëve. Monika Kryemadhi ka lënë të kuptohet se do dialog, me Edi Ramën, jo si Kryeministër, por megjithatë, pranon të futet dhe në zgjedhje me të, ndryshe nga Basha, që mbetet stoik në vendimet e tij. Në krahun tjetër, Basha ka rryma revolte brenda së djathtës, shumë ish-drejtues të kësaj partie janë rikthyer në skenë, kërkojnë largimin e tij dhe reformim të partisë, para se PD të shuhet. Gjithashtu, Lulzim Basha, ka dhe një problem që duhet të zgjidhë. Refuzimi i pashpjegushëm për të hyr në dialog dhe për të gjetur zgjidhje të krizës. Ky është problem me veten, pasi aleatët i kanë dhënë shenjat se “kupa është mbushur”, kriza duhet zgjidhur. /Realstory.al/

Zaloshnja: PD rritet me 100 mijë vota, përgjysmohet LSI

Nga Eduard Zaloshnja

Nga një projeksion që i bëra votave, bazuar në një sondazh që zhvillova ditët e para të korrikut, rezultonte që, nëse zhvillohen zgjedhje parlamentare sot, PD-ja dhe satelitet e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj) marrin rreth 635 mijë vota. Ndërkohë, LSI-ja merr rreth 85 mijë vota.

Me pak fjalë, shohim se me rritjen e PD-së dhe satelitëve të saj, kemi një tkurrje të LSI-së. Në fakt një korelacion i tillë vihet re në të gjithë dekadën e fundit.

Para dy vjetësh situata ishte ndryshe. Në zgjedhjet e 2017-ës, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj) morën gjithsej 535 mijë vota, që përbën minimumin e tyre historik. Ndërkohë, LSI-ja mori plot 225 mijë vota, që përbën kuotën maksimum të saj në zgjedhjet parlamentare.

Kështu, në vitin 2009, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj.) morën gjithsej 760 mijë vota, ndërsa LSI-ja vetëm 75 mijë vota.

Në vitin 2013, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj.) u tkurrën me 80 mijë vota, ndërsa LSI-ja u rrit me 105 mijë vota.

Në vitin 2017, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj.) zbritën në pikën më të ulët (535 mijë vota), ndërsa LSI-ja kapi pikën e saj më të lartë (225 mijë vota).

Grafiku shoqërues e ilustron qartë këtë korelacion elektoral: Kur bie PD etj., rritet LSI, dhe anasjelltas.

Vasili sulmon ambasadorët me status racist

Sulmet ndaj ambasadorëve dhe partnerëve ndërkombtar, që nisi ish-kreytari i LSI (aktualisht President i Republikës), i vijojnë me të njëjtën frymë anëtar dhe drejtues aktual të LSI-së. Nënkryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili, ka reaguar për deklaratat e ambasadorit të Austrisë në Tiranë, që i drejtohej Voltana Ademit se “nuk jemi më në 1913). Numri dy i LSI-së, e ka cilësuar ambasadorin austriak “të sponsorizuar nga kryeministri”, dhe që në Shqipëri vjen vetëm për të bërë pushime, ndërsa sulmin e tij e rëndon dhe më tepër me një shprehje raciste, kur shprehet se “kryeministri që bën votime moniste që s`gjenden më as në Afrikën e zezë”.

“Shqipëria jeton akoma (edhe për shumë pak kohë) nën një kryeministër të 1913, edhe sepse disa ambasadorë kanë bërë vetëm e vetëm pushime në Shqipëri, mos e dhëntë zoti të sponsorizuar nga vetë kryeministri që bën votime moniste që s`gjenden më as në Afrikën e zezë. Këto votime për faqe të zezë ku kryeministri vjedh edhe veten e bëhet gazi i botës disa… nuk i shohin. Dhe pastaj na thonë didaskalirat e integrimit evropian. Integrim evropian me monizëm ua ua ua”, shkruan Petrit Vasili.

Sulmet ndaj ambasadorëve nuk janë gjë e re për LSI-në, e frymëzuar nga ish-kryetari i saj, sot president në largim, Ilir Meta. Por të përdorësh shprehje raciste duke etiketuar popullsinë e një kontinenti të tërë për shkak të ngjyrës, kjo është e tepërt dhe e rëndë, thënë nga një drejtues i një prtie, që pretendon standarde dhe vlera, për më tepër, që cilëson si target elektoral të rinjtë.

Protesta, tani flamurin e merr LSI

Monika Kryemadhi duket se s`po gjen rehat dy ditët e fundit. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, po jep shenja se protesta e 8 korrikut nuk do të jetë një protestë e opozitës, thjesht si një përgjigje ndaj qeverisë për zgjedhjet e 30 qershorit, por kjo protestë do të jetë kryekëput kundër shkarkimit të Ilir Metës nga posti i presidentit. Në fakt, sjellja e shefes së LSI tre ditët e fundit të lë të kuptosh një gjë të tillë.

Prej 16 shkurtit, kur opozita mbajti protestën e parë kombëtare, e deri më 21 qershor, ishte Lulzim Basha ai që udhëhiqte thirrjet e opozitës për protestë, me konferenca shtypi, video e postime të ndryshme në rrjetet sociale, takime në qytete të ndryshme të vendit etj. Por, tani që PD mbeti pa asnjë pushtet faktik, dhe brenda së djathtës kanë nisur zërat kundër Bashës, LSI dhe Kryemadhi po marin në dorë situatën.

“Sot, të shtunën në zyrë duke komunikuar me të gjitha strukturat e LSI-së në të gjithë Shqipërinë. E jashtëzakonshme fryma e qëndresës ndaj sistemit autokrat dhe qeverisë së krimit të organizuar dhe korrupsionit. Entuziazëm në çdo familje shqiptare për ndryshimin e këtij sistemi të kalbur. Ftoni familjarët, miqtë, shokët, të bëhemi të gjithë bashkë më 8 korrik. Gjatë pasdites vazhdojmë me takime në Tiranë”, shprehet Kryemadhi.

Pra, ndryshe nga Basha që është i zënë me punë të tjera në PD, Kryemadhi po merr flamurin e protestës në dorë. Ajo së bashku me drejtues të tjerë të LSI, në raport me ata të PD-së, kanë qenë më aktiv në thirrjet për protestën e së hënës më 8 korrik, duke nxjerr në pah hallin e vërtetë të kësaj proteste, jo qeveria, por shkarkimin e presidentit.

Këto thirrje të Monika Kryemadhit, pavarësisht se synojnë të tregojnë se ka entuziazëm, në fakt, nxjerrin në pah edhe një siklet të madh të opozitës. Largimi i të zgjedhurve vendor të PD dhe LSI nga postet që mbajnë pas 30 qershorit, ka shtuar frikën te të punësuarit e opozitës në këto bashki. Çka në fakt, është frikë e vetë drejtuesve të opozitës, se pas zgjedhjeve, rrezikojnë firo të madhe në elektorat, shto faktin, që tashmë nuk ka më bashki që sjellin protestues me autobus drejt Tiranës. Ndaj, jo më kot, vetëm të premten, Monika Kryemadhi la porosi të veçantë për strukturat e saj, që të trokasin në çdo derë të Tiranës, për të ftuar qytetarët në protestë.

Skip to toolbar