Ndërkohë që në Komisionin e Ligjeve miratohej drafti për paketën “Anti-shpifje”, Partia Demokratike dhe opozita zhvilloi një tryezë me gazetarë dhe përfaqësues të medias. Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se kur PD të vijë në pushtet, ligjet e paketës “anti-shpifje” do të shfuqizohen. “Qeveria po propozon një ligj për të instaluar censurën”.
“Objektivi ynë është ti japim vendit një kuadër ligjor për ti mbyllur derën tranzicionit të medias dhe për të zhvendosur në standarde europiane në praktika të autonomisë dhe lirisë së shprehjes. Nëse çmenduria çohet deri në fund në paralamentin e cunguar, opozita nuk do ta njohë dhe sapo të ketë mundësinë e qeverisjes për ta zhbërë këtë legjislacion bashkë me shoqata e gazetarëve të pezullojmë çdo masë të tillë arbitare”, tha Basha.
Të pranishëm në tryezën e organizuar nga opozita, gazetarë dhe përfaqësues të medias u shprehën kundër ligjit, duke theksuar se ai kërcënon fjalën e lirë. “Ky ligj është një kërcënim për pluralizmin. Asnjëherë nuk ka pasur një adresim të tillë censurues mbi një draft të tillë siç po bën qeveria”, tha Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve.
Për gazetarin Lutfi Dervishi nuk do të ketë më gazetarë. “Nuk mundet që kjo kokëfortësi me ligjin e ri të shkojë deri në fund. Ligji për të drejtën e informimit dhe nëse sheh performancën e këtij ligji është duke u tretur. Nuk ka më gazetarë dhe liderët bëhen media. Në rastin e tërmetit, nëse gazetarët nuk do të ishin, autoritetet do të ishin në panik dhe “fake neës” do të mbizotëronte”, tha ai.
Për kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, me ligjin e ri “AMA do të jetë si hetuesi”. “Ne si opozitë kemi marrë një vendim largimin nga parlamenti, vetëm një veprim i tillë i opozitës do të shfaqte figurën e vërtetë të një artisti që në thelb ka censurën. Do të kemi një AMA si një hetuesi dhe një AKEP si Xhelat. Jemi në krah të gazetarëve, jam kundër pronarëve që nëpërmjet gazetarëve bëjnë qoka nëpërmjet ERTV”, tha Kryemadhi.