Mbledhje drejtuesish në PD. Diskutohet aksioni i opozitës

Dy mbledhje të rëndësishme janë parashikuar të zhvillohen sot në selinë e Partisë Demokratike. Kështu njoftohet se Basha do të mbledhë në orën 12.00 kryesinë e kësaj partie si dhe ish deputetët e Grupit Parlamentar, ndërsa në orën 17.00 do të mbledhë Këshillin Kombëtar.

Mësohet se në këto takime do të diskutohet dhe do të merret një vendim se si do të vijojë aksioni opozitar në ditët në vijim.

Një ditë më parë Basha zhvilloi një takim me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, ndërkohë që sot do të diskutojë më strukturat e partisë.

Opozita e Bashkuar prej kohësh tashmë ka braktisur parlamentin, ndërsa ka dorëzuar mandatet e deputetëve. Vetë Basha është shprehur në një intervistë televizive se nuk do të zhvillohen zgjedhje në 30 qershor.

Basha thotë se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor

“Data e zgjedhjeve lokale do të shtyhet, zgjedhje në 30 qershor nuk ka për të pasur”. Kështu është shprehur mbrëmë në emisionin “Tempora” në RTV Ora, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ai u shpreh i bindur se zgjedhjet lokale nuk do të zhvillohen më 30 qershor dhe se kjo datë do të shtyhet.

“Zgjedhje më 30 qershor nuk ka për të pasur, data e zgjedhjeve do të shtyhet. Shqipëria nuk është një humbëtirë e Afrikës ekuatoriale apo republikave ish-sovjetike. Pa u ndëshkuar krimi elektoral duke filluar me Dibrën në 2016, pa u ndëshkuar përgjegjësit e krimit elektoral as që mund të mendohet që të garantohet një proces zgjedhor. Derisa nuk garantohet nuk mund të ketë zgjedhje fallto”, tha Basha në emision.

Ndërkaq presidenti i Republikës prej kohësh ka dekretuar datën 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, madje maxhoranca ka vijuar edhe me shpalljen e disa prej kandidatëve.

Basha e quan sulm politik, kallëzimin penal ndaj kryebashkiakut

IKMT kallëzoi penalisht një ditë më parë, kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, por sipas kryetarit të PD-së, Lulzim Basha ky është një sulm politik i Ramës.

Sipas IKMT-së, Sakja së bashku me dy persona të tjerë në bashkinë e Kavajës kanë dhënë 7 leje ndërtimi në kundërshtim të hapur me ligjet.

Por Basha thotë se ky është një sulm i pastër politik i Ramës, i cili “mbron Vangjush Dakon që pasurinë publike ua dha kriminelëve”.

DEKLARATA E BASHËS

Kallëzimi penal kundër Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, është sulm politik kundër kundërshtarit politik, i parathënë nga Edi Rama disa javë më parë. Ky sulm politik është i orkestruar nga një kryeministër hakmarrës, që nuk e pranon dot se qytetarët në Kavajë nuk drejtohen më nga një përdhunues dhe trafikant droge apo grabitës pronash në bregdet.

Kallëzimi politik penal kundër Isa Sakjas vjen nga i njëjti kryeministër i korruptuar dhe i lidhur me krimin që vazhdon të mbrojë Vangjush Dakon, i cili betonizoi Durrësin dhe plazhin e tij, duke u dhënë pasuri publike kriminelëve me të cilët bleu votat. Kallëzimi është urdhëruar nga kryeministri i Qazim Sejdinit, që komandon trafikun e drogës në Elbasan dhe e ka bërë qytetin plaçkë betoni të bandave. Sulmi politik ndaj kryebashkiakut të Kavajës vjen nga i njëjti kryeministër që, bashkë me shërbëtorin e tij, Erion Veliaj, kanë betonizuar Tiranën, duke e shndërruar në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në Ballkan.

As kallëzimet politike, as gazi lotsjellës, as propaganda nuk e ndihmojnë dot më Edi Ramën. Kryeministri më i korruptuar sot në Europë e ka humbur Kavajën dhe, shumë shpejt, ka për të humbur gjithë Shqipërinë!

Basha kërkon mision monitorimi nga KE

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i bëri një kërkesë të veçantë Bashkimit Europian për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri. Basha ka kërkuar vendosjen e një misioni monitorimi nga KE në mënyrë që të procedohet ashtu sikurse dhe në Maqedoni. Këtë deklaratë Basha e bëri nga Sllovenia, ku ishte i ftuar nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin

Basha deklaroi se zgjidhje për Shqipërinë si vend aspirant për në Bashkimin Europian do të ishte nëse do të implementohej ‘Raporti Priebe’, që shërbeu për tejkalimin e një krize serioze të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Maqedoni në 2015.

“Monitorimi më efektiv i reformave të sundimit të ligjit në vendet që kërkojnë anëtarësim, mund të arrihet duke u mbështetur në shembullin pozitiv të të ashtuquajturit ‘Raporti Priebe’, i cili tashmë ndihmoi në tejkalimin e një krize serioze të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Maqedoni në 2015. Komisioni Europian sapo ka nisur një nismë të re për raportimin e ‘Priebe’, për të monitoruar të gjithë sistemin e sundimit të ligjit në Bosnje dhe Hercegovinë. Unë inkurajoj Komisionin që të iniciojë një mision të tillë monitorimi edhe në Shqipëri”, deklaroi Basha

Basha: Opozita është sot mazhoranca absolute

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar protestës tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” rreth 30 minuta pas nisjes së saj. Gjatë fjalës së tij Basha tha se kjo nuk është një betejë për pushtet, por për të larguar njëherë e përgjithmonë krimin dhe korrupsionin që ka mbërthyer vendin në çdo cep të tij.

“Ligje antikushtetuese për të vjedhur ju, vogëlushët tuaj, studentët, pensionistët. Mungesa e Gjykatës së Lartë, ku ka gjyqe dhe jo drejtësi. Gjykata e Lartë me 40 mijë dosje nuk jep dot drejtësi sepse është shkatërruar me themele. Vota është themeli i demokracisë, nuk ka demokraci pa zgjedhje të lira. Kjo qeveri është pengesa numër një për demokracinë, për ekonominë e të gjithë shqiptarëve. Me Edi Ramën nuk ka shtet, nuk ka zhvillim, nuk ka punësim, por vetëm krim, korrupsion, shkatërrim të perspektivës dhe shpresës. Me zërin tim deklaroj vullnetit tim dhe tuajin, të partive opozitare, të gjithë koalicionit të shumicës reale, “Rama ik”” – tha Basha

Basha tha gjithashtu se mijëra qytetarët që kanë dalë në shesh sot kanë treguar njëherë e përgjithmonë se ato janë mazhoranca absolute. Ai tha se nuk do ketë asnjë marrëveshje me qeverinë e korruptuar.

“Sot koalicioni i opozitës është koalicion i mazhorancës absolute. Që sot e tutje ju (qeveria) nuk jeni më shteti, por antishteti. Ju nuk jeni ligji, jeni antiligji. Nuk jeni drejtësia, por padrejtësia. Që sot sovrani i derdhur në këtë shesh është ligji, drejtësia dhe shteti. Vëllezër dhe motra, kjo protestë e 9-ta është prova pse Shqipëria këto 8 javë ka ndryshuar. Banda e Ramës që është pasuruar me djersën tuaj duan t’ju bëjnë të besoni se kjo nuk është një betejë e vërtetë, por thjeshtë një betejë e radhës që do zgjidhet me marrëveshjen e radhës. Dua të deklaroj sot me zërin tim në emër të të gjithë opozitës se nuk do të ketë marrëveshje. Nuk jemi këtu për kalkulime elektorale, por për ju, pavarësisht bindjeve politike.” – tha Basha

Basha: Policia dhunoi qytetarët te Bregu i Lumit

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar policinë se ka dhunuar banorët e zonës së Bregut të Lumit në Tiranë, të cilët protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre dhe kundër zgjatimit të Bulevardit të ri të Tiranës.

Përmes një mesazhi në facebook, Basha akuzon qeverinë se ka tradhtuar njerëzit e thjeshtë duke sulmuar me gaz shtëpitë e tyre. Ai bën thirrje për rrëzimin e këtij regjimi, siç shkruan ai.

“Dhunë, gaz dhe terror nga policia kundër qytetarëve në shtëpitë e tyre! Kjo qeveri i ka tradhëtuar njerëzit e thjeshtë dhe Shqipëria është në mjerim ekonomik, me padrejtësi dhe pasiguri në çdo cep të saj.

Te gjithë ata që urdhëruan, dhunuan dhe sulmuan me gaz në shtëpitë e veta qytetarët dhe fëmijët e tyre në mënyrë kriminale, do të mbajnë përgjegjësi!

Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve ti dëgjojnë këto këmbana alarmi, të bashkohemi, ti japim dorën njëri-tjetrit për ti dhënë fund këtij regjimi, për të çliruar drejtësinë, e për të garantuar një qeveri që punon për popullin. #ShqiperiaSiEuropa”, shkruan Basha në facebook.

Ende asnjë zgjidhje për krizën, Palmen mbyll takimet me opozitën

Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer ka përfunduar takimet e tij të veçanta me krerët e partive opozitare në vend, atë të PD-së, Lulzim Basha dhe atë të LSI-së, Monika Kryemadhi.

Pas përfundimit të takimit me Bashën, kreu i demokratëve reagoi me një status në Twitter duke e cilësuar takimin si tepër konstruktiv.

“Bisedë e hapur dhe konstruktive me Matthew Palmer mbi situatën: mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës se Larte, pandëshkueshmëria, krimi, korrupsioni dhe kriza politike. Përkushtim i përbashkët për demokraci, shtetin e se drejtës dhe mirëqeverisjen si rruga e vetme për stabilitet dhe Shqipërinë në BE.”- shkruan Basha.

Ndërsa pas takimit me Palmer, Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi i është përgjigjur interesimi të gazetarëve se në takim “u shprehen këndvështrimet tona, që sigurisht përputhen për sa i përket raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër korrupsionit, për kapjen e shtetit, për të gjithë problemet e tjera. Është shumë e rëndësishme vazhdimi i mëtejshëm për zgjidhjen përfundimtare dhe për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar.”

Ndërsa për zgjidhjen e krizës politike në vend, Kryemadhi tha se “kjo nuk zgjidhet nga Palmer, por do t’i zgjidhin shqiptarët vetëm me njëri-tjetrin”.

Protesta e 13 prillit, Basha sot mbledh Kryesinë e PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të mbledhë sot Kryesinë e Partisë rreth orës 11.00.

Mësohet se në këtë mbledhje do të diskutohet për mënyrën e zhvillimit të protestës së paralajmëruar të opozitës që do të zhvillohet më 13 prill.

Një tjetër pikë në axhendë është edhe diskutimi për masat organizative për vijimin e aksionit politik.

Opozita e bashkuar pasi dorëzoi mandatet e deputetëve dhe braktisi parlamentin, çdo muaj organizon protesta, përmes të cilave kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Basha, video-mesazh pas protestës: Ne e kemi bërë zgjedhjen

Vetëm dy ditë pas protestës në Tiranë, ku u hodhën shashka, u sulmua kryeministria dhe parlamenti, kryetari i PD-së poston një video-mesazh me hashtagun Shqipëria si Europa dhe thotë se PD do të jetë me popullin kundër qeverisë bandë.

 “Ne e kemi bërë zgjedhjen: me njerëzit kundër një qeverie-bandë dhe kryehajdutit të saj që pasi i ka vjedhur dhe braktisur, tani i dhunon dhe i helmon ata!

Ky kryeminister hajdut është kapur duke vjedhur shqiptarët dhe duke blerë votat e tyre bashkë me krimin.

Kjo qeveri-bandë u vuri kryqin shtëpive të shqiptarëve, i ka vënë kryqin të ardhmes sonë europiane. Prandaj tani populli i ka vënë kryqin kësaj bande hajdute dhe nuk do të ndalet! #shqiperiasieuro”, shkruan Basha në Facebook.

Skip to toolbar