Balla: Mund të gjendet rruga për të futur opozitën në zgjedhje

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se nëse PD dhe LSI dëshirojnë të futen në zgjedhjet e 30 qershorit, mund të gjendjet një rrugë apo një zgjidhje që kjo gjë të ndodhë.

Këto deklarata Balla i bëri në “Open” duke treguar se mazhoranca ka vullnet për dialog me opozitën.

Protesta e 6-të Kombëtare! PD vendos datën

25 maji është vendosur nga opozita si dita për protestën e 6-të kombëtare dhe pritet të filloj në orën 19:00. Partia Demokratike ka mbledhur pasditen e sotme kryesinë për të vendosur se si do të vijohet me planin e saj për vijimësinë e protestave për rrëzimin e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Mbledhja e kryesisë u bë pas takimit që Basha para paradite me aleatët ku konfirmuan se do të vijojnë takimet me ndërkombëtarët.

Deri tani opozita ka zhvilluar pesë protesta kombëtare dhe disa të tjera para parlamentit, ndërsa ka bllokuar edhe dy herë akset kryesore rrugore në vend.

Cili është plani i opozitës në vazhdim? Zbardhet axhenda e Bashës

A do të vazhdojë opozita me protestat e dhunshme, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve? Kjo ende nuk dihet, ndërkohë që sot Basha ka programuar një sërë takimesh për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të opozitës.

Kështu në 10:30 ai ka nisur një takim me aleatët e tij. Ndërsa në 11:30 do zhvillohet në selinë blu mbledhja e Kolegjit te Kryetareve.

Në 13:00, kreu i PD, Lulzim Basha ka parashikuar një takim me krerët lokalë të partisë Demokratike. Takimet e Bashës parashikohen të përmbyllen në një mbledhje të përbashkët me kryesinë e PD dhe grupit parlamentar në orën 17:00.

Pritet që në përfundim të ditës së sotme, PD të dalë me një plan të ri veprimi dhe me një përgjigje nëse do të vazhdojë ende me protesta të dhunshme ose jo.

Bombat molotov në protestë, kimistët: Tepër të rrezikshme

Protesta e dhunshme e opozitës e 11 majit u shoqërua me hedhjen e disa bombave molotov në drejtim të Kryeministrisë dhe Kuvendit. Të gjithë panë përmes transmetimeve direkte në media se si zjarri u përhap me shpejtësi që në disa raste rrezikoi edhe jetën e policisë që ndodheshin aty për të ruajtur këtë institucionin.

Mirëpo sa të rrezikshme janë këto bomba artizanale? Në një intervistë për Top Channel, Ylli Bërdufi, kimist ushtarak, ka treguar se ato janë mjaft të rrezikshme për jetën njerëzore, pasi temperatura e tyre arrin deri në 1000 gradë dhe djegia e njeriut është e menjëhershme.

“Në shishe qelqi të mbushur me benzinë, me një ndezës të jashtëm. Mund të jetë një ndezës i përgatitur industrialisht, apo qoftë edhe një copë leckë e lidhur pas saj dhe e lyer me benzinë, që e mban flakën të ndezur deri në momentin që shishja shkon e përplaset në objekt. Temperatura e djegies në të dyja është rreth 1.000 gradë, shumë e lartë. Qoftë kur është e holluar, benzinë normale, qoftë kur është e mpiksur me kimikate të ndryshme, ose me lëndë të tjera që i shtohen. Mermeri nuk digjet, nëse mund të jetë djegur është djegur lënda drusore. Po të ketë pemë i than dhe i djeg. Por, rreziku më i madh është kur bie mbi trupin e njeriut, sepse e ka temperaturën shumë të lartë dhe djegia është e menjëhershme sidomos kur është benzinë e pa mpiksur. Kjo nuk i jep kohë të prekurit që të bëjë shuarjen e saj. Ai që do t’i japë ndihmën dikujt të prekur, duhet të jetë shumë e shpejtë. Shuarja e lëndës djegëse që përdoret për bombat molotov bëhet thjesht duke e izoluar me një rrobe, batanije apo xhaketë të dikujt tjetër. Mjafton që lënda djegëse të mos marrë ajër.” – tha Ylli Bërdufi

Bombat molotov janë përdorur gjatë luftës civile në Spanjë në vitet 1930, fillimisht për qëllime luftarake kundër mjeteve të blinduara dhe objekteve të fortifikuara.

“Nuk rrëzohet qeveria me bomba molotov”

Kryeministri Rama ka folur sërish sot për protestën e opozitës ndërsa ka theksuar se qeveria nuk rrëzohet nga bombat molotov kundër saj. Ndërkaq ai i cilësoi protestat e dhunshme të opozitës dëmi më i madh që mund t’i bëhet imazhit të Shqipërisë në botë dhe që sjell edhe ulje të numrit të turistëve.

“Manifestimi i djeshëm nuk më impresionon fakti që dje ra numri i bombave molotov dhe ndryshoi formula e goditjes me zjarr të institucioneve, se sulmet e djeshme në Policinë e Shteti dhe Parlamentit rrezikuan jetën e uniformave blu.

E djeshmja ishte një xhiro në boshllëkun e dëshpërimit të atyre që janë përjashtuar nga zgjedhjet. Kjo krijoi jo pak ankth për qytetarët.

As me sulme, as me marshime nuk zëvendësohet dhe rrëzohet qeveria dhe aq më pak kur bombat molotov janë një program qeverisës, apo një alternative qeverisës, por sigurisht përbëjnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë në sytë e botës dhe për të goditur ekonominë e vendit dhe ekonominë familjare të atyre që jetojë në këtë vend.

Operatorët turistikë më thanë se pas publikimit të atyre imazheve ka pasur anulime të turistëve dhe rënie të vendeve pune. Ky është një shqetësim real sot, fakti që këto manifestime në emër të gjithë atyre që thuhet, jo vetëm që nuk sjellin asgjë të mirë për shqiptarët, por iu bëjnë keq.

E vetmja pjesë që nuk ndryshon dhe nuk ka shans të preket nga e gjithë kjo është qeveria , gjithçka tjetër preket më shumë për keq. Si mund të zëvendësohet qenia e një partie politike që duhet të votohet, në një trup pa kokë?”, tha Rama.

Gjermania pro hapjes së negociatave, por dënon dhunën e opozitës

Ministri i shtetit për çështjen evropiane në Gjermani, Michael Roth është shprehur se Shqipëria meriton hapjen e negociatave me BE-në, ndërsa e cilësoi të papranueshme dhunën e ushtruar nga opozita gjatë protestave.

Këtë deklaratë ministri gjerman e ka bërë gjatë takimit që ka zhvilluar me ministrin shqiptar në detyrë, Gent Cakaj, i cili zhvillon një vizitë zyrtare në Berlin.

“Ministri Roth rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë, e cila mbetet maksimalisht e angazhuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe vlerësoi se për këtë, respektimi i institucioneve demokratike dhe kushtetuese është themelor.

Ministri gjerman vlerësoi ritmin e reformave dhe inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me punën e mirë që është bërë. “SHQIPËRIA KA AVANCUAR SHUMË NË RRUGËN E INTEGRIMIT DHE MERITON HAPJEN E NEGOCIATAVE”, u shpreh Ministri Roth. Ai konfirmoi se Gjermania mbetet një mbështetëse e fuqishme e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ministrat vlerësuan se vendimi për hapjen e negociatave është i rëndësisë strategjike jo vetëm për të shtuar ndërlidhjen institucionale, por edhe për BP në tërësi dhe se Procesi i Berlinit duhet parë si instrument i integrimit evropian”, njofton ministria e Jashtme.

“Në një moment kyç( të rendësishëm), jam shumë i shqetësuar nga dhuna e përdorur në protestën e fundit të opozitës. Një mesazh shumë i qartë për opozitën : Dhuna nuk është aspak e pranueshme. Ndërkohë ne vazhdojmë të mbështesim perspektivën europiane të Shqipërisë. Na duhet të mbajmë premtimet e dhëna”, është shprehur ministri gjerman në këtë takim.

Përfundon afati për regjistrim. Opozita mbetet jashtë zgjedhjeve

Dje në mesnatë ka qenë afati i fundit zyrtar për partitë që të regjistrohen në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Nga KQZ është zyrtarizuar regjistrimi i 61 kandidatëve të Partisë Socialiste dhe kandidatët e Partisë Bindja Demokratike.

Ndërkohë që partitë e opozitës si PD dhe LSI mbetën zyrtarisht jashtë zgjedhjeve të qershorit për shkak se nuk kanë dorëzuar asnjë dokument për t’u regjistruar në KQZ.

Deri  tani kandidatët për Bashkinë e Tiranës duket se janë dy, Erjon Veliaj për PS-në dhe Arbën Skënderi për Bindjen Demokratike.

Zbulohet drafti me 7 pika i opozitës. Kërkon rikthimin në Parlament

Gazeta “Shqip” dhe Top Channel shkruajnë sot se kanë zbuluar një dokument të hartuar nga selia blu dhe që përmban 7 pika kryesore që i japin fund protestave të dhunshme në vend.

Gazeta shkruan se drafti është siguruar nga burime të besueshme brenda të opozitës, të cilët po i diskutojnë edhe me ndërkombëtarët. Duket se kërkesa kryesore e opozitës është rikthimi në parlament dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

1- Qeveria të pranojë se do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.

Është një nga kërkesat e panegociueshme nga ana e opozitës. Pikërisht për këtë kusht sakrifikoi deri dhe djegien e mandateve parlamentare. Ndërkohë, faktori ndërkombëtar ka përsëritur se zgjedhjet parlamentare do të mbahen sipas afatit kushtetues dhe ligjit, në vitin 2021.

2- Rama të jetë kryeministër deri në momentin që nga kompromisi kombëtar vendoset se në cilin muaj do të jenë zgjedhjet e parakohshme.

Deri më tani, opozita ka deklaruar se nuk ulet në negociata me Edi Ramën kryeministër dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo pikë e propozuar duket se ka zbutur së tepërmi qëndrimin agresiv ndaj kreut të qeverisë.

3- Të bien dakord për krijimin e Gjykatës Kushtetuese brenda 30 ditëve.

Në kushtet kur ende nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, opozita ka vendosur kusht parësor për formimin e këtij institucioni të rëndësishëm brenda 30 ditëve. Sipas opozitës, Gjykata Kushtetuese do të jetë garant për opozitën, që të ankimojë çdo paligjshmëri që ka të bëjë kryesisht me Reformën në Drejtësi dhe mandatet e reja të deputetëve.

4- Palët t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për zhvlerësimin e mandateve të deputetëve, dhënë nga KQZ-ja pas djegies së mandateve, dhe rikthimin e deputetëve siç ishin në Parlament.

Kuvendi ka shfrytëzuar të plotë të gjithë hapësirën kohore prej 30 ditësh që i njeh ligji, pas marrjes së kërkesave për dorëzimin e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës. Për këtë arsye, opozita kërkon krijimin e Gjykatës Kushtetuese, për të quajtur të pavlefshëm mandatet e KQZ-së për deputetët e rinj. Kjo shpjegon se opozita është gati të rifutet në Parlament.

5- Të ndryshohet Kodi Zgjedhor dhe të ketë sistem proporcional kombëtar.

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor është një nga kërkesat e opozitës dhe javën e shkuar, mazhoranca ngriti Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, që parashikon ndërhyrje dhe modifikime në kod. Mazhoranca ka vendosur që në zgjedhjet e 30 qershorit do të shkohet me të njëjtin Kod Zgjedhor dhe se ndryshimet parashikohen për zgjedhjet e 2021. Kodi Zgjedhor nuk mund të ndryshohet 6 muaj para zgjedhjeve, por mundësinë e ndryshimeve Kushtetuese dhe në kuadër të një pakti kombëtar për zgjidhjen e krizës politike, gjithçka mund të ndodhë.

6- Të ndryshohet Kushtetuta, ku të përcaktohet deri në momentin e hyrjes së Shqipërisë si anëtare në BE të ketë qeveri zgjedhore me mandat pesëmujor, me ekspertë e jo me politikanë.

Është një nga kushtet e opozitës në platformën e saj për zgjidhjen e krizës. Duke parë se shpresat për një çelje të negociatave janë reduktuar këtë verë, PD dhe aleatët kërkojnë përfshirjen e ekspertëve për çeljen e negociatave.

7- Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet nga Parlamenti legjitim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Opozita kërkon zgjatjen e përkohshmërisë së Arta Markut, deri sa ajo të rifutet në parlament. Me zhvlerësimin e deputetëve që kanë marrë mandatin javët e fundit, opozita do të jetë e gatshme të votojë çdo kandidaturë që do të vijë si propozim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

DRAFTI I PLOTË:

1-Qeveria të pranoj se do shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

2-Rama të jetë kryeminister deri në momentin që nga KOMPROMISI KOMBETAR vendos se kur do jenë zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet mund të jenë tetor-nentor 2019 ose mars-prill-maj 2020. Qeveria zgjedhore votohet 70 ditë para se të caktohen zgjedhjet e parakohshme.

3-Të bien dakort për krijimin e Gjykatës Kushtetuese brenda 30 ditëve nga data e Marrëveshjes.

4-Palet t’i drejtohen gjykatës kushtetuese për çvlerësimin e mandatëve të deputetëve dhënë nga KQZ pas djegies së mandatëve dhe rikthimin e deputetëve siç ishin në parlament, pasi është shkelur ligji dhe Kushtetuta në zëvëndësimin e tyre.

5-Të ndryshohet Kodi Zgjedhor dhe të ketë sistem proporcional kombëtar

6-Të ndryshohet Kushtetuta ku të përcaktohet deri në momentin e hyrjes së Shqipërisë si anëtarë në BE të ketë qeveri zgjedhore me mandat katër mujor me ekspertë e jo me politikanë.

7-Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet nga parlamenti legjitim pas vendimit të gjykatës kushtetuese.

Rama-Bashës: Lëri xhirot bosh, por kur do flasim?

Marshimin e protestës së opozitës nëpër institucionet e ndryshme të vendit, kryeministri Rama e ka cilësuar si xhiro bosh që nuk nxjerrin askund.

Rama gjithashtu i ka bërë thirrje Bashës se kur do të flasin dhe të takohen për të zgjidhur problemet.

“Marshimet për të rrëzuar qeverinë me kapsolla janë xhiro bosh që nuk nxjerrin askund. Përsëri respekt për Policinë e Shtetit në taksiratin që e ka zënë. Dhe një mesazh për LB: Lëri kapsollat! Autobusin e këtij qershori e humbe po mos humb trenin e qershorit 2021! Kur do flasim?” – shkruan Rama në Twitter

Protesta nis e qetë, por tensionet në institucionet e policisë

Protesta marshim e Opozitës së Bashkuar ka nisur e nga Sheshi “Skëndërbej” drejt Kryeministrisë, ku u mbajt edhe fjala e kryedemokratit Basha. Përveç disa tymueseve në drejtim të Kryeministrisë nuk ka pasur asnjë lloj incidenti, madje protestuesit nuk i janë afruar as kordonit të policisë. Më pas ashtu siç ishte paralajmëruar turma ka marshuar drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policë, ku situata është tensionuar. Në drejtim të institucionit janë hedhur tymuese dhe kapsolla duke thyer edhe disa xhama të ndërtesës si dhe është lënduar një efekti policie.

Më pas marshimi ka vijuar drejt Parlamentit ku ka pasur hedhje të kapsollave dhe shkulje të gardhit rrethues të ndërtesës nga protestuesit. Ndërsa konfrontime me policinë nuk ka pasur, madje as hedhje të gazit lotsjellës.

Ndalimi i radhës ka qenë tek Ministria e Brendshme duke simbolizuar kështu me radhë të gjitha institucionet që Basha i ka cilësuar të kapura nga krimi. Këtu situata ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur sulme ndaj institucionit të ministrisë.

Ndërsa gjendje është bërë shumë e ndezur para Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku qëndrojnë të burgosur edhe disa nga protestuesit e 11 majit.

Gjendja është tensionuar mjaft ku janë hedhur tymuese, kapsolla, janë thyer thuajse të gjitha xhamet e goditës dhe madje është hedhur edhe një bombë molotov. Protestuesit kanë thirrur “Rama Ik” dhe “Lironi vëllezërit tanë”.

Më pas protestuesit janë nisur drejt selisë së PD, ku Basha mbajti fjalën e tij përmbyllëse të protestës. Protesta ka nisur në orën 18:30 dhe ka mbaruar rreth orës 9:30

Skip to toolbar