“Drejt përfundimit të plotë…”, Partizani publikon foto nga stadiumi i ri

Partizani synon që në fund të sezonit të ketë përfunduar edhe stadiumin e ri, që po ndërtohet në periferi të Tiranës. Të hënën, klubi i “kuq” publikoi informacion të përditësuar në lidhje me ecurinë e punimeve në “shtëpinë” e re të futbollit.

 
Punimet në Kompleksin Sportiv dhe stadiumit të FK Partizani vijojnë me ritme të larta. Aktualisht po realizohet porta e hyrjes qëndrore të kompleksit dhe stadiumit. Drejt përfundimit të plotë është sistemi qëndror i kullimit të ujrave të stadiumit dhe gjithë kompleksit sportiv.

Janë prodhuar elementët konstruktiv metalik, për mbulimin e Tribunës B (përballë), ndërkohë po përfundon mbulimi tërësisht i Tribunës qëndrore. Vazhdojnë punimet cilësore për infrastrukturën e brendshme të ambienteve të Tribunës qëndrore”, thuhet në njoftimin e klubit të kuq.

Partizani prezanton ecurinë e punimeve te stadiumi i ri (foto)

Partizani shpreson që të luajë deri në fund të këtij sezoni në shtëpinë e tij të re. Klubi i “kuq” prezantoi të premten foto nga ecuria e punimeve për ndërtimin e stadiumit të ri dhe kompleksit sportiv, që po ndërtohet në periferi të Tiranës.

“Vijojnë me intensitet punimet në stadiumin e ri të Kampionëve. Aktualisht po përfundon veshja e fasadës së tribunës kryesore. Kanë përfunduar instalimet elektrike, hidrosanitare dhe ato të kondicionimit. Ndërkohë po vishet struktura metalike, e cila mbulon tërësisht tribunën qëndrore. Të gjitha ambjentet funksionale të stadiumit janë konform standarteve të UEFA-s”, thuhet në njoftimin e Partizanit.

Prej disa vitesh punimet për ndërtimin e kompleksit të ri sportiv të Partizanit kishin ngecur. Megjithatë, gjatë vitit 2019 punimet kanë avancuar dhe tashmë stadiumi po merr formë. Tribuna kryesore po shkon drejt përfundimit, ndërsa pritet që punimet të fillojnë edhe me tapetin e blertë. Partizani synon që gjatë pranverës së vitit të ardhshëm të zhvillojë ndeshjet e mbetura të sezonit 2019-2020.

Kalari flet si trajner: E kisha menduar ndryshe, por do jap maksimumin me Partizanin

Reindalo Kalari do të drejtojë Partizanin në sfidën e radhës në kampionat, pas shkarkimit të trajnerit Frako Lerda. Ish-futbollisti i të kuqve, që luante rolin e ndihmës trajnerit, debuton të mërkurën në krye të stolit të Partizanit ndaj Teutës. Kalari foli për mediat të martën, duke u shprehur se e  kishte ëndërruar gjithmonë të kishte postin e trajnerit të parë. Ai tha se, ashtu si futbollist dikur, tashmë si trajner në dy ndeshjet e radhës me Partizanin do të jap maksimumin.

“E kam ëndërruar që të isha këtu ku jam sot, pavarësisht se në një situatë tjetër, me më shumë eksperiencë, me më shumë vite mbi shpinë, në këtë profesion të ri. Është diçka që e kisha menduar. Erdhi në një situatë ndryshe, por kam besimin e plotë të presidentit Demi dhe klubi. Ashtu si lojtar, edhe në pozicionin e trajnerit, për këto 2 ndeshje do të jap maksimumin, për të arritur ato objektiva që ka klubi”, ka thënë tekniku i ri.

Ndërkohë, humbja në derbi nuk e ka “shokuar” skuadrën e Partizanit. Kalari shprehet se askush nuk mërzitet nëse humb derbin një herë në 6 vjet. “Fjala ‘shok’ nuk ka shkuar asnjëherë te Partizani, pavarësisht humbjes. Është diçka që ndodh. Të gjithë logjikisht nuk do ishin mërzitur nëse e humb derbin njëherë në 6 vjet. Ne kemi objektiva të tjerë, që janë venë në fillim të sezonit, duhet të arrijmë ato. Gjatë rrugës ka luhatje”, tha ai.

Në fund, trajneri i ri u shpreh se si ai dhe skuadra janë gati për të bërë më të mirën në kampionat.  “Në momentin që je në një skuadër si Partizanin, edhe lojtarët janë përgatitur që të dalin nga kjo situatë. Unë jam i përgatitur, që me këta lojtarë që ka Partizani, janë nga më të mirët e kampionatit, në rolet që luajnë”, është shprehur Kalari.

Humbi në derbi, shkarkohet Franko Lerda

Humbja në derbi i kushtoi rëndë trajneri të Partizanit Franko Lerda. Klubi i ‘kuq’ njoftoi mbrëmjen e të shtunës se tekniku italian mbylli bashkëpunimin me skuadrën e Partizanit. “Klubi i Futbollit Partizani njofton se Presidenti Gazment Demi ka mbyllur ditën e sotme bashkëpunimin me trajnerin Franko Lerda. Presidenti Demi i uron trajnerit Lerda suksese të mëtejshme në karrierën e tij sportive”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Partizanit.

Franko Lerda u emërua trajner në verën e këtij viti, pasi nga Partizani u largua trajneri Skënder Gega. Tekniku italian drejtoi klubin në kupat e europës, por nuk pati sukses. Ndërkohë, në ndeshjet e kampionatit, Lerda arriti të mbante Partizanin në vendet e kreut, ku herë pas here edhe kryesoi renditjen.

Megjithatë, ndryshe nga sa pritej, skuadra e “Demave” pati oshilacione me rezultatet. Por, pavarësisht këtyre, duket se situata u komplikua më shumë nga atmosfera në ekip. Gjatë drejtimit të Partizanit, Franko Lerda do të mbahet mend për tensionet e krijuara me stafin e tij. Ai pati disa herë “sherre” me ndihmësit e tij, ndërkohë që nuk munguan as përplasjet me lojtarët.

Jasir Asani është një nga futbollistët që duket se krijoi më shumë përplasje me trajnerin, tashmë të largua nga partizani. Futbollisti nga Maqedonia e Veriut u la shpesh në stol, madje edhe në ndeshjen e fundit derbi. Ndërkohë, një vit më parë, sulmuesi ishte një nga pikat kyçe te Partizani. Tani pritet me interes të mësohet se kush do të drejtojë skuadrën e Partizanit.

Tifozët e Partizanit koreografi prekëse për viktimat e tërmetit

Pak para nisjes së ndeshjes derbi Partizani-Tirana, tifozët e skuadrës së ‘kuqe’ i dedikuan një koreografi prekëse viktimave të tërmetit të 26 nëntorit. Tifozët ultras të Partizanit shpalosën një banderolë ku shkruhej: “Muret do të ringrihen sërish, ëngjëjt do të kujtohen përgjithmonë.

Ndërkohë, tifozët kanë formuar edhe numrin “51” që simbolizon 51 viktimat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Kjo koreografi e tifozëve të partizanit është përshëndetur nga të gjithë tifozët të cilët janë ngritur për të duartrokitur.

Ndërkohë, në tapetin e blertë të “Air Albania Stadium”, parakaluan edhe forcat e Ushtrisë, zjarrfikëses dhe policisë, të cilët punuan në operacionet e kërkim-shpëtimit të trupave të mbetur nën rrënoja.

Klubi i Partizanit ka vendosur një pjesë të arkëtimit nga biletat ta dërgojë për fondin e rindërtimit të shptëpive të të prekurëve nga tërmeti. Sipas mediave sportive, mësohet se nga shitja e biletave klubi i ‘kuq’ mund të ketë arkëtuar rreth 200 milionë lekë.

Foto/ Publikohen formacionet zyrtare, Lerda dhe Egbo hedhin më të mirët në fushë

Një orë para nisjes së ndeshjes derbi mes Partizanit dhe Tiranës, janë publikuar formacionet zyrtare të të dyja skuadrave. Trajneri i Partizanit Franko Lerda, zgjodhi në 11-shen e parë portierin Hoxha, në mbrojtje Bitri, Boldor, Belica, Idrizi dhe Trashi. Në mesin e fushës luan Romero, Hyseni dhe Melo ndërsa sulmi i është besuar Bardhit dhe Solomon.

Ndërkohë, trajneri i komanduar i Tiranës, Emanuel Egbo zgjodhi ta nisë lojën me Ilion Likën në portë. Në mbrojtje luan Vangjeli, Muça, Hoxhallari dhe Doka. Ndërsa në mesin e fushës do të jetë Doka, Celhaka dhe Batha. Ndërkohë, sulmi përbëhet nga treshja Halili, Kobina dhe Torasa. Arbitër kryesor i kësaj ndeshje është Enea Jorgji.

Ndeshja derbi mes Partizanit dhe Tiranës është sfida më e rëndësishme e kësaj jave. Për herë të parë kjo ndeshje do të luhet në stadiumin “Air Albania”, ndërsa deri më tani janë shitur zyrtarisht 19.000 bileta. Tirana vjen në këtë sfidë pa fitore prej të paktën 5 vjetësh, ndërsa Partizani ka dominuar vitet e fundit dhe do të tentojë të ruajë traditën.

FORMACIONET ZYRTARE:

PARTIZANI: Hoxha, Bitri, Boldor, Belica, Idrizi, Trashi, Romero, Hyseni, Melo, Bardhi, Solomon. Trajner: Franko Lerda.

TIRANA: Lika, Vangjeli, Muça, Hoxhallari, Doka, Celhaka, Batha, Halili, Kobina, Torasa, Ngo. Trajner: Emuanuel Egbo.

Gjyqtar: Enea Jorgji.

Derbi, Egbo: S`na mungon gjë për të mundur Partizanin

Trajneri që do të drejtojë Tiranën në derbi dhe ndeshjet e mbetura të kësaj faze të kampionatit, Emanuel Egbo, foli për mediat një ditë para sfidës me Partizanin. Ai u shpreh se Tirana është klubi më i madh në Shqipëri, ndërsa u shpreh se derbi duhet fituar. “Tirana është klubi më i madh në Shqipëri dhe e pranoj çdo punë. Është detyrë, pasi është klubi i zemrës. Këtu kam ardhur për herë të parë në Shqipëri. Duhet ta marrim si ndeshje të radhës. Derbi është në fokusin e Shqipërisë, ka edhe nga jashtë që duan ta shohin.  Nuk mund të flasim për objektiva, është ndeshja e radhës që duhet fituar. Objektivat janë të njëjta nga fillimi. Vendi i parë është 6 pikë larg. Do futemi në fushë për të luftuar”, the Egbo.

Emanuel Egbo është i ndërgjegjshëm se nuk mund të jetë ai trajneri i Tiranës deri në fund të sezonit, ndaj shprehet se ekipit i duhet një tjetër trajner. “Nuk mund të them a jam njeriu i duhur apo jo. Më është dhënë besimi për ta drejtuar skuadrën tani dhe Nuk më intereson a jam i duhuri apo jo. Kjo është zgjedhja e klubit . Nuk mendoj ta drejtoj Tiranën deri në fund. Duhet një me eksperiencë. Edhe unë kam drejtuar Bylisin, por Tirana do një staf të plotë. Tani jam vetëm me përgatitësin atletik. Të kalojmë këtë ngërç dhe klubi do vendosë”, tha Egbo.

Më tej, Egbo shprehet se Tiranës nuk i mungon asgjë për të fituar ndeshjen derbi. Sipas tij, fakti që Partizani është në krye të renditjes, është një motiv më shumë që Tirana të fitojë takimin e së premtes. “Nuk na mungon asgjë për të fituar. Duhet të luftojmë çdo ndeshje, duhet durim. Nuk duhet të mendojmë kohën se sa kohë kemi pa fituar dhe të dalim jashtë detyrave nga presioni. Është pak e vështirë, ata janë të parët. Ne jemi më poshtë. Një arsye tjetër që na motivon është kjo. Nesër do japim 100 për qind nga kapaciteti ynë. Me ato tre pikë mund të lehtësohet më shumë kjo situatë që po kalojmë”, shprehet trajneri.

Më tej, Egbo shprehet se Tirana do të ketë disa mungesa, por thotë se ata që do të luajnë do të japin maksimumin. “Edhe ata kanë mungesa, jo vetëm ne. Nuk kemi Hasanin, Dungën, Cale dhe Osmanin. Edhe ata që do të luajnë do të japin maksimumin në fushën e blertë”, shtoi Egbo.

Në fund, ai bëri dhe një rikthim në kohë, kur ishte vetë lojtar i Tiranës. Egbo tha se atëherë  ishte kohë tjetër, Tirana e niste gjithmonë ndeshjen me rezultatin 1-0.  “Kur isha unë, ishte epokë tjetër. Atëherë dilnim kampion. Ka pasur lojtarë më ndryshe. Kishim Fortuzin dhe sa fillonim ndeshjen e dinim që e nisim 1-0. Futbolli ka ndryshuar, nuk ka ekipe të lehta dhe të forta. E shikoni vetë nga diferenca. Atëherë ishin Tirana, Partizani dhe Dinamo. Ekipet e tjera ishin kalimtare”, përfundoi Egbo.

Derbi, Partizani publikon çmimet e biletave. Ja ku mund t`i blini

Të premten në orën 19:00, në “Air Albania Stadium” do të luhet ndeshja derbi mes Partizanit dhe Tiranës. Si ekip organizator, Partizani publikoi të mërkurën çmimet e biletave, ku njofton gjithashtu se nisi shitja e tyre.

Tifozët do të kenë tre ditë në dispozicion për të blerë një biletë për të parë sfidën më të rëndësishme të kësaj jave në kampionat.

Sipas njoftimit zyrtar të klubit të Partizanit, biletat kushtojnë nga 500 lekë më e lira deri në 5000 lekë më e shtrenjta. Konkretisht, në tribunën VIP Gold, bileta kushton 5 000 lekë, ndërsa në sektorët pranë tribunës VIP Gold biletat kushtojnë 4 000 dhe 3000 mijë lekë të reja.

Përballë tribunës VIP, biletat kushtojnë 1 500 lekë, ndërsa në sektorët E (në qoshet mes tribunës përballë asaj VIP) biletat kushtojnë 1 000 lekë. Ndërkohë në tribunat pas porte, biletat kushtojnë 500 lekë.

Biletat shtiten pranë biletarisë së stadiumit “Selman Stërmasi” dhe në dyqanin e FSHF te “Rruga e Elbasanit”. Ndërkohë, klubi i Partizanit ka vendosur që tifozët e Tiranës të qëndrojnë në tribunën S dhe V.

INFORMACION për ÇMIMET E BILETAVE FK PARTIZANI – KF TIRANA E PREMTE 13 DHJETOR ORA 19:00 "AIR ALBANIA STADIUM"Ju…

Gepostet von FK Partizani Albania am Mittwoch, 11. Dezember 2019

Ish-trajneri i Partizanit, fitoi Kupën Libertadores me Flamengon

Ekipi brazilian i Flamengo fitoi të shtunën në mbrëmje Kupën Libertadores në Amerikën Latine. Përballë ekipit brazilian, ishte River Plate nga Argjentina, që në fakt dominoi ndeshjen deri në minutat e fundit, kur dygolëshi i Gabigolit përmbysi rezultatin. Kështu brazilianët fituan trofeun më të rëndësishëm për klube në Amerikën e Jugut.

Ekipi brazilian i Flamengo drejtohet nga një trajner portugez, Horge Jezus. Në stafin e tij, Jezus ka ndihmës një tjetër bashkëkombas, Marsi Sampaion. Ai është përgatitës atletik i Flamengo. Po çfarë e lidh Sampaion me Shqipërinë? Ai ka pasur një eksperiencë të shkurtër si trajner në Shqipëri. Nga 15 shkurti deri në 6 maj të vitit 2014, Sampaio ka punuar në klubin e Partizanit.

Ai erdhi fillimisht si asisten trajner, por e drejtoi klubin në disa ndeshje, derisa u largua nga skuadra në Maj të vitit 2014. Marsi Sampaio drejtoi ekipin e Partizanit në 12 ndeshje, pasi klubi i kuq largoi nga detyra trajnerin Hasan Lika. Portugezi bëri një punë të konsiderueshme me “Demat”, pasi Partizani e mbylli në vendin e tretë në atë sezon kampionatin, duke shkuar edhe në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Vajzat e Partizanit ikin nga Champions

Zgjati vetëm tre ture ëndrra e vajzave të Partizanit në Champions League. Skuadra e volejbollit për vajza e Partizanit u mund në ndeshjen e kthimit nga ekipi hungarez i Vasha Obuda Budapest, që vijoi në turin tjetër.

Ndeshja mes ekipit të volejbollit të femrave të Partizanit dhe kundërshtareve të tyre hungareze u mbyll me rezultatin 3-0 për vajzat mike, në sallën e sporteve “Feti Borova” në Tiranë.

Ndërkohë, hungarezet fituan edhe takimin e parë kualifikues po me të njëjtin rezultat me kundërshtaret e tyre nga Shqipëria.

Ekipi nga Hungaria vendosi diktatin që në setin e parë, duke fituar me rezultatin 19-25, ndërsa dy të tjerët vlenin për statistikë pas këtij seti.

Megjithatë, ekipi i vasha Obuda Budapest fitoi edhe dy setet e tjera me rezultatin 17-25 dhe 16-25, duke kaluar në fazën tjetër të Champions League e volejbollit për femra.

Skuadra e Partizanit bëri shumë gabime në repartin mbrojtës, duke u shfaqur të pasigurta.

Veç humbjes, vajzat e Partizanit mbeten dhe pa trajner, pasi turku Nejat Sancak largohet nga drejtimi i skuadrës, pasi do të marrë drejtimin e kombëtares së Kazakistanit.

Skip to toolbar