Policia procedon penalisht 9 persona. Prisnin pyjet në Dibër

Policia njofton se ka proceduar penalisht 9 persona në Dibër, pasi janë gjetur duke prerë në mënyrë të paligjshme pyjet. Gjithashtu policia ka sekuestruar 30 m3 lëndë drusore.

Njoftimi i policisë

Dibër

Policia, plan masash për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Goditen 9 raste, nga këto: 6 raste të ndërtimeve pa leje dhe 3 raste për “Prerja e paligjshme e pyjeve”

Procedohen penalisht 9 shtetas si dhe sekuestrohen rreth 30 m3 lëndë drusore.

Strukturat e DVP Dibër, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen krimeve mjedisore, si rezultat i kontrolleve dhe informacioneve të marra në rrugë operative kanë evidentuar dhe goditur 9 raste.

U proceduan penalisht shtetasit:

Z. D., A. P., dhe H. K, të tre banues në Dibër,

K. P., dhe A. K., banues në Mat

A. Sh., banues në Bulqizë

Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi janë konstatuar nga shërbimet e policisë duke ndërtuar objekte, pa lejen e organeve përkatëse.

Gjithashtu u proceduan penalisht:

A. M., banues në Mat, pasi u kap duke transportuar 6 m3 lëndë drusore, me automjetin tip kamion, pa dokumentacionin përkatës.

A. S., banues në Bulqizë, pasi në pikën e grumbullimit të subjektit të tij, u konstatuan rreth 20 m3 lëndë drusore e prerë, pa dokumentacion përkatës.

H. D., banues në Dibër, pasi u kap duke transportuar rreth 4 m3 lëndë drusore me automjetin tip furgon, pa dokumentacionin përkatës.

Lënda drusore dhe automjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve janë referuar në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Dibër dhe Mat, për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Ndërtimi pa leje”.

Policia e Dibër do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kontekst kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast që ata konstatojnë, në numrin unik 112 apo në Komisariatin Dixhital.

Klevis Balliu dhe 4 të tjerë të arrestuar për dhunë ndaj policisë

Policia e Tiranës në bashkëpunim me prokurorinë, përveç ish deputetit Klevis Balliu ka arrestuar dhe 4 persona të tjera me akuzën e veprimeve të dhunshme ndaj policisë gjatë protestave të djeshme në zonën e Unazës së Re.

Policia njofton se 23 persona të tjerë po procedohen në gjendje të lirë ndërsa 3 persona janë shpallur në kërkim.

“Për sulmet dhe veprimet e dhunshme mbi punonjësit e policisë janë arrestuar shtetasit:

– K.B., 30 vjeç, banues në Tiranë

– L.M., 42 vjeç, banues në Tiranë

– S.H., 34 vjeç, banues në Tiranë

– E.S., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale ”Kundërshtim me dhunë të punonjësit të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, ”Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës””, njofton policia.

Në pranga për tjetërsim pronash, ish kreu i komunës Kashar dhe 4 të tjerë

5 persona janë arrestuar nga policia e Tiranës me akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave. Mes tyre është edhe ish kryetari i komunës së Kasharit Besnik Fuçia dhe ish-Përgjegjësi i Zyrës së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Jurgen Memisha.

Arrestimi i tyre erdhi pas kallëzimit të bërë në prokurori nga ndërtuesi Arben Petriti. Ai kishte rënë dakord për ndërtimin e dy pallateve bashkë me ndërtuesin tjetër Stefan Caushi, me ndarjen e pronësisë 50% me 50%. Por pronësinë e dy pallateve në fjalë e ka përfituar vetëm ndërtuesi Stefan Caushi, pas falsifikimeve dhe tjetërsimeve që u janë bërë dokumentave të pronësisë.

Pas hetimeve policia ka arrestuar 5 persona. Konkretisht në pranga kanë rënë ish-kreu i Komunës së Kasharit, Besnik Fuçia, ish-Përgjegjësit të Zyrës së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Jurgen Memisha, ndërtuesi Stefan Caushi, Vjollca Pani, Sekretare e Zyrës së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit si dhe inxhinierja, Miranda Dyrmisha, Kolaudatore.

Mbyllet protesta, policia nis shoqërimet në komisariat

Pas përfundimit të protestës së opozitës së bashkuar që zgjati dy orë kanë nisur edhe shoqërimet e para në polici.

Raportohet se 4 persona janë shoqëruar në Tepelenë, mes tyre edhe kryetari i degës së PD-së.

Të shoqëruarit janë Skënder Bega, Hysen Ismaili, Astrit Guga dhe Ladi Bana, ky i fundit kryetar i degës së PD-së në Tepelenë. Në komisariatin e Tepelenës kanë shkuar ish-deputeti Tritan Shehu dhe kryetari i degës së PD-së Gjirokastër Dasho Aliko duke kërkuar shpjegime.

Aksident i rëndë te mbikalimi i Kamzës. Makina çahet në dysh

Pamje të frikshme na vijnë nga një aksident i rëndë i ndodhur sot në mesditë te mbikalimi i Kamzës. Mësohet se disa makina janë përfshirë në aksident, ndërsa njëra prej tyre është çarë në dysh siç shihet edhe në foto.

Dëshmitarët thonë se automjeti i kuq është futur poshtë kamionit ndaj është ndarë në dysh. Mësohet se i plagosur në gjendje të rëndë është drejtuesi i makinës së kuqe që është dërguar në spital.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po bën zbardhjen e plotë të aksidentit.

Pse u vranë kushërinjtë në Laç? Ja çfarë thotë policia

Policia e Lezhës ka zbardhur ngjarjen e mbrëmshme në Laç ku mbetën të vrarë dy kushërinjtë Mikel Jushi, 35 vjeç, dhe Jani Jushi, 30 vjeç.

Policia bën të ditur se motivi i vrasjes ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes 5 personave të cilët kanë qenë duke biseduar në lokal. Për zbardhjen e rrethanave të krimit, policia shoqëroi 23 persona në cilësinë e dëshmitarit.

 “Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas  të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Menjëherë sa është marrë njoftimi, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë së Kurbinit si dhe grupi hetimor. Në vijim janë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot -Lezhë, Milot -Kurbin -Tiranë.

Me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona  të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se  ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, dhe se autorët e dyshuar të vrasjes janë shtetasit: M. B., 25 vjeç, M. B., 23 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin.

Policia e Kurbinit vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Materialet iu referuan Prokurorisë Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Vrasja e kushërinjve në Laç, policia identifikon autorët

Policia e Kurbinit njofton se ka identifikuar autorët e vrasjes së dy kushërinjve mbrëmë në qytetin e Laçit.

Mësohet se policia është vënë në kërkim të Markel Gjonbushit 25 vjeç dhe Vinçens Pali (Bushi).

Dy autorët në fjalë dyshohet se kanë vrarë mbrëmë në qytetin e Laçit dy kushërinjtë, Mikel Jushi dhe Jani Jushi dhe ma pas janë larguar nga vendngjarja.

Sherri ka nisur në një lokal në qendër të qytetit mes dy palëve, të cilët më pas kanë dalë jashtë për t’u sqaruar. Autorët kishin armë me vete. Dy kushërinjtë Mikel Jushi dhe Jani Jushi janë larguar me vrap, por autorët i kanë ndjekur dhe qëlluar. Sipas dëshmitarëve, kushërinjtë Jushi njiheshin si njerëz të qetë, ndërsa lokali frekuentohej nga persona me precedent.

Policia po punon për kapjen e autorëve të krimit.

PD i bllokon rrugën Ramës, djegin goma dhe përplasen me policinë

Partia Demokratike duket se është e vendosur në përshkallëzimin e protestave duke bllokuar rrugët e vendit. Gjatë ditës së sotme, një grup mbështetësish të PD-së së bashku me ish deputetë të saj i kanë bllokuar rrugën kryeministrit Edi Rama për në Shkodër. Protestuesit ishin vendosur në dy akset hyrëse të qytetit, tek Ura e Bahçallëkut dhe nga Mjeda në drejtim të urës së Spatharit.

Ata bllokuan rrugën duke i vënë zjarrin gomave të makinave dhe duke na kujtuar dhe njëherë pamjet e trishta të vitit 1997.

Madje dy përfaqësues të PD-së, Flamur Noka dhe Bardh Spahiu janë përplasur edhe me forcat e policisë në vendngjarje.

PD nuk e kishte njoftuar më parë policinë për këtë protestë, ndaj dhe ajo është paligjshme. Policia ka ndërhyrë për hapjen e rrugës, bllokimi i së cilës ka krijuar kaos dhe trafik të rënduar, madje edhe një auto ambulancë nuk ka mundur të kalojë për të shkuar në spital.

Zbardhet vrasja e vëllezërve Bilali në Shkodër, kapen dy autorët

Gati një muaj pas vrasjes së dyfishtë të vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali në Shkodër, Policia e Shtetit bën të ditur se ka në vendosur në pranga dy autorë të dyshuar për ngjarjen dhe është në kërkim të dy të tjerëve.

Policia njofton se në pranga janë vënë shtetasit A. S., 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, si dhe M. R., 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, që të dy të dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim”.

Ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit I. L., 26 vjeç, si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes, si dhe  e shtetasit D. B.,  29 vjeç, për veprën penale të “Përkrahja të autorit të krimit”.

Policia njofton se vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e tyre.

 Dy vëllezërit Bilali u vranë në 30 mars të këtij viti. Ata u qëlluan me breshëri automatiku në hyrje të banesës nga dy persona në lagjen Kiras të Shkodrës.

Zëvendës ambasadorja e SHBA vlerëson në shqip policinë e shtetit

Zëvendës ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones ka zgjedhur të flasë në shqip sot në seminarin e organizuar për luftën kundër terrorizmit. Zyrtarja amerikane ka thënë se institucionet shqiptare kanë bërë një punë mbresëlënëse për të luftuar terrorizmin. Ajo ka sjellë në vëmendje edhe arrestimin e djeshëm të Bledar Ibrahimi nga qyteti i Elbasanit, si një tregues që flet për një punë cilësore nga ana e policisë.

“Institucionet shqiptare kanë bërë një prunë mbresëlënëse për të luftuar terrorizmi. Asnjë vend s’është imun. Kohët e fundit, policia arrestoi një njeri të rrezikshëm. Shpresojmë që të ndihmojmë policinë mbi këtë trajektore të suksesshme”, tha Moses-Ones.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardit Veliu. Ai tha se është bërë një punë e mirë në këtë drejtim, duke nisur që nga mbyllja e profileve që kishin përmbajtje dhe thirrje terroriste.

Skip to toolbar