Zyrtare, negociatat në tetor. Keshilli i Ministrave OK Shqipërise.

Negociatat për integrimin mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të hapen në tetor. “Për shkak të kohës së  kufizuar në dispozicion dhe rëndësinë e çështjes, Këshilli do të kthehet për këtë çështje me qëllim që të arrijë një vendim të qartë dhe substancial sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se tetori i 2019”, shkruhej në deklaratën e bërë nga Këshilli i Europës, publikuar pasditen e kësaj të martë.

Në deklaratë theksohej gjithashtu përmbushja e të gjitha detyrave nga vendi ynë, por për shkak të kohës së limituar, afati për miratimin e çeljes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së do të bëhet në tetor.

 “Duke ripohuar konkluzionet e 26 qershorit 2018, Këshilli vlerëson me nota pozitive Rekomandimet e Komisionit Europian për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë në bazë të vlerësimit pozitiv të progresit të bërë dhe i përmbushjes së kushteve të identifikuara nga Këshilli i Europës”, shkruhet ndër të tjera në deklaratën e Këshillit të Europës për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Cakaj në Real Story: Diplomatë nga Kosova në ambasadat shqiptare në vendet që s’e njohin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka qenë i ftuar në pjesën e dytë të emisionit Real Story të Sokol Ballës në Vizion Plus, përballë dy analistëve Skënder Minxhozi dhe Alfred Lela. Cakaj foli për progres raportin e Komisioni Europian që rekomandoi hapjen e negociatave pa kushte për Shqipërinë duke e konsideruar mjaft pozitiv, pasi konfirmoi arritjet e reformave që opozita ka kundërshtuar me forcë deri më sot. Cakaj tha se Shqipëria do të atashojë diplomatë nga Kosova në ambasadat, që ndodhen në vend ku nuk është njohur zyrtarisht Kosova.

Për deklaratat e Presidentit Thaçi për një bashkim të Shqipërisë dhe Kosovës, ministri Cakaj preferoi të mos i komentonte pasi i kalonin kompetencat e tij vendimmarrëse ndërsa tha se “Me Kosovën po shihej mundësia e Ambasadave të përbashkëta, konsullatave të përbashkëta, shërbimeve diplomatike dhe një task-force në ministri për kundërpërgjigje ndaj Serbisë për tërheqjen e njohjeve.”

Më pas, ministri Cakaj u ndal te progres raporti , që sipas tij nuk është lajm i vjetër edhe pse ka tendenca ta paraqesin si të tillë. “Raporti është pozitiv dhe rekomandon hapjen pa kushte të negociatave si vitin e kaluar dhe konstaton vlerësimet e Shqipërisë për të gjitha reformat e ndërmarra deri tani, gjë që opozita e ka kundërshtua gjerë më sot. Raporti, qartazi e bënë përgjegjëse opozitën për dështimin e reformës elektorale. Opozita është përgjegjëse që ka cenuar konsensusin shoqëror e politik në Shqipëri.” – tha Cakaj

Në studio pati replika mes analistit Alfred Lela dhe ministrit Cakaj në lidhje me vlerësimet e raportit, ndërsa Skënder Minxhozi u shpreh për raportin se “është hera e parë që në një gjendje kaq të ndezur politike në vend, e shoh kaq pak të trajtuar në të.”

Cakaj tha se përkundër krizës politike në vend, raporti bën më shumë rekomandime teknike dhe identifikon fakte, pasi ai e njeh parlamentin funksional dhe vlerëson progresin e arritur përkundër gjendjes politike që po kalon Shqipëria.

“Përkundër djegies së mandateve, raporti identifikon më tepër fakte se sa jep rekomandime politike. Por ka disa mënyra për ta lexuar këtë relacion. E para jeta parlamentare është e pacenuar dhe parlamenti gëzon të drejta e plota për marrë vendime dhe është funksional. Integriteti i institucionit ka mbetur i pacenuar. E dyta, Shqipëria ka vazhduar progresin përkundër krizës politike që po kalon. Pra axhenda e qeverisë ka mbetur e pacenuar dhe nuk është tjetërsuar. Gjithashtu duhet theksuar se Komisioni ka ndërruar strategji për rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, po aplikohet një strategji e re, për të siguruar që nuk do ketë prapakthim. Për ne procesi është bërë më rigoroz dhe pragu i meritave është ngritur edhe më lart. Kërkesat që i janë bërë Shqipërisë nuk i janë bërë asnjë vendi tjetër.”- tha Cakaj

Cakaj foli edhe në lidhje se si e pret qasjen e Këshillit Europian pas zgjedhjeve në BE, ku cilësoi dy rezerva në lidhje me hapjen e negociatave, ku në të parën Shqipëria nuk ka asgjë në dorë dhe në të dytën duhet të punojë me lobimin pozitiv të vendit.

“Rezultatet e zgjedhjeve europian kanë treguar se çështja e zgjerimit nuk ka qenë e lidhur me atë elektorale. Kundërshtimi i populizmit nuk mund të bëhet me mjete populiste. Ka dy lloj rezervash lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E para është parimore, ku BE duhet të konsolidohet nga brenda para se të zgjerohet nga jashtë. Në këtë rast Shqipëria është krejtësisht e pafuqishme të ndryshojë gjithçka dhe kjo lidhet me vizionin e europianëve për Europën. E dyta lidhet me mënyrën se si vende të caktuara anëtare e interpretojnë progresin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në këtë rast funksionarët e shtetit nisin lobimet për të rritur imazhin e Shqipërisë.”

Cakaj foli edhe për një mundësi të ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave me BE-në duke thënë se një gjë e tillë nuk beson të ndodh pasi ‘dy vendet janë trajtuar në një pako për nga pikëpamjet teknike dhe administrative dhe janë në një stad. Nuk ka sinjale evidente se një gjë e tillë do të ndodhi.”

Raporti i KE, Ambasada e SHBA: Mbështetje të plotë për zbatimin e reformave të pakthyeshme

Ambasada Amerikane ka përshëndetur progres raportin e KE për Shqipërinë duke shprehur mbështetjen e saj të plotë që negociatat të hapen sa më shpejtë. Ambasada vlerësoi ecjen përpara të Shqipërisë me reformat e domosdoshme në vend dhe vijimin me zbatimin e tyre.

“Ne mirëpresim rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe konfirmimin e saj se Shqipëria vijon të bëjë përpara në zbatimin e reformave jetike dhe të pakthyeshme. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara që të punojnë me partnerët tanë shqiptarë dhe të BE për të siguruar integrimin me sukses të Shqipërisë në Bashkimin Europian, përfshirë edhe mbështetjen tonë të plotë për zbatimin në vijim të reformave legjitime dhe kushtetuese gjyqësore.” shkruhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA

Basha fajëson Ramën: Negociatat nuk hapen në qershor

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me qytetarët në Fier për t’i ftuar në protestën e 2 qershorit. Gjatë fjalës së tij Basha ka reaguar edhe për raportin e Komisionit Europian duke theksuar se Shqipërisë nuk i hapen negociatat për aq kohë sa nuk ka zgjedhje të lira dhe qeverisët nga krimi.

“Ramën e kanë njoftuar se Këshilli Evropian në qershor do votojë për mos hapjen e negociatave. Rama është fajtori i vetëm për këtë ndëshkim. Gjendjen në Shqipëri e dinë të gjithë qytetarët, të djathtë e të majtë, e dinë edhe në Bruksel. Edhe ata që bëjnë sikur nuk i dinë. I di edhe Edi Rama. Partnerët tanë ndërkombëtarë ja kanë bërë të qartë atij, siç kanë informuar edhe kryetarin e opozitës, se në gjendjen aktuale, Këshilli Evropian I qershorit do të votojë për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë. Dhe ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim I pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antieuropiane.
Edi Rama e ka frikë hapjen e negociatave sepse e di fare mirë se çka ndodhur në ato vende ku janë hapur negociatat. Se të parët që kanë shkuar para drejtësisë kanë qenë pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin.”

Basha tha se Rama nuk duhet të shoh më interesin e tij, por të qytetarëve dhe nëse kërkon të zgjidhet kriza politike rruga e vetme është largimi i tij.

“Rruga e BE hapet duke larguar Edi Ramën. Zgjidhja është e thjeshtë nëse Edi Rama një herë në jetën e tij, një çast në jetën e tij, do të vendoste interesin tuaj, për interesin e vendit, interesin e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, jo të oligarkëve jo të banditëve, jo të vetës dhe pushtetit të tij, jo të pasurisë së tij, por interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Zgjidhja është e thjeshtë: largimi i tij i hapë rrugë zgjidhjes politike, një qeverie të integrimit europian që do të mundësojë zbatimin e kushteve që Edi Rama dhe banda e tij, nuk i zbatojnë, sepse janë në konflikt interesi me to. Zgjedhje të lira e të ndershme, dënimin e politikanëve të kapur me krimin në shitblerje votash. Nuk ka vend që i hapen negociatat në BE pa zgjedhje të lira. Nuk ka vend në BE që i hapen negociatat me shitblerje votash me krimin. Largimi i Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë rruga jonë drejt Bashkimit Europian.” – tha Basha

Raporti, përfaqësuesja e BE në Prishtinë: Të hiqen vizat për Kosovën

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova ka mbështetur liberalizimin e vizave në një deklaratë për mediat pas publikimi të raportit për Kosovën. “Të gjithë kriteret janë përmbushur, prandaj liberalizimi i vizave për Kosovën të nis sa më parë.” tha Apostolova. Ajo e cilësoi pozitiv raportin e Komisionit Europian për Kosovë, ku theksohet se është shënuar progres në zbatimin e disa reforma kryesore të kërkuar nga Bashkimi Europian.

“Në raportin aktual theksohet që të gjithë kriteret janë përmbushur, ku Komisioni dhe Parlamenti Evropian rekomandojnë liberalizmin e vizave për Kosovën, që të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur. Mendoj që kjo është gjuha më e fortë që kemi pa deri më tani në raport, që të gjitha shtetet anëtare të gjejnë një zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur.” tha Apostolova

Rekomandimi për hapjen e negociatave me BE, Rama: Tregon që kemi përmbushur detyrat

Këshilli i Europës ka publikuar Progres-Raportin për vendet që aspirojnë të integrohen në Bashkimin Europian, duke rekomanduar hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Menjëherë pas publikimit të këtij Progres-Raporti, ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili ka shkuar një status në Twitter, duke u shprehur se ky vendim tregon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtpisë në këtë proces.

“Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian, konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces. Në 15.00 komunikim i përbashkët publik me ambasadorin e BE”, shkruan Rama në Twitter.

Progres-Raporti i Brukselit. Deutsche-Welle: S’ka surpriza, pro hapjes së negociatave

Në një artikull të publikuar të mërkurën, Deutsche-Welle shkruan se Komisioni Europian do të publikojë progres-raportin për Shqipërinë në të cilin nuk pritet të ketë surpriza: “KE do të rekomandojë çeljen e negociatave për Shqipërinë”.

“Raporti në tërësi do të përmbajë vlerësime për ecurinë e reformave në vendet e Ballkanit duke përfshirë edhe ato të cilat janë kyçe për Shqipërinë si funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit”, shkruhet në artikull.

Shkrimi i plotë i Deutsche-Welle: 

Komisioni Evropian pritet që sot t’i paraqesë Parlamentit Evropian raportet e progresit për shtetet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.

Në raporte nuk pritet të ketë befasi dhe duket se Komisioni Evropian do të rekomandojë edhe kësaj radhe çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në Bruksel kjo ngjarje që vitet e mëparshme është shoqëruar me shumë aktivitete këtë herë ndodhet nën hijen e Samitit të Jashtëzakonshëm të vendeve anëtare, të cilat duhet të vendosin për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Komisionit të BE-së.

Këto raporte rekomandojnë shumë veprime, të cilat zbatohen në bazë të vendimeve në strukturat e tjera të BE-së të udhëhequra nga zyrtarë të zgjedhur të vendeve anëtare. Vendimi për çeljen e negociatave bëhet nga Këshilli Evropian ku marrin pjesë krerët e vendeve anëtare.

Raporti në tërësi do të përmbajë vlerësime për ecurinë e reformave në vendet e Ballkanit duke përfshirë edhe ato të cilat janë kyçe për Shqipërinë si funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës si pika kyçe do të mbeten lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i drejtë i gjykatave.

Përmbajtja e raportit do të përdoret nga vendet anëtare dhe nga vendet që pretendojnë anëtarësimin si mjete lobimi për marrjen e vendimeve.

Sa i përket çeljes së negociatave për Shqipërinë situata nuk ka ndryshuar me Francën si një kundërshtare me peshë e çeljes së negociatave, e përkrahur nga vende si Holanda dhe Belgjika.

Më herët është spekuluar se qëndrimi negativ i Francës për zgjerimin ka qenë i lidhur me zgjedhjet për Parlamentin e BE-së dhe ndikimin që një vendim i tillë mund ta ketë në këto zgjedhje. Rezultatet e zgjedhjeve nuk përmbushën frikën e forcimit të së djathtës në nivel evropian, por pozita e Presidentit Makron është goditur, pasi partia e tij humbi kundrejt ekstremit të djathtë të udhëhequr nga Marine Le Pen në Francë. Mbetet të shihet se si ky rezultat do të ndikojë në qëndrimin francez.

Skip to toolbar