Ambasada e SHBA thirrje qytetarëve të saj t’i shmangen protestave

Ambasada Amerika u ka bërë thirrje qytetarëve të saj të ruhen dhe t’i shmangen protestave të opozitës.

Ambasada thotë se protestat kanë prirje të bëhen të dhunshme dhe të përdorën armë luftarake si molotov.

Mesazhi i Ambasadës Amerikane

Pikat që duhet të shmangen:

Ndërtesa e Parlamentit (Tiranë)

Zyra e Kryeministrit (Tirana)

Ndërtesa të tjera qeveritare (Në të gjithë vendin)

Rrugët kryesore në të gjithë vendin

Demonstrata të përsëritura pritet të ndodhin në të gjithë Shqipërinë për një periudhë të pacaktuar kohore, me mundësinë që të bëhen të dhunshëm. Datat e sakta dhe kohëzgjatja e këtyre demonstratave janë të panjohura.

Demonstrimet e kohëve të fundit kanë përfshirë dhunën, disa demonstrues kanë përdorur pajisje shpërthyese dhe molotov. Forcat e sigurisë janë përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Personeli i Ambasadës së SHBA-së ju drejtohet që të shmangni të gjitha pikat e grumbullimit dhe vendet ku demonstratat janë të pashmangshme ose të vazhdueshme. Shmangni grumbullimet e mëdha dhe vendet ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdimësi.

Monitoroni mediat për përditësime.

Jini të vëmendshëm për mjedisin që iu rrethon.

Mbani një profil të ulët.

“Kryeministria pastrohet nga njollat e turpit”

Kryeministria është pastruar duke larguar nga muret e saj njollat e bojës së zezë dhe molotovët e hedhur gjatë protestës së 11 majit.

Rama i ka cilësuar këto si njolla turpi dhe dështimi përmes një postimi në facebook.

“Kush ka zgjedhur të shëmtojë e të dëmtojë, është i dënuar të turpërohet e të dështojë. Kush ka zgjedhur të pastrojë e të ndërtojë, është i dënuar të durojë dhe të vazhdojë.” – shkruan Rama

Opozita ka vendosur që protestën e ardhshme kombëtare ta mbaj më 25 maj.

Hahn: Dhuna në protesta ndikim negativ në hapjen e negociatave

Në një intervistë për Deutsche Welle-n, komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn thotë se imazhi aktual i Shqipërisë e vështirëson shumë një vendim pozitiv pro negociatave. Dhuna e përdorur në protesta ka ndikim të madh tek vendimmarrësit në BE, prandaj duhet treguar shumë kujdes tha Hahn. Megjithatë Hahn theksoi se është pro hapjes së negociatave për Shqipërinë.

DW: Zoti Hahn, në një intervistë të dhënë para ca kohësh e përshkruanit veten si zjarrfikës dhe arkitekt të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Shqipëri të shtunën shpërtheu zjarri në protestë. Me cilat mjete do të ofroheshit ju për të qetësuar gjendjen?

Johannes Hahn: Unë e thashë këtë atëherë në përgjigje të një pyetjeje për përshkrimin e detyrës sime dhe kjo ka të bëjë edhe me vendet fqinje. Me këtë doja të thoja se nga njëra anë përpiqem t’i zhvilloj gjërat nga ana konceptuale e nga ana tjetër më duhet të jem edhe në rajon me shpresën për të zgjidhur ndonjë problem akut. Në rastin e Shqipërisë, dhe kjo vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, mendoj se është perspektiva evropiane motivi kryesor dhe në këtë drejtim unë mund t’i inkurajoj të gjithë përgjegjësit politikë që t’i kthehen punës parlamentare. Është detyrë e qeverisë që t’i afrohet opozitës dhe detyrë e opozitës që të vetëpërfshihet në mënyrë konstruktive, kritike por edhe të angazhuar. Kemi të bëjmë edhe me imazhin që jep Shqipëria në planin ndërkombëtar.

A do të ndikojë ky imazh mbi vendimin për negociatat e anëtarësimit?

Natyrisht. Imazhi që lë një vend ka ndikim shumë të madh te vendimmarrësit në Bashkimin Evropian. Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe se dihet që një pamje flet më shumë se njëmijë fjalë.

Megjithatë ministri i shtetit, Michael Roth, në një intervistë për Deutsche Welle-n u shpreh pro hapjes së negociatave që në qershor.

Edhe unë jam për këtë, sepse negociatat e anëtarësimit ofrojnë pikërisht mundësinë që të ndikohet mbi zhvillimin e vendit në aspektin evropian me katalogun e vlerave evropiane dhe prandaj është më mirë që të fillohet sa më shpejt.

Në Maqedoninë e Veriut gjendja duket më premtuese se në Shqipëri. A ekziston mundësia që Maqedonia e Veriut të trajtohet më vete?

Synimi im është që të dy këto vende të trajtohen njëherazi, sepse edhe raportet do të vendosen njëherazi. Por unë nuk mund ta parashikoj se si do të vendosin vendet anëtare. Fakt është se Maqedonia e Veriut ka kontribuar shumë dhe konkretisht, jo vetëm në kuadër të kërkesave tona, por edhe duke kapërcyer grindjen për çështjen e emrit, por edhe me kapërcimin e konfliktit dypalësh me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut ka krijuar kushtet që të jetë papritmas i vetmi vend në rajon, që nuk ka asnjë konflikt me fqinjët.

Pra, kjo do të thotë se, nëse Shqipëria nuk arrin të gjejë një kompromis, mund të çelen negociatat vetëm me Maqedoninë e Veriut?

Negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohen në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë, nëse një vend do të priste, sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate.

Kjo vlen në parim. Natyrisht, do të ishte ideale nëse të gjashta vendet do të hynin së bashku. Por kjo nuk është realiste. Por është e padrejtë ndaj atyre që janë angazhuar më shumë, që kanë arritur të gjejnë zgjidhje, që janë të aftë për kompromise, që janë në gjendje të sjellin rezultate. Këta nuk duhet të dënohen tani meqë janë më mirë se të tjerët.

Po grupi parlamentar i CDU/CSU-së ka thënë, se nuk do të arrijë të marrë një vendim që në qershor dhe se në fakt dëshiron ta shtyjë vendimin deri në shtator. E biseduat dhe ju me ta, apo nuk jeni dorëzuar ende dhe po vazhdoni të luftoni që ta sillni çeljen e negociatave në rend të ditës të Këshillit të BE-së qysh në qershor të këtij viti?

Ne në Vjenë kemi një shprehje: Vetëm një letër dorëzohet. Asgjë tjetër. Prandaj edhe unë do të përpiqem deri në momentin e fundit, që të arrijmë një vendim. Ia vlen dhe ua kemi borxh partnerëve tanë që ta mbajmë fjalën, kur ata i përmbushin kushtet që ua kemi vendosur ne mbi bazën e vendimeve të marra njëzëri nga të gjitha vendet anëtare.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u fol tashmë gjerë e gjatë. Më 29 maj do të dalin progres-raportet e të gjitha vendeve. Çfarë do të lexojmë aty për vendet e tjera?

Shumë gjëra të mira, por edhe shumë gjëra kritike. Siç ndodh rëndom me progres-raporte. Ka përparime aty këtu, por ka edhe stanjacion. Për shembull, te bisedat mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat kanë ngrirë prej disa muajsh. Shpresoj se tani do të shkrijnë, jo vetëm për shkak të stinës. Pra, për ta thënë më shkoqur: se së shpejti do të fillojnë bisedimet. Edhe këtu kemi të bëjmë me perspektivën evropiane për të dy vendet dhe një marrëveshje obliguese ndërmjet vendeve është në fund të fundit bazamenti për perspektivën europiane.

Zonja Merkel dhe Zoti Macron kanë nisur një iniciativë për t’i mbështetur këto biseda. Cilat janë mjetet më efektive që ka në dorë Bashkimi Evropian për t’i lëvizur të dyja palët drejt kompromisit?

Besueshmëria. Nëse çelim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – kjo nuk do të thotë se ato hyjnë nesër në BE, ky është një proces disavjeçar që kërkon edhe shumë përpjekje,- atëherë kjo është joshja më e mirë për serbët dhe kosovarët që të ulen në tryezën e negociatave. Sepse ajo që do të duhet të arrijnë ata nuk do të pritet me duartrokitje të mëdha në asnjë vend. Kërkon guxim dhe kurajë nga aktorët veprues që të ulen në një tryezë dhe të hartojnë një kompromis, i cili do të kërkojë lëshime nga të dyja palët për të arritur në një rezultat përfundimtar.

Hyn këtu edhe liberalizimi i vizave?

Nuk lidhet drejtpërdrejt me këtë çështje. Por sa i përket besueshmërisë, po.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është i mendimit se pa SHBA-të nuk do të ketë negociata të suksesshme. E shihni dhe ju kështu?

Ekziston një dakordim i qartë ndërkombëtar se si duhen bërë këto negociata. Natyrisht është mirë nëse kemi mbështetje edhe nga aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe kur bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar. SHBA-ja është e rëndësishme si mbështetëse, por struktura aktuale e negociatave, nën drejtimin e Përfaqësueses së Lartë, aktualisht Federica Mogherinit, është e mjaftueshme.

Pyetja e fundit, për ju si “arkitekt” i Ballkanit Perëndimor, nëse më lejohet t’i kthehem edhe njëherë vetëpërshkrimit të përmendur në krye të intervistës. Vitin e kaluar ju e mbështetët idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan. E shihni ende si zgjidhje të mundshme për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë?

Unë vetëm kam thënë se kjo nuk duhet tabuizuar menjëherë. E sqarova menjëherë se zgjidhja që do të vijë në fund të ditës nuk duhet të jetë në kosto të të tretëve. Tani është ende herët të flitet për zgjidhjet që vijnë në pyetje. Sepse marrëveshja që do të arrihet mes dy vendeve do të jetë shumëpërfshirëse. Një vend qendror në marrëveshje do ta zërë çështja e pakicave, sepse ka shumë serbë në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo në një zonë të caktuar të Kosovës. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Pra, marrëveshja do të përfshijë shumë pjesë të një rebusi, të cilat shpresojmë që së bashku të japin një panoramë shumë të bukur.

Sondazhi, 72 % e shqiptarëve, kundër protestave të dhunshme

Televizion “Report TV”, në bashkëpunimme Institutin Italian GPF Inspiring Research ka zhvilluar një sondazh në Shqipëri, ku ka pyetur qytetarët nëse janë pro protestave të opozitës për të rrëzuar qeverinë.

Sipas rezultateve të këtij sondazhi, rreth 72 % e shqiptarëve mendojnë se sjellja e manifestuesve gjatë protestave të opozitës ka qenë e dhunshme. 60.2 %  mendojnë se sjellja e policisë gjatë protestave ka qenë korrekte. 39.5 % e tyre do të bënin fajtore protestat e opozitës nëse vendit tonë nuk i hapen negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Rezultatet u prezantuan në emisionin “Repolitix” në Report Tv të gazetarit Denis Minga, ku i ftuar special ishte Roberto Baldassari, ish president i Institutit Piepoli dhe aktualisht President i GPF Inspiring Research.

Për të realizuar këtë sondazh janë intervistuar mbi 6 mijë persona.

Në mesin e kësaj krize politike, rreth 40 % (39.6%) e të intervistuarve mendojnë se për zgjidhjen e ngërçit duhet të ndërhyjnë ndërkombëtarët.

Basha: Protestat vijojnë, jemi në grusht shteti

Pas mbledhjes së kryesisë PD-së, Basha ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka sqaruar qëndrimin që do të mbajë opozita në vijimësi të aksioni të saj për rrëzimin e qeverisë dhe mosmbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor. Basha tha se protestat do të vijojnë dhe se vendi ndodhet në grusht shteti ku tashmë çdokush e ka marrë vesh se kjo qeveri ka ardhur në parlament me votë të vjedhur.

“Gjatë ditës së sotme, PD ka shqyrtuar gjendjen e rëndë ku ndodhet vendi pas asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pas kapjes së Prokurorit të Përgjithshëm, sot Shqipëria ka kuptuar se fshihet makthi i Edi Ramës, i cili ka frikë nga zbardhja e dosjeve ku janë përfshirë kryeministri dhe banditët e Rilindjes për të vjedhur zgjedhjet në Dibër dhe në mbarë Shqipërinë. Gazeta Bild ka treguar se kemi një qeveri që udhëhiqet nga kriminelë dhe gangsterë, ka zbuluar sesi në përgjimet e Dibrës figuron vetë Edi Rama duke folur për të vjedhur vota. Zonja Gjylameti është vetë pjesë e votës 184, ndërsa zonja Spiropali duket se është pjesë e dosjes së Xibrakës. E vërteta që mbetet është që nuk ka njeri që nuk e ka marrë vesh se Rama ka vjedhur votat, se parlamenti është produkt i votës së vjedhur. Jemi në kushtet e grushtit të shtetit. Rama ka caktuar kursin e përplasjes me popullin.” – tha Basha

Protesta e 6-të Kombëtare! PD vendos datën

25 maji është vendosur nga opozita si dita për protestën e 6-të kombëtare dhe pritet të filloj në orën 19:00. Partia Demokratike ka mbledhur pasditen e sotme kryesinë për të vendosur se si do të vijohet me planin e saj për vijimësinë e protestave për rrëzimin e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Mbledhja e kryesisë u bë pas takimit që Basha para paradite me aleatët ku konfirmuan se do të vijojnë takimet me ndërkombëtarët.

Deri tani opozita ka zhvilluar pesë protesta kombëtare dhe disa të tjera para parlamentit, ndërsa ka bllokuar edhe dy herë akset kryesore rrugore në vend.

Aleatët e Bashës të vendosur për protesta

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me aleatët të cilët duket se janë të vendosur për të vazhduar rrugën e protestave. Pas takimit për mediat ka folur Dashamir Shehi, i  cili është shprehur se protestat do të vijojnë.

“PS-ja ka filluar manipulimin zgjedhor që tani me spostimin e komisioneve, tani ka vetëm 25 kandidatë dhe gara është false. Kjo është që sot ka filluar manipulimi, zgjedhjet kanë rënë moralisht dhe praktikisht. Edhe sikur ti mbushin plot letrat nuk do të lejojmë që të zhvillohen zgjedhjet. Nuk heqim dorë nga takimet me ndërkombëtarët, por aksi kryesor është protesta e rrugës deri në fund kur të mbërrijmë një zgjidhje finale.

E konsiderojmë pozitive për Shqipërinë që të vijë dita dhe të bëhen zgjedhje, pasi këtu nuk mund të ketë. Ky është mesazhi kryesor, këtë diskutuam dhe do të diskutojmë. Ka shumë alternativa për protestën e radhës, qyteti mund të prodhojë përditë, por ne do të marrim pjesën më pozitive. Në nuk bëjmë protestë për protestë, por pasi po shkelet rregullat e lojës” deklaroi Dashamir Shehi.

Bombat molotov në protestë, kimistët: Tepër të rrezikshme

Protesta e dhunshme e opozitës e 11 majit u shoqërua me hedhjen e disa bombave molotov në drejtim të Kryeministrisë dhe Kuvendit. Të gjithë panë përmes transmetimeve direkte në media se si zjarri u përhap me shpejtësi që në disa raste rrezikoi edhe jetën e policisë që ndodheshin aty për të ruajtur këtë institucionin.

Mirëpo sa të rrezikshme janë këto bomba artizanale? Në një intervistë për Top Channel, Ylli Bërdufi, kimist ushtarak, ka treguar se ato janë mjaft të rrezikshme për jetën njerëzore, pasi temperatura e tyre arrin deri në 1000 gradë dhe djegia e njeriut është e menjëhershme.

“Në shishe qelqi të mbushur me benzinë, me një ndezës të jashtëm. Mund të jetë një ndezës i përgatitur industrialisht, apo qoftë edhe një copë leckë e lidhur pas saj dhe e lyer me benzinë, që e mban flakën të ndezur deri në momentin që shishja shkon e përplaset në objekt. Temperatura e djegies në të dyja është rreth 1.000 gradë, shumë e lartë. Qoftë kur është e holluar, benzinë normale, qoftë kur është e mpiksur me kimikate të ndryshme, ose me lëndë të tjera që i shtohen. Mermeri nuk digjet, nëse mund të jetë djegur është djegur lënda drusore. Po të ketë pemë i than dhe i djeg. Por, rreziku më i madh është kur bie mbi trupin e njeriut, sepse e ka temperaturën shumë të lartë dhe djegia është e menjëhershme sidomos kur është benzinë e pa mpiksur. Kjo nuk i jep kohë të prekurit që të bëjë shuarjen e saj. Ai që do t’i japë ndihmën dikujt të prekur, duhet të jetë shumë e shpejtë. Shuarja e lëndës djegëse që përdoret për bombat molotov bëhet thjesht duke e izoluar me një rrobe, batanije apo xhaketë të dikujt tjetër. Mjafton që lënda djegëse të mos marrë ajër.” – tha Ylli Bërdufi

Bombat molotov janë përdorur gjatë luftës civile në Spanjë në vitet 1930, fillimisht për qëllime luftarake kundër mjeteve të blinduara dhe objekteve të fortifikuara.

Miku Daul dënon mikun Basha

Mbështetësit e Bashës kanë dënuar dhunën që është përdorur gjatë protestës së organizuar nga opozita. Presidenti i Partive Popullore Europiane, PPE Joseph Daul ka reaguar pas protestave të dhunshme opozitës përmes një postimi në Twitter.

Joseph Daul i ka “tërhequr veshin” mikut të tij Basha duke dënuar ashpër dhunë e përdorur në protesta dhe ka bërë thirrje që palët të ulen për dialog për zgjidhjen e krizës politike.

“Dënojmë fuqishëm përdorimin e dhunës gjatë demonstratave të fundit në Shqipëri. Të gjitha palët e përfshira duhet të kthehen në një dialog të ndershëm politik, të adresojnë shqetësimet dhe shkaqet rrënjësore, të rrisin retorikën dhe të qëndrojnë larg çdo lloj dhune.” – shkruan në Twitter Daul

Daul i shtohet zërave të tjerë ndërkombëtar që kanë dënuar dhunën e ndodhur gjatë protestave të opozitës së bashkuar.

Protestat, Basha: Mesazh i qartë për pengmarrësin e demokracisë

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka folur për mediat në lidhje me protestat e zhvilluara më 11 dhe 13 maj si dhe për të informuar në lidhje me aksionin opozitar që do të ndiqet më pas. Basha falenderoi të gjithë qytetarët që morën pjesë në protestë dhe nuk i ndali asgjë që të dalin në rrugë për të rrëzuar krimin. “Ky është mesazhi më i qartë kombëtar për pengmarrësit e demokracisë” tha Basha në lidhje me protestën.

“Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj dite ka qenë media, gazetarët dhe operatorët që kanë qëndruar në kushte të vështira, operatorët duke ecur mbrapsht për të transmetuar live këtë ngjarje. Dua të falënderoj qytetarët, një mirënjohje të jashtëzakonshme kam për ju. Asgjë nuk ju ndali të vinte në këtë protestë.

Ky ishte një mesazh kombëtar, i qartë dhe i prerë për këdo dhe në veçanti për pengmarrësin e demokracisë, për pengmarrësin e familjeve shqiptare, njeriun që ka mbyllur derën e negociatave se nuk ka dhe s’do ketë asnjë hap pas. Do ketë vetëm hapa para. Bashkimi ynë ka marrë përmasa që i tejkalojnë kufijtë politikë të mbështetësve të opozitës, është një bashkim popullor. Përshëndes ata socialistë që iu bashkuan dje protestës dhe i takova disa prej tyre personalisht, duke u dhënë mesazhin se kjo nuk është betejë për pushtet, por për transformim. Ky transformim nis me votën e lirë. Pjesëmarrja madhështore dëshmoi besimin e madh që kanë qytetarët tek kauza.” – tha Basha.

Skip to toolbar