Partia Socialiste ka përcaktuar disa detyrë për strukturat e kësaj partie për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Për shkak të deklaratave të shumta të opozitës së bashkuar PD-LSI për prishje të procesit zgjedhor, PS ka kërkuar që strukturat e saj të sigurojnë një pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje, të përgatisin listat zgjedhore dhe të evidentojnë retorikën kërcënuese dhe presionet e opozitës.
PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË
SEKRETARI PËR ORGANIZIMIN
DISA DREJTIME TE PUNËS SË STRUKTURAVE TË PARTISË PËR FUSHATËN E ZGJEDHJEVE VENDORE TË 30 QERSHORIT 2019
Në kushtet specifike të fushatës për zgjedhjet e organeve të pushtetit vendor të 30 Qershorit, kur opozita jashtëparlamentare PD-LSI nuk merr pjesë në zgjedhje, për strukturat e Partisë Socialiste dalin disa detyra për t’iu përgjigjur këtyre kushteve të zgjedhjeve.
Së pari, të synohet dhe realizohet pjesëmarrje sa më e lartë në votime. Pjesëmarrja në votime jo vetëm të ruajë shifrat e rezultateve për PS dhe të partive të Koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, por të përcaktohen detyra për rritjen e pjesëmarrjes( jo më pak se 2.5 përqind që është rritja e numrit të zgjedhësve krahasuar me dy vjet më parë ), përmes tërheqjes në votime nga të gjitha shtresat, kategoritë, komunitetet që ndikojnë në këtë rritje.
• Anëtarësia e partisë dhe mbështetësit e saj kanë detyra në përbërje të strukturës ku janë por edhe individuale për plotësimin e këtij objektivi duke e vlerësuar si një ndër detyrat kryesore të këtyre zgjedhjeve.
• Puna me listat e votuesve për të evidentuar zgjedhësit që banojnë në territorin e QV, ata që kanë migruar në qytete të tjerë të vendit e deri ata që janë në emigracion dhe i kanë mundësitë për të ardhur e votuar më 30 Qershor.
• Pjesëmarrja në votime e votuesve për herë të parë, si detyrë e brezit që do të jetë pjesë efektive e Shqipërisë së strukturave të BE.
• Sistemi i patronazhit të funksionojë në zbatim të këtij objektivi. Çdo anëtar apo mbështetës i partisë që caktohet me një numër zgjedhësish, të vlerësojë maksimalisht pjesëmarrjen e tyre në votime e të raportojë për këtë.
• Të bashkëpunohet me partitë e tjera të Koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane – ASE për të rritur numrin e votuesve duke tërhequr zgjedhës nga komunitete, zona, fise, lagje etj ku ato dhe kandidatët e vendosur prej tyre kanë ndikim në rritjen e numrit të votuesve.
• Të jetë në eficiencë të plotë puna e koordinatorëve elektoralë të të gjitha niveleve të ngarkuar për këtë fushatë në bazë të detyrave të përcaktuara në Vendimin e Asamblesë Kombëtare të PS, të cilët të jenë dorë e zgjatur e strukturave të partisë për rritjen e numrit të zgjedhësve që votojnë.
• Të evidentohen rastet e veprimtarisë së opozitës jo parlamentare për pengimin e zgjedhësve për të marrë pjesë në votime, për presione e kërcënime, të cilat të bëhen objekt i një pune të organizuar të strukturave tona përmes kontakteve me ta por edhe medias në mbrojtje të të drejtave të tyre kushtetuese.
Këto e detyra e të tjera që dalin në bazë të kushteve konkrete të secilës bashki, kërkohet që të vlerësohen maksimalisht, veçanërisht në ato bashki ku kandidatët e PS për kryetar bashkie nuk kanë kandidatë të tjerë rivalë.
Së dyti, të përcaktohen dy-tre prioritete kryesore për çdo bashki nga ato që kanë dalë gjatë llogaridhënies së tyre në publik, sidomos atje ku drejtojnë përfaqësues të PS, dhe të merren masat për plotësimin e tyre. Secila strukturë partie dhe drejtuesit tanë në bashki ta shohin këtë detyrë si një përgjigje të kërkesave të komunitetit për zgjidhje të problemeve jetësore të tyre. Prioritetet që do të përcaktohen në çdo bashki të dërgohen në zyrën e Organizimit të Partisë brenda datës 25 maj 2019.
Së treti, të merren masat për caktimin e anëtarëve të komisioneve të Qendrave të Votimit. Zbatimi i kësaj detyre të Kodit të Zgjedhjeve kërkohet të bëhet me cilësitë e kërkuara për komisionerët dhe në kohën e duhur. Sipas afateve të përcaktuara nga organet e Partisë, projekt-listat e komisionerëve duhet të dërgohen në Sektorin e Koordinimit Elektoral të Partisë Socialiste në Tiranë deri më datën 20 maj 2019, ndërsa depozitimi i tyre pranë KZAZ-ve duhet të bëhet deri më 30 maj 2019.
Në caktimin e tyre të merren në konsideratë kushtet specifike të këtyre zgjedhjeve: prej tyre kërkohet korrektësi në zbatimin e kërkesave të Kodit të Zgjedhjeve, prandaj ata duhet të njohin detyrat që ai u përcakton dhe t’i zbatojnë ato në mënyrë korrekte. Ata janë përfaqësuesit e strukturave bazë të procesit zgjedhor dhe duhet të kenë vendosmërinë e duhur të ndikojnë në mënyre maksimale në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që është kërkesë kryesore, në zbatimin e kërkesave të Kodit për dokumentacionin zgjedhor, në komunikimin me zgjedhësit etj.
Së katërti, të zbatohen të gjithë kërkesat e Kodit të Zgjedhjeve dhe vendimet që janë marrë nga KQZ për shpenzimet e fushatës. Nga ana e financierëve të ngarkuar me këtë detyrë në bazë bashkie e në qendër të njihen mirë kërkesat për shpenzimet e fushatës dhe të ketë korrektësi maksimale në zbatimin e tyre. Çdo shpenzim i kryer për fushatën zgjedhore të jetë i evidentuar sipas kërkesave, pagesat për zyrat elektorale, për organizimin e veprimtarive elektorale etj. të bëhen përmes institucioneve bankare, me synimin që çdo veprimtari të jetë e dokumentuar dhe të ketë transparencë në shpenzime.
Në përcaktimin dhe zhvillimin e veprimtarive elektorale të kihet parasysh që strukturat e partisë të marrin në konsideratë vlerën financiare të tyre, duke synuar veprimtari me efektivitet të lartë, por me një kosto financiare të arsyeshme. Po kështu edhe për shpenzimet për anën figurative e mediatike të fushatës, numrin e zyrave elektorale, etj.
SEKRETARI PËR ORGANIZIMIN