Ish deputeti i Partisë
Demokratike, Edmond Spaho ka mbështetur kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi në
lidhje me një marrëveshje të mundshme me Partinë Socialiste. Spaho tha se opozita nuk po përgatit asnjë marrëveshje
të fshehtë me Ramën dhe se nuk do të ketë një të tillë për aq kohë sa ai është kryeministër.
Si kryetar i PS, është e drejta e tij të vij të ulet në tavolinën e partive politike,
tha Spaho, i cili shtoi se PD është e vendosur dhe nuk do të nënshkruajë asnjë
marrëveshje pa u larguar Rama nga posti i Kryeministrit dhe pa u dënuar ata që vodhën
votat.
“Ky është një
spekulim i pastër që vjen nga rrethet e kryeministrit Edi Rama. Për të dalë nga
kjo situatë hedhin shashka të tilla, por qëllim ynë është i qartë: nuk kemi
hyrë në këtë betejë për pazare dhe
interesa të ngushta, por kemi hyrë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të
ndershme. Kushti i parë është që të dënohen ata që kanë futur dorën në
zgjedhje. Sot ka fakte se sa herë ka zgjedhje, Rama fut duart në procesin
zgjedhor. Një dialog e bëmë në 2017, e kishim kërkesën që me Ramën nuk shkojmë
në zgjedhje, por shkuam dhe rezultati tregoi se ai manipuloi zgjedhjet. Si
kryetar i PS, por jo si kryeministër, është e drejtë e tij të jetë në tryezën e
partive politike. Me Edi Ramën nuk ka pasur dhe nuk do të ketë. Rama me
kokëfortësi kërkon të marrë të gjitha pushtetet” tha Spaho gjatë një interviste televizive.
Më herët edhe Kryemadhi është shprehur e gatshme që të ulet në bisedime me Ramën si kryetar i PS dhe jo si Kryeministër. Në fakt kjo del në një linjë të kundër me kreun e PD, Basha i cili thotë se nuk ka dialog pa ikur Rama dhe nuk e ka përmendur kurrë faktin se mund ta pranojë atë si kryetar i PS në tryezën e bisedimeve.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha vazhdon të
shpresojë tek largimi i Ramës përmes protestave. Ai shkruan të mërkurën në
rrjet se “opozita e bashkuar do t’i prijë aspiratës së shqiptarëve për ndryshim”.
Basha thotë se partia demokratike përmes
veprave do të rrëzojë maxhorancën absolute të Ramës dhe do të sjellë ndryshimin
për shqiptarët.
“Shumica absolute e shqiptarëve të vendosur
dhe mendje ndarë në betejën për largimin e Edi Ramës dhe regjimit të tij, duhet
ta dijë se Partia Demokratike, opozita e bashkuar e ka dëgjuar dhe do t’i prijë
aspiratës tuaj për ndryshim. Ky ndryshim nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë
çështje fjalësh, por veprash dhe garancish.
Së bashku ne do ta kthejmë këtë mazhorancë
absolute të refuzimit të regjimit, mazhorancën absolute “Rama ik”, në
mazhorancën kombëtare të ndryshimit të madh për çdo shqiptar”, shkruan Basha, i
cili përmend zgjedhjet e lira, por nuk përmend se për cilat zgjedhje e ka fjalën,
pasi zgjedhjet vendore u zhvilluan, ndërsa zgjedhjet parlamentare janë larg, në
vitin 2021.
“Zgjedhjet e lira e të ndershme do t’i hapin
rrugën transformimit politik dhe ekonomik që ka nevojë Shqipëria, ndryshimit që
kërkojnë shqiptarët.
Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e lira, do
të hapë menjëherë negociatat me Bashkimin Europian, do ta fusë vendin në rrugën
e përparimit dhe zhvillimit”, shkruan Basha, ndërsa harron se vendimi për
negociatat jepet në Tetor ndërsa qeveria e re do të dalë në 2021.
“Rruga e përparimit, kërkon një ekonomi të
lirë dhe konkurencë të ndershme. Lufta kundër monopolove, lufta kundër
klientelizmit, lufta kundër kapjes së ekonomisë, lufta kundër varfërisë do të
jetë sfida jonë më e vështirë.
Shqipëria ka aq shumë pasuri dhe mundësi
natyrore, sa shqiptarët mund të jetojnë të gjithë në kamje. Ata duan vetëm
lirinë, vetëm konkurencën e ndershme, që të prodhojnë dhe krijojnë me mundin
dhe aftësinë e tyre.
Ne do t’i hapim tregjet. Do të garantojmë
konkurencën e lirë. Do të krijojmë një mjedis, ku të lulëzojë sipërmarrja
private. Liria ekonomike do të sjellë punë. Liria ekonomike do të sjellë
mirëqenie.
Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”, premton kreu i PD-së, por nuk thotë asnjë fjalë për deklaratat e aleates së tij, Monika Kryemadhi. Në një intervistë televizive mbrëmjes e së martës Kryemadhi tha se “Po të isha si Basha unë futem në zgjedhje me Ramën”. Pra ajo ka dalë nga qëndrimi i PD-së që vazhdon të jetë ai i sloganit “Rama ik” dhe që s’ka zgjedhje me Ramën kryeministër. Duket se opozita është më kaotike se kurrë në qëndrimet dhe në deklaratat e saj.
Pas një periudhe të ngarkuar politike dhe pas samitit
të Poznanit në Poloni, kryeministri Rama ka vendosur të bëj pak pushim duke zgjedhur
që këtë fundjavë ka kalojë me familjen në plazh.
Rama ka postuar një foto që duket se po kënaqet
me Zahon në plazh. Kjo foto në fakt duket si një “sfidë” mes tij dhe presidenti
Meta, i cili ditën e shtunë ka publikuar një foto duke shijuar një pushimin buzë
detit si të donte të tregonte “muskujt” dy ditë para shkarkimit.
“Sfida” e tyre jashtë institucioneve, në fakt do të jetë e shkurtër pasi të hënë, si Meta ashtu dhe Rama kanë një axhendë të “nxehtë” dhe të ngjeshur pune, ku Kuvendi pritet të mblidhet në orën 17:00 për të diskutuar për shkarkimin e presidentit.
Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, që
po merr pjesë në Samitin e Poznanit shprehet se ky samit duhet të përfundojë me
një mesazh të fuqishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë në tetor.
Ai thotë se bashkëpunimi rajonal megjithëse është
i rëndësishëm, nuk e zëvendëson procesin e anëtarësimit në BE.
Duke marrë pjesë në mbledhjen e Ministrave të
Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor me Ministrat e shteteve anëtare të
BE-së, mbështetëse të Procesit të Berlinit, Cakaj kërkon që vendet pjesëmarrëse
të shprehen qartë në mbështetje të hapjes së negociatave me Shqipërinë.
“Platforma e bashkëpunimit rajonal ka dhënë
rezultate konkrete sidomos në fushën e ndërlidhjes, lëvizjes dhe digjitalizimit
deri tani. Sidoqoftë, këtu vlen të nënvizohet se platforma zhvillimore e
bashkëpunimit rajonal, përkundër dobisë madhore të saj, nuk mund të zëvendësojë
procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Samiti i Poznan duhet të
përfundojë me një mesazh të fuqishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë në
tetor”, shkruan Cakaj në Facebook.
Ai thotë se shoqëria civile duhet me doemos të
jetë e përfshirë në strukturat negociuese në rrugën e integrimit evropian.
“Fuqizimi i shoqërisë civile si mekanizëm i
patjetërsueshëm i nxitjes së ndërveprimit rajonal. Nisma sikurse a) RYCO dhe
Fondi i Ballkanit Perëndimor janë duke pasur një ndikim mjaft pozitiv në
procesin e pajtimit ndëretnik në Ballkan; b) marrëveshja për uljen e çmimeve të
shërbimeve të roaming, njohja e diplomave dhe kualifikimeve akademike dhe
mbështetja e nismave të tjera në shërbim të aftësive teknologjike dhe digjitale
do të kenë një efekt të konsiderueshëm në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm
profesional dhe ndërveprimit të thellë doganor në nivel rajonal; c) përfshirja
e shoqërisë civile në strukturat negociatore të interesit nuk është thjesht
vlerë e shtuar por një detyrim themelorë i rrugëtimit evropian”, shkruan Cakaj.
Kryeministri Rama i ka kthyer përgjigje presidentit
Meta dhe akuzave të tij për Reformën në Drejtësi. Rama shkruan të enjten se
presidenti do ta marrë përgjigjen për reformën në drejtësi nga aleanca strategjike
Shqipëri-SHBA-BE, aleancë të cilën Meta e cilësoi të martën si një grup i strukturuar
që ka marrë peng Shqipërinë në përpjekje për të ndërtuar një shtet paralel.
“Sot duhet t’i mësojmë Presidentit të
Republikës se Kuvendi i Shqipërisë është autoriteti më i lartë në këtë vend dhe
kush guxon të pengojë Reformën në Drejtësi, do të marrë përgjigjen frontale të
aleancës strategjike Shqipëri – SHBA – BE”, shkruan Rama të enjten, teksa
publikon fjalën e kreut të grupit parlamentar Taulant Balla në Kuvend. Balla u
shpreh se Meta duhet të lirojë zyrën urgjentisht.
Një ditë më herët, Presidenti Meta publikoi disa reagime që lidheshin me reformën në drejtësi ku akuzonte Ramën për kapjen e saj bashkë me ndërkombëtarët e Euraliusit. Reformën në drejtësi Meta e quan si Ramareforma, një timonier që s’ka frena, ndërsa ndërkombëtarë e Euraliusit i akuzonte për shkelje të kushtetutës dhe kompetencave të presidentit në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. I ndodhur në kushtet ku maxhoranca pritet të votojë në kuvend shkarkimin e tij dhe pa mbështetje ndërkombëtare, presidenti Meta kërkon emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë në prag të ikjes.
Reforma në Drejtësi ka dhënë rezultatet e para me vettingun në gjyqësor, gjë që është përshëndetur nga ndërkombëtarët. Por tani me ngritjen e strukturave të reja, siç janë SPAK dhe BKH do t’i vijë rradha edhe politikanëve. Ndaj dhe është kjo situatë e ndezur politike.
Kryeministri Rama feston të enjten (sot, 4 korrik) 55-vjetorin e lindjes, por në axhendën e tij është parashikuar pjesëmarrja në Konferencën e Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë, ku e pranishme do të jetë kancelarja gjermane Angela Merkel.
Në fakt s’behet fjalë për një festë ditëlindje
por thjesht për një konferencë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, ku roli
i Merkelit ka një rëndësi të veçantë.
Kjo konferencë mbahet dy ditë me radhë të
enjten dhe të premten dhe në të marrin pjesë 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor:
Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e
Veriut, që janë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Konferenca e Ballkanit Perëndimor zhvillohet çdo
vit në një nga shtetet Europiane dhe e ftuara e veçantë është kancelarja
gjermane Angela Merkel e cila është themeluesja nismës diplomatike të njohur si
Procesi i Berlinit.
Konferenca e Ballkanit Perëndimor do t’i shërbejë
Komisionit Europian si ndihmë orientuese për politikat ndaj Ballkanit.
Në një mesazh me video përpara samitit,
kancelarja e përshkroi këtë rrugë jo aq të
lehtë: “Ka ende shumë tensione dhe konflikte që duhen kapërcyer dhe
shumë kushte që duhen plotësuar derisa vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë gati
për të hyrë në BE. Kështu që rruga është ende me pengesa”, tha ajo.
Gjykata e Apelit në Durrës ka ndryshuar masën
e sigurisë për dy kryetarët e degëve të PD-së në Librazhd dhe Përrenjas dhe dy
militantët nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”. 4 protestuesit u
arrestuan pasi goditën eskortën e kryeministrit Rama në tentativë për t’i
bllokuar rrugën për mitingun që kishte programuar në Librazhd.
Më herët gjykata e Durrësit kishte vendosur
burg për protestuesit, ndërsa gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë me
detyrim paraqitje.
Apeli ka lënë të lirë kreun e degës së PD
Librazhd, Bujar Vreto, kryetarin e degës së PD Përrenjas, Arjan Karriqi si dhe
dy protestuesit Bujar Kojku dhe Dash Boja.
Brukseli rrëzoi kërkesën e Holandës për të rikthyer regjimin e vizave për shqiptarët, ndryshe nga deklarata e bërë të martën nga presidenti Meta, i cili tha se BE do të vendosë vizat për shkak të zgjedhjeve të 30 qershorit.
Pas këtij vendimi ka reaguar kryeministri Rama
i cili garanton se vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter,
ndërsa ironizon parashikimet e Metës.
“Ja dhe vizat s’u rikthyen siç predikuan e
trumpetuan lajmësit e qametit që s’ndodhi! Komisioni Europian e refuzoi
kërkesën e qeverisë holandeze dhe e vërteta doli fiks siç ishte kur e thamë e
shumëkush s’e besoi: Vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë
kriter”, shkruan Rama.
Disa herë presidenti Meta, referuar protestave të opozitës, por edhe vendimi të maxhorancës për të zhvilluar zgjedhjet në 30 qershor, në kundërshtim me dekret-çdekretet e tij, ka deklaruar se Shqipëria rrezikon t’i rikthehet regjimi i vizave me BE.
Por Brukseli e hodhi poshtë këtë parashikim të Presidentit. Ndërsa Rama, që deri tani nuk ka kthyer asnjë përgjigje për konferencën e së martës dhe për një sërë sulmesh të presidentit, reagoi pikërisht pas vendimit të Brukselit, duke i vënë përfundimisht vizën presidentit dhe akuzave të tij.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi të martën një takim me drejtues të policisë së shtetit të cilët i vlerësoi për punën e bërë gjatë protestave të opozitës, ndërsa premtoi ndryshime në Kodin Penal të cilat parashikojnë dënime me burg për ata persona që bllokojnë rrugët në mënyrë të paligjshme dhe sulmojnë policinë. Një përgjigje direkte kjo për opozitën dhe protestat e saj të dhunshme ku shpeshherë janë sulmuar policët me molotov e shashka.
“Nga ana tjetër është momenti i finalizimit të
procesit të ligjvënies, me ndryshimet që do t’i bëjmë këtë javë Kodit penal,
sulmi ndaj policit, prekja me dorë do konsiderohen vepra që dënohen me burg dhe
jo me gjobë. Edhe bllokimi i rrugëve nuk do tolerohet më”, tha Rama. Ai bëri të
ditur se gjatë protestave të opozitës janë plagosur 60 efektivë policie, mes
tyre dhe Ina Nuka, policja që për pak desh humbi dorën nga një shashkë. Ajo u mori
sot nga kryeministri yllin e mirënjohjes publike.
“Faleminderit në emrin tim, të qeverisë dhe
çdo qytetari të këtij vendi që sot ndihet i çliruar për zgjedhjet e 30
qershorit, i cili hyri në shtëpitë e shqiptarëve mu në prag të vendimit të
negociatave. Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv policie të pagatitur dhe të
gatshëm për të reaguar. Mirënjohje për 60 policët e lënduar gjatë gjithë kohës
së protestave të dhunshme. Më vjen mirë që mes jush është edhe simboli i
rezistencës, kolegia, mikja juaj dhe mikja ime e cila ra pre e një sulmi. Ina
Nuku reagoi menjëherë ndaj një sulmi që i rrezikoi jetën, por nuk shpëtoi dot
dorën. Sot është dita e duhur për t’i dedikuar Inës dhe të gjitha vajzave që
shërbejnë në policinë e shtetit me akordimin e yllit të mirënjohjes së
kryeministrit të vendit”, tha Rama.
Kryeministri i kërkoi policisë që të nisë punën
për të identifikuar dhe vënë para ligjit çdo person që kryen ndërtime të paligjshme,
veçanërisht përgjatë vijës bregdetare. Rama gjithashtu kërkoi monitorim të rrugëve
dhe moslejimin e automjeteve të vjedhura.
“Automjetet e vjedhura dhe të pa siguruara
duhet të pamundësohen për të qarkulluar në vend. Është e domosdoshme rritja e
nivelit të sjelljes me qytetarët, kush nuk di të sillet duhet të largohen.
Policët duhet të jenë model mirësjelljeje. Kundravajtjet janë arsye për gjobë
por jo për t’u sjellë keq”, tha kryeministri.
Ndërsa Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në
fjalën e tij vlerësoi rolin e Policisë së Shtetit gjatë protestave të opozitës.
“Policia nuk lejoi krijimin e kaosit dhe frymën e një gjendjeje përçarëse në
Shqipëri. Arritën të sigurojnë një nivel optimal të parametrave të sigurisë në
vend”,- tha Lleshaj ndër të tjera.
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur qëndrimin e tij për të bashkëpunuar me opozitën. Rama tha se pavarësisht se bojkoti i zgjedhjeve ishte ‘një vetëvrasje politike për opozitën”, gjërat mund të ndryshojnë në të ardhmen dhe të shihen me optimizëm në funksion të paqes, demokracisë dhe bashkimit të vendit.
“Politika duhet të bëjë punën e saj për të bashkuar vendin. Por sigurisht, tangoja vallëzohet dyshe. Shpresoj që miqtë tanë në opozitë të reflektojnë për këtë dhe të kuptojnë që ajo çfarë bënë ishte një katastrofë për vetë ata” –tha Rama
Të dielën, pas mbylljes së kutive të votimit, Kryeministri Rama, tha në një deklaratë për mediat se është i gatshëm të shtrijë dorën kundrejt opozitës dhe duke e ftuar atë në dialog pa kushte. Rama u shpreh i gatshëm për të bërë marrëveshje me opozitës, e cila ka dalë nga jeta politike me djegien e mandateve, por theksoi se i vetmja gjë për të cilën nuk do të diskutojë është Reforma në Drejtësi. “Mund të diskutojmë për Reformën Zgjedhore, por Reforma në Drejtësi nuk ka asnjë lloj diskutimi. Ajo nuk është më në duart tona, por atë të partnerëve tanë ndërkombëtarë.” Por Kryeministri ndryshe nga sa deklaroi te premten e fundit te Fushatës në Real Story (“nuk do të ndaj më pushtet me Lulin), kësaj radhe tha se nuk do diskutojë (vetëm) Reformën në Drejtësi. A janë të gjitha të tjerat në tavolinë. Deklarata se Presidenti pas Metës mund të mos jetë socialist dhe ftesa e të hënës për tango, ndoshta janë sinjalet se pas verës së nxehtë dhe kur kokat të ftohen, nga shtatori, çdo gjë është e mundur. Por Basha, duhet të reflektojë. Dhe të kapërcejë së pari hallet në Shtëpinë e tij. Halle që paradoksalisht mund t’ia zgjidhe vetëm “armiku” të cilit i kërkon kokën më kot t’ia presë, prej gjashtë muajsh. Siç thonë britanikët: “Nëse nuk e zgjidh dot një problem, puno me të”.
Ose merru me Jozefinën. Ku i dihet? Ndoshta është
problem më i vogël…