Depolitizimi i administratës zgjedhore, Partia Demokratike del kundër rekomandimeve të ODIHR

Partia Demokratike i është përgjigjur propozimit të bashkëkryetarit të komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, i cili mbështeti propozimin e ekspertëve për depolitizimin e administratës zgjedhore. PD është kundër kësaj ideje, duke e argumentuar atë raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit. 

“Edi Rama nuk ka ndërmend të bëjë një reformë zgjedhore që garanton lirinë e votës, por vetëm të tallet me OSBE/ODIHR, me Bundetsgun, me shqiptarët. Ai synon të sanksionojë me ligj standardin e 30 Qershorit, ku administroi i vetëm procesin. Këtë qëllim ka edhe propozimi i PS që administrimin e zgjedhjeve ta bëjnë punonjësit nën varësinë e Edi Ramës. Administrata publike është e pabesueshme për të administruar një proces zgjedhor me standarde europiane. Raporti i ODIHR-it ka provuar se punonjësit e administratës janë nën presion politik, si dhe është bërë e qartë se ajo është e mbushur me militantë të Partisë Socialiste”, shprehet Gazmend Bardhi në përgjigjen drejtuar mediave.

Po çfarë tha Damian Gjiknuri të enjten në konferencë për shtyp?. “Ka ardhur momenti që Shqipëria të ketë një administratë zgjedhore të depolitizuar. Pasi të ketë një proces trajnimi, këta njerëz do të certifikohen. Ata do të zgjidhen me short dhe nuk do të propozohen nga partitë politike. Ne e vlerësojmë këtë proces që duhet thënë se është vizionar dhe përbën një risi që duhet vlerësuar”, tha bashkëkryetari i komisionit të Reformëz Zgjedhore.  Në fakt, nisur nga ky pohim, mjafton t`i referohesh rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, dhe kupton se ajo çka propozojnë ekspertët është as më shumë e as më pak, por ajo që kërkon ODIHR.

“Në përputhje me rekomandimet e mëparshme të ODIHR, në mënyrë që të rritet besimi i publikut në procesi zgjedhor, duhet t’i kushtohet vëmendje formulave alternative për emërimin anëtarët e administratës zgjedhore. Masat efektive duhet të merren për të forcuar më tej metodat e rekrutimit dhe trajnimit të komisionerëve për të siguruar profesionalizmin e tyre. Për të rritur profesionalizmin dhe kapacitetin e komisioneve zgjedhore, KQZ mund të ofrojë trajnime periodike dhe certifikim e komisionerëve të mundshëm, me qëllim me krijimin e një liste me njerëz të kualifikuar”, thotë ODIHR.

Pra, propozimi i ekspertëve për depolitizimin e administratës zgjedhore, mbështetur nga komisioni parlamentar, është i bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR, që thekson se duhet “formula alternative për emërimin e administratës zgjedhore”, duke vijuar më tej me përcaktimin se: “KQZ duhet të ofrojë trajnime periodike dhe certifikimin e komisionerëve”. Ndonëse rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe propozimi i ekspertëve për depolitizimin e administratës zgjedhore janë të qarta, mbetet për t`u shpjeguar ky qëndrim i ri i opozitës kundër depolitizimit të administratës zgjedhore, ndonëse më herët është shprehur se “reforma zgjedhore duhet të bëhet mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR”. /Realstory.al/

PS e prerë: “Zgjedhorja”, vetëm në Komision

Partia Socialiste është e prerë në lidhje me hartimin e Reformës Zgjedhore: ajo do të bëhet nga Komisioni ad-hoc i kësaj reforme. Këtë qëndrim e konfirmoi Taulant Balla, i cili u shpreh se reforma do të bëhet sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndërsa shtoi, se vetëm përmes përfshirjes në Komision do të vijohet puna për mbylljen e kësaj Reforme.

“Keqardhje për qëndrimin vijues destruktiv të Partisë Demokratike ndaj Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, duke dalë hapur kundër detyrave të vendosura nga Bundestagu gjerman. Lidhur me Reformën Zgjedhore, Bundestagu kërkon që “të merret vendim për reformën zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR, sigurimi i nje financimi transparent te partive dhe fushatave zgjedhore si dhe te bazohet në rezultatet e Komisionit ad-hoc të reformës zgjedhore”.

“E qartë kristal: vetëm përmes përfshirjes në Komision duhet të vijojë puna për përmbylljen e kësaj Reforme. Padyshim është i domosdoshëm konsultimi i të gjithë partive politike, por Kodi Zgjedhor do të kalojë përmes Komisionit dhe më pas pa humbur kohë në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo duhet të jetë e qartë për këdo”, është shprehur kreu i grupit të PS.

Në këtë mënyrë, duke i lënë derën e hapur opozitës për të marrë pjesë në komision, Tulant Balla i dërgon një mesazh grupit paralel që opozita ka ngritur për hartimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Këto deklarata, numri dy i Partisë Socialiste i bëri nga qyteti i Elbasanit nga ku prezantoi vendimin e fundit të kryesisë së partisë për bashkëdrejtimin e degëve të PS nga një burrë dhe një grua.

Balla: “Zgjedhorja”, gati në dhjetor

Reforma zgjedhore pritet të miratohet deri në fund të këtij viti, të paktën për sa i përket adresimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Pas kryeministrit Rama, këtë e konfirmoi edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, i cili tha se deri për Krishtlindje, kodi zgjedhor do të jetë miratuar në parlament. Balla tha se miratimi sa më shpejt është i nevojshme si pjesë e 9 kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman. Ai i bëri thirrje edhe opozitës parlamentare se adresimi i ndryshimeve të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në Kodin Zgjedhor duhet të jetë i menjëhershëm.

Brenda dhjetorit të këtij viti ne do të kemi miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Meqenëse në këtë tryezë ka përfaqësues të shumicës por edhe të opozitës parlamentare, unë dua të shpreh nevojën që Shqipëria, brenda dhjetorit të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Këto janë pjesë edhe e detyrave të përcaktuara edhe nga Bundestagu, sepse nuk ka një matricë më të mirë të vlerësimit të progresit të Shqipërisë në rrugën e hapjes së negociatave, se sa vendimi i Bundestagut gjerman. Apeli im, edhe për grupimet e tjera politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë, është që, përtej interesave politike që mund të kemi, adresimi i nevojave të ndryshimit të Kod Zgjedhor të rekomandimeve të ODIHR-it duhet të jetë i menjëhershëm.

Besoj që Krishtlindjet e 2019 dhe marrja e presidencës së OSBE-së nga ana e Shqipërisë, do të na gjejnë me ndryshime të miratuara në Parlament.” – tha Balla gjatë seminarit të organizuar nga OSBE/ODIHR, ku morën pjesë deputet të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. 

Opozita parlamentare, e cila kërkon ndryshim të sistemit zgjedhor, ka deklaruar se diskutimi dhe puna për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it  dhe ato për ndryshimin e sistemit zgjedhor duhet të bëhen në mënyrë paralele, dhe miratimi në Kuvendi i tyre do të bëhet në të njëjtën kohë. Ndërsa mazhoranca deklaron se reforma të diskutohet në dy faza, ku fillimisht të miratohen rekomandimet e ODIHR-it dhe më pas sistemi zgjedhor, pasi ai kërkon më shumë kohë.

Reforma Zgjedhore, Rama: E mbyllim para vitit të ri

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për Shqipërinë europiane, duke kryer kushtet e vendosura nga Bunestagu”, ishte një nga gjërat që tha Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp pasditen e të premtes. Këtë pohim, Rama e përforcoi dhe më tej gjatë konferencë, kur deklaroi se brenda këtij viti do të dërgohet për votim në Kuvend, Reforma Zgjedhore, një nga kushtet e Bundestagut.

Europa, i kujt është faji?

“Reformën zgjedhore do ta mbarojmë përpara vitit të ri në parlament sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Pas vitit të ri jemi gati të diskutojmë për temat e tjera të reformës, pasi do ta bëjmë me dy shkallë. Në shkallën e parë do të merremi vetëm me rekomandimet e OSBE-se dhe do ta kemi shënuar si të kryer një kërkesë të Bundestagut që prapë i vlen Shqipërisë, sistemit tonë zgjedhor, sepse nuk do të ketë më komision me parti politike. Duan apo nuk duan ata që kërkojnë përgjegjësi nga unë përse nuk funksionon BE-ja” tha ai.

Miratimi i Reformës Zgjedhore, ishte një nga tre kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për uljen në tryezën e diskutimit të kapitujve, në rast se Shqipëria do të merrte një vendim pozitiv nga të gjitha vendet anëtare të BE-së për negociatat në 18 tetor. Megjithatë, Rama u shpreh se pavarësisht mungesës së pasjes së një vendimi për negociatat, Shqipëria do të vijojë të përmbushë kushtet e vendosura nga Bundestagu në muajin shtator, për Shqipërinë europiane.

“Ndërhyrjet në reformë rekord”, Vasjari: Zgjedhorja nuk zgjidh krizën

Analisti Arjan Vasjari tha se nuk e shikon Reformën Zgjedhore si një zgjidhje të krizës në vend, pasi për të problemi nuk qëndron te pushteti, por te sistemi. Vasjari tha se Shqipëria ka një shifër rekord për ndërhyrjet në reformën zgjedhore dhe deri më sot vijon të ketë probleme dhe të mos gjejë zgjidhje. Për këtë arsye, Vasjari thekson se kriza nuk është e pushtetit, por është e sistemit.

Zgjidhja e krizës nuk është reformë zgjedhore siç tha Basha, unë se besoj. Pse? Në 27 vite kemi ndërhyrë 13 herë në reformën zgjedhore. Deri sa vijojmë të jemi ende në këtë gjendje atëherë nuk mund të besoj se ky ndryshim i ri do të zgjedh zgjidhjen që presim. Nëse vazhdojmë të bazohemi tek vullneti politik atëherë kemi një sistem zgjedhjesh që ikën njëri, vjen tjetri dhe nuk ndryshon asgjë. Në këtë rast dalim në përfundimin se nuk kemi krizë pushteti këtu, por jemi në një krizë sistemi.” tha Vasjari

Në lidhje me negociatat, Vasjari theksoi se hapja e tyre “ është oksigjeni që nuk do zgjidh probleme në themel, por do imponojë klasën politike të zbatojë rregullat. Ndërsa marrja e një “jo” do të ishte deprimuese për vendin” / Real Story

Analiza në Real Story: S’ka “zgjedhore’ të suksesshme pa drejtësi të pavarur

Reforma Zgjedhore dhe ndryshimi i sistemi elektoral kanë qenë pjesë e diskutimeve në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24. Dy nga problematikat që vihen re aktualisht në reformën zgjedhore në Shqipëri janë mungesa e një drejtësie të pavarur dhe mungesa e një vullneti të mirë politik për të vendosur interesat e Shqipërisë mbi ato partiak e personal.

Të ftuarit në panelin e diskutimit Krista Kume, Arben Ristani, Ilirjan Celibashi dhe Roland Lami mbajtën të njëjtin qëndrim duke deklaruar se shqiptarët duhet të zgjedhin sistemin që përshtatet më mirë në vendin e tyre dhe situatën ku ndodhet Shqipëria. Ata theksuan se të gjithë sistemet elektorale janë demokratike në thelbin e tyre, por të shoqëruar me problematika, në bazë të të cilave duhet të vendoset se cila është më e përshtatshme për vendin tonë.

Gjithashtu një pjesë të mirë të diskutimit e pati edhe punimi paralelisht si me Reformën Zgjedhore ashtu edhe me atë në Drejtësi për krijimin një baze të fortë ligjore, të zbatueshme në mënyrë që dobësitë apo të këqijat e një sistemi zgjedhor të marrin përgjigje përmes drejtësisë dhe gjykatave të pavarura të vendit. Edhe sikur të arrihet një sistem dhe një Reformë Zgjedhore e mirë dhe e plotësuar, ajo nuk mund të parandalojë problemet e shitblerjes së votës po nuk pati një zbatim të drejtë dhe të pavarur të ligjit.

Për Arben Ristanin nuk mund të ketë një reformë zgjedhore funksionale nëse nuk ka një drejtësi të fortë dhe të pavarur. “Na duhet një drejtësi  e pavarur që të funksionojë reforma zgjedhore në këtë vend. Nëse ti ke probleme me zbatimin e ligjit atëherë nuk ta ka fajin më sistemi apo reforma zgjedhore. Pra duhet të ketë një vullnet të mirë nga të gjitha palët. Të kesh një vullnet të mirë politik do të thotë të kesh Shqipërinë mbi interesat personal dhe ato partiak. Kur ka vullnet të mirë politik, zgjedhjet bëhen edhe me një letër dhe një laps. Prandaj duhet të ecet paralelisht si me reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi.”

Ndërsa ish kryetari i KQZ-së Ilirja Celibashi bëri një krahasim se kush do të ishte një sistem i duhur për Shqipërinë. Ai tha se një vend si Shqipëria ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme dhe një përfaqësim dhe këtë e ofron sistemi proporcional rajonal me lista të hapura. “Për një vend si Shqipëria ku është në fazë të zhvillimit të reformave kërkon një qeveri të qëndrueshme dhe në këtë drejtim na duhet një sistem mazhoritar. Por duhet të ketë dhe një përfaqësim dhe për këtë , një sistem që i përfshinë të dyja është sistem proporcional rajonal me lista të hapura.” tha Celibashi i cili shtoi se një qeveri e dobët është e pritur për të bërë pazare.

Kristaq Kume theksoi rëndësinë e respektimi të ligjit në mënyrë që të kemi një reformë zgjedhore të mirë. Kume i vë fajin “ngrehinës legjislative” që është ndërtuar që shkakton kaq shumë parregullsi dhe devijime. “Ne kemi devijuar nga dy parime bazë të funksionimit të demokracisë. Domosdo duhet kultura e zbatimit të ligjit, e respektimit të ligjit. Duhet të ndërhyjmë brenda shtratit ligjor, të bëjmë reformën zgjedhore sa më mirë. Mënyra se si ne e kemi ndërtuar të gjithë “ngrehinën legjislative” është e tillë që ka krijuar kushte që ne të devijojmë. Qytetari duhet të zgjedhë se kush janë njerëzit që ai dëshiron të jenë përfaqësuesit e tij politik. Ideja është që të ndërtojmë një sistem që të eliminojmë sa më shumë parregullsitë që mund të krijohen.” tha Kume / Real Story

Borchardt: Ndryshimi i sistemit do kohë, në fillim rekomandimet

Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt tha se nëse do të bëhet një ndryshim i sistemi zgjedhor në Shqipëri, ashtu siç po kërkohet nga opozita parlamentare, atëherë është kusht i OSBE dhe Këshillit të Europës, që kjo të bëhet një vit para mbajtjes së zgjedhje. Sipas Borchardt ky kusht është vendosur në mënyrë që qytetarët të kenë kohë të informohet siç duhet në lidhje me sistemin e ri elektoral. Ambasadori i OSBE-së tha se komisioni mund të punojë paralelisht për të dy çështjet, për rekomandimet dhe për ndryshimin e sistemit, ndërsa kërkoi që rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për Reformën Zgjedhore të gjejnë zbatim ose të paktën të dakordësohet deri në fund të viti.

Debati për ndryshimin e sistemit zgjedhor  ky ka dy anë. Nga njëra anë, kemi rregullat e përgjithshme. Rregulli i përgjithshëm, që është një rekomandim i fortë nga ne dhe nga Këshilli i Evropës, është që, nëse ndryshohet sistemi, kjo të ndodhë të paktën një vit përpara zgjedhjeve, në mënyrë që njerëzit të informohen si duhet. Nga ana tjetër kemi pyetjen: çfarë lloj sistemi zgjedhor? Ne nuk bëjmë rekomandime. Ekzistojnë shumë sisteme të ndryshme, që të gjitha legjitime dhe që mund të funksionojnë, por vetëm shqiptarët mund të vendosin se cili është sistemi më i mirë për vendin. Nëse ju, shqiptarët, me politikanët dhe deputetët tuaj, vendosni me shumicë se cilin sistem doni, ajo që mund të bëjmë ne është t’ju vëmë në dukje aspektet teknike të atij sistemi që duhen pasur parasysh. Ky do të ishte roli ynë në këtë kontekst.” tha Borchardt për Zërin e Amerikës.

Ambasadori shtoi se për rekomandimet e OSBE mund të gjejnë dakordësi deri në fund të viti, ndërsa për ndryshimin e sistemit zgjedhor duhet një kohë më e gjatë. Borchardt shtoi se sistemi elektoral i ri është ende në fazat e hershme të diskutimit dhe tryeza e organizuar prej OSBE kishte pikërisht këtë qëllim diskutimi.

Besoj se nëse ka vullnet politik, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it mund të zbatohen apo të paktën, të hartohen dhe të dakordësohen në komisionin e posaçëm, deri në fund të vitit. Vitin e kaluar u bë shumë punë dhe nëse kjo punë merret për bazë, është e mundur të arrihet kjo gjë. Debati për rishikimin e sistemit zgjedhor filloi në fund të shtatorit. Mendoj se, për të, do të duhet më shumë kohë. Pra, do të ishte sfidë e madhe të përmbyllet deri në fund të vitit. Ky diskutim është ende në fazë mjaft të hershme. Tryeza, që organizuam në fund të shtatorit, kishte pikërisht të bënte me këtë diskutim, me këto elemente.” tha Borchardt

Në lidhje me propozimin e PD-së për ngritjen e një strukture të re pa opozitën parlamentare, Borchardt tha se nuk është e rëndësishme se ku dhe si diskutohen idetë për ndryshimin dhe përmirësimin e Reformës Zgjedhore, por miratimi dhe vendimet merren brenda kornizës kushtetuese me shumicë të cilësuar në Parlament.

“Komisioni i posaçëm i ka bërë ftesë Partisë Demokratike, por nëse ata nuk duan të marrin pjesë në komision, unë do t’i nxitja të jepnin kontributin e tyre në diskutime. Nëse Partia Demokratike dëshiron ta bëjë këtë në një format tjetër dhe të pasurojë diskutimet – dhe unë e di që ata kanë ekspertë të shkëlqyer – ne do të ishim të gatshëm t’i ndihmonim. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë një kornizë për këto diskutime. Por vendimi merret nga Shqipëria dhe vendimet merren brenda kornizës kushtetuese. Sa i takon vendimmarrjes, kushtetuta e Shqipërisë e përcakton shumë qartë: duhet shumicë e cilësuar në parlament. Se si mund të diskutohen këto vendime përpara se të merren, kjo është çështje tjetër.” u shpreh ambasadori i OSBE

Në lidhje me akuzat e shitblerjes së votës, Borchardt i bëri thirrje prokurorisë të hetojë rastet dhe të bëj më shumë përpjekje me dënimet në këtë drejtim. “Pas zgjedhjeve të 2017-s, pati rreth 400 akuza për blerje vote. Policia dërgoi rreth njëqind në prokurori dhe, në raportin e fundit të prokurorisë, thuhej që katër hetime vazhdonin. Kjo është shumë pak. Unë e nxis prokurorinë të punojë shumë intensivisht për të gjitha shkeljet, qofshin presion i paligjshëm ndaj zgjedhësve, qofshin shitblerje të votës apo shkelje të tjera.”

Lexoni intervistën e plotë këtu.

Reforma zgjedhore, Gjiknuri: Nuk ka propozime nga PD

Jashtë ambienteve të komisionit për Reformën Zgjedhore, kryetari i saj Damian Gjiknuri tha se nuk ka marrë asnjë propozim nga partia Demokratike.

‘PD nuk ka sjellë propozime për komisionin e reformës zgjedhore’ tha Gjiknuri për mediat, ndërsa hyri në sallë ku mbahet mbledhja pwr “Zgjedhoren”, të cilin e drejton së bashku me deputeten e opozitës Rudina Hajdari.

Të mërkurën PD-së ju bë sërish ftesë për të marrë pjesën në komisionin e reformën zgjedhore, por ajo refuzoi me arsyetimin e i qëndron 5 pikave të paraqitura për shumicën gjatë tryezës së dialogut të organizuar nga OSBE.

Në një nga pikat e platformës së PD, është dhe reforma Zgjedhore për të cilën kërkon ngritjen e një strukture të posaçme për diskutime të përbërë nga PS,PD, OSBE dhe BE duke lënë jashtë opozitën parlamentare, të cilën e konsideron ilegjitime.

Kjo kërkesë u refuzua si nga kryeministri Rama, i cili tha se “nuk pranon përkthyes për të folur shqip,’ ashtu edhe nga OSBE dhe BE që deklaruar se ato nuk kanë të drejtë qeverisëse dhe këto janë çështje të brendshme të shtetit.

Pavarësisht kësaj shumica por edhe opozita parlamentare i kanë bërë thirrje PD që të marrë pjesë në dialog për të diskutuar për Reformën Zgjedhore.

Reforma zgjedhore, BE “i jep duart” PD për strukturën e posaçme

Bashkimi Europian ka hedhur poshtë kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një strukturë të posaçme jashtë parlamentit për diskutimin e reformës zgjedhore me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve. Zëdhënësja e BE, Maja Koçiajançiç është shprehur se kjo çështje nuk i takon BE-së, por palëve politike në vend. Për Koçiajançiç, e vetmja zgjidhje për ecjen përpara me reformën zgjedhore, është që palët politike të zhvillojnë një dialog gjithëpërfshirës dhe konstruktiv.

Nuk i takon Bashkimit Europian që të përcaktojë ose të bëjë komente mbi strukturën që duhet të përdoret për të lehtësuar konsultimet dhe më tej reformën zgjedhore. BE rithekson nevojën që të gjithë aktorët politikë të demonstrojnë gatishmëri të vërtetë për të kontribuar, përmes dialogut konstruktiv dhe të avancojnë punën për reformën zgjedhore” tha Koçiajançiç për A2 CNN.

Ngritja e një strukture të posaçme u hodh si ide e PD përmes përfaqësuesit të saj Ivi Kaso në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore të organizuar nga OSBE. Kjo strukturë sipas PD kërkon pjesëmarrjen e PS, PD dhe ndërkombëtareve (OSBE, BE dhe SHBA) për të diskutuar për reformën zgjedhore, por pa praninë e opozitës parlamentare.

Kjo kërkesë u hodh poshtë nga OSBE e para, përmes ambasadorit Broschard, i cili u shpreh i zhgënjyer dhe tha se OSBE nuk mund të qeveris vendin, ndërsa pak orë më vonë edhe nga kryeministrit Rama gjatë një interviste në New York, i cili tha se nuk ka nevojë për “përkthyes për të diskutuar për reformën zgjedhore”. Duket se dhe BE është në të njëjtë linjë ku deklaron se kjo çështje është e brendshme dhe nuk i takon asaj, por palëve politike.

Nga kërkesa e PD për ngritjen e strukturës së posaçme, solli edhe reagimin e ashpër të opozitës parlamentare e cila bojkotoi tryezën për disa orë. Opozita parlamentare është një faktor i rëndësishëm në miratimin e ndryshimeve në Kuvend të reformës zgjedhore dhe duket se ato janë të vendosur të kërkojnë një ndryshim të sistemit elektoral dhe një reformë e bërë me “arna” apo “makijazhe”, deklaratë të cilin e bënë të qartë dhe nga studio e emisionit Real Story.

OSBE: Tregoni përgjegjshmëri për “Zgjedhoren”

“Reforma Zgjedhore duhet të vijojë me dialogun gjithëpërfshirës” ka deklaruar Asambleja e Përgjithshme e OSBE, e cila ka përshëndetur tryezën e dialogut të 25 shtatorit. OSBE përmes një mesazhi të shkurtër i bën thirrje politikës dhe në veçanti opozitës jashtëparlamentare, që u largua nga tryeza e dialogut, të tregojnë përgjegjshmëri dhe të angazhohen në diskutimet për reformën zgjedhore. Tryeza e dialogut gjithëpërfshirës për Reformën Zgjedhore të organizuar nga OSBE, ishte hapi i parë që i uli të gjitha palët politike,(pozitë, opozitë parlamentare dhe atë jashtë parlamentare) në një vend për të diskutuar në lidhje me reformën. OSBE deklaroi se palët duhet të vijojnë angazhimin në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme sipas rekomandimeve të dhëna.

I nxitim të gjitha palët në Shqipëri të vijojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.  Përshëndesim tryezën e së mërkurës të mundësuar nga  @OSCEinAlbania” shkruan në tëitter prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Tryeza, edhe pse pasoi me largimin nga tavolina të PD dhe opozitës parlamentare, ishte hapi i parë për fillimin e diskutimit për të gjitha palët. PD, përmes përfaqësuesit të saj Ivi Kaso, kërkoi ngritjen e një strukture të posaçme jashtë parlamentit që do të përbëhej nga PS, PD dhe ndërkombëtarët OSEB, BE dhe SHBA, por pa praninë e opozitës parlamentare. Kjo gjë u kundërshtua si nga OSBE, opozita parlamentare dhe kryeministri Rama.

Ambasadori Borchardt tha se OSBE nuk e qeveris ne këtë vend, që të marrim në dorë reformën, por e mbështet atë. Edhe kryeministri Rama gjatë një interviste nga New York tha se “nuk pranon përkthyes për të folur shqip”. Kjo kërkesë e PD, solli irritimin edhe të opozitës parlamentare, e cila në shenjë proteste u largua për disa orë nga tryeza duke e braktisur atë.

Skip to toolbar