Rama vlerëson Roth: Të mbështetemi në fakte për të vendosur për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar qëndrimin e ministrit gjerman për Europën, Michael Roth, i cili shkruan në twitter se Evropa duhet të mbështetet në fakte për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë, si dhe t’i shqyrtojë faktet me ndershmëri.

“Ministri i Shtetit për Europën i Gjermanisë, Michael Roth:

Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ne duhet të mbeshtetemi në fakte dhe në ndershmëri. BE dhe Gjermania kanë shumë për të humbur”, shkruan Rama në facebook ndërsa poston foton e Roth në twitter.

Ministri gjerman Roth është pro çeljes që në qershor të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së. Ai është shprehur së fundmi se Shqipëria i ka qëndruar zotimit për të bërë progres në reformat e kërkuara, tani është radha e BE-së të mbajë fjalën.  

Ministri i Shtetit për Europën i Gjermanisë, Michael Roth: Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ne duhet të mbeshtetemi në fakte dhe në ndershmëri. BE dhe Gjermania kanë shumë për të humbur.

Gepostet von Edi Rama am Samstag, 1. Juni 2019

Verdikti gjerman: opozitë e papërgjegjshme, por s’ errëson arritjet e Shqipërisë

Në një koment për gazetën gjermane, Frankfurter Allgemeine, ministri gjerman e Shtetit për Evropën, Michael Roth është shprehur se papërgjegjshmëria e opozitës nuk duhet të errësojë progresin e vendit.

Roth ka vlerësuar veçanërisht reformën në Drejtësi, ndërsa ka kritikuar opozitën për sjelljen e saj. Sipas Roth opozita në vend që të konkurrojë me ide dhe alternativa në Kuvend, prodhon pamje dramatike.

“Në Shqipëri gjendja, në pamje të parë, duket më e komplikuar. Kjo lidhet para së gjithash me faktin që opozita ia del gjithnjë të prodhojë pamje dramatike – në vend që  të matet në mënyrë konstruktive me qeverinë në kontekstin e një konkurrimi politik idesh në parlament, të cilin aktualisht e ka bojkotuar. Por kjo politikë e papërgjegjshme obstruksioniste nuk duhet të errësojë gjithë sa vendi ka arritur.  Në kuadër të reformës në drejtësi, përmes një procesi deri më tani unik në mbarë botën – shoqëruar nga ekspertë evropianë – është duke u verifikuar integriteti i të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve. Rreth dy të tretat e subjekteve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të verifikuar deri më tani nuk e kanë kaluar me sukses këtë test. Ata janë larguar në mënyrë konsekuente nga postet e tyre, të cilat janë duke u plotësuar hap pas hapi. Organet shqiptare të sigurisë – policia dhe strukturat e mbrojtjes së kufirit – bashkëpunojnë shumë ngushtë dhe mirë me autoritetet  gjermane, austriake dhe italiane, e që prej pak kohësh edhe me Agjencinë e BE-së për Mbrojtjen e Kufirit FRONTEX. Shqipëria ka bërë një pjesë të mirë të rrugës në udhëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian; veç të tjerash ajo është  anëtare e NATO-s që prej vitit 2009”, është shprehur Roth i cili bën apel që Shqipëria të nisë sa më parë negociatat për anëtarësim në BE.

“Stabilizimi dhe përfshirja e rajonit është në interesin evropian, e para së gjithash në atë gjerman. Në fund të ditës Ballkani Perëndimor është atriumi i shtëpisë evropiane. Situata e këtyre vendeve, që shtrihen në mes të Evropës, rrethuar plotësisht nga shtete të BE-së, na prek drejt për së drejti. Nëse BE i kthen shpinën këtij rajoni, do të vinte në rrezik zhvillimet pozitive dhe do t’ua linte fushën aktorëve të tjerë si Rusia, Kina apo Turqia. Dhe që Bashkimi evropian të humbë ndikim në mënyrë të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, kjo nuk mund të jetë në interesin tonë.  Suksesi në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian përcaktohet para së gjithash prej faktit, nëse ne do të mund të paqëstojmë, stabilizojmë dhe demokratizojmë Evropën në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë qëllim duhet të veprojmë duke vështruar para, me urtësi dhe kurajo”, shprehet Roth.

Gjermania, shuplakë opozitës: Po bën politikë bllokuese

Qeveria gjermane i quan të papranueshme, jo vetëm protestat e dhunshme të opozitës, por edhe djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të 31 qershorit.

Ministri i Shtetit për Evropën, Michal Roth ka dhënë një intervistë për gazetën “Der Spiegel”, ku ka folur për situatën në Ballkan dhe politikën në Shqipëri.

“Protestat janë një çështje e pranueshme sigurisht në një demokraci. Por, dhuna dhe urrejtja, bojkotimi i zgjedhjeve dhe largimi i opozitës nga parlamenti janë absolutisht të papranueshme. Shqiperia ka bërë një rrugë të gjatë për në BE. Opozita po rrezikon njohjen e këtyre arritjeve me politikën e saj penguese”, është shprehur Roth.

Ndërkombëtarët prej kohësh i kanë bërë thirrje opozitës shqiptare që të heqë dorë nga protestat e dhunshme dhe të gjejë gjuhën e dialogut.

Skip to toolbar