100 vjet nga Kongresi i Lushnjës. Politika vlerëson aktet e patriotëve

AKTUALITET


Më 21 janar të vitit 1920, kur Fuqitë e Madha, (forcat fituese të Luftës së Parë Botërore) ishin duke diskutuar në Konferencën e Paqes në Paris, dhe ku rreziku për copëtimin e Shqipërisë ishte prezent, dhjetëra delegatë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën në Lushnje. Vendimi kryesor i këtij kongresi ishte mbrojtja e trojeve shqiptare, nga idea e hedhur në tryezën e Fuqive të Mëdha, për copëtimin e tyre, por njëkohësisht edhe krijimin e institucioneve qeverisëse të shtetit shqiptar, një ndër to dhe parlamenti. Këtë 21 janar, bëhen plotë 100 vjet nga dita e hapjes së punimeve të Kongresit të Lushnjës, punime që zgjatën deri në 31 janar të vitit 1920. Në kujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme historike të shtetit shqiptar, në Tiranë u mbajt konferenca shkencore kushtuar 100-vjetorit të themelimit të parlamentarizmit shqiptar. Kreu aktual i Kuvendit, Gramoz Ruçi shprehu mirënjohjen e të gjithë paralamentarëve që kontribuan për mbrojtjen e vendit, e njëkohësisht shprehu mirënjohjen ndaj ish-presidentit të SHBA, Udro Uillson, që ndali projektin e copëtimit të kombeve të vogla.

 “Në përfundim të  Luftës së Parë Botëtore, tre nga gjashtë Fuqitë e Mëdha evropiane, vendosën të  ricoptonin Shqipërinë. Kombi shqiptar u ndodh në një nga udhëkryqet më të vështira të ekzistencës së tij. Kishte ardhur ora e rizgjimit, e mobilizimit të energjive për shpëtim kombëtar. Kësaj thirrjeje iu përgjigj pararoja e ndërgjegjes kombëtare, burrat prijës atdhetarë. Këta burra, në 21 janar 1920, u mblodhën në Kuvendin Kombëtar të Lushnjës dhe morën vendime të mëdha historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trungut kombëtar.  Ata përsosën dhe plotësuan vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ringritën institucionet përfaqësuese e qeverisëse të shtetit dhe u dërguan kancelarive evropiane dhe ShBA mesazhin se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të qënë të lirë e të pavarur.  Por ishte vetëm zëri shpëtimtar i Presidentit Udro Uillson që ndali projektin famëkeq evropian për coptimin e Shqipërisë”, tha Ruçi.


Në fund, Gramoz Ruçi u shpreh se parlamenti aktual, ka si prioritet punën për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa shtoi se kryesimi i OSBE nga vendi jonë është sfidë dhe nder. “Në këtë 100 vjetor të parlamentarizmit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të sotëm të Shqipërisë për veprimtarinë dhe kontributin e të gjithë parlamentarëve shqiptarë në zhvillimin, përparimin e demokratizimin  e Shqipërisë.  Kuvendi i Shqipërisë do vazhdojë të punojë me përkushtim për të afruar sa më shpejtë të jetë e mundur hapjen e negociatave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Një detyrë tepër të rëndësishme ka Kuvendi ynë gjatë vitit që sapo nisi. Shqipëria sapo ka marrë Kryesinë e rradhës të OSBE për vitin 2020. Kjo përgjegjësi është një nder, por edhe një sfidë e madhe.”, nënvizoi Gramoz Ruçi.

100 vjetorin e Kongresit të Lushnjës e përshëndeti dhe kryedemokrati Lulzim Basha. Duke vlerësuar kontributin e patriotëve shqiptarë për mbrojtjen e interesave të vendit, Basha tha se Kongresi i Lushnjës është leksion për politikanët e sotëm. “Ata burra e gra që u angazhuan për mbajtjen e Kongresit të Lushnjes meritojnë një vend të përjetshëm në historinë e Shqipërisë. Kontributi i tyre është sot e gjithë ditën një leksion që duhet përsëritur vazhdimisht, në mënyrë që çdo shqiptar, qytetar i thjeshtë, aktivist, politikan a klerik të mos i humbasë prioritetet e veta.  Në fillim është kombi dhe mbrothësia e tij, më pas vijnë individët dhe karrierat e tyre. Respekti për qytetarin, për të drejtat dhe interesat e tij dhe përpjekja për të mbrojtur ligjet që sanksionojnë dinjitetin e tij janë detyrime të përhershme që na vijnë nga Kongresi i Lushnjes”, tha Basha.




Skip to toolbar