Partia Demokratike ka shpërndarë një deklaratë të degës lokale në Shkodër,
ku reagon në lidhje me dorëheqjen masive të drejtuesve të institucioneve në
Shkodër, pas urdhrit të kryeministrit Rama. Sipas PD, dorëheqja masive e
drejtuesve të institucioneve rajonale është antiligjore, ndërsa sipas Selisë
Blu, me këtë veprim, Rama po e lë Shkodrën në dorën e Tom Doshit.
“Edi Rama, kryetari i sektit të Rilindjes, orët e fundit po imponon një
proces tërësisht antiligjor, diskriminues dhe në gjurmët e etërve të tij
biologjikë e politikë. Edi Rama po vendos PS Shkodër, në administrimin e Tom
Doshit, personit i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por fillimisht, po i spastron “fushën” duke i lënë në dorë të gjitha drejtoritë
rajonale në Shkodër. Me një urdhër të paprecedent në historinë edhe të vendeve
më të prapambetura të Afrikës, Edi Rama ka nisur instalimin e partisë – shtet
duke filluar nga Shkodra, ekzaktësisht siç bënë komunistët në 1945” shkruan PD.
Sipas Partisë Demokratike, largimi masiv i drejtuesve të institucioneve
është në shkelje të Kushtetutës, Statusit të Nëpunësit Civil dhe Kodit të Punës, ndërsa e cilëson këtë lëvizje, si zëvendësimin
e ‘një bande me një tjtetër’. “Urdhri
për dorëheqje në bllok të të gjithë drejtorëve rajonalë në Qarkun e Shkodrës,
është totalisht antiligjor dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Statusit të
Nëpunësit Civil dhe Kodit të Punës. Me një urdhër të tillë, Rama po zëvendëson
njërën bandë me një bandë tjetër. Pasi
të lirohen postet e drejtorëve, do të jetë “mëkëmbësi” i Edi Ramës në Shkodër,
Tom Doshi, që do të emërojë drejtorët e rinj rajonal, në koordinim të plotë me
kreun e bandës së Rilindjes, kryeministrin e fatkeqësisë kombëtare”, shkruan PD
në deklaratën shpërndarë mediave.
Më tej, konfuzioni i Partisë Demokratike, të cilët i kategorizon
drejtuesit e dorëhequr të institucioneve në Shkodër, si ‘bandë’, shkon dhe më
tej, duke u shprehur se ‘dorëheqjet e detyruara me urdhër partie, është mungesë
dinjiteti”. “Bindja e verbër ndaj urdhrave antiligjorë, për ndëshkime kolektive
përmes dorëheqjeve të detyruara me urdhër partie, është mungesë dinjiteti,
pranim i tutelës partiake në vend të zbatimit të ligjit, nënshtrim ndaj një
individi psikopatik. Një lëvizje e tillë e Edi Ramës, bëhet edhe për ti hedhur
“hi syve” shkodranëve. Është një përpjekje e dështuar për të tërhequr vëmendjen
nga skandali i Shkodrës, ku me 30 qershor kandidoi një të inkriminuar, ashtu
siç bëri me Vorën dhe me bashki të tjera që do të evidentohen në ditët në vijim”,
shkruan PD.
Në fund Partia Demokratike shprehet se ‘Shkodra e Shqipëria kanë një
arsye më shumë për tu angazhuar në largimin një orë e më parë të Edi Ramës
kësaj fatkeqësie kombëtare që nuk ndalet duke krijuar probleme për shkodranët e
shqiptarët. Të gjithë bashkë, pa dallime partiake kemi detyrë para të sotmes
dhe të ardhmes, të ngrihemi e ta shporrim një sahat e më parë! Rama ik”, përfundon
deklarata e degës së PD në Shkodër.