Gati ngritja e SPAK, dhjetë prokurorë kalojnë Vettingun

Prokuroria Speciale për luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po shkon drejt krijimit të saj. Ngërçi kryesor, Vettingu i kandidatëve të kësaj strukture që krijohet nga Reforma në Drejtësi, tashmë është drejt zgjidhjes përfundimtare. Dhjetë nga pesëmbëdhjetë prokrurorët që nevojiten për krijimin e SPAK, tashmë kanë kaluar Vettingun. Ata janë; Enkelejda Millonai, Manjola Kajan, Arben Kraja, Bensik Muçi, Edvin Kondilli, Ened Nakuçi, Behar Dibra, Donika Prela, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara. Praktikisht, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që ky organ, shumë i rëndësishëm dhe jetik për vendin, të jetë funksional me 15 anëtar.

Megjithatë, duke parë rëndësinë që ka për ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi ka kërkuar që kjo strukturë të jetë funksionale dhe me dhjetë anëtar. Pra, aktualisht dhjetë prokurorët që nevojiten për krijimin e SPAK kanë kaluar Vettingun, si e vetmja pengesë kryesore. Pra, në këtë mënyrë Prokuroria e Posaçme mund të krijohet pasi është numri i nevojshëm për të ngritur këtë strukturë dhe për ta bërë funksionale. Madje, në rregulloren për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, në Nenin 17 pika 5,  caktohet se “Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme, Këshilli mund të rihapë thirrjen për aplikime në rast se ka nevojë për më tepër anëtarë”.

Në këto kushte, krijimi i Prokurorisë së Posaçme do të ishte hapi më i rëndësishëm i zbatimit të Reformës së Drejtësi. Kjo strukturë do të ketë detyrën të hetojë dhe vërë para drejtësisë të gjithë personat, përfshirë funksionarët publikë  dhe zyrtarët e lartë, që kanë abuzuar me detyrën dhe që janë përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Ndaj, krijimi i SPAK do të duhet të shoqërohet edhe me rezultate konkrete dhe të shpejta, të cilat do të ishin një faktor vendimtar për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Be në tetor. Për këtë arsye, brenda verës, kjo strukturë pritet të jetë funksionale, dhe në fillim të vjeshtës puna e saj pritet të japë frytet e para.

Nisur nga këto kushte, ngritja e SPAK do të zgjidh edhe dilemën e zanafillës së krizës politike në vendin tonë. Arsyet pse ajo nisi, kush e nisi, dhe pse politika i trembet drejtësisë. Shqipëria është në rrugën pa kthim drejt Bashkimit Europian, dhe kjo rrugë ndonëse me vonesë, duket se ka të njëjtën trajektore si Kroacia, e cila vetëm disa vite më parë dënoi deri dhe ish-kryeministrin Sanader, duke marrë si shpërblim integrimin në BE. Ndaj, në këtë pikë, edhe për Shqipërinë duket se po afron kjo ditë, SPAK, a do të jetë çelsi që do të hap dyert e BE për Shqiprinë?

Gjonaj: SPAK ngrihet brenda vitit

Ministrja e Drejtësisë,  Etilda Gjonaj ka treguar se kur do të ngrihet Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), që do të jetë pjesë e drejtësisë dhe do të hetojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeverisje.

E pyetur nga gazetari i DW për një afat kohor të ngritjes së SPAK, Gjonaj tha se “Besoj se deri në fund të këtij viti do të kemi SPAK. Shpresoj që kjo të ndodh edhe më herët që të kemi SPAK funksional dhe në veprim.”

Reforma në drejtësi është një reformë e thellë për të luftuar korrupsioni dhe krimin e organizuar në nivele të larta qeverisje. Ajo ka qenë një nga pikat kyçe për t’u plotësuar për integrimin si dhe është vlerësuar shumë edhe nga ndërkombëtarët. Ambasadori i BE, Luigi Soreca e ka cilësuar si “një reformë të pashembullt të reformimit të gjyqësorit në Shqipëri, që nuk është parë në Europë e në botë.”

Aktualisht shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë në proces vettingu për të parë nëse i përmbushin 3 kriteret e kalimit të tij, përkatësisht justifikimin e  pasurisë, pastërtia e figurës dhe aftësia personale.

Kalon vettingun prokurori i dosjes “Shullazi” dhe “Balili”

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda Ened Nakuçi, i cili njihet edhe si prokurori i dy dosjeve “Shullazi” dhe “Balili”

KPK zhvilloi  seancën dëgjimore më datë 06.06.2019, ndërsa ditën e premte vendosi konfirmimin e tij si prokuror në Prokurorinë pranë Krimeve të Rënda, i cili është edhe kandidat për SPAK.

Gjatë seancës së tij dëgjimore ka pasur shqetësime në lidhje me justifikimin e pasurisë dhe largimi pa njoftuar nga dosja “Shullazi”.

Vendimi për konfirmimin e tij në detyrë u mor nga trupa gjykuese e kryesuar nga Xhensila Pine, Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari. Më herët kaloi vettingun edhe prokurori Edvin Kondili.

Sulmi ndaj drejtësisë, Ngjela: Meta ka humbur arsyen nga frika e SPAK

“Ilir Meta ka humbur arsyen nga frika e SPAK”. Kështu i komenton avokati Spartak Ngjela kritikat e presidentit Ilir Meta drejtuar Euralius dhe Reformës në Drejtësi.  Sipas Ngjelës, Meta është i trembur nga reforma në drejtësi pasi ai do të ndëshkohet për aferat e kryera.

“Këta sa më shumë i afrohen goditjes penale që do t’ju vijë nga reforma në drejtësi, aq më shumë bëhet vrer zemra e tyre. Janë të shqetësuar. Problemi i të provuarit në jurisprudencë me dëshminë ka një aksiomë: i dëshpëruari, i tremburi dhe idioti nuk merren për dëshmitarë sepse nuk mund të dëshmojnë të vërtetën. Edhe këta tani futen tek ata dy të parët, të dëshpëruar dhe të trembur. Krijohet një lidhje, një koneksion midis të tremburit dhe të dëshpëruarit sepse frika të çon në dëshpërim, dëshpërimi çon në frikë dhe kjo pastaj të humb arsyen. Meta ka humbur arsyen sepse nuk mundesh ti të godasësh as OSBE, as Uashingtonin dhe as ndërkombëtarët në tërësi. Ata kanë marrë përsipër reformën në drejtësi, kë kap reforma në drejtësi nuk është përgjegjësia e tyre, por e atyre që nuk kanë ditur të drejtojnë, por janë korruptuar. Kështu që kot të merresh me ta”, është shprehur Ngjela për gazetën “Sot”.

Sipas Ngjelës, Ilir Meta ka harruar se është kryetar shteti dhe ka nisur të bëjë opozitë. “Ne duhet të shikojmë ecurinë e shpejtë të reformës në drejtësi sepse Meta flet mbi pozitën e kreut të shtetit prandaj gabon rëndë. Sepse ke edhe këta të tjerët nga ana tjetër, të gjithë kështu flasin, por këtyre nuk iu rëndon shumë sepse ata janë opozitarë. Të trembur janë të gjithë dhe Meta duket sikur po bën opozitë me demokracinë ndërkombëtare”, u shpreh Spartak Ngjela.

Dy ditë më parë, Presidenti Ilir Meta kritikoi reformën në drejtësi duke thënë se nuk është e suksesshme, ndërsa për misionin ndërkombëtar Euralius tha se merr urdhëra politikë.

Elisabeta Imeraj: Çfarë po ndodh me SPAK

Në një takim me studentët e Juridikut, kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj ka folur për reformën në Drejtësisë dhe ngritjen e strukturës së posaçme SPAK, që do të hetojë rastet e korrupsionit në nivelin e lartë të administratës. Imeraj ka shprehur ambicien e saj për të qenë pjesë e kësaj strukture.

“Për produktin ne duhet të presim. E rëndësishme është që të gjithë mekanizmat e përfshirë në zbatimin e këtij legjislacioni të ndryshuar, pra në zbatim të reformës në drejtësi, të bëjnë punën e duhur, në mënyrë që produkti si SPAK të dalë në mënyrë të duhur. Kjo pritet për t’u parë në varësi të punës që po bën secili nga institucionet përkatëse.

Fakti që prokurorët hetojnë edhe raste korrupsioni të kolegëve të tyre tregon se vullneti i tyre për punë të ndershme ekziston. Nga kjo trupë prokurorësh dhe gjyqtarësh ne kemi disa të hetuar, të gjykuar e të deklaruar fajtorë, edhe pse janë kolegët tanë” – tha Imeraj në këtë takim.

Ajo bëri të ditur se prej shumë vitesh ka hetuar krimet e rënda dhe tani që drejton prokurorinë e Tiranës e quajti si hap të natyrshëm kandidimin e saj për t’u bërë pjesë e strukturës speciale anti-korrupsion SPAK.

Imeraj i krahasoi këto struktura të reja speciale kundër korrupsionit sot në 2019 si një domosdoshmëri njëlloj si ishte e nevojshme ngritja e gjykatës dhe prokurorisë së krimeve të rënda në 2004, pra si një kundërpërgjigje ndaj krimit në periudha të ndryshme kohore.

Skip to toolbar