Sulmet me molotov në Bushat, 15 të arrestuar, mes tyre nënkryetari i bashkisë dhe vëllai i kryetarit

Policia ka arrestuar 15 persona dhe 8 të tjerë i ka shpallur në kërkim për sulmet me molotov, të së enjtes në mbrëmje, në KZAZ nr.6 në Bushat të Shkodrës. Mes të arrestuarve është nënkryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Admir Hasnegaj, dhe disa punonjës të kësaj bashkie, duke vërtetuar kështu se sulmi është bërë me urdhër partiak (kjo u mohua nga PD-LSI, të cilët akuzuan qeverinë për skenar të organizuar prej saj). Po ashtu është arrestuar dhe Alfred Hila, vëllai i kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila. Nga sulmet me molotov në Bushat mbetën të plagosur 3 punonjës policie, duke vënë në jetë skemën e errët të opozitës, të paralajmëruar më herët nga realstory.al, për të djegur KZAZ-të dhe për të mos lejuar një proces të rregullt zgjedhor.

Zv.Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj tha në një deklaratë për mediat mëngjesin e së premtes se 3 policë kanë mbetur të plagosur nga sulmi me molotov në Bushat, ndërkohë që janë djegur materialet zgjedhore në këtë KZAZ. Ajo theksoi se policia do të garantojë një proces të rregullt zgjedhor gjatë dy ditëve në vijim ndërsa të gjithë personat që do të kryejnë krime elektorale do të vihen para drejtësisë.

Dy ditë më herët realstory.al nxorri shkresat e të gjitha bashkive të djathta të cilat i kishin dërguar KQZ dhe vëzhguesve të OSBE duke iu kërkuar lirimin e KZAZ-ve ndryshe nuk mbajnë përgjegjësi për asgjësimin e materialeve zgjedhore. Duket se ky skenar po vihet në jetë nga drejtuesit e bashkive të djathta.

Deklarata e plotë e Zv.drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj:

Policia e Shtetit ka arrestuar 14 persona, 3 ndiqen në gjendje të lirë dhe 9 shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim, si të dyshuar për sulmin ndaj KZAZ nr. 6, në qarkun Shkodër.

Ndër ta, funksionarë të bashkisë Vau Dejës apo të zgjedhur lokalë.

Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 27 Qershor 2019 rreth orës 20:00, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, janë grumbulluar pranë KZAZ Nr. 6, e cila ndodhet në ambientet e shkollës “Ndre Mjeda” në fshatin Bushat.

Zv.Drejtoresha e Policise, Aida Hajnaj

Ata kanë protestuar duke përdorur sende të forta dhe bomba molotov në drejtim të KZAZ, si dhe në drejtim të punonjësve të Policisë që ishin të vendosur me shërbim.

Për pasojë, janë plagosur 3 punonjës policie të Komisariatit të Policisë Vau Dejës, të planifikuar me shërbim pranë KZAZ, që ndodhen nën kujdes mjekësor, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu janë djegur materialet zgjedhore të kësaj KZAZ. 

Policia ka arrestuar në flagrancë 15 shtetas, konkretisht:

•           Admir Hasnegaj, 37 vjeç, nënkryetar i Bashkisë Vau Dejës

•           Lin  Gjoka, 33 vjeç, Punonjës i Bashkisë

•           Tom  Simoni, 55 vjeç, Punonjës i Bashkisë

•           Aleks Prendi, 46 vjeç, punonjës i Bashkisë, kujdestar konvikti

•           Tonin Xhevahiri, 53 vjeç, punonjës i pyjores së Bashkisë

•           Mirash Thepi, 58 vjeç banues në fshatin Pacram,

•           Luçiano Kulli,25 vjeç , banues në fshatin Pistull,

•           Izet  Brahimi, 27 vjeç, banues në fshatin Pistull,

•           Klodian Tusha, 30 vjeç, banues në fshatin Kosmac,

•           Arben Bakucaj, 39 vjeç, banues në fshatin Barbullush,

•           Genc Qarri, 48 vjeç, banues në fshatin Barbullush,

•           Pavlin Qoku, 46 vjeç, banues në fshatin Hajmel,

•           Jetmir  Beqiri, 38 vjeç, banues në fshatin Kosmac,

•           Mark Rrethatori 26  vjeç,

•           Alfred Hila, 51 vjeç, vëllai i kryetarit të Bashkisë

Për këtë ngjarje, janë proceduar dhe ndiqen në gjendje të lirë 3 shtetas:

•           Kastriot  Gjini, 33 vjeç, banues në fshatin Paçram,

•           Vladimir Gjinaj, 34 vjeç, banues ne fshatin Paçram,

•           Altin Fushaxhiu, 44 vjeç, banues ne fshatin Hajmel,

Policia ka shpallur në kërkim 9 shtetas:

•           Benard Ndreca, 31 vjeç, Kryetar i Njësisë Administrative Hajmel

•           Donard  Kulli, 34 vjeç, kryeplak i fshatit Pistull.

•           Isa Moriqi, 54 vjeç, kryeplak i fshatit Melgushë

•           Arben Moriqi, 49 vjeç, vëllai i kryeplakut fshatit Melgushë

•           Edion Hila, 31 vjeç, djali i kryetarit të Bashkisë.

•           Gentian Ndoj, 34 vjeç, Sekretar i Bashkisë

•           Altion Krajni, 30 vjeç, Punonjës i Bashkisë.

•           Gentian Moriqi , 38 vjeç, banues në qytet Vau Dejës.

Materialet procedurale në ngarkim të autorëve të sulmit me bomba molotov dhe diegies së materialeve zgjedhore, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër, për veprat penale të ‘’Shkatërrimi i pronës me zjarr’’, ’’Kundërshtimi me dhune i punonjësve të policisë rendit publik’’ dhe ‘’Dëmtimi i materialeve zgjedhor”, parashikuar nga neni 151/2, denimi nga 5 deri në 15 vjet.  Neni 236/2 denimi me gjobë, ose burg deri në 7 vjet. Neni 326/a dënimi me burg nga 6 muaj deri ne 5 vjet

Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për të zbardhur rolin dhe aktivitetin e tyre apo personave të tjerë të implikuar.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar dhe ka marrë të gjitha masat për të garantuar procesin zgjedhor, duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ që përfshihet në aktivitet kriminal.

Skip to toolbar