KPK i dha dritën jeshile, Komisioneri Publik rikthen për gjykim Artur Malaj

Komisioneri Publik ka ankimuar kërkesën për shkarkimin e gjyqtarit Artur Malaj, i cili kishte kaluar Vettingun disa muaj më parë. Në kërkesën e tij drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Malajt, për shkak të pasurisë së tij.

Artur Malaj, i cili aktualisht mban postin e gjyqtarit të Apelit dhe anëtarit të Kolegjit Zgjedhor, është edhe kandidat për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

KPA ka vendosur që këtë çështje ta shqyrtojë më 6 shtator 2019 , ndërsa ka kërkuar nga Komisioneri Publik analizën e plot financiare mbi të cilat kërkon shkarkimin e Artur Malaj.

Prokurori i Krimeve të Rënda në Vetting, vendimi për Osmanin në 24 korrik

Vendimi për shkarkimin ose jo të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gentian Osmani, do të merret nga KPA në datën 24 korrik. Të hënën ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor i kërkesës së Komisionerit Publik, që riktheu për Vetting prokurorin e Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, që gjithashtu është dhe anëtar i KLP.

 Osmani është një nga prokurorët me përvojë, që kaloi Vettingun vitin e kaluar, duke mbajtur detyrat që kishte, si dhe duke u bërë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Megjithatë, pasi kaloi Vettingun në Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit, me kërkesë të Komisionerit Publik, pas vrejtjeve të ONM, emri i Gentian Osmanit u rikthye për rishqyrtim në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.

Tashmë KPA ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor për prokurorin Osmani, duke pranuar dhe dokumentacionet e tjera të tij, të cilat vërtetojnë sipas prokurorit rregullësinë e pasurisë, dhe në datën 24 korrik do të jepen konkluzionet përfundimtare në lidhje me Gentian Osmanin. Komisioneri Publik ka kërkuar largimin e tij nga detyra me argumentimin se Gentian Osmani nuk justifikon pasurinë, ku bëhet fjalë për blerjen e një apartamenti, për të cilin prokurori Osmani ka deklaruar se një pjesë të parave e ka marrë me kredi.

Megjithatë, do të priten konkluzionet e KPA për të parë nëse prokurori i Krimeve të Rënda dhe anëtar i KLP-së do të vijojë në detyrë apo do të shkarkohet. Nëse ndodh që ai të shkarkohet, atëherë do të mbetet vakant vendi i tij në KLP, gjë për të cilën Arta Marku do të duhet të kërkojë thirrjen e prokurorëve për të gjetur pasuesin e Osmanit në detyrënn që mban në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Frika nga Vettingu rrit numrin e hetimeve të prokurorisë

Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, deklaroi një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve se viti 2018 ka qenë një vit jo i zakonshëm për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët për shkak të fillimit të procesit të Vettingut. Këtë deklaratë, duke justifikuar disi punën e tyre, e bëri gjatë prezantimit të raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme në Komisionin e Ligjeve.

Por duket se presioni i ushtruar ndaj prokurorëve për procesin e Vettingut, ka qenë pozitiv për publikun, pasi pavarësisht mungesave, ngarkesës dhe shkarkimeve të tyre, Prokuroria ka rritur numrin e dosjeve të dërguara në gjykatë gjatë vitit 2018.

Pra vihet re qartë se pavarësisht kohës dhe numrit të kufizuar të prokurorëve për të kryer hetime, impenjimi i tyre ka qenë më intensiv. Kjo bazuar në deklaratën e kryeprokurores Marku, e cila tha se “që kur ka filluar procesi i vettingut, shumë prokurorë kanë qenë gjatë gjithë vitit në kontakt të vazhdueshëm me KPK-në, nëpërmjet pyetësorëve, janë bërë shumë shkarkime”. “Është folur shumë për këtë dhe të gjithë kemi qenë dakord se ky proces, ka qenë i domosdoshëm, por ka qenë i pashmangshëm ndikimi negativ tek prokurorët, pasi i ka bërë apatikë dhe të pasigurt”, deklaroi ajo.

Ndërsa në raport vihet re se vërtetë nuk ka ndonjë rritje të konsiderueshme, por puna e prokurorisë ka shënuar progres në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017.

Konkretisht, sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë vitit 2018 janë përfunduar 30615 çështje, nërkohë që në vitin 2017 janë përfunduar 30036 çështje, ose thënë ndryshe 579 çështje më shumë. Nga këto, 38.5 për qind janë dërguar për gjykim, 21,7  për qind janë pushuar, 35,6 për qind janë pezulluar dhe 4,2 % janë transferuar në prokurorinë kompetente.

Por nuk është rritur vetëm numri i çështjeve të hetuara, pasi rezulton se është rritur ndjeshëm edhe numri i çështjeve të dërguara në gjykatë. “Konkretisht në vitin 2018 janë dërguar në gjykatë 11790 çështje, ndërkohë që në vitin 2017 janë dërguar në gjykatë 11492 çështje, ose e thënë ndryshe 298 çështje më shumë.

Megjithatë, nga reforma në drejtësi vihet re se ka edhe probleme, pasi prokurorët duket se janë më të tkurrur për të nisur hetime kryesisht. Pas reformës në drejtësi, fillimi i çështjeve kryesisht është një atribut i çdo prokurori dhe jo më i drejtuesit të prokurorisë e aq më pak i Prokurorit të Përgjithshëm.

Pra duket se prokurorët për t’i shpëtuar ndonjë penalizmi nga vonesat e hetimeve kanë preferuar më mirë të përfundojnë çështjet e kallëzuara nga qytetarët apo institucionet se sa të nisin hetimet vetë për çështje të caktuara që mund të vijnë nga denoncime publike apo rrethana të tjera.

Gjyqtari i dosjes “Hakmarrja për Drejtësi” në sitën e Vettingut

Dhimitër Lara, anëtari i Apelit te Krimeve te Rënda, pjesë e trupës gjykuese që dënoi vëllezërit Shyti në dosjen “Hakmarrja për Drejtësi” del para Vettingut. Vëllezërit Laert dhe Orik Shyti kanë bërë edhe një ankesë pranë KPK-së, duke theksuar se në vendimin ndaj tyre gjyqtari u ndikua politikisht.

Sipas të dhënave të para, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar probleme me pasurinë e Larës, por edhe me figurën. Ndaj tij janë bërë edhe pesë denoncime mes tyre edhe Laert e Orik Shytit, të dënuar nga Lara si pjesë e organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”.

Sipas ankesës së Orik e Laert Shytit, kur janë gjykuar, Lara ka qenë i përfshirë në korrupsion politik. I pyetur për këtë ankesë nga anëtarja e trupës gjykuese Etleda Çiftja, nëse ka shkelur ligjin në këtë rast, Lara i është përgjigjur se edhe nëse do të kthehej sërish në kohë do të jepte sërish të njëjtin vendim. KPK pritet të shprehet për Dhimitër Larën në datë 29 maj.

Donika Prela sërish për rivlerësim në Vetting

Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela do të përballet dhe njëherë me Vettingun, pas ankimimit të çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik. Njoftimin e ka bërë vetë institucioni i KPA-së, ku ka përcaktuar sot trupën gjykuese që do të merret me çështjen.

Njoftimi i KPA:

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) nr. 21/2019, datë 24.04.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 103, datë 05.02.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit, znj. Donika Prela.

Sot, në datën 02.05.2019, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.

Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon:

Kryesuese: Natasha Mulaj

Relator: Ardian Hajdari

Anëtarë: Ina Rama, Luan Daci, Sokol Çomo

Bashkëshorti i Felaj prokuror, Alibeaj: Ushtar i Ramës në drejtësinë e deformuar

Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, gjatë një deklarate për shtyp, e cilësoi si antikushtetues, emërimin si prokuror të Bledar Valikaj, bashkëshort i deputetes socialiste, Ermonela Felaj. Valikaj u caktua prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë.

“Reforma në Drejtësi është një nga rastet, kur dështimi për të ngritur një sistem të pavarur drejtësie, në mënyrë që ligji të veprojë njësoj për të gjithë, vuloset nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Me votën e Gent Ibrahimit, i cili përfaqëson interesat e Edi Ramës në organin më të lartë vendimmarrës për prokurorinë, në sistem është emëruar, në mënyrë antikushtetuese dhe pa vetting, bashkëshorti i ish ministres së Edi Ramës, Ermonela Felaj.” – ka thënë Aliebaj

Alibeja cilësoi gjithashtu se një person nuk mund të bëhej prokuror nëse nuk ka mbaruar magjistraturën dhe për më tepër nuk ka kaluar procesin e vettingut për të konfirmuar pastërtinë dhe integritetin e tij.

“Emërimi i burrit të deputetes socialiste është haptazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Reformës në Drejtësi në të paktën 2 pika. Kushtetuta e detyron KLP të emërojë një prokuror vetëm pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Burri i deputetes së Edi Ramës nuk e ka përfunduar këtë shkollë. Kushtetuta e detyron KLP të emërojë një prokuror vetëm pas përfundimit të vettingut. Burri i deputetes së Edi Ramës nuk ka kaluar në vetting.” – tha për shtyp ish deputeti.

Alibeaj e mbylli fjalën e tij duke thënë se për shkak të këtij “vettingu” politik e të korruptuar mbi 63 % e shqiptarëve nuk besojnë në reformën në drejtësi.



Prokurorja e Korçës kalon me sukses Vettingun

Dhorina Theodhori i shtohet listës së prokurorëve që kanë kaluar me sukses vettingun. Ajo është konfirmuar në detyrën e saj si prokurore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas plotësimit të tri kritereve, ku bëhet rivlerësimi i pasurisë, integriteti i figurës dhe aftësitë profesionale.

Trupi gjykues i KPK, i përbërë nga Pamela Qirko kryesuese, Genta Tafa Bungo relatore dhe Etleda Çiftja anëtare, i dhanë “PO-në” Theodhorit për të vijuar detyrën e saj si prokurore në Prokurorinë e Korçës.

“Do ju çoj në burg”. Prokurori shpërthen në Vetting

“Do të përballeni me mua, kjo punë nuk mbaron këtu. Mbajeni mend po nuk iu çova në burg.” Kështu është shprehur sot Kreu i Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademi në përfundi të seancës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili vendosi shkarkimin e tij nga detyra.

KPK u shpreh se prokurori Ademi ka fshehur pasurinë, kishte deklarime të pasakta si dhe rezulton të jetë kapur në konflikt interesash.

Ndërsa prokurori Ademi nga ana e tij hodhi akuza ndaj anëtarëve të Komisionit të Vettingut duke thënë se një i dënuar për trafik droge, i afërm me një prej anëtarëve të komisionit ka bërë çmos që rezultatet ndaj tij ndryshohen e të manipulohen, dhe se ai vetë do e hetonte e do i shkonte deri në fund kësaj çështjeje.

Skip to toolbar