Shqipëria humbet një mbështetës në PE, ikën Knut Fleckenstein

Knut Fleckenstein është një emër i njohur në Shqipëri. Ai ka qenë prej disa vitesh raportues i Parlamentit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor ku futet dhe Shqipëria. Një zë në Parlamentin Europian në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE.

Vetë, Knut Fleckenstein ka postuar në Twitter se nuk do të jetë më eurodeputet, por gjithësesi ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë vendet e Ballkanit.

“Sipas përllogaritjeve të para, unë nuk do të kthehem në Parlamentin Europian. Por, do të vazhdoj të jem i lidhur ngushtë me Europën dhe Ballkanin Perëndimor. Më shumë informacion, javën e ardhshme”, ka shkruar ai në Twitter.

Fleckenstein është deputet i partisë Socialdemokrate e cila në këto zgjedhje nuk pati performancën e shpresuar. Fleckenstein nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij ndërsa pohoi se do të kishte dashur ta përfaqësonte edhe për 5 vite Hamburgun në PE.

Zgjedhjet Europiane, në Britani dominojnë partitë pro “Brexit”

Partia e Brexit ishte fituesi i qartë i zgjedhjeve europiane në Britani, ndërsa partitë pro Europiane zunë vendin e dytë.

Partia Konservative dhe ajo Laburiste pësoi humbje të madhe, krahasuar me partinë Brextit që ishte parashikuar të merrte më pak se 10% të votave.

Lideri i Partisë Brexit, Nigel Farage tha se dy partitë e mëdha duhet të “marrin një mesazh të qartë nga ky rezultat”.

Kështu nga 64 vende, partia e zotit Farage fitoi 28 të tilla,  Lib Dems 15, Laburistët 10, të Gjelbrit 7, dhe Tories 3.

Britania e Madhe parashikohej që të dilte nga BE më 29 mars, por ky afat u tejkalua ndaj dhe pjesëmarrja e UK në zgjedhjet europiane u bë e detyrueshme.

Partia Brexit kryesoi rezultatet pothuajse në të gjitha rajohet e Anglisë, përveç Londrës.

Z. Farage tha nëse Britania e Madhe nuk do të largohet nga BE deri në afatin e fundit të 31 tetorit, këto rezultate do të përsëriten në zgjedhjet e përgjithshme.

“Asnjëherë më parë në politikën britanike nuk ka një parti e krijuar vetëm gjashtë më parë, të fitoi zgjedhjet në rang kombëtar”, shkroi ai në twitter.

Megjithatë, partitë Anti-Brexit, pra ata që me gjithë zemër janë në favor të një referendumi tjetër, së bashku morën rreth 40% të votave, krahasuar me 35% të votave që morën dy palët në favor të largimit nga BE pa një marrëveshje.

Shtyrja e zgjedhjeve lokale? Meta shkel Kushtetutën, rrezikon shkarkimin

A mund të shtyhet data e zgjedhjeve vendore në Shqipëri? Kjo është ajo çfarë kërkon opozita përmes protestave, por edhe gatishmëria e shprehur e presidentit të Republikës. Ilir Meta tha dje se është i gatshëm të rishikojë datën e zgjedhjeve si një mënyrë për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Një ditë më parë. Meta: Gati të ndryshoj datën e zgjedhjeve

Argumenti pro është që nuk është hera e parë që në Shqipëri shtyhet data e zgjedhjeve. Kemi rastin e zgjedhjeve lokale të vitit 2007, kur zgjedhjet u shtynë me dy javë, si dhe rastin e fundit të zgjedhjeve të 2017-ës. Pas protestave të vazhdueshme të opozitës dhe çadrës së Bashës më në fund u ra dakord që zgjedhjet të shtyheshin me 1 javë. Pra në të dyja rastet pati dekret të dytë, në rastin e parë nga ish presidenti Moisiu dhe në rastin e dytë nga ish presidenti Nishani.

Po, pse këtë herë është ndryshe situata? Sipas Kodit Zgjedhor data e zgjedhjeve në Shqipëri është e përcaktuar në nenin 8 të tij. Pra zgjedhjet në Shqipëri mund të zhvillohen në dy periudha zgjedhore, konketisht nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor.

KODI ZGJEDHOR

Në pamje të parë duket sikur presidenti mund të dekretojë sërish zgjedhje në 15 shtator.

Por ka një problem, kur vjen puna tek mandati i të zgjedhurve aktuale. Sipas Kodit Zgjedhur neni 10 pika 2  “mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së”.

Sipas këtij neni, KQZ ka shpallur rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit 2015 në 10 gusht të vitit 2015. Çfarë do të thotë kjo? Që në 11 gusht të vitit 2019, në zyrat e kryebashkiakëve duhet të hyjnë fituesit e zgjedhjeve të këtij viti. Nëse presidenti shpall dekret të ri, për shembull më 15 shtator, pushteti vendor mbetet pa drejtues të ligjshëm, në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, zyrat mbeten bosh dhe administrata lokale kalon në kaos. Në rast të rishpalljes se zgjedhjeve lokale në 15 shtator verdikti është i thjeshtë:

Presidenti do ishte në shkelje të hapur të kushtetutës dhe ligjit zgjedhor si aneks i saj. Ngushëllimi i vetëm për mbështetësit e opozitës dhe të Ilir Metës është mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Meta në këtë rast do të mund të bënte ç’të donte. Por menjëherë pas ngritjes së kësaj gjykate, me siguri do ishte subjekt direkt i një procesi që mund të çojë në shkarkimin e tij.

Mitsotakis Jr. “s’njeh” Maqedoninë e Veriut. Shqipërinë e kërcënon me veto për integrimin

Nëse Shqipëria nuk respekton të drejtat e minoritetit grek, ne do të vendosim veton për integrimin e saj në BE. Kështu është shprehur kreu i opozitës greke, Kyriakos Mitsotakis gjatë një takimi elektoral.

Mitsotakis është kryetar i Partisë Demokracia e Re dhe po zhvillon një fushatë zgjedhore me premtime të forta, mes tyre dhe vendosja e vetos për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt integrimit europian.

“Do i qëndroj të drejtës për të vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe integrimit të Shqipërisë për në BE. Unë do të mbroj të drejtat e pakicës kombëtare greke. Dhe nëse nuk respektohen, Shqipëria të harrojë kursin e saj evropian”, deklaroi ai gjatë një fjalimi në Selanik.

Zbulohet mesazhi. Çfarë i shkruan Veliaj, rivalit të tij për Bashkinë e Tiranës

Ka qenë vetë kryebashkiaku Erion Veliaj që ka zbuluar mesazhin që i ka dërguar rivalit të tij për bashkinë e Tiranës. Veliaj ka dhënë një intervistë dje për emisionin “Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus ku ka folur për zgjedhjet e 30 qershorit dhe bindjen e tij se kjo fushatë do të jetë e qetë dhe qytetare. Ai tha se i kishte dërguar një mesazh urimi Arben Skënderajt i cili është kandidati zyrtar i Bindjes Demokratike për Bashkinë e Tiranës dhe rivali i vetëm i Veliajt në këto zgjedhje.

 “I kam çuar një mesazh dhe i kam uruar shumë suksese dhe e kam ftuar për një betejë qytetare, ma kthehu në të njëjtën mënyrë duke mu përgjigjur që qyteti ka nevojë për një debat qytetar, për gjërat që mund të bëhen më mirë. Besoj që Tirana do të jetë prapë model i një fushate qytetare sepse njerëzit janë lodhur me sherre dhe bllokime dhe jam i lumtur që e njëjta gjë do të ndodhë nga dy kandidatët”, u shpreh Veliaj.

Një bisedë fantastike me miken time, Evi Reci! 🤗 Çaste të vyera për të reflektuar së bashku për një jetë më të shëndetshme në një Tiranë të bashkuar dhe solidare. 🤝🌳📈😍 Na ndiq këtu📲, ose hap me vrap TV📺 në Vizion Plus!👈

Gepostet von Erion Veliaj am Freitag, 24. Mai 2019

30 qershorin nuk e luan topi! Mazhoranca i përgjigjet Metës

E ndërsa presidenti Meta u tregua i gatshëm sot që të rishikojë datën e zgjedhjeve, si një rrugë për të zgjidhur krizën politike në vend, ka ardhur përgjigja e mazhorancës.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se 30 qershori është afat kushtetues dhe nuk e luan topi.

 “Zhvillimi i zgjedhjeve me 30 Qershor është afat Kushtetues dhe nuk e luan topi”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla nga Belshi ku zhvilloi një takim paraelektoral.

Ai madje tha se fushata zgjedhure do të nisë zyrtarisht më 31 maj, ndërsa theksoi dhe njëherë se ndëshkimet do të jenë të ashpra për këdo që tenton të prishë zgjedhjet.

 “Më 31 Maj starton fushata elektorale. Duhet të zhvillojmë një fushatë të qetë dhe të komunikojmë me njerëzit. Zhvillimi i zgjedhjeve me 30 qershor është afat Kushtetues dhe nuk e luan topi. Kush do të tentojë të pengojë qoftë edhe një qendër votimi do të hasë në forcën e ligjit”, tha Balla.

Meta mbështet gjermanët e Bashës: Gati të ndryshoj datën e zgjedhjeve

Presidenti Ilir Meta është i gatshëm, që jo vetëm të ndryshojë datën e zgjedhjeve, por edhe të lërë mandatin si president, nëse kjo i shërben zgjidhjes së krizës politike në vend.

Përmes një reagimi për mediat, Presidenti i Republikës ka shprehur mbështetjen për deklaratën e djeshme të parlamentit Gjerman, sipas të cilit “zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës nuk janë demokratike”. Meta citon nenin 3 të Kushtetutes që garanton pluralizmin politik në Shqipëri, ndaj thotë se ka detyrim kushtetues që të garantojë pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.

“Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur”, thekson Presidenti.

Në këtë kuadër, ai thekson se është i gatshëm të rishikojë datën e zgjedhjeve. “Në këtë kuadër, shpreh gadishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike”, thekson presidenti, i cili i bën thirrje Ramës e Bashës të heqin dorë nga “hartimet” publike por të gjejnë gjuhën e dialogut.

Ndërsa në fund shton se është gati të lërë mandatin e presidentit.

“Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qyetetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë”, shkruan Meta.

Reagimi i plotë i Presidentit Ilir Meta

Presidenti i Republikës përsërit shqetësimin e thellë mbi krizën kushtetuese, institucionale, politike dhe të përfaqësimit ku ndodhet vendi.

Thellimi i dallimeve mes palëve dhe kokëfortësia për mohimin e kësaj krize kanë vështirësuar edhe më tej gjetjen e rrugëdaljeve të arsyeshme dhe të qëndrueshme nga kjo gjendje që po rrezikon stabilitetin dhe demokracinë në vend. 

Me angazhimin maksimal si Kreu i Shtetit, kam bërë thirrje të përsëritura për prapësimin nga kjo rrugë e konfliktit, duke u ofruar për të dhënë çdo kontribut dhe për të bërë gjithçka që do të afronte palët politike drejt një zgjidhjeje, që ka në themel interesin kombëtar dhe rrugëtimin e pandalshëm evropian të Shqipërisë.

Nxitur nga zhvillimet e djeshme, përshëndes dhe mirëpres angazhimin e shprehur të Parlamentit Gjerman për zgjidhjen e krizës, duke iu bashkuar thirrjes së tyre  drejtuar të gjitha palëve politike në Shqipëri, për të marrë përgjegjësitë vendimmarrëse për të gjitha çështjet që lidhen me stabilitetin demokratik në vend, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe pa përjashtuar asnjë temë.

Gjithashtu, si Kryetar i Shtetit, kam përgjegjësinë kushtetuese të respektoj dhe mbroj parimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke evidentuar gjithashtu çdo rast kur këto parime rrezikojnë të kërcënohen.

Vlerësoj faktin që edhe Parlamenti  Gjerman, ky institucion kyç i partnerit tonë strategjik, ka paralajmëruar se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik, duke u pamundësuar qytetarëve shqiptarë zgjedhjen mes alternativave konkuruese.

Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur.

Unë kam përgjegjësi kushtetuese, që brenda caqeve që Kushtetuta më lejon, të siguroj respektimin, në formë e në përmbajtje, të Kushtetutës. Për mua bashkëjetesa demokratike dhe uniteti i popullit janë parime kushtetuese që duhen mbrojtur, përpara çdo rregullimi tjetër dytësor apo formal.

Bashkohem me thirrjen e Parlamentit të Gjermanisë se është përgjegjësia e vendimmarësve politikë që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen, sepse nëse kjo nuk ndodh ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës.

Ndaj:

•             me përgjegjësi për të ardhmen evropiane të vendit;

•             me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik dhe që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut;

•             me frymën e tolerancës, në funksion të paqes, mirëqenies dhe solidaritetit shoqëror;

shpreh angazhimin tim për të përmbushur përgjegjësinë kushtetuese për të garantuar unitetin e popullit dhe parimet bazë të bashkëjetesës demokratike, që rrezikohen nga kriza politike në vend.

Në këtë kuadër, shpreh gadishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike.

Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve.

U bëj edhe një herë thirrje palëve, të ndalojnë retorikat si reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit Gjerman.

Të ndalojnë hartimet publike justifikuese dhe të angazhohen me sinqeritet dhe përgjegjshmëri për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë dhe të qëndrueshme.

Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qyetetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë.

Askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

OSBE bëhet gati për zgjedhjet. Glover, sot konferencë në Tiranë

Pavarësisht vendimit të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, zyra e OSBE/ODIHR-it po bën përgatitjet e fundit për monitorimin e procesit zgjedhor në Shqipëri. Sot në Tiranë, ambasadorja Audrey Glover që është edhe drejtuesja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve do të zhvillojë një konferencë për shtyp. Ajo do t’i përgjigjet interesit të mediave për hapjen zyrtare të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit në Shqipëri.

“Misioni i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve do të jetë në partneritet me një delegacion nga Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës për vëzhgimin dhe lëshimin e një deklarate paraprake mbi gjetjet dhe përfundimet, në ditën pas zgjedhjeve.

Ardhja e misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve bëhet në bazë të një ftese nga qeveria shqiptare.

Misioni i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri veprojnë në mënyrë të ndarë dhe të pavarur, sipas mandateve të tyre”, njofton zyra e shtypit e OSBE-së.

Berisha: Nuk do pranoja kurrë të shkoja në zgjedhje pa opozitën, as në 2006

Ish kryeministri Berisha ka reaguar edhe për krizën e vitit 2006 ku Rama, në atë kohë në opozitë, kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve duke bërë një paralele me krizën aktuale. Berisha tha Rama nuk e do opozitën dhe këtë e tregoi me nxitimin e tij për të zëvendësuar deputetët e opozitës që dogjën mandatet. “Nuk do të pranoja kurrë zgjedhje pa opozitën, pasi do kalohej në monizëm.” ishte përgjigja e Berishës në Opinion kur u pyet nëse ai vetë do të shkonte në zgjedhje pa opozitën.

“Në mënyrë absolute nuk do shkoja në zgjedhje pa opozitën. Pa opozitën nuk shkoja kurrë në zgjedhje, sepse shkoja në monizëm. Zgjedhjet nuk janë vetëm për qeverinë. Ai kërkonte për shkak të certifikatave shtyrjen e zgjedhjeve, unë iu them ju këtu që në mënyrë absolute nuk do shkoja pa e tërhequr zvarrë për ta futur në zgjedhje. Kushtetuta është e rëndësishme por mbi kushtetutën janë themelet e saj. Ka me dhjetra politikanë shqiptarë, por të garantoj këtu nuk kam njohur kurrë në jetën time një të dytë si Edi Rama në qëndrimin ndaj votës. Ka një qëndrim aq patologjik sa nuk e ka njeri dhe nuk mund ta honeps votën. Po ta lexoni letrën dje ai thoshte shyqyr që nuk po vini në zgjedhje. 30 qershori thoshte nuk diskutohet, domethenë të marr 61 bashki. Në mënyrën më të rrufeshme të nesërmen, kur opozita dorëzoi mandatet, ai të nesërmen i çoi në KQZ. Një kryeministër që nuk është verbuar, bënte dhe minutën e fundit të një muaji nuk i dërgonte ato në parlament. Si ish-kryeministër unë nuk i çoja as në orën 12 pas një muaji, për të dhënë të gjitha mundësitë për një kompromis.”

Task-Forcë për të vëzhguar rolin e policisë në zgjedhje

Do të krijohet një Task-Forcë e veçantë për të vëzhguar rolin e policisë në zgjedhje por edhe gjatë protestave.

Kjo gjë u vendos sot, pasi Prokuroria dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Brendshme firmosën një memorandum. Që të dy institucionet angazhohen që të rrisin bashkëpunimin për të monitoruar punonjësit e policisë gjatë dhe pas fushatës zgjedhore si dhe masat e marra prej saj gjatë tubimeve dhe aktiviteteve të ndryshme.

“Në këtë Memorandum është rënë dakord ngritja e një Task-Force të përbashkët, me qëllim forcimin e veprimeve të përbashkëta hetimore për çështjet që lidhen me korrupsionin e zyrtarëve, lëndët narkotike, veprat penale në procesin zgjedhor, veprimet arbitrare dhe tejkalimin e kompetencave të Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës”, shkruhet në njoftim.

Memorandumi u nënshkrua nga Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullaku.

Detyrat

a) Hetimet për implikime të subjekteve të SHÇBA-së në rastet e kultivimit, trafikimit të lëndeve narkotike,

b) Mbikqyrja dhe monitorimi i subjekteve policore në respektimin e ligjit në fuqi para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, Qershor 2019.

c) Mbikqyrja dhe monitorimi i subjekteve të SHÇBA-së, për zbatimin e ligjit në fuqi, kryesisht të masave të ruajtjes se rendit dhe sigurise publike, në aktivitete të ndryshme social kulturore dhe tubimet.

d) Hetimeve për aktet korruptive, shpërdorimit të detyrës, favorizime të subjekteve të shërbimit për lejimin e ndërtimeve pa leje, kryerjen e lojrave të fatit, etj.

e) Hetimet në lidhje me aktet korruptive në realizimin e prokurimeve publike nga ana e subjekteve të SHÇBA-së.

f) Hetimet në lidhje me respektimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive personale të njeriut, gjatë ushtrimit të detyres nga subjektet e SHÇBA-së.

g) Si dhe çdo fushë tjetër, ku implikohen subjektet e SHÇBA-së në përmbushjen e rregullt të detyrës nga ana tyre.

Skip to toolbar