Task-Forcë për të vëzhguar rolin e policisë në zgjedhje

POLITIKË


Do të krijohet një Task-Forcë e veçantë për të vëzhguar rolin e policisë në zgjedhje por edhe gjatë protestave.

Kjo gjë u vendos sot, pasi Prokuroria dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Brendshme firmosën një memorandum. Që të dy institucionet angazhohen që të rrisin bashkëpunimin për të monitoruar punonjësit e policisë gjatë dhe pas fushatës zgjedhore si dhe masat e marra prej saj gjatë tubimeve dhe aktiviteteve të ndryshme.


“Në këtë Memorandum është rënë dakord ngritja e një Task-Force të përbashkët, me qëllim forcimin e veprimeve të përbashkëta hetimore për çështjet që lidhen me korrupsionin e zyrtarëve, lëndët narkotike, veprat penale në procesin zgjedhor, veprimet arbitrare dhe tejkalimin e kompetencave të Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës”, shkruhet në njoftim.

Memorandumi u nënshkrua nga Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullaku.

Detyrat

a) Hetimet për implikime të subjekteve të SHÇBA-së në rastet e kultivimit, trafikimit të lëndeve narkotike,

b) Mbikqyrja dhe monitorimi i subjekteve policore në respektimin e ligjit në fuqi para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, Qershor 2019.

c) Mbikqyrja dhe monitorimi i subjekteve të SHÇBA-së, për zbatimin e ligjit në fuqi, kryesisht të masave të ruajtjes se rendit dhe sigurise publike, në aktivitete të ndryshme social kulturore dhe tubimet.

d) Hetimeve për aktet korruptive, shpërdorimit të detyrës, favorizime të subjekteve të shërbimit për lejimin e ndërtimeve pa leje, kryerjen e lojrave të fatit, etj.

e) Hetimet në lidhje me aktet korruptive në realizimin e prokurimeve publike nga ana e subjekteve të SHÇBA-së.

f) Hetimet në lidhje me respektimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive personale të njeriut, gjatë ushtrimit të detyres nga subjektet e SHÇBA-së.

g) Si dhe çdo fushë tjetër, ku implikohen subjektet e SHÇBA-së në përmbushjen e rregullt të detyrës nga ana tyre.




Skip to toolbar