Rama detyra për strukturat e PS: Zbuloni kërcënimet e PD-LSI

Partia Socialiste ka përcaktuar disa detyrë për strukturat e kësaj partie për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Për shkak të deklaratave të shumta të opozitës së bashkuar PD-LSI për prishje të procesit zgjedhor, PS ka kërkuar që strukturat e saj të sigurojnë një pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje, të përgatisin listat zgjedhore dhe të evidentojnë retorikën kërcënuese dhe presionet e opozitës.

PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË

SEKRETARI PËR ORGANIZIMIN

DISA DREJTIME TE PUNËS SË STRUKTURAVE TË PARTISË PËR FUSHATËN E ZGJEDHJEVE VENDORE TË 30 QERSHORIT 2019

Në kushtet specifike të fushatës për zgjedhjet e organeve të pushtetit vendor të 30 Qershorit, kur opozita jashtëparlamentare PD-LSI nuk merr pjesë në zgjedhje, për strukturat e Partisë Socialiste dalin disa detyra për t’iu përgjigjur këtyre kushteve të zgjedhjeve.

Së pari, të synohet dhe realizohet pjesëmarrje sa më e lartë në votime. Pjesëmarrja në votime jo vetëm të ruajë shifrat e rezultateve për PS dhe të partive të Koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, por të përcaktohen detyra për rritjen e pjesëmarrjes( jo më pak se 2.5 përqind që është rritja e numrit të zgjedhësve krahasuar me dy vjet më parë ), përmes tërheqjes në votime nga të gjitha shtresat, kategoritë, komunitetet që ndikojnë në këtë rritje.

• Anëtarësia e partisë dhe mbështetësit e saj kanë detyra në përbërje të strukturës ku janë por edhe individuale për plotësimin e këtij objektivi duke e vlerësuar si një ndër detyrat kryesore të këtyre zgjedhjeve.

• Puna me listat e votuesve për të evidentuar zgjedhësit që banojnë në territorin e QV, ata që kanë migruar në qytete të tjerë të vendit e deri ata që janë në emigracion dhe i kanë mundësitë për të ardhur e votuar më 30 Qershor.

• Pjesëmarrja në votime e votuesve për herë të parë, si detyrë e brezit që do të jetë pjesë efektive e Shqipërisë së strukturave të BE.

• Sistemi i patronazhit të funksionojë në zbatim të këtij objektivi. Çdo anëtar apo mbështetës i partisë që caktohet me një numër zgjedhësish, të vlerësojë maksimalisht pjesëmarrjen e tyre në votime e të raportojë për këtë.

• Të bashkëpunohet me partitë e tjera të Koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane – ASE për të rritur numrin e votuesve duke tërhequr zgjedhës nga komunitete, zona, fise, lagje etj ku ato dhe kandidatët e vendosur prej tyre kanë ndikim në rritjen e numrit të votuesve.

• Të jetë në eficiencë të plotë puna e koordinatorëve elektoralë të të gjitha niveleve të ngarkuar për këtë fushatë në bazë të detyrave të përcaktuara në Vendimin e Asamblesë Kombëtare të PS, të cilët të jenë dorë e zgjatur e strukturave të partisë për rritjen e numrit të zgjedhësve që votojnë.

• Të evidentohen rastet e veprimtarisë së opozitës jo parlamentare për pengimin e zgjedhësve për të marrë pjesë në votime, për presione e kërcënime, të cilat të bëhen objekt i një pune të organizuar të strukturave tona përmes kontakteve me ta por edhe medias në mbrojtje të të drejtave të tyre kushtetuese.

Këto e detyra e të tjera që dalin në bazë të kushteve konkrete të secilës bashki, kërkohet që të vlerësohen maksimalisht, veçanërisht në ato bashki ku kandidatët e PS për kryetar bashkie nuk kanë kandidatë të tjerë rivalë.

Së dyti, të përcaktohen dy-tre prioritete kryesore për çdo bashki nga ato që kanë dalë gjatë llogaridhënies së tyre në publik, sidomos atje ku drejtojnë përfaqësues të PS, dhe të merren masat për plotësimin e tyre. Secila strukturë partie dhe drejtuesit tanë në bashki ta shohin këtë detyrë si një përgjigje të kërkesave të komunitetit për zgjidhje të problemeve jetësore të tyre. Prioritetet që do të përcaktohen në çdo bashki të dërgohen në zyrën e Organizimit të Partisë brenda datës 25 maj 2019.

Së treti, të merren masat për caktimin e anëtarëve të komisioneve të Qendrave të Votimit. Zbatimi i kësaj detyre të Kodit të Zgjedhjeve kërkohet të bëhet me cilësitë e kërkuara për komisionerët dhe në kohën e duhur. Sipas afateve të përcaktuara nga organet e Partisë, projekt-listat e komisionerëve duhet të dërgohen në Sektorin e Koordinimit Elektoral të Partisë Socialiste në Tiranë deri më datën 20 maj 2019, ndërsa depozitimi i tyre pranë KZAZ-ve duhet të bëhet deri më 30 maj 2019.

Në caktimin e tyre të merren në konsideratë kushtet specifike të këtyre zgjedhjeve: prej tyre kërkohet korrektësi në zbatimin e kërkesave të Kodit të Zgjedhjeve, prandaj ata duhet të njohin detyrat që ai u përcakton dhe t’i zbatojnë ato në mënyrë korrekte. Ata janë përfaqësuesit e strukturave bazë të procesit zgjedhor dhe duhet të kenë vendosmërinë e duhur të ndikojnë në mënyre maksimale në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që është kërkesë kryesore, në zbatimin e kërkesave të Kodit për dokumentacionin zgjedhor, në komunikimin me zgjedhësit etj.

Së katërti, të zbatohen të gjithë kërkesat e Kodit të Zgjedhjeve dhe vendimet që janë marrë nga KQZ për shpenzimet e fushatës. Nga ana e financierëve të ngarkuar me këtë detyrë në bazë bashkie e në qendër të njihen mirë kërkesat për shpenzimet e fushatës dhe të ketë korrektësi maksimale në zbatimin e tyre. Çdo shpenzim i kryer për fushatën zgjedhore të jetë i evidentuar sipas kërkesave, pagesat për zyrat elektorale, për organizimin e veprimtarive elektorale etj. të bëhen përmes institucioneve bankare, me synimin që çdo veprimtari të jetë e dokumentuar dhe të ketë transparencë në shpenzime.

Në përcaktimin dhe zhvillimin e veprimtarive elektorale të kihet parasysh që strukturat e partisë të marrin në konsideratë vlerën financiare të tyre, duke synuar veprimtari me efektivitet të lartë, por me një kosto financiare të arsyeshme. Po kështu edhe për shpenzimet për anën figurative e mediatike të fushatës, numrin e zyrave elektorale, etj.

SEKRETARI PËR ORGANIZIMIN

Rama: Zgjedhjet do mbahen, regjistroni çdo incident dhe denoncojeni

Kryeministri Rama ka mbledhur sot grupin parlamentar socialist për të diskutuar në lidhje me fushatën elektorale që do të çelet më 31 maj në Pallatin e Kongreseve.

Rama u ka kërkuar socialistëve që të qëndrojë të qetë gjatë provokimeve gjatë zgjedhjeve apo gjatë fushatës dhe të regjistrojnë çdo incident që mund të ndodh.

“Mos u provokoni. Regjistroni ata që mund të shkaktojnë incidente. Të provojmë që nuk jemi ne shkaktarë. Të denoncojmë këdo që cenon zgjedhjet. Çdo njeriu i duhet thënë që kush cenon apo dëmton procesin nuk shkel më në Amerikë apo vende të Bashkimit Europian.’ – ka thënë Rama

Rama gjithashtu ka theksuar se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe se askush të mos mendojë se mund ta ndalojë dot një proces të tillë. Ai theksoi edhe një herë deklaratën e dhënë disa ditë më parë se kushdo që bllokon dhe cenon zgjedhjet do t’i bllokohet hyrja në BE dhe SHBA përgjithmonë.

Akuzat e PD, Patozi: Asgjë s’na ndalon të garojmë më 30 qershor

Astrit Patozi ka reaguar me fakte në lidhje me akuzat që PD ka bërë për pavlefshmëri të kandidatëve të Bindjes Demokratike. PD tha më herët se kandidatet e partisë Bindja Demokratike janë false, pasi nuk mbështeten në mandat deputeti në të paktën 6 muajt e fundit.

Në reagimin e tij Patozi tha se në fakt jo një po dy deputetë kanë firmosur në mbështetje të Bindjes Demokratike duke treguar edhe një dokument ku ka firmosur Lefter Koka.

“Sqarojmë publikun se BINDJA DEMOKRATIKE mbështetet jo nga një, por nga firmat e dy deputetëve për të garuar dhe kandiduar në gjithë Shqipërinë. Ata janë zotërinjtë Lefter Koka dhe Andi Përmeti, dhe për këtë ekziston e gjithë praktika e depozituar në KQZ.” – shkruan Patozi

Gjithashtu Patozi tha se Basha të mos merret me ndjekjen dhe përgjimin e Bindjes Demokratike, pasi ajo është e krijuar sipas ligjit dhe afateve kohore të përcaktuara nga ai.

Postimi i plotë

ASGJË NUK E NDALON BINDJEN DEMOKRATIKE TE GAROJË MË 30 QERSHOR

E vetmja gjë që e mban në këmbë për të mos ikur me vrap, si tek protesta e fundit, partinë e vetëdjegur të Lulzim Bashës është urrejtja dhe meraku që ka për BINDJEN DEMOKRATIKE. Në fakt, ne ua kuptojmë hallin, por nuk i ndihmojmë dot.
E vetmja punë që ata bëjnë qysh nga data e krijimit të forcës sonë politike është që të na ndjekin dhe përgjojnë, për çdo fjalë që themi dhe çdo veprim që bëjmë, por ne nuk shqetësohemi fare nga kjo. Përkundrazi, e konsiderojmë si reklamë falas për një parti të re.
Sot paskan shpikur që kandidatët tanë qenkan të paligjshëm, sepse nuk u mbështetkan nga një mandat deputeti në të paktën 6 muajt e fundit.
Sqarojmë publikun se BINDJA DEMOKRATIKE mbështetet jo nga një, por nga firmat e dy deputetëve për të garuar dhe kandiduar në gjithë Shqipërinë. Ata janë zotërinjtë Lefter Koka dhe Andi Përmeti, dhe për këtë ekziston e gjithë praktika e depozituar në KQZ. Më poshtë, fotokopja e shkresës së protokolluar.
Por përgjuesit tanë të palodhur bëjnë sikur nuk e kanë parë këtë dhe flasin për paligjshmëri.
Dhe që ta mbledhin mendjen një herë e mirë e mos të lodhen kot, duke u përpjekur çdo ditë të na kapin në gabim, po u themi sot se BINDJA DEMOKRATIKE i ka kapur të gjitha afatet dhe detyrimet ligjore për të konkurruar në 26 bashki me kandidatë për kryetar dhe në rreth 55 të tilla për lista këshilli. Madje në shumë raste ne kemi pasur edhe firmat e qytetarëve të disa bashkive, përvec atyre të deputetëve, të cilat ishin kriter i mjaftueshëm, sipas ligjit.
Si përfundim, i ftojmë që të qetësohen ata që kanë zgjedhur të na ndjekin ne, e të mos hyjnë vetë në zgjedhje. Ata nuk do të na pengojnë dot kurrë që ne të marrim pjesë dhe të garojmë në procesin e pandalshëm të 30 qershorit.

Balla: Mund të gjendet rruga për të futur opozitën në zgjedhje

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se nëse PD dhe LSI dëshirojnë të futen në zgjedhjet e 30 qershorit, mund të gjendjet një rrugë apo një zgjidhje që kjo gjë të ndodhë.

Këto deklarata Balla i bëri në “Open” duke treguar se mazhoranca ka vullnet për dialog me opozitën.

Jo tendera për kryebashkiakët në largim dhe administratë asnjanëse

Me afrimin e zgjedhjeve më 30 qershor, qeveria ka marrë dy vendime që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por që do të mundësojë edhe një qeverisje më të mirë.

Në vendimin e parë qeveria ka miratuar që t’u hiqet e drejta të gjitha krybashkiakëve që po u mbaron mandati të mos kenë më të drejta për dhënien e tenderave apo prokurime me vlerë të lartë. Ndërsa në vendimin e dytë ka ngritur një Task-Forcë për të mos lejuar administratën të bëhet pjesë e procesit elektoral duke siguruar asnjanësinë e saj.

VENDIM

PËR PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË FILLIMIT TË PROCEDURAVE TË PROKURIMIT NGA NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE DHE AUTORITETET KONTRAKTORE NË VARËSI TË TYRE, PËR VITIN 2019

Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs, të neneve 16 e 40, të ligjit nr.9936, datё 26.06.2008, “Pёr menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Kёshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pezullimin e përkohshëm të fillimit të procedurave të prokurimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre, për vitin 2019.

Përjashtohen nga ky rregull:

– prokurimet me vlerë të vogël;

– procedurat e prokurimit që kanë si objekt produktet ushqimore.

Ngarkohen të gjitha institucionet e vetëqeverisjes vendore, institucionet në varësi të tyre dhe Agjencia e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

VENDIM

“Task-Forca, në bashkëpunim me titullarët e ministrive dhe grupet e monitorimit, të përmbushë detyrat, si më poshtë vijon:

a) Monitorimin e sjelljes dhe të veprimtarisë së administratës shtetërore, sipas këtij vendimi;
b) Monitorimin e administratës shtetërore në drejtim të përdorimit të autoritetit shtetëror vetëm në përputhje me ligjin duke mos lejuar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të shtetit gjatë procesit zgjedhor si dhe duke mos lejuar kryerjen e veprimeve dhe/ose dhënien e premtimeve, favoreve apo moscenimin e të drejtave të shtetasve, si mekanizëm për favorizimin apo dhënien e votës një subjekti të caktuar politik apo kandidati;
c) Monitorimin e procesit zgjedhor me qëllim konstatimin dhe raportimin e përdorimit gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor të mjeteve financiare nga burime të paligjshme apo të krijuara nga veprimtari të paligjshme;
ç) Monitorimin e procesit zgjedhor, përfshirë ditën e votimit, në funksion të mospërfshirjes në të të zyrtarëve apo personave të tjerë që ndodhen në institucione shtetërore, përfshirë personat e burgosur, dhe marrjen e masave për ndëshkimin e atyre zyrtarëve që veprojnë në kundërshtim me ligjin. Pjesë e kësaj detyre është edhe monitorimi i lëvizjes së nëpunësve të lartë dhe të mesëm shtetërorë në qendër dhe qarqe apo bashki gjatë procesit zgjedhor;

d) Monitorimin e përditësimit dhe ndjekjen e problematikave me listat e zgjedhësve;
dh) Monitorimin e zbatimit të masave për pezullimin e iniciativave për kontrata të përkohshme në nivel qendror e vendor;
e) Monitorimin e përditësimit të akteve të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
ë) Njoftimin apo kryerjen e kallëzimit penal në Prokurorinë e Përgjithshme për raste të marrjes/vënies në dijeni për kryerjen e veprave penale në fushën zgjedhore;

f) Njoftimin e Avokatit të Popullit kur merr apo vihet në dijeni për kryerjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë procesit zgjedhor;
g) Njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kur merr dijeni apo vihet në dijeni për problematika të procesit zgjedhor;
gj)Bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me Policinë e Shtetit në funksion të marrjes së masave të menjëhershme në përputhje me ligjin kur konstatohen raste të sjelljeve apo veprimtarive të kundërligjshme gjatë procesit zgjedhor;

h) Çdo detyrë tjetër në funksion të monitorimit të zbatimit të këtij vendimi”,- thuhet në vendimin e qeverisë.

Bllokimi i zgjedhjeve, Lleshaj: As mos e mendoni

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim me prefektët dhe drejtuesit e policisë lidhur me marrjen e masave për mbarëvajtjen e fushatës dhe procesit zgjedhor në vend. Gjatë fjalës së tij Lleshaj foli edhe për kërcënimet e opozitës se nuk do të lejojë që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor dhe do të bllokojë kutitë e votimit. Ministri Lleshja tha se askush nuk ka të drejtë dhe as mos ta mendojë të shkel kushtetutën e këtij vendi.

“Zgjedhjet janë krye-institucioni i një vendi demokratik, që qëndrojnë mbi Parlamentin, mbi Qeverinë, mbi Presidentin, mbi Kryeministrin, mbi Ministrin, mbi Drejtorin, mbi Prefektin. Dita e zgjedhjeve dhe zgjedhjet si institucion janë mbi të gjithë këta dhe askush nuk mund të ketë të drejtë, as mundësi, as shans, që të mendojë apo të veprojë për të prekur sado pak qoftë integritetin e një procesi që është thelbi i demokracisë dhe Kushtetutës së këtij vendi.” – tha Lleshaj

Basha: Kjo qeveri kontrollon parlamentin dhe jo e kundërta

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një tryezë bashkëbisedimi së bashku me aleatët e saj, ku është prezantuar edhe programi dhe platforma që opozita e bashkuar ka për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie tranzitore.

Gjatë fjalës së tij, Basha tha se vendi është në kolaps dhe fajin e ka qeveria pasi nuk ka ardhur si produkt i votës së lirë por nga një grusht kriminelësh si dhe i ka vënë të gjitha pushtet në dorën e saj duke kontrolluar gjithçka.

“Jemi në një kolaps . Të gjithë kemi shokë, familjarë kushërirë të cilët janë larguar nga vendi. Kolapsi i ekonomisë ka sjellë shkatërrimin e qindra mijëra vendeve të punës. Shëndetësia është në krizën më të thellë. Ka 2 arsye për këtë. Arsyeja e parë është që kjo Qeveri dhe pseudo mazhorancë nuk ka ardhur si produkt i votës së lirë, kanë ardhur si produkt i bashkëpunimit me krimin dhe një grusht oligarkësh. Kur vjen në pushtet një grusht kriminelësh kur e lidh fatin me kriminelët nuk të bëhet vonë për qytetarët. Arsyeja e dytë është se ndryshe nga çfarë parashikon sistemi , këtu të gjitha pushtetet janë në një dorë. Pra nuk është parlamenti që kontrollon qeverinë, është qeveria që kontrollon parlamentin.” – tha Basha

LIVE

LIVE – Prezantimi i platformës për Zgjedhje të Lira e të Ndershme, si detyrë kryesore e Qeverisë Tranzitore. #ShqiperiaSiEuropa

Publiée par Lulzim Basha sur Jeudi 2 mai 2019

Basha: Dhunuesi i zgjedhjeve duhet të largohet

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me anëtarët e rinj të kësaj force politike në Frakë. Basha gjatë takimit tha se Shqipërisë nuk i hapen negociatat në qershor dhe pasojat i vuan populli dhe të rinjtë që kërkojnë të largohen.

Gjatë fjalës së tij Basha tha se me Ramën në krye nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe se largimi i tij është kush i panegociueshëm i opozitës për dialog.

“Përdhunuesi serial i zgjedhjeve shqiptare, që duhet të largohet njëherë e mirë. Këtë qershor Shqipërisë nuk i hapen negociatat. Nuk ka hapa para por mbrapa, këto pasoja i vuajnë shqiptarët e thjeshtë, të rinjtë. Si mund të zgjidhet kjo? Ka vetëm një rrugë, është rruga që nis me dorëzimin e sendit të vjedhur tek i zoti. Sendi i vjedhur është vota, i zoti jeni ju. Largimi i Ramës është i panegociueshëm për ne. Qeveria tranzitore është e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës politike. Ne s’mund të ishim më fasada e teatrit të kriminelëve, e dëgjuam thirrjen tuaj dhe hodhëm një hap të paprecedentë, atë të djegies së mandateve.” – tha Basha

Përfundon takimi me Bashën, aleatët: Nuk ka zgjedhje me Ramën

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka takuar aleatët e tij, një ditë para takimit të tyre me presidentin Meta. Takimi zgjati për rreth 1 orë, ndërkohë që kreu i PR, Fatmir Mediu tha për mediat se vazhdojnë të kenë të njëjtin qëndrim “zgjedhje të lira pa Ramën në krye, por me qeveri tranzitore”.

“Kryeministri për ne është pjesë e problemit dhe nuk është pjesë e zgjidhjes. Për këtë arsye ne nuk pranojmë Edi Ramën kryeministër që të jetë zgjidhja për zgjedhje të lira dhe të ndershme.” – tha Mediu

Ndërsa kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule tha se “zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë, ndërsa arroganca, prepotenca e zotit Rama nuk i shërben këtij objektivi.”

Apeli aleatëve të PD, Balla: Jo shtyrje zgjedhjesh, dialog vetëm për…

Gjatë ditët se sotme aleatët e Bashës propozuan një marrëveshje me 12 pika për të zgjidhur krizën politike në vend. Mazhoranca nuk ka qëndruar indiferent ndaj apelit të partive të vogla për një tryezë politike. Nga Pogradeci, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se data e zgjedhjeve nuk ndryshon, por janë të hapur për dialog për ndryshimet në Reformën Zgjedhore.

“Duhet të jetë shumë e qartë për këdo që data e zgjedhjeve nuk caktohet nga partitë politike, por caktohet nga Kushtetuta, nga Kodi Zgjedhor dhe data e zgjedhjeve në 30 qershor është një datë e fiksuar tashmë dhe në asnjë rast ajo nuk mund të ndryshojë. Në 30 qershor do të zhvillohen zgjedhjet, janë 42 parti të regjistruara, askush nuk mund të pengoje të mos marrë pjesë në zgjedhje. Dua t’u them shumë qartë që kushte PS nuk mund t’i vendosë askush sepse nuk mund t’i vendosen kushte shqiptarëve. Ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm për të dialoguar në parlament dhe përmes një procesi dialogu rikthyem komisionin e reformës zgjedhore. Kjo është një instrument i rëndësishëm për të dialoguar lidhur me të gjitha domosdoshmëritë dhe nevojat që kanë të bëjnë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor.” – tha Balla

Skip to toolbar