Keidi Bare është një nga lojtarët që ka shkëlqyer këtë sezon në Spanjë në La Liga 2 me Malagan. Futbollisti 22-vjeçar ka luajtur pothuajse në çdo ndeshje titullar me ekipin e tij, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të sezonit.
Megjithatë, shkëlqimi i Keidi Bares këtë sezon duket se pak i ka interesuar drejtuesve të Kombëtares, teksa u la jashtë nga Christian Panucci në ndeshjet e muajit mars, pavarësisht se dy muaj më parë mesfushori iu nis një ftesë në momentet e fundit nga ish-trajneri italian.
Por nëse Panucci u largua dhe tani ka nisur një erë e re ndryshimesh në ekipin tonë përfaqësues, me Edy Rejan trajner, për Keidin gjërat përsëri nuk kanë ndryshuar. Të paktën deri tani. RealStory.al ka mësuar ekskluzivisht se futbollistit të talentuar nuk i është nisur asnjë ftesë nga kombëtarja për dy ndeshjet e muajit qershor.
Gjatë këtij sezoni, Keidi Bare ka luajtur 15 ndeshje me ekipin e parë të Malagas, duke asistuar dhe një gol. Ai u afrua gjatë fundit të vjeshtës te Malaga A, pasi më herët u aktivizua me ekipin e dytë të saj. Bare është kthyer në lider tek ekipi i tij, teksa në ndeshjen e fundit u ndëshkua me karton të kuq, pas një ndërhyrje të pavullentshme ndaj kundërshtarit.