Tre liderët e opozitës i shkojnë në takim Albin Kurtit

KOSOVA


Të tre liderët e partive opozitare i kanë shkuar në takim kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kurti kishte thirrur në takim Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për të diskutuar për situatën në veri.


Ai tha dje se ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për destabilizmin e situatës në veri të vendit.

Zyrtarët serbë në veri të Kosovës kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deri më 7 nëntor, Kosova ka pranuar dorëheqjen e 461 zyrtarëve serbë të rendit, 107 policëve kufitarë dhe dhjetë hetuesve policorë.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës

Edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Kurti u bëri thirrje serbëve në veri të vendit që të mos japin dorëheqje, ngase siç tha ai, “bojkotet nuk janë zgjidhje, institucionet nuk kanë alternativë”.

Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe.




Skip to toolbar