Tronditet Kavaja, masakër me 1 të vrarë dhe 5 të plagosur

AKTUALITET


Përplasja mes dy grupe të rinjsh me armë zjarri ka tronditur Kavajën. Përplasja  e armatosur ka shkaktuar një masakër me 1 të vrarë, që mendohet se ka qenë kalimtar dhe 5 persona të plagosur, mes të cilëve katër mendohet se janë kalimtarë dhe jo nga grupet e përplasura mes njëri tjetrit.

Nga informacionet paraprake raportohet se ngjarja ndodhi në hyrje të qytetit të Kavajës, te stacioni hekurudhor, ku dy grupe kriminale janë përplasur me armë zjarri. Sipas policisë, viktima është identifikuar si Ramazan Hasalliu, rreth 50 vjeç, që nuk kishte lidhje me ngjarjen, pasi ishte duke blerë bukë.


Tre nga pesë të plagosurit janë Sali Mekja, Rustem Berberi (Dedej), Arben Hajdini, ndërsa i plagosur është edhe Marjus Aliaj, i cli mbahet në ruajtje nga policia në spitalin e Durrësit, pasi dyshohet se është një nga autorët e krimit të rëndë. Ngjarja ka tronditur qytetin e Kavajës, pasi skena ka qenë e denjë për filma me përplasjen me armë zjarri në mes të ditës.

Policia ka shtuar praninë në spitalin e Durrësit, ku kanë shkuar edhe familjarët e të plagosurve, për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme, duke qenë se aty po merr mjekim edhe një nga autorët e krimit.

Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, vëllai i Marjusit, Denis Aliaj dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij. Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar. Janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Burimet policore thanë se dy vëllezërit ishin përfshirë në konflikt para pak ditësh, me dy vëllezërit Eraldo dhe Elio H., ndërsa sot (të enjten) u takuan për të sqaruar ngjarjen, në një lokal në hyrje të Kavajës pranë një furre buke. Por më pas situata ka precipituar dhe ka filluar edhe përplasja me armë, ku fillimisht mbeti i vrarë Ramazan Hasalliu, 50 vjeç, që sapo kishte dalë nga furra me bukë në dorë dhe u plagosën pesë të tjerë. Policia tha se të dyja palët kanë pasur armë, ndërsa po punohet që të dokumentohet gjithë dinamika e këtij krimi të rëndë, që i mori jetën edhe një kalimtari.

Presidenti Meta ngushëllon familjen e viktimës

Për ngjarjen e rëndë ka reaguar Presidenti Ilir Meta, i cili shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen tepër të rëndë dhe tragjike. “Presidenti Meta pati një bisedë telefonike me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, z.Isa Sakja dhe i kërkoi t’i përcjellë ngushëllimet dhe solidaritetin e Tij më të sinqertë të afërmve dhe familjarëve të qytetarit që humbi jetën, si dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, deklarohet në njoftimin e Presidencës. Po ashtu, Presidenti Meta ka kërkuar nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë, zbardhjen e shpejtë dhe të plotë të saj, si dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. Presidenti Meta thekson domosdoshmërinë e rritjes së gatishmërisë së Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese, për të marrë të gjitha masat e duhura për garantimin e sigurisë publike në vend dhe parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla kaq të rënda e tragjike.

Vrasja në Kavajë, reagon ish-deputeti Alibeaj

Për masakrën në Kavajë ka reaguar edhe ish deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, i cili ka hedhur akuza se policia merret me arrestime politike, ndërsa krimi ka imunitet në pushteti në Shqipëri.

“Një qytetar u vra në Kavajë, ndërsa ishte duke blerë bukë. Në mes të qytetit, në mes të ditës, përplasjet me armë terrorizojnë qytetarët. Krimi nuk e ka më frikë qeverinë sepse ajo është thjesht zgjatim i tij! Policia është e zënë me arrestime politike pasi krimi ka imunitet nga pushteti në Shqipëri. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjarëve të Ramazan Hasalliut. Shërim të shpejtë të plagosurve”, shprhet Alibeaj.

Vrasja në Kavajë, Pampuri: Qytetari nuk është i sigurt as te dyqani i lagjes

Ish deputetja e PD, Orjola Pampuri ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që tronditi Kavajën. Pampuri tha se kjo ngjarje tragjike tregoi edhe një herë se sa të pasigurt jemi në rrugë apo edhe në dyqanet e lagjes, ku një njeri i pafajshëm vdiq me bukë në dorë për ta çuar pranë familjes së tij.

“Sa herë në Shqipëri ka ngjarje të rënda, përplasje bandash, apo viktima si Ramazani i ndjere sot ne Kavaje, tronditja dhe pasiguria janë ndjesitë më të forta që na përfshijnë. Por bilanci i luftës në Kavajë sot,  me 1 viktimë të pafajshme, që po blinte bukën e familjes ne dyqanin e lagjes dhe me disa te plagosur, është revoltues. Ai provon sa të pasigurt jemi ne, familjarët tanë, fëmijët tanë, kur qeveria heq dore nga puna e saj dhe behet ortake me krimin për të ruajtur karrigen e paligjshme. “ – shkruan ndër të tjera Pampuri në një reagim të saj në Facebook.




Skip to toolbar