Trump vendos sanksione për gazin, Gjermania: Po ndërhyn në punët e brendshme

BOTA


Gjermania dhe Rusia kanë reaguar ashpër ndaj sanksioneve të miratuara nga Presidenti i SHBA Donald Trump për një tubacion gazi midis dy vendeve. Sanksionet synojnë firmat që po ndërtojnë “Nord Stream 2”, një tubacion nënujor që do t’i lejojë Rusisë të rrisë eksportet e gazit në Gjermani.

Trump vendosi sanksione ndaj tyre, pasi e konsideron tubacionin e gazit një rrezik sigurie dhe se dobësohen gazsjellës të tjerë alternativë.


Por Gjermania akuzoi Uashingtonin për ndërhyrje në punët e brendshme, ndërsa Rusia dhe zyrtarët e BE gjithashtu kritikuan sanksionet. Ministri i Financave Olaf Scholz tha se sanksionet ishin një shkelje e sovranitetit.

“Varet nga kompanitë e përfshira në ndërtimin e tubacionit që të marrin vendimet e ardhshme,” tha ai.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ka thënë se sanksionet janë “ndërhyrje në vendime autonome të marra në Evropë”.

Administrata Trump ka frikë se tubacioni do të forcojë kontrollin e Rusisë mbi furnizimin me energji të Evropës dhe do të zvogëlojë pjesën e vet të tregut fitimprurës evropian për gazin natyror të lëngshëm amerikan.

Presidenti Trump ka thënë që tubacioni 1.225 km (760 milje), në pronësi të kompanisë shtetërore të gazit Rus, Gazprom, mund të shndërrojë Gjermaninë në një “peng të Rusisë”.




Skip to toolbar