Tryeza politike, ish-deputetja e PD: U ulëm se u tërhoq PS

POLITIKË


Ish-deputetja e PD Dhurata Çupi e ka cilësuar një fitore të opozitës shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë marrëveshjen e arritur sot për reformën zgjedhore. E ftuar në “Real Story” në News 24, Çupi tha se PD u ul në këtë tryezë pasi u tërhoq PS, e cila pranoi kërkesën e demokratëve për t’u ulur në një tryezë jashtë parlamentit. Çupi deklaroi se ishte një marrëveshje e kreut të PD-së Lulzim Basha me ndërkombëtarët, ndërsa shtoi se opozita nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj për sa i përket hetimit për deformimin e proceseve zgjedhore të personave të akuzuar, përfshi dhe Damian Gjiknurin, me të cilin u ulën sot në tryezën e marrëveshjes.

“Ajo çfarë sot është pozitive për politikën shqiptare është se kjo ishte një marrëveshje e zotit Basha me ndërkombëtarët. Kjo është dhe me deklaratat e përgëzimit nga ambasadat e BE, SHBA e OSBE. Do të veçoja deklaratën e SHBA. Kjo konsiderohet fitore e opozitës shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë. Kjo është ajo çfarë sot qytetarët shqiptarë kanë prekur, një marrëveshje e opozitës, e zotit Basha me amerikanët, me Bundestagun gjerman për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme.


Asgjë nuk ka ndryshuar për opozitën me individë të veçantë. Ne vazhdojmë të themi që Damian Gjiknuri duhet të shkojë para drejtësisë. Damian Gjiknuri duhet të hetohet dhe gjithë ata persona që janë përfshirë në deformimin e proceseve zgjedhore. Këtë nuk e kemi mohuar dhe do vazhdojmë ta themi. Nëse jemi në gjendje krize jemi për shkak të kësaj mazhorance. Kemi një drejtim të vendit në 7 vite që ka pasur vetëm regres”, tha Çupi.

E pyetur nga gazetari Sokol Balla se pse u ulën sot për marrëveshje dhe jo dje, Çupi tha se tani PS pranoi të tërhiqej dhe të plotësonte një kërkesë të PD që të diskutohej jashtë tryezave parlamentare

“Sot u ulem në tryezë, pasi Partia Socialiste pranoi që të ulej në një tryezë jashtë parlamentare. Kjo ishte kërkesë e jona dhe u arrit sot” u shpreh Çupi.

Në lidhje me një takim mes Ramës e Bashës, Dhurata Çupi tha se ata të dy nuk do të ulen kurrë në tavolinë, pa pasur më parë vendi zgjedhje të lira e të ndershme.

“Nuk ka ulje të Ramës dhe Bashës në tavolinë pa zgjedhje të ndershme. Ulja e fundit më 2017 mes tyre ishte abuzive nga ana e Edi Ramës. PD nuk bën pazare. Ne duam zgjedhje të lira të mbrojtura nga korrupsioni e mashtrimi, siç e tha ambasada amerikane”, tha Çupi.




Skip to toolbar