U shkarkua nga Vettingu, Xhoxhaj e Kushtetueses ankimon në Strasburg

AKTUALITET


Gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, e shkarkuar nga Vettingu, ka ankimuar vendimin e KPK dhe KPA-së në Gjykatën e Strasburg.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, KLD dhe DSIK referuan raporte pozitive pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit bazë të Vetingut, duke i hapur rrugë konfirmimit në detyrë të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj. Por, një hetim i thelluar rreth ligjshmërisë së pasurisë së saj dhe një denoncim i ndryshuan fatin e vendimit Altina Xhoxhajt.


Hetimi i thelluar nga njerëzit e Vetingut dhe përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ka çuar në konkluzionin se Altina Xhoxhaj nuk justifikon pasurinë e deklaruar si dhe ka fshehur pasurinë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi disa gjetje që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i kishte cilësuar shkarkuese në rastin e ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj, megjithëse e gjeti të provuar vendimin për shkarkimin e Xhoxhajt dhe la në fuqi unanimisht vendimin, duke arsyetuar se gjetjet kryesore sipas të cilave ish-gjykatësja kishte kryer “fshehje pasurie” e “deklarim të rremë” qëndronin.

Sipas vendimit pretendimi i Xhoxhajt se ato që nuk kishte deklaruar ishin veprime juridike (kontrata sipërmarrje), u rrëzua nga KPA, i cili shprehet në arsyetim se “Kontrata si veprim juridik me anë të së cilës një ose disa palë krijojnë, ndryshojnë ose shuajnë një marrëdhënie juridike, nuk është vetëm burim detyrimi, por kontrata është edhe një nga mënyrat e fitimit të pronësisë apo të të drejtave reale mbi sendet objekt i këtyre kontratave”.

Në vendimi e arsyetuar të Kolegjit po ashtu rezulton se shumica 4 nga pesë anëtarë votuan pro edhe pjesë së vendimit të Komisionit sipas të cilës Xhoxhaj kishte cenuar besimin e publikut te drejtësia, duke mos dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i një çështje të gjykuar më herët nga babai.

Në mendim paralel Ina Rama e cila kryesori trupën gjykuese në këtë rast ndërsa bën me dije se ishte dakord me vendimin e shumicës për shkarkimin e Xhoxhajt, arsyeton se KPA duhej të kishte rrëzuar pjesën e vendimit lidhur me “cenimin e besimit te drejtësia”.

KPA vendosi të konfirmojë vendimin për shkarkimin e Xhoxhajt  më 24 tetor. Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kryesuar nga Ina Rama, relator Ardian Hajdari dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci, Natasha Mulaj vendosi unanimisht për shkarkimin e Xhoxhajt.

Altina Xhoxhaj ishte një ndër 5 anëtarët Gjykatës Kushtetuese që u shkarkua në procesin e vetingut. Katër anëtarë të Kushtueses u rrëzuan në Komisionin e pavarur të Kualifikimit dhe vendimet ndaj 3 prej tyre janë konfirmuar tashmë edhe në KPA. Ndërkohë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja u konfirmua në KPK, por u rrëzua pas apelimit nga Komisioneri Publik në KPA.




Skip to toolbar