Vasili: Propozimi për Listat e Hapura u paraqit në Këshill para 2 ditësh, s’mund të ndryshojmë Kushtetutën në 6 ditë

AKTUALITET


Teksa përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri deklaroi se opozita nuk është dakord që të flasë për listat e hapura në Këshillin Politik, krejt të kundërtën deklaroi përfaqësuesi i LSI-së Petrit Vasili.


Ai tha për mediat se opozita e bashkuar ishte njohur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese para dy ditësh, ndërsa afati kohor i lënë në dispozicion ishin 6 ditë. Sipas Vasilit, Kushtetuta nuk mund të ndryshojë në 6 ditë.

“Një çështje tjetër që është hedhur në Këshillin Politik kanë qenë dhe ndryshimet kushtetuese. Kanë të bëjnë me të ashtuquajturat Listat e Hapura. Propozimi, fakt i kryer, është depozituar para 2 ditësh në Këshill. Dhe ky diskutim është imponuar që të kryhet brenda 6 ditësh. Nëse për kodin elektoral, marrëveshjen e 5 qershorit, u deshën 6 muaj, kërkohet që Kushtetua e vendit të ndryshohet për 6 ditë. Këshilli Politik dhe opozita në Këshill mbetet e palëkundur që të diskutojë çdo çështje, por pa logjikën e faktimit të kryer, pa trysni dhe duke i dhënë hapësirë debatit. Keni parë që në emër të popullit, të vullnetit të tij, flasin hajdutët e votave të popullit.”-, tha Vasili