Veliaj në Real Story: Meta bëri një budallallëk epik, nënvlerësoi SHBA-të për vizën e Tit Vasilit

Më të fundit


Kandidati i koalicionit të majtë Erion Veliaj e cilësoi qëndrimin e  Presidentit Meta, duke dekretuar një datë të re zgjedhjesh tre ditë para 30 qershorit si një budallallëk epik, duke nënvlerësuar për SHBA-të për shkak të refuzimit të vizës së Petrit Vasilit. Duke folur në “Real Story” të Sokol Ballës në Vizion Plus, përballë analistëve Agron Gjekmarkaj dhe Alfred Lela, Veliaj theksoi se Kolegji Zgjedhor ka folur qartë se zgjedhjet janë ditën e diel, ndërsa vlerësoi si thelbësor rolin e mbajtur nga Shtetet e Bashkuara për kombin tonë, gjë që e treguan edhe për këto zgjedhje. Kryebashkiaku Veliaj, i cili është sërish kandidat për një mandat të dytë foli edhe për transformimin e Tiranës, akuzat e PD për projektin e Unazës së Madhe, por edhe për fushatën zgjedhore.

 “Shumë politikanë, përfshirë edhe presidentin harrojnë që shoqëria është emancipuar dhe i jep ujë në bisht të lugës shumë prej politikanëve dhe ti tallesh me miletin  t’u thuash “shkoni ikni, bëni një xhiro nga plazhi e dukuni në tetor”, ndërkohë që qartazi përveç SHBA, hera e parë pas kaq muaj protestë, ne ramë dakord me Lul Bashën, i cili gjithashtu nuk e pranon këtë datë. Në qoftë se donte konsensus, Ilir Meta me budallallëkun epik që bëri sot, arriti të formësonte pa dashje konsensus midis forcave politike kryesore dhe i bie që ka pyetur vetëm Tit Vasilin për datën. Kjo më duket realisht një tallje në nivelin grotesk me popullin tënd. Shqipëria e ka bërë qartë zgjedhjen e saj përkrah Shteteve të Bashkuara dhe se nuk mund të prishet me aleatin e saj për faktin se Tit Vasili nuk merr vizë. Nëse Ilir Meta është gati të hapë luftë me Amerikën, se ai mund të bëjë edhe dekrete të thotë fillojmë luftë me SHBA për faktin që Tit Vasili nuk merr vizë qartazi, ka nënvlerësuar Amerikën por edhe mentalitetin qytetar sot në Shqipëri”, tha ai.


“Mirë që s’je promovues i unitetit kombëtar, por edhe të tallesh me një popull që sapo e ke përçarë ndërkohë që ke të gjithë kundra, ligjin, kushtetutën kundra, ke 5-0 vendimin e gjykatës kundra dhe ke SHBA kundër. Në momentin që ti thua për të disatën herë Koreja e Veriut, është një lloj vetëkënaqësie që do moderuar disi, kur vjen puna për një autoritet që si të djathtë e të majtë e kemi pranuar që vendi ynë e ka këtë prirje pro perëndimore. Për ne SHBA kanë qenë jetike që në ekzistencën tonë si komb kur diskutojmë kohën e presidentit Wilson, jetike në transformimin tonë post totalitar”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës ka komentuar edhe krizën politike, ku sipas tij Basha nuk kërkon një zgjidhje, gjë që është bërë e qartë edhe nga SHBA. “Tjetri të ka ftuar 7 herë dhe ti nuk do ta bësh këtë gjë, është si fëmija, do t’i japësh qumësht ose biberon. Kur të japin gjithçka e ti nuk do, qaj! Nuk do ndalojë jeta në Shqipëri se Lulit s’i dalin kicat”, deklaroi Veliaj.

Qëndrimi i amerikanëve është komentuar edhe nga Lela. “Amerikanët i kemi pranuar tani si zgjedhje dhe si zgjidhje, kështu që kushdo ka ndërmend të përballet me veprime të rënda, duhet ta ketë parasysh qëndrimin amerikan. Demokratët e kanë të qartë, ka zëra që ka irritime, ka zëra të largët, por duke qenë të largët, nuk do të thotë se janë më hierarkitët. Besoj se Basha do e ketë këtë parehati partiake, sepse e ka zgjatur pashin në radikalizim më shumë se sa mund ta përballojë”, u shpreh Lela.

Po ashtu Lela komentoi se “Veliaj e ka më të lehtë në këto zgjedhjeve vendore se nuk i ka dalë emri as figura tek ato gjëra që dëgjojmë, ka menaxhuar qytetin e vet, ka bërë disa gjëra mirë dhe disa gjëra nuk i ka bërë mirë dhe nuk i rri asnjë dosje Veliajt, ndërsa mazhoranca, të cilën e përfaqëson, i ka ca probleme që zoti Veliaj, do apo s’do, ato janë. Ai mund të ketë 30 qershorin e vet, është në të drejtë të festojë, por mazhoranca ka një 30 qershor ndryshe, me përgjimet që ka dalë, mund ta hedhim në gjyq Bild-in. Unë nuk dua që as PS dhe as kryetari i Bashkisë së Tiranës ta marrin aty sikur është e lehtë edhe kur ke amerikanët”, tha Lela. Edhe Gjekmarkaj u shpreh se nuk jemi afër një feste, por jemi afër një drame. Por, Veliaj tha se e kemi parë si festë mbylljen e kësaj fushate, pasi boll drama kanë njerëzit në shtëpitë e tyre.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, njëkohësisht kandidat i mazhorancës për një mandat të dytë i është përgjigjur interesit dhe ka debatuar me dy analistët edhe për punët e bëra në Tiranë. Një pikë e nxehtë debati ishte edhe ai për Unazën e Madhe dhe situatën e krijuar me banorët e Astirit, ku Veliaj deklaroi se ky është një projekt, jo i Bashkisë së Tiranës, por që në grup pune është edhe bashkia. Ndërsa për akuzat e PD për teatrin, Veliaj theksoi fasada e teatrit mund të ruhet, si në rastin e stadiumit. “Padyshim që janë çështje që mund të diskutohen, por ata thonë që nuk duhet ta prekni fare. Këtë s’e pranojmë”, deklaroi Veliaj në Real Story.




Skip to toolbar