Në emisionin “Real Story” në ABC News, zv/kryetari i parlamentit të Malit të Zi, Nikoll Camaj, foli për situatën në Mal të Zi, marrëdhëniet me Serbinë, duke u ndalur edhe tek marrëdhënia me Shqipërinë.
Camaj nënvizoi se shqiptarët asnjëherë nuk kanë qene më të integruar. Sa i përket komenteve dhe deklaratave për Serbinë, ai u shpreh:
“Mali i Zi nuk mund të devijojë rrugën që ka, pa marrë parasysh edhe këtu mendoj se duhet të kemi theksin e bisedës, sepse ka shqetësime, mendime se Mali i Zi mund të devijojë rrugën për shkak të ndikimit të botës serbe, është evidente dhe ne nuk mund ta ndalim ëndrrën serbe për një botë të tyre, mirëpo forca e tyre politike aktualisht në Mal të Zi nuk është ajo që mund të dëmtojë rrugës se as brenda shumicës, as brenda parlamentit, as brenda qeverisë nuk kanë numrat që mund të rrezikojnë”.
Gjithashtu shtoi se Mali i Zi nuk mund të devijojë rrugën që ka.
Pyetje: Nikoll në Malin e Zi, sigurisht shqiptarët ndihen të ridimensionuar, pasi fituan Tuzin le të themi pati një moment të mirë atje politik, por sigurisht ndryshimet politike në Malin e Zi janë më komplekse për shkak edhe të ndikimit të fortë të Serbisë le të themi dhe të formulave jostabile të formimit të qeverisë. Shqiptarët atje arritën të kishin një kryeministër prej më shumë se dy vitesh z.Dritan Abazovic, u morën disa vendime që janë në të mirë të integrimit të brendshëm të shqiptarëve si ajo e urës mbi Bunë, e megjithatë duket se incidentet nuk kanë munguar së fundmi edhe pse shqiptarëve dhe sllavëve atje, por edhe shqiptarët e Shqipërisë duket që nuk kanë më atë atmosferën miqësore që kanë patur dikur kur vinin në Mal të Zi.
Çfarë realisht po ndodh atje, pasi formalisht Mali i Zi mbetet, siç e tha edhe ministri Hasani, një vend anëtar i NATO-s, një vend i përparuar në procesin e integrimit Europian.
Pra, perspektiva në pamje të parë nuk ka ndryshuar, por diçka ka ndryshuar apo jo?
Nga ana e tij Nikoll Camaj u shpreh: Së pari më lejoni t’ju përshëndes të gjithëve këtu, auditor i mrekullueshëm, panelin, Falënderoj ministrin edhe për një vizitë dhe një takim mbresëlënës dhe shpresëlënës në Podgoricë. Kështu që mendoj se edhe biseda sot, mund të jetë në vazhdën e asaj që biseduam në Podgoricë. Natyrisht duke respektuar drejtuesin e panelit, dhe mendojmë se atë çka është interes për t’u përgjigjur është interes i përgjithshëm dhe besoj të gjithë shqiptarët e shohin të dinë pozitën e shqiptarëve në këtë moment, në këtë qeveri, këtë mozaik partish të ndryshme dhe një shumice parlamentare që nuk ka qenë asnjëherë më e madhe në Malin e Zi. Pse është e përbërë nga shumë subjekte nuk do të thotë se s’është e brishtë dhe e lëndueshme. Testin e parë e kemi në zgjedhjet që do të bëhen në kryeqytet në Podgoricë, më 15 shtator. Ajo që është interesant dhe që mundohemi çdo dita ta vëmë në vetëdije, është se shqiptarët asnjëherë nuk kanë qene më të integruar, jo vetëm për të marrë ca pozita që edhe ato kanë rëndësi, por edhe për nga numri i ministrave, me zv/kryeministër, zv/kryetar të parlamentit, me dy ministra të tjera, dhjetëra drejtorë, me përfaqësues të bordeve të kompanive që s’ka ndodh asnjëherë. Ne i kemi dhënë një përkrahje pushtetit pothuaj pa kushte. Kemi patur një ministri që më tepër ka qenë një dekor për të hyrë dhe për të dalë njerëz, që vinin nga jashtë se për të kryer ndonjë punë, kështu që shqiptarët në një farë mënyre në këtë qeveri, janë në pozitë që vetë të marrin përgjegjësitë, të mos fajësojnë të tjerët nëse diçka nuk do të kryhet. Dhe natyrisht në gjithë këto ne ballafaqohemi me sfida me probleme, me kërkesa se kur flasim për ekonomi ne ndajmë fatin e qytetarëve të Malit të Zi, në fund të fundit edhe fatin e qytetarëve të rajonit. Mirëpo, janë disa çështje që ne mundohemi në Mal të Zi përmes aksionit afrimativ t’i zgjedhim si çështje parekselencë të pakicës autoktone. Dhe të duhet të kemi parasysh kur flasim për shqiptarët në Mal të Zi, nganjëherë edhe ngatërrojmë aty ti quajmë si diasporë, ne në aspiratat tona na dëmtohet me një emërtim të tillë, ne jemi autoktonë dhe ata c’ka duam të kërkojmë është që përmes Aksionit afirmativ të jemi pjesë e vendimmarrjes në të gjitha poret e jetës së shtetit të Malit të Zi.
Në këtë mënyrë jemi një farë garanti se Mali i Zi nuk mund të devijojë rrugën që ka, pa marrë parasysh edhe këtu mendoj se duhet të kemi theksin e bisedës, sepse ka shqetësime, mendime se Mali i Zi mund të devijojë rrugën për shkak të ndikimit të botës serbe, është evidente dhe ne nuk mund ta ndalim ëndrrën serbe për një botë të tyre, mirëpo forca e tyre politike aktualisht në Mal të Zi nuk është ajo që mund të dëmtojë rrugës se as brenda shumicës, as brenda parlamentit, as brenda qeverisë nuk kanë numrat që mund të rrezikojnë.
Të them të drejtën, në bazë të kontakteve të përditshme që ne kemi, as që pretendojnë për ta rrezikuar, por ajo që pretendojnë është që t’i kthejnë popullatës serbe që ndjejnë veten serb në Mal të Zi ato të drejta që iu janë mohuar me dekada. Një prej të drejtave që lidhet edhe me ne edhe me fatin tonë, sidomos me diasporën tonë, është çështja e shtetësisë. Tani tentojnë ta bëjnë si një problem, sepse për hir të serbëve nuk mund t’u japim shtetësinë as shqiptarëve, por në fund të fundit ndodhi e kundërta, dhe po ndodh e kundërta që shqiptarët e humbin shtetësinë dhe një prej sfidave që na pret është të gjejmë një gjuhë të përbashkët, të shohim si të zgjedhim çështjen e shtetësisë të dhjetëra mijëra shqiptarëve nga Mali i Zi që kanë migruar, që kanë kryer shërbim ushtarak në ish Jugosllavi, që kanë qenë të ftuar dhe kanë ardhur për të votuar për Malin e Zi Sovran, kurse sot vijnë si turistë në shtëpitë e veta. Në Mal të Zi fitohet shtetësia ekonomike me 300 mijë euro investime. Madje kemi edhe shtetësi shumë të dyshimta që po dalin kohët e fundit, ndërsa njerëzit që kanë investuar miliona ose që kanë trashëgimi pasurinë e të parëve me miliona, nuk mund të kenë shtetësi. Ajo që ne i kemi vënë vetes si detyrë është, përpos integrimit brenda Malit të Zi, dhe asnjë herë nuk kemi qenë më të integruar se tani, është edhe integrimi me botën shqiptare, ne kërkojmë që kultura, arsimi, sporti, të jemi pjesë e botës shqiptare, pasi ne nuk jemi shqiptarë të tjetër lloji.
Madje për pyetjen se as shqiptarët nuk janë më aq entuziast për bashkëpunim, duhet ta dini jemi shqiptarë si të gjithë shqiptarët dhe te ne harmonia nuk zgjat shumë, por duhet të japim maksimumin që ndërshqiptarë në rajon, future këtu Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe trojet e tjera të kemi një bashkëpunim intensive që ta dijë e gjithë bota që jemi një si komb, edhe pse jetojmë në shtete të ndryshme. Dhe ne këtë gjithnjë po e promovojmë dhe dua të shfrytëzoj rastin, që t’i jepet hapësira në botën shqiptare, kur përmenda sportin, ne kemi një klub që ka qenë kampion dhe mban emrin e një mali të mrekullueshëm që për fatin e keq tonin ka mbetur jashtë Shqipërisë, por që aty është ngritur flamuri i parë pas vdekjes së Skënderbeut, pra ekipi i Deçiç.
Që edhe përmes sportit mendoj se një farë lige kombëtare ta kemi që të kenë mundësi që të bashkëpunojmë. Në çdo drejtim pra, ne na pret shumë për të punuar. Nuk kam ndërmend të relativizoj faktin se ëndrra serbe, dhe bota serbe është aktive, pra ne e kemi parasysh këtë, por ne do të jemi aty deri sa të kemi forcë dhe fuqi për ta mbajtur nën kontroll./abcnews.al/