Veteranët protestojnë para Kuvendit në Kosovë

KOSOVA


Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë hyrë të enjten në oborrin e Kuvendit të Kosovës, teksa protestojnë si shenjë pakënaqësie ndaj miratimit në parim të Projektligjit për pagën minimale në Kuvend, më 14 qershor.

Projektligji nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.


Protestuesit kanë arritur të hyjnë në oborrin e Kuvendit pas shtyrjeve me forcat e Policisë së Kosovës, derisa në hyrje të këtij institucioni janë pozicionuar njësitet speciale.

“Këta deputetë që shkelin ligje, që shkelin Kushtetutë, nuk e kanë vendin këtu”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL të UÇK-së), Faton Klinaku, para ndërtesës së​ Kuvendit, duke bërë thirrje për tërheqje të Projektligjit.

“Për shkak të këtij turpi të deputetëve, që nuk dëgjuan thirrjet tona, që të mos e miratojnë turpin e Qeverisë, u detyruam të thërrasim protestë”.

Klinaku është zotuar për dërgim të vendimit – nëse hyn në fuqi – edhe në instanca më të larta.

“Ne jemi gati që nëse ligji hyn në fuqi, ju garantoj se ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, dhe 100 për qind jemi të sigurt që Gjykata Kushtetuese do ta konstatojë​ se këta shkelin ligje”.​

Ai ka paralajmëruar edhe protesta tjera.

“Lirisht mund t’ju them se secilën herë që këta (deputetët) do të kenë seanca, ne do të jemi këtu”.

Protestuesit janë dëgjuar duke bërë thirrje, “Duam të drejtat tona” dhe “Duam një përgjigje”.

Seanca e Kuvendit ndërpritet përkohësisht

Teksa protestat kanë vazhduar jashtë Kuvendit, brenda ka nisur për pak seanca e rregullt.

Ndonëse në të janë planifikuar për diskutim pika tjera, deputetët e opozitës kanë nisur takimin duke diskutuar për veteranët.

Rashit Qalaj, deputet nga Partia Demokratike të Kosovës ka thënë se nuk duhet të ketë mbledhje normale të Kuvendit derisa të zgjidhet çështja e përfitimeve të veteranëve.

“Sot do duhej të ndiheshim të gjithë të turpëruar, por sidomos ata që ishin kundër përfshirjes së veteranëve në marrjen e benefiteve në lartësinë e pagës minimale. A thua i paskemi harruar të gjithë ata që i lanë gjymtyrët që ne sot të jemi këtu?” ka pyetur Qalaj.

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se Qeveria ka dështuar të ketë dialog frytdhënës me veteranët.

“Një pjesë vitale e rëndësishme dhe kontributdhënëse për lirinë e vendit, është në protestë jashtë Kuvendit sot, dhe kjo për gabime të Qeverisë. Është e padinjitetshme që veteranët e luftës të trajtohen në këtë mënyrë”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar ndërprerjen e seancës dhe nisjen e dialogut me veteranët.

Ndërkohë, deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit, duke pamundësuar vazhdimin e seancës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar më pas takim me shefat e grupeve parlamentare të partive në Kuvend, meqë është pamundësuar vazhdimi i seancës.

Konjufca më vonë ka bërë të ditur për shtyrje të seancës deri në orën 13:00.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, u ka thënë protestuesve se partia prej nga vjen ai, nuk do të lejojë vazhdimin e seancës pa arritur zgjidhje për veteranët, dhe ka kërkuar që të përcaktohet pensioni i tyre në linjë me pagën minimale.

Ai ka kërkuar që Qeveria, Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe veteranët të mbajnë një takim të përbashkët për të diskutuar këtë çështje.

Pse këto pakënaqësi?

Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Në rast se miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.

Veteranët kanë kërkuar që ky Projektligj të mos miratohet edhe në një protestë që kanë zhvilluar para Kuvendit më 6 qershor.

Projektligji i miratuar në parim është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare në Kosovë, duke u konsideruar si diskriminues ndaj veteranëve.




Skip to toolbar