Vettingu shkarkon prokurorin e “Babales”

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri, i njohur si prokurori i dosjes “Babalja”. Vendimi është dhënë mëngjesin e së mërkurës nga Komisioni i vettingut, ku trupa gjykuese përbëhej nga Lulzim Hamitaj, Olsi Komici dhe Brunilda Bekteshi.

Gjatë seancës dëgjimore, KPK vuri në dukje për Kullurin dyshimet rreth një kontakti të papërshtatshëm me një person të dënuar në Greqi për kultivim narkotikësh dhe po ashtu të gjykuar në Shqipëri për tentativë vrasjeje. Kullurit po ashtu iu vu në dukje se dyshohej që kishte bërë deklarim fiktiv të një dyqani në Orikum, për të përfituar një vlerë më të lartë dëmshpërblimi prej shpronësimit.


Trupa gjykuese e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Lulzim Hamitaj, i vuri në dukje prokurorit edhe mbylljen pa veprime të një çështje ndaj një prokuroreje të Prokurorisë së Tiranës.

Kulluri, i cili ka filluar karrierën e prokurorit në Vlorë në vitin 1999, kundërshtoi gjetjet e KPK-së. Ai mohoi kontaktin me personin e identifikuar si A.B dhe tha se kishte bërë deklarim të saktë në formularin e vetëdeklarimit.

Kulluri u emërua fillimisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004. Në vitin 2008, Kulluri u emërua drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në vitin 2013. Me dekret të Presidentit të Republikës, ai është rikthyer sërish si prokuror i Krimeve të Rënda, detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht.




Skip to toolbar