VIDEO/ Rrëfehet ortaku i Efraim Diverolit: Shkëlzen Berisha e priti Diverolin me një mafioz, negociuan çmimin e municioneve kineze

AKTUALITET


Në një kohë kur SPAK ka nisur hetimet të reja për Gërdecin, me akuzën e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash, David Packouz, ortaku i Efraim Diverolit ka rrëfyer detaje me për marrëveshjen 300 milionë dollarëshe nga Pentagoni për të siguruar municione nga Shqipëria, pjesë e së cilit ka qenë edhe djali i ish kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Në një intervistë të dhënë për podkastin “Koncrete”, Packouz i kompanisë “AEY” ka rrëfyer se si Diveroli arriti të negocionte me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha për uljen e çmimit të fishekëve kinezë.

“Efraimi mori vendimin që nuk donte të kishte rrezikun të humbiste një kontratë 300 milionë dollarëshe, kështu që në vend që t’i tregonte Ushtrisë Amerikane dhe të pranonte riskun që mund t’i hiqnin kontratën, ai vendosi të merrte dikë që të ripaketonte municionin. Ta hiqte nga kutitë me shenja kineze dhe t’i vendosnin në qese plastike dhe më pas në kuti kartoni. Në fakt donim ta bënim këtë përpara se zbuluam që municioni ishte kinez. Për shkak se në atë kohë ishte rritur çmimi i karburantit, dhe transporti me avion ishte shumë i shtrentjë. Ndaj menduam se municioni ishte i paketuar në kuti druri të rënda, dhe nëse i hiqnim, do të ulnim shumë peshën, dhe do të dërgonim më shumë municion, në këmbim do të fitonim më shumë.


Për ta bërë këtë, miku im Alex shkoi në Shqipëri dhe gjeti një prodhues kutish prej kartoni dhe e punësoi. Aty e kuptuam që ishte municion kinez, pasi vendosëm ta ripaketonim. Atëherë ne thamë “duhet ta ripaketojmë gjithsesi, por duhet të sigurohemi të heqim edhe shenjat kineze”. Ne u treguam shumë budallenj dhe e dërguam këtë me e-mail, duke lënë mundësi të mëdha gjurmimi”, shprehet David Packouz.

Pjesë e marrëveshjes ka qenë edhe një person i quajtur Henry, Patrick Henry i kompanisë “Albademil”, mik i mirë me Shkëlzen Berishën, por që sipas po i shvaste. Packouz thotë se ai blente 1 fishek kinez për 2 cent dhe ua shiste atyre për 4 cent. Duke qenë se Henry po i zhvaste, Packouz thotë se Efraim Diveroli zgjodhi ta “hiqte qafe” nga marrëveshja dhe shkoi e kontaktoi në mënyrë të drejtpërdrejtë me Shkëlzen Berishën.

“Po kursenim shumë para me transportin ajror. Mendoj se paguam 100 mijë dollarë, apo 200 mijë dollarë, nuk e mbaj mend mirë, për të gjithë ripaketimin në tota. Personi që punësuam për ripaketimin, ishte pronar i një kompanie që prodhonte kuti kartonash, kështu që meqënëse kishte fabrikën dhe punëtorët, pse mos ta merrnim. Emri i tij ishte Kosta Trebicka. Ai ishte i lumtur ta bënte punën, por ajo që ndodhi ishte se Efraimi donte të bënte më shumë para. Ai donte gjithnjë e më shumë dhe i kërkonte shqiptarëve të ulnin çmimin, ia kërkoi përmes Henry-t sepse ai e bëri marrëveshjen për ne.

I thoshte “dua një çmim më të mirë”, dhe Henry i thoshte “nuk e ndryshoj dot çmimin”. Efraimi fluturon në Shqipëri dhe nis të bisedojë me Kostën, dhe Kosta i thotë “kam një mik në Ministrinë e Mbrojtjes, mund të të jap ca informacione”. Dhe Kosta mëson se Ministria e Drejtësisë, është zyrtarisht duke e shitur municionin për 7.62×39mm te Henry për 2 cent copnë. Dhe Henry na e shiste ne për 4 cent fishekun. Kjo e zemëroi Efraimin. Ne ia shisnim qeverisë amerikane për 10.5 cent fishekun, por duhet të paguanim edhe për transportin, që ishte 3 apo 4 cent për fishek që i bie se bënim gati sa çfarë bënte Henry. Ne ishim të sigurt se Henry paguante disa politikanë aty. Pasi ai ishte shumë mik me djalin e kryeministrit, Sali Berisha ishte kryeministri. Djali (Shkëlzeni) vendosi të më padiste mua dhe Efraimin, për shpifje, u nxorr nga salla, ndaj zoti Berisha mos më padit më. Fatmirësisht për mua e nxorrën nga gjykata, ishte pa meritë. Por Simoni humbi të gjitha paratë e nxjerra nga libri pasi duhet të mbulonte të gjitha shpenzimet. Henry kishte marrëdhënie të ngushtë me djalin e kryeministrit, në këtë mënyrë e arriti aksesin te municione. Ne dyshojmë se ai paguante njerëz, nuk e mbante të gjithë 2 cent-shin për vete. Por Efraimi s’mund ta besonte si Henry po na zhvaste, dhe donte ta nxirrte jashtë marrëveshjes. Ndaj tha “Unë do e nxjerr Henry-n jashtë marrëveshjes, do shkoj do bëj vetë marrëveshje me shqiptarët”’, thotë më tej Packouz.

Më tej Packouz rrëfen takimin e Efraim Diverolit me Shkelzen Berishën në prani të Ylli Pinarit dhe një mafiozi të madh shqiptar, të cilit thotë se nuk ia kujton emrin. Ai përmend edhe emrin e Kosta Trebicka, i cili do të kryente paketimin, mirëpo marrëveshja nuk shkoi mirë. Kjo pasi u vendos që Trebicka të nxirrej jashtë loje, ripaketimin ta merrnin ata dhe si këmbim t’i bënin një ulje të vogël në çmimin e blerjes së municioneve. Ai thotë se Kosta Trebicka u zemërua pasi u nxorr jashtë loje zgjodhi që të tregonte me detaje pikat e marrëveshjes, por kjo i kushtoi jetën.

“Efraimi shkon në Shqipëri dhe takohet me Pinarin, ishte i organizatës së eksportit shqiptar. Një kompani shtetërore që ishte e ngarkuar të shiste çdo lloj municioni që donte qeveria ta shiste. Ai u takua me Pinarin, ky takim është dhe në libër, dhe për këtë na paditi zoti Berisha (Shkëlzeni). U takua me Pinarin dhe djalin e kryeministrit, dhe një person tjetër që ishte një mafioz shqiptar. Nuk ia mbaj mend emrin.

Efraim kuptoi se me kë kishte të bënte, ai zakonisht flet shumë, Alex ishte atje dhe më tha se sapo hyri aty, e uli menjëherë zërin. Ata i thanë, shiko nuk do të të japim një çmim më të mirë, ky është çmimi më i mirë në Europë. Megjithatë e dimë se bën edhe ripaketimin, dhe ke punësuar këtë tipin që nuk është pjesë e organizatës tonë, dhe po i paguan atij goxha para. Nëse e heq qafe atë dhe na paguan ne, për ta bërë ne paketimin, do të të bëjmë ulje. Dhe Efraimi i thotë “marrëveshje”. E heq Kostën nga marrëveshja dhe Kosta u revoltua shumë, se i mbetën 20 mijë dollarë kuti, nuk ia paguan.

Kosta u inatos shumë, sepse ai e dinte çfarë po ndodhte, ne i kishim thënë kujdesu që të mos ketë shenja kineze, dhe ai shkon e i thotë Nju Jork Times, dhe zyrtarvëe amerikanë. Dhe ata nisën hetimin. Por gabimi i tij më i madh ishte se kontaktoi shtypin shqiptar, dhe u tha se ka korrupsion të madh me këtë marrëveshje, se politikanët po marrin rryshfet. Ai përfundoi i vdekur në rethana misterioze. Një muaj më pas, ai ishte duke udhëtuar vetëm në një rrugë të sheshtë dhe papritmas pësoi një aksident ku përfundoi disa metra larg makinës. E cilësuan si aksident, por ishte aksident shumë i çuditshëm”, thotë në rrëfimin e tij Packouz.

Intervista është bërë 4 muaj më parë, por është ishte bërë publike për median e shkruar. Ajo është një dëshmi e fortë që mund të shërbejë SPAK për hetimet e nisura për 2 akuza të reja “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash”. Prokuroria e Posaçme njoftoi dje se ka ndarë çështjen lidhur me procedurën e shitjes së municioneve luftarake. Hetimet janë shtrirë edhe për procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes, për kompanitë e huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY” të David Packouz, me seli në Florida./shqiptarja.com




Skip to toolbar