Vjedhja e yjeve të “La Liga”, zbulohet banda shqiptare

AKTUALITET


Katër shqiptarë, anëtarë të një bande janë vënë në pranga pasi janë autorë të një sërë vjedhjesh të shtëpive të yjeve të Realit të Madrid dhe Atleticos. Nga hetimet e kryera janë zbuluar se vjedhjet e shtëpive të trajnerit të “Los Blancos”, Zinedine Zidane, lojtarëve Isco, Casemiro, Morata dhe Vasquez kishin të njëjtët autorë, katër shqiptarë, një prej të cilëve i identifikuar si M.Z.

Ky i fundit i arrestuar edhe më parë, konkretisht në vitin 2007 për grabitjen në rezidencën e biznesmenit dhe aktorit spanjoll,  José Luis Moreno, e ndërsa nuk dihet ende identiteti i 3 shqiptarëve të tjerë. Mësohet se kjo bandë ishte e përbërë nga 5 persona, por njëri prej tyre dyshohet të jetë larguar nga Spanja, drejt një vendi tjetër Europian. Në sendet e vjedhura, u gjet edhe medalja e Champions-it  e lojtarit të Atletico Madrid, Thomas Partey, një sasi e madhe e bizhuterive të vjedhura dhe 10 mijë euro cash.


Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për yje të futbollit botëror, shumë kush mund të mendojë se banesat e tyre janë të sigurta, me kamera apo roje të sigurisë, por mesa duket një gjë e tillë nuk i ka penguar aspak shqiptarët. Referuar mediave spanjolle, në disa prej vjedhjeve të ndodhura, futbollistët kanë qenë në shtëpi. Më konkretisht, qershorit e kaluar, banda e shqiptarëve ka vjedhur shtëpinë e futbollistit Alvaro Morata teksa ishte në shtëpi në bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët. Nuk i ka shpëtuar vjedhjes as braziliani Casemiro i Realit të Madrid. Më e “lehtë ka qenë puna” në shtëpinë e trajnerit Zinedine Zidane, ku në të njëjtën ditë, pak minuta më vonë, kanë vjedhur edhe shtëpinë e spanjollit Isco.




Skip to toolbar