Vllaznia, pa katër titullarë ndaj Bylis

SPORT


Vllaznia do të ketë një mision të vështirë ndaj Bylis, ndërsa kërkon rikthimin te rezultatet pozitive. Pas humbjes së pësuar me Laçin, shkodranët humbën lojtarë të rëndësishëm si Gurisha e Ramadani, të pezulluar me kartonë. Ndërkohë për arsye dëmtimi vazhdojnë të shqetësojnë Gligorov dhe Hygor. Trajneri Mirsad Jonuz e ka pranuar që do të aktivizojë të rinj, por sipas deklaratës së tij në konferencën për shtyp, ku analizoi kundërshtarin e radhës, deklaroi se ka vetëm një rrugë ndaj Bylisit.

 “Nesër luajmë një ndeshje interesante dhe të rëndësishme për ne. Kemi përballë Bylisin, një skuadër që ka më shumë pikë se ne dhe tashmë kemi 6 skuadra që kanë të njëjtat pikë. Ky kampionat po bëhet gjithnjë dhe më interesant. Një ditë skuadrat shkojnë poshtë në renditje, një ditë shkojnë lart. Duhet të kemi vazhdimësi”, tha Jonuz fillimisht.


Më tej ai shtoi: “Bylisi bën një lojë të mirë dhe me pasime. Kanë gati 8-9 lojtarë qëe prej dy vitesh luajnë bashkë dhe kanë marrë rezultate të mira me ekipe si Tirana e Partizani. Vllaznia nesër kërkon 3 pikët dhe lojtarët e mi do japin maksimumin. Besoj se do kemi edhe shumë tifozë që do na ndjekin”.

Në lidhje me ndryshimin e datës së ndeshjes, Jonuz deklaron: “Është e njëjta gjë, si të luhet të shtunën, si të hënën. Problemi i vetëm ishte stadiumi”. Trajneri i Vllaznisë foli edhe për situatën në skuadrën e tij. “Kemi 4 mungesa. Hygor dhe Gligorov shpresoj të jenë gati për Tiranën. Kjo ndeshje do jetë shumë e rëndësishme, sepse Vllaznia dhe Bylisi luajnë pak a shumë të njëjtin futboll. Edhe te Bylisi kemi një trajner jugosllav, që vjen nga e njëjta shkollë. Nesër Vllaznia nuk ka shans tjetër veç fitores. Besoj se nesër do arrijmë të fitojmë”.

Jonuz iu kthye edhe përballjes së parë në Ballsh, që përfundoi në barazim pa gola: “Ishte fillimi i kampionatit, para 2 muajve e gjysmë. Bylisi kishte pak a shumë të njëjtat probleme si ne, lojtarë me kartonë e të dëmtuar. Nesër të dy ekipet do luajnë me lojtarë të rinj nga ndeshja e parë. Kam folur me lojtarët e mi, i kam dhënë një ditë pushim. Besoj se edhe lojtarët e rinj që do angazhohen nesër, do japin më të mirën”.




Skip to toolbar