Vrau Florian Selimin, merr fund arratia e 31-vjeçarit të dënuar me 19 vjet burg

AKTUALITET


Policia e Fierit ka vënë në pranga Sadri Selacin, 31-vjeçarin në kërkim pasi ishte dënuar me 19 vjet burg për vrasjen e Florian Selimit më 11 Gusht të vitit 2019. Në lidhje me këtë ngjarje është dënuar me 19 vjet burg edhe Kiri Mernica, i cili aktualisht po e vuan dënimin.

“Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Sharp”, si rezultat i të cilit u kap shtetasi i shpallur në kërkim Sadri Selaci, 31 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 06.07.2023, e ka dënuar këtë shtetas, me 19 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim. Më datë 11.08.2019, në vendin e quajtur “Ura e Zharrës”, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Kiri Mernica (aktualisht vuan dënimin në IEVP), ka vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin Florian Selimi”, njoftoi policia.


Florian Selimi, 23 vjeç, u gjet i vrarë në fshatin Sulaj të Fierit në 11 Gusht të vitit 2019. Ai ishte goditur me thikë dhe trupi i tij ishte hedhur në një kanal.

Nëna e të ndjerit, Dukate Selimi, kishte denoncuar më herët në emisionin Uniko faktin se si po tentohej të manipulohej vrasja e djalit të saj dhe fajtorët të liroheshin nga akuzat. Mirëpo pas denoncimit në emision, hetimet morën një rrjedhë tjetër.




Skip to toolbar