Vrau me skaf 7-vjeçaren në plazh/ Prokuroria e Vlorës jep pretencën: 15 vjet burg për Arjan Tase

AKTUALITET


Prokuroria Vlorës kërkon deklarimin fajtor të të Arjan Tase dhe dënim me 15 vite burg për ‘Vrasje me Dashje’.

Konkluzionet


Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në bazë të nenit 378 të K.Pr.Penale ka parashtruar konkluzionet përfundimtare në lidhje me procedimin penal nr.918 të vitit 2022 me të pandehur shtetasin Arjan Tase i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja me dashje’ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

Kjo prokurori, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit Arjan Tase., dhe dënimin e tij me 15 vite burg për veprën penale ‘Vrasja me dashje’.

Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes,në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri Arjan Tase., ka qenë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij J.A., mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura J.A. ndërroi jetë në moment.

Në lidhje me të pandehurin Arjan Tase., nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, kqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte.

Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri Arjan Tase., ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia’.




Skip to toolbar