Xhunga: Rezistenca e Botës së vjetër (dumbabistët)

Më të fundit


Nga Albi Xhunga

Bota e vjetër i ka rezistuar gjithmonë Botës së re. Lëvizjet drejt progresit kanë hasur gjithmonë në rezistencën e fortë të së vjetrës. Establishmentet nuk janë rrëzuar asnjëherë pa qëndresë. Aristokratët francezë nuk u dorëzuan pa rezistuar ndaj revolucionarëve që me kartën e të drejtëve të njeriut ndryshuan historinë e Francës dhe të gjithë Europës. Skllavopronarët e shteteve jugore të Amerikës nuk iu nënshtruan pa luftë industrializimit e modernizimit të shteteve veriore, të cilat i dhanë fund skllavërisë. Nuk mund të pritet që elitat e vjetra, sado të kalbura e të korruptuara qofshin, ta lirojnë skenën pa rezistuar.  Shembujt janë pafund. Në çdo lëvizje që ka ndryshuar një epokë klanet e vjetra janë përpjekur të rezistojnë. Rezistenca është pjesë e genit njerëzor dhe shpesh njeriu i bën rezistencë inovacionit sepse ka frikë nga e panjohura që ndonjëherë nuk arrin ta kuptojë.


Fenomeni më interesant e më i pakuptueshëm tek përmbysjet e mëdha është rrefuzimi që i bën progresit ajo pjesë e shoqërisë e cila vuan më shumë nga regjimi në fuqi. Është ajo pjesa më margjinale që është shtypur aq fort e që është lënë aq shumë në errësirë sa e rrefuzon ndriçimin. Është pak a shumë si një i burgosur që del pas një kohe të gjatë nga një birucë e errët, i cili nuk është rehat me dritën e diellit.

Kjo pjesë margjinale e shoqërisë shpesh bëhet bashkëpunëtore e elitës prej së cilës shtypet dhe paradoksalisht reziston bashkë me të.

Në historinë tonë këtë fenomen e mishërojnë më së miri dumbabistët e periudhës së lëvizjeve shqiptare për paravësi. Dumbabistët ishin një përzierje e një farë elite provinciale që donte të konservonte disa privilegje të mjera që i vinin nga regjimi otoman dhe e pjesës më të margjinalizuar të shoqërisë që ishte zhytur në një injorancë të thellë të karakterit fetar e që kujtonte se bashkë me padishahun do të humbte edhe të madhërishmin zot.

Dumbabistët modernë

Dumbabistët e kohës që jetojmë nuk kanë ndonjë ndryshim të madh në përmbajtje me dumbabistët e fillimshekullit të XX. Edhe këta përbëhen nga një elitë e kalbur, e korruptuar deri në palcë dhe e mbështetur nga disa media që i financon me paratë e korrupsionit, por edhe nga një pjesë margjinale e shoqërisë që jeton ende në terr. Ironikisht përgjegjëse kryesore e këtij terri është pikërisht kjo elitë e korruptuar.

Mbështetje e tyre janë portalet që sponsorizojnë me para korrupsioni për të sulmuar reformën në drejtësi. Mbështetje e tyre është ai punonjësi i administratës që në trurin e tij të vockël mendon se të kesh një vend pune e një rrogë modeste është jo një e drejtë universale, por një privilegj që ta jep partia. Mbështetje e tyre është ai opozitari që vjen, le të themi nga rruga Montekarlo në Bathore, e që mendon se padrejtësia më e madhe që i ka ndodhur Shqipërisë moderne është rrëzimi nga pushteti i liderit të tij shpirtëror në vitin 2013 dhe që i shkaktoi atij humbjen e vendit të punës, të cilin e kishte fituar me pjesmarrje dinamike në dhjetra mitingje.

Reforma në drejtësi dhe reagimi amerikan

‘’Everything will be ok in the end. If is not ok is not the end.’

Ky citat i John Lennon do të definonte më së miri situatën me reformën në drejtësi në Shqipëri. Lufta amerikane për reformën do të mbarojë vetëm atëherë kur ajo të jetë instaluar plotësisht dhe rezultatet të jenë të dukshme e të prekshme. Garancia për këtë mban markën USA.

Pas votimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese për reformën në vitin 2016, gjithë çka mund të bëjnë liderët e korruptuar është ta vonojnë sa të munden implementimin e saj dhe deri tani ia kanë arritur jo keq. Braktisje Kuvendi, bojkot zgjedhjesh, protesta dumbabiste, bllokim artificial të formimit të Gjykatës Kushtetuese, etj. Kur kjo nuk mjafton duan të shpikin një këshill politik për të rishpikur veten si padronët e këtij vendi. Mirëpo insistimi amerikan na jep garancinë që me gjithë vonesat e zvarritjet, produkti final do të jetë një drejtësi e fortë që do të rivendosë balancat në shoqërinë shqiptare. Reagimet e fundit të ambasadores, Yuri Kim, përveçse na sigurojnë për vëmendjen dhe vendosmërinë amerikane ndaj reformës, godasin fort edhe iluzionet presidenciale se mund të vihet dorë mbi të me anë këshillash politikë ekstra-ligjorë.

Në kushtet ku në Shqipëri anti-korrupsioni nuk ka një përfaqësim të qartë politik, sepse forcat kryesore kanë lidership të korruptuar dhe sistemi është i kapur pikërisht nga këto forca të korruptuara, reforma në drejtësi është mekanizmi i vetëm që mund të çlirojë skenën politike dhe t’i japë një restart shoqërisë shqiptare aktualisht të përgjumur. Përveç garancisë së fortë amerikane (të mos harrojmë se në platformën e saj paraqitur Kongresit, Yuri Kim kishte si çështje primare pikërisht refomën në drejtësi) një tregues i fortë i suksesit të kësaj reforme janë edhe reagimet e atyre që do të jenë objektivi kryesor i saj. Një pjesë e publikut e lodhur nga zvarritjet ende nuk e beson se të paprekshmit do të ndëshkohen, por ata vetë nuk kanë asnjë dilemë, asnjë iluzion. Reagimet e tyre e dëshmojnë më së miri këtë. Ata shohin në çdo lëvizje e në çdo protestë shoqërore mundësinë për destabilitet dhe shohin destabilitetin si komardare shpëtimi. Sa më shumë i afohemi finalizimit të reformës aq më shumë ata dalin hapur. Javën që lamë pas thirrjet për revolucion e për puç u bënë nga shkëlqesia e tij presidenti i bllokut dhe lideri shpirtëror i së djathtës në studio televizive në prime time.

Mesazhet me tone kërcënuese të ambasadores i drejtoheshin gjithashtu maxhorancës, e cila është e vetmja që ka fuqinë reale për të dëmtuar reformën me mekanizma ligjorë. Nuk mund ta dimë nëse ambasadorja aludonte një përfshirje të kryeministrit në një marrëveshje kulisash apo thjesht kërkonte një distancim të qartë të tij prej propozimeve komplotiste të presidentit. Por reagimi i kryeministrit na jep të kuptojmë se ai nuk është i prirur të luajë lojën e rrezikshme të shkëlqesisë së tij.

Ambasadorja reagoi edhe ndaj pazareve me reformën zgjedhore. Pas reagimit pamë se opozita do të rikthehet në tryezë. Të shpresojmë se presioni amerikan do të na shmangë një make-up të sistemit dhe do të detyrojë palët të firmosin një reformë cilësore ku kryetarët e partive nuk janë mbretër dhe ku vota numërohet në mënyrë korrekte. Kosova edhe pse është shtet gati një shekull më i ri se Shqipëria zhvillon sot zgjedhje të mira e të pakontestuara. Listat e hapura i japin frymëmarrje procesit dhe forcojnë personalitetin aktualisht të nëpërkëmbur të deputetit. Por asnjë sistem nuk do të japë një zgjidhje finale për sa kohë numërimi i votës është ekskluzivitet i tre forcave që kanë kapur sistemin.

Përpëlitjet e fundit

Dumbabistët do të përpiqen dëshpërimisht të rezistojnë. Askush nuk pret që ata të shkojnë e ta vënë kokën me dëshirë në ‘’gijotinën’’ e drejtësisë së re. Sejmenët e tyre mediatikë do të vazhdojnë të propagandojnë një reformë të dështuar e të kapur. Ata do të vazhdojnë të proklamojnë një sovranizëm patetik që mbron pushtetin e përjetshëm të të korruptuarve. ‘’Salvador Allendet’’, ‘’Avni Rustemët’’ e ‘’Mic Sokolët’’, edhe pse me poture të rëna do të përpiqen të krijojnë trubullira.  Por koha nuk punon për ta. Ata janë pjesë e Botës së vjetër dhe duhet të lirojnë skenën që kanë okupuar prej tre dekadash. Progresi shqiptar, Bota e re ka sot mbështetjen e fuqisë më të madhe të kohës.




Skip to toolbar