Zaloshnja: Zoti Kryeministër, frika është normale, paniku është anormal

CORONAVIRUS


Nga Eduard Zaloshnja

Kryeministri Rama ka postuar sot një video të shkurtër mbi koronavirusin aktual në Facebook, me diçiturën “Frikë aspak, kujdes po!”. Në këtë video jepen grafikë nga OBSH-ja, që tregojnë se sa përqind e të infektuarve e kalojnë sëmundjen pa simptoma, e sa përqind nga ata me simptoma vdesin sipas grup moshave. Por në këtë video mungon deklarata e Dr. Anthony S. Fauci, Drejtor i National Institute of Allergy and Infectious Diseases (NIAID) në SHBA. Sipas Dr. Faucit, gripi i shkaktuar nga koronavirusi aktual është 10 herë më vdekjeprurës se sa influenca stinore (jo rrufa stinore).


Kur njeriu i thjeshtë dëgjon për një pandemi që po përhapet me shpejtësi në botë, dhe që ka marrë 5000 jetë brenda dy muajsh, është mëse e natyrshme që të ketë frikë nga infektimi. Frika është një ndër katër instiket bazike të çdo frymori, jo vetëm të njeriut. Është një instikt i ingranuar në AND-në e frymorëve në qindra milionë vjet të zhvillimit evolucionar të tyre. Sa më i madh të jetë rreziku dhe sa më eminent të jetë ai, aq më e madhe është frika tek frymorët.

Sidoqoftë, meqënëse njeriu është një frymor shoqëror, qasja ndaj rrezikut është e ndryshme në shoqëri të ndryshme. Fjala vjen, në shoqëritë mesdhetare (dhe ato të prejardhura prej tyre, si në Amerikën Latine), qasja ndaj rrezikut është më fataliste (bazuar në moton “Ç’të jetë e shkruar, do të ndodhë”).

Në të tilla shoqëri, është mëse e nevojshme ndërhyrja shtrënguese e shtetit, që anëtarët e shoqërisë të modifikojnë qasjen e tyre ndaj rrezikut (kur ai prek jo vetëm individin, por edhe shoqërinë). Fjala vjen, nga një studim i Pacific Institute For Research and Evaluation (ku kam punuar për 20 vjet), rezultonte se parndalimi i plagosjeve (nga shkaqe të ndryshme) ka funksionuar më mirë me ndërhyrje këshillimore në vendet anglosaksone. Ndërsa në vendet me kulturë latine, masat shtrënguese të qeverive kanë funksionuar më mirë.

Në Shqipëri, si një vend mesdhetar, qeveria nuk duhet të mjaftohet vetëm me këshilla (aq më pak qetësuese). Masat shtënguese janë të mirëpritura (edhe pse të vonuara: shihni shkrimin tim të 28 shkurtit https://realstory.al/zaloshnja-kujdes-pacienti-zero-mund-te-jete-tashme-mes-nesh/). Madje edhe më të shtrënguara duhet të jenë në vazhdim!

Kryeministri duhet ta thotë me plot gojë se të gjithë duhet të kemi frikë nga koronavirusi aktual. Frika është instikt mëse normal. Paniku është anormal…




Skip to toolbar