Borchard zhgënjehet me PD

AKTUALITET


Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt është shprehur i zhgënjyer nga vendimi i PD-së por edhe i opozitës parlamentare që braktisën tryezën e OSBE për reformën zgjedhore. Ai gjithashtu ka refuzuar propozimin e bërë nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso që reforma zgjedhore të bëhet nga një strukturë e posaçme me përfaqësues të SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së.

Lidhur me këtë ambasadori Borchard tha se OSBE nuk qeveris në Shqipëri që të marrë në dorë reformën, por vetëm jep mbështetjen e saj.


“Për atë që ndodhi sot jam i zhgënjyer. Do të shohim se çfarë do të bëjmë në vijim. Propozimi i PD-së? Nuk e qeverisim ne këtë vend, që të marrim në dorë reformën. Ne mbështesim vendin natyrisht” tha ai.

Më herët gjatë fjalës së tij përfaqësuesi i PD-së propozoi që reforma zgjedhore të mos bëhet në parlament por nga një strukturë e posaçme me praninë e ndërkombëtarëve. “Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime” tha Kaso i cili më pas së bashku me përfaqësuesit e tjerë të opozitës së bashkuar kanë braktisur tryezën e OSBE-së.

Ky kusht i vendosur nga PD ka sjellë reagimin e ashpër edhe të deputetëve të opozitës parlamentare, një pjesë e së cilës e braktisën dhe ata tryezën duke hedhur akuza për një marrëveshje të fshehtë mes PS dhe PD./realstory.al




Skip to toolbar