Analisti Frrok Çupi, i ftuar në emisionin “Real Story”, komentoi protestën dhe reagimet kundër zhvillimit të koncertit të Kanye West, i mbajtur të shtunën në zonën e Kasharit.
Sipas tij, kundërshtimet ndaj koncertit nuk duhen parë si një ngjarje e izoluar, por si pjesë e një përplasjeje më të gjerë globale.
Çupi u shpreh se bota ndodhet në një konflikt mes Lindjes dhe Perëndimit, duke argumentuar se kjo përplasje shfaqet edhe përmes protestave dhe sulmeve ndaj figurave publike apo drejtuesve të shteteve perëndimore.
Analisti shtoi se në këtë përplasje përfshihet edhe Shqipëria, si pjesë e bllokut perëndimor, duke theksuar se sulmet ndaj liderëve të vendeve perëndimore janë pjesë e së njëjtës agjendë. Duke komentuar protestat, Çupi tha se në bulevard po shfaqen ide dhe praktika komuniste, të cilat, sipas tij, përfaqësojnë një majtizëm ekstrem.
“Jo, është një përplasje mes këtyre të dobëtëve, që quhen njerëz të dobët, dhe fuqive shumë të mëdha që po luajnë në botë. Le ta themi hapur se ne ndodhemi në luftë. Jo thjesht ne, por lufta është globale. Lufta është mes Lindjes dhe Perëndimit. Lufta është shumë e egër, sepse Lindja përfaqëson qeverisjen e regjimit, sistemin e varfërisë, sistemin e të humburit, sistemin e të mjerit. Këtë po e shohim edhe në protesta apo në luftën kundër Kanye West. Lufta është globale. Po kërkohet, siç kërkohet koka e kryeministrit, po ashtu kërkohet edhe vdekja e Presidentit të Amerikës, e kancelarit të Gjermanisë, e kryeministrit të Britanisë së Madhe, e kryeministres së Italisë dhe e presidentit të Francës. Kjo është në qendër të agjendës së Lindjes kundër Perëndimit.
Kur kërkohen krerët e shteteve, ne bëjmë pjesë në këtë bllok. Për fat të mirë bëjmë pjesë në këtë bllok dhe, për fat të keq, nëse do të fitonte Lindja, ne do të shuheshim.”
.Në bulevard po lindin ide dhe praktika komuniste, të një majtizmi shumë ekstrem, i cili rrezikon botën. Antifa e rrezikoi Amerikën, ndërsa këta janë tipikë të Antifës. Antifa po rrezikon edhe Evropën Perëndimore dhe kjo është shumë serioze.”, tha Çupi.
