Zv/ministri i Brendshëm, Hodaj: Vetëpastrimi i organizatës së Policisë po hyn në një fazë të re

AKTUALITET


Zëvendësministri i Brendshëm, Juliam Hodaj në një deklaratë për mediat thotë se vetëpastrimi i policisë po hyn në një fazë të re.

Gjatë fjalës së tij, Hodaj shton se Policia e Shtetit do të jetë një organizatë e shëndoshë dhe e fuqishme në goditjen e paligjshmërisë në tërësi dhe krimit të organizuar e trafiqeve në veçanti.


Hodaj thotë se goditja e elementëve të inkriminuar apo edhe shkelësve të etikës edhe brenda radhëve të organizatës së Policisë së Shtetit do ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër të sundimit të ligjit.

DEKLARATA E ZV/MINISTRIT TË BRENDSHËM, JULIAN HODAJ:

Vetëpastrimi i organizatës së Policisë po hyn në një fazë të re. Për një betejë të suksesshme dhe në dobi të qytetarëve, të cilët meritojnë siguri publike me standardet më të mira, Policia e Shtetit do të jetë një organizatë e shëndoshë dhe e fuqishme në goditjen e paligjshmërisë në tërësi dhe krimit të organizuar e trafiqeve në veçanti.

Në këtë kuadër, siç është theksuar nga Ministri i Brendshëm, goditja e elementeve te inkriminuar apo edhe shkelësve të etikës, edhe brenda radhëve të organizatës së Policisë së Shtetit do ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër të sundimit të ligjit.

Nga ana tjetër, një Polici e pastruar nga elementët e dëmshëm, qofshin këta të inkriminuar apo shkelës së etikës, është një vlerësim më shumë për punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me besim të palëkundur te shteti i së drejtës. Ata meritojnë respekt vlerësim e mbështetje.

Vetëm gjatë javës së fundit, falë operacioneve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me prokuroritë respektive të juridiksionit të përgjithshëm janë vënë përpara përgjegjësisë ligjore, konkretisht:

Në Durrës, një oficer policie, i dyshuar si i implikuar në korrupsion dhe në përpjekje për të zhbërë luftën e policisë kundër trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Rasti tjetër në Lezhë, ku punonjës të policisë kishin mbyllur sytë përballë kultivimit të bimëve narkotike, tregon se kushdo që kryen vepër penale duke përdorur apo duke u fshehur pas uniformës do të përgjigjet përpara ligjit. Këta individë që përdhosin uniformën, jo vetëm tradhtojnë kolegët e tyre dhe organizatën, por njollosin gjithashtu sakrificën dhe gjakun e atyre qindra dëshmorëve të rënë në krye të detyrës duke i shërbyer qytetarëve dhe shtetit.

Këto operacione janë vetëm fillimi dhe një sinjal i qartë për vendosmërinë pa kompromis të qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Brendshme për pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit nga ata elementë të cilët e dëmtojnë atë.

Jo më pak i rëndësishëm – është zbatimi rigoroz i kodit të Etikës së drejtuesve dhe punonjësve të policisë së shtetit. I afishuar tashmë në çdo komisariat apo drejtori në Shqipëri, ky Kod duhet ti kujtojë të gjithëve se organizata ekziston për t’i shërbyer qytetarëve. Jo rastësisht, këtë javë janë zbatuar edhe masa ndëshkuese për shkelje të këtij kodi deri në përjashtim punonjësish dhe kështu do vazhdojë të jetë për këdo që nuk e respekton atë.

Në emër të Ministrisë së Brendshme shpreh besimin se, forcimi i bashkëpunimit mes të gjitha hallkave të zinxhirit të drejtësisë, në luftën e përbashkët për goditjen e krimit, do t’i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve një nivel akoma më të lartë të sundimit të ligjit.

Përfitoj nga rasti që në emër të Ministrisë së Brendshme, të inkurajoj të gjithë qytetarët që të besojnë dhe të mbështesin punën e Policisë së Shtetit. Angazhimi juaj, me denoncime për raste të shkeljes së ligjit apo shkelje të etikës, do ta bëjnë Policinë një organizatë më të shëndetshme, në zbatim të ligjit dhe garantimit të rendit e sigurisë publike.

Integriteti, profesionalizmi dhe etika janë kolona mbështetëse për të ngritur standardet e policimit. Ndaj ne do të shohim dhe do të ecim vetëm përpara. Faleminderit.




Skip to toolbar