9 akuza kundër Metës, caktohen deputetët që do shkarkojnë Presidentin

AKTUALITET


Ndërkohë që parlamenti do të mblidhet pasditen e së hënës për të miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta, kryeministri Rama ka mbledhur mëngjesin e së hënës deputetët e Grupit Parlamentar të PS-së.

Në këtë mbledhje u caktua që Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Metës të përbëhet nga 9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita parlamentare.


Nga PS janë caktuar anëtarë: Vasilika Hysi, Klodi Ferhati, Bashkim Fino, dhe Alket Hyseni. Nga opozita pritet edne që të përcaktohen emrat e anëtarëve. Më herët Rudina Hajdari nuk ka qenë dakord me ngritjen kaq shpejt të komisionit hetimor. Ajo ka thënë se ky komision duhet të shtyhet deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, që të shmanget sipas saj pështjellimi i krizës politike.

Më herët Realstory.al ka publikuar raportin e plotë të hartuar nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve, raport i cili do të miratohet në seancën e pasdites që do të mblidhet në orën 17.00.

Në raport shkruhet se presidenti Meta ka cenuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit, ka shkelur Kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe Kuvendit, është sjellë arbitrarisht me pushtetin, ka anuluar arbitrarisht datën e zgjedhjeve, ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve, ka cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira, ka cenuar parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, ka nxjerrë një akt në kundërshtim të hapur me ligjet si dhe ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Pjesë e hetimit do të jetë edhe shkresa e Komisionit të Ligjeve drejtuar presidenti të cilin e ftonte të merrte pjesë në një seancë dëgjimore në komision për të argumentuar vendimin e tij, ftesë kjo që mori përgjigje negative nga institucioni i Presidencës, përmes një letre të dërguar nga sekretarja e përgjithshme e Institucionit të Presidencës. Komisioni i Ligjeve shkruan në raport se ko letër e titullares së presidencës përmban një gjuhë joetike, ironike, fyese dhe tejet ofenduese dhe aspak të denjë për institucionin që përfaqëson kreun e shtetit, ndaj deputetëve.

9 akuzat e Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës

Ka cenuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit (në kundërshtim me nenin 2, pika 1 të Kushtetutës);

Ka shkelur Kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe Kuvendit;

Është sjellë arbitrarisht me pushtetin, përkundër natyrës së Republikës Parlamentare (në kundërshtim me nenin 1, pika 1, të Kushtetutës);

Ka anuluar arbitrarisht datën e zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 92, germa “gj”, të Kushtetutës dhe nenin 8, 9 dhe 10 të Kodit Zgjedhor);

Ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 1, pika 3 dhe nenin 109 të Kushtetutës);

Ka cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira (në kundërshtim me nenin 1, pika 3, të Kushtetutës);

Ka cenuar parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë (në kundërshtim me nenin 4 paragrafi i dytë i Kushtetutës dhe nenin 4 të K. Pr. Administrative);

Ka nxjerrë një akt në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjet;

Ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur (në kundërshtim me nenin 45, pika 1, të Kushtetutës).




Skip to toolbar