Familjarët e viktimave të 21 janarit me sytë nga SPAK

AKTUALITET


Kanë kaluar 9 vite nga 21 janari i vitit 2011 ku mbetën të vrarë në bulevard 4 protestues të pafajshëm të opozitës së asaj kohe, Partisë Socialiste, e cila si çdo vit ka zhvilluar homazhe në nderim të viktimave, ndërsa familjarët e tyre janë të zhgënjyer që ende nuk është vendosur në vend drejtësia dhe shpresa e vetme është SPAK.  Ligji për organet e reja të drejtësisë, ka hequr kufizimet kohore që SPAK dhe BKH të hetojnë çështje të ndryshme, sidomos kur të implikuar janë funksionarë dhe ish-funksionar të lartë.

Hiqmet Veizi, vëllai i Ziver Veizit, njërit prej katër viktimave të 21 Janarit shpreh zhgënjim për faktin që kanë kaluar 9 vite dhe akoma nuk është bërë drejtësi. “Nuk kemi asgjë, jemi ngopur me llafe. Jemi ngopur me drejtësinë, nuk kërkoj më asgjë. Kam 9 vite, jemi ngopur”, tha ai për mediat. Ndërsa mbesa e Ziver Veizit u shpreh se shpresa vdes e fundit dhe kjo shpresë është drejtësia e re. “Kanë kaluar 9 vite, jemi të mërzitur se nuk është zbardhur e vërteta, shpresa vdes e fundit, kemi besim te drejtësia e re dhe që vrasësi i xhaxhait do të identifikohet”, deklaroi ajo.


Familjarët e viktimave u shoqëruan nga deputetët e partisë socialiste dhe kryen homazhe në bulevardin Dëshmorët e Kombit, përpara kryeministrisë, pikërisht aty ku u qëlluan për vdekje 4 protestues të pafajshëm. Deputetët dhe familjarët mbanin në duar karafila në kuq, ndërsa homazhet u konceptuan si një parakalim i heshtur. Në këto homazhe nuk merrte pjesë kryeministri Edi Rama, pasi ndodhet në Ukrainë, në një vizitë në krye të Presidencës së OSBE-së.

Më 21 janar të vitit 2011, drejtues të Gardës së Republikës qëlluan me armë drejt protestuesve të paarmatosur dhe vranë në bulevard katër protestues të pafajshëm dhe plagosën gjashtë të tjerë. Nga protesta mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. Ajo që nuk është përcaktuar ende është arma nga u qëllua Aleks Nika, sepse plumbi që kishte bërë rikoshet rezultoi mjaft i dëmtuar.

Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, të vrarë me duar në xhepa në protestën e 21 Janarit 2011 janë shpallur ‘Dëshmorë të Atdheut’. Ndërkohë që familjarët vijojnë që të kërkojnë drejtësi, apel të cilin ata e përsërisin çdo vit duke pasur shpresë se drejtësia e re do bëjë drejtësi për katër të vrarët.




Skip to toolbar