Partia Bindja Demokratike e cila merr pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, ka kërkuar të enjten përmes Fabian Topollajt, që PS të tërheqë kandidatin e saj për bashkinë e Shijakut, emri i të cilit del në përgjimet e publikuara nga Bild.
Ndërsa ka reaguar edhe për kandidaten tjetër të PS-së në Durrës, Valbona Sako, duke thënë se ajo është e përzgjedhura e Vangjush Dakos për në bashki.
“Janë të përfshirë drejtpërdrejtë. PS ka kandiduar, Elton Arbanën një prej protagonistëve kryesor në përgjimet e bëra publike. Njeriu që deri dje vjedh zgjedhjet sot na afrohet personalisht si kandidat. Po ashtu kandidatja e Rilindjes, Valbona Sako. Ajo është e përzgjedhura e Dakos. Në këto kushte Bindja Demokratike kërkon tërheqjen e menjëhershme të kandidatit të Shijakut. Kjo do ishte prova minimale për zgjedhjet 30 qershorit. Kërkojmë edhe moslejimin në garë për personat e lidhur me krimit. Ose në të kundërt Edi Rama kërkon të deformojë vullnetin shqiptar edhe në këto zgjedhje”, ka deklaruar Topollaj.
Deklarata e plotë:
Opinioni publik u njoh dje nëpërmjet publikimeve të gazetës së famshme gjermane “BILD” me prova të reja të korruptimit dhe të manipulimit të proceseve zgjedhore në Shqipëri. Përmes tyre del e faktuar qartë se drejtues të Partisë Socialiste në Durrës dhe të administratës qëndrore dhe lokale atje, janë të përfshirë drejtpërsëdrejti në vjedhjen e zgjedhjeve në atë qark.
E reja e këtyre publikimeve është se, përveç të tjerave, rezulton që Partia Socialiste ka kandiduar për kryetar të Bashkisë së Shijakut në zgjedhjet e 30 Qershorit, Elton Arbanën, një prej protagonistëve kryesorë të këtyre përgjimeve. Që do të thotë se njeriu, që deri dje vidhte vota për kandidatët e tjerë të Rilindjes, sot na ofrohet personalisht nga Maxhoranca si kandidat për Kryetar Bashkie.
Po ashtu, kandidatja e Rilindjes në Bashkinë e Durrësit, Valbona Sako, njihet botërisht së është e përzgjedhura e Vangjush Dakos për këtë funksion, pikërisht e personit që rezulton të jetë, jo vetëm drejtuesi, por edhe aplikuesi kryesor i të gjithë kësaj skeme për deformimin e vullnetit të zgjedhësve në Qarkun e Durrësit.
Në këto kushte, BINDJA DEMOKRATIKE kërkon tërheqjen e menjëhershme nga gara të kandidatit të Partisë Socialiste në Bashkinë e Shijakut, që do të ishte prova minimale për të treguar vullnetin e maxhorancës për realizimin e zgjedhjeve brenda standardeve më 30 Qershor.
Nga ana tjetër, ne kërkojmë sqarimin sa më të shpejtë nga organet kompetente të pozicionit dhe mundësisë së implikimit në këtë skandal edhe të kandidates së Partisë Socialiste në Durrës, zonjës Valbona Sako, duke pasur si qëllim moslejimin e përfshirjes në garën e 30 Qershorit të personave me përgjegjësi të drejtpërdrejtë në kryerjen e krimeve zgjedhore, siç e parashikon edhe ligji i dekriminalizimit.
Në të kundërt, do të provohej, jo vetëm që vetë Edi Rama është ideatori i kësaj megaskeme manipulimi, por edhe që ai synon ende që të deformojë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë edhe në këto zgjedhje.