Këtë të hënë në emisionin ‘RealStory’ në ‘News24’ analisti Fatos Lubonja komentoi zhvillimet e fundit politike në vend, duke u fokusuar te protesta e 8 janarit zhvilluar në selinë e PD.
I ndalur edhe tek kryeministri Edi Rama, Lubonja tha se i vetmi qëllim i tij është eliminimi i kundërshtarëve politikë, më konkretisht i opozitës.
Më tej Lubonja shtoi se Rama deri më tani ka arritur të ketë në kontroll të gjithë pushtetet dhe kjo sipas tij ka shkaktuar edhe një rrezik të madh për vendin.
‘Nuk dua të fokusohem tek lufta se kush do të marrë timonin e PD, por anijen e PD dua ta shoh në tërësi brenda gjithë kontekstit ku lundron për të kuptuar çfarë po ndodh me këtë opozitë. Unë kam theksuar se Rama që kur ka marrë pushtetin ka ndërtuar një strategji pushteti nëpërmjet eliminimit të kundërshtarëve, kapjes së institucioneve, mediave, ekonomisë pushtetit duke ndërtuar edhe aleanca dhe lobime me SHBA. Unë shoh një rrezik të madh të ndërtuar nga Rama , ku rreziku kryesor është eliminimi i PD opozitës si kundërshtar dhe kam pare nxjerrjen jashtë loje të LSI. Por tani me këtë që ndodhi ka lënë për të shpartalluar bazën e PD. Nga ky këndvështrim unë shoh suksesin e një strategjie antishqiptare, përtej gëzimit që mund të ketë Rama që i quan kufoma politike. Unë shoh se Basha ka përgjegjësi të parë kryesore për paaftësi politike për t’ju përgjigjur këtyre strategjive të Ramës, pra kanë rënë pre ose janë bërë bashkëpunëtor. Kjo është ajo që unë kam parë. Një strategji e arritur për keq në mënyrë diabolike dhe nga ana tjetër njerëz të paaftë që nuk kanë ditur t’i përgjigjen sepse qëkur pranuan reformën në drejtësi pavarësisht se e dinin se ishte për tu kapur drejtësia…Këta janë një opozitë e paaftë dhe kulmin e paaftësisë e treguan pas 25 prillin ku as nuk mbrojtjen masakrën zgjedhore. Pastaj arritën kulmin pas shpalljes non-grata të Berishës’, tha Lubonja.